Në Konispol u mbajt simpoziumi shkencor në përkujtim të 80-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Në Konispol u mbajt simpoziumi shkencor në përkujtim të 80-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Fondacioni ALSAR dhe Bashkia e Konispolit organizuan dhe mbajtën këtë të martë simpoziumin shkencor kushtuar 80-vjetorit të gjenocidit ndaj çamëve.
Aktivitetit i parapriu vizita në varrezat e Kllogjerit, ku u vendosën kurora në nderim të viktimave të gjenocidit.
Në sheshin qendror të Konispolit do të zbulohej dhe pllakata me emrin e ri të tij, “Çamëria”.
Fjalën e hapjes në simpoziumin shkencor e mbajti kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Ergest Dule. Pas tij do t’u drejtohej të pranishmëve në shesh, me një fjalë përshëndetëse, kryetari i Fondacionit ALSAR.
Z. Mehdi Gurra do të thoshte në fjalën e tij: “Ky bashkorganizim i Fondacionit ALSAR dhe i Bashkisë Konispol sjell në vëmendje në nivel akademik një ngjarje me gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të shqiptarëve. Ajo përfaqëson vuajtjet e një popullsie të tërë, të vrarë e dëbuar prej tokës së vet, por ende në këmbë falë forcës së mbijetesës dhe vullnetit për të mos u shuar të bijve e bijave të lënë pas.
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë është në 80-vjetorin e tij, por dhimbja ende ndihet, plaga akoma dhemb, brenga dhe malli edhe më çajnë zemra dhe mbushin sy me lot.
Ajo gjëmë e qershorit të 1944-s nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur, nuk qe një incident fatkeq i Luftës së Dytë Botërore. Kalvari i vuajtjeve kish nisur herët, qysh në të hyrë të dekadës së dytë të shekullit të njëzetë, kur fuqitë përcaktuan fatin territorial të Shqipërisë së porsalindur të pavarur.
Lëngimit të tkurrjes iu shtua ankthi i së nesërmes, e një Zot e di nëse ata njerëz e parandjenë se ç’i priste. Por, ndoshta mund të thuhet, se dhe në ëndrrat më të këqija nuk do ta kenë parë atë që do t’u paraqitej si realitet e që do ta vuanin në mënyrën më të frikshme të mundshme.
Ballkani është përvëluar shpesh nga shovinizmi, e jo më kot identifikohet si një fuçi baruti. Shumë kohë përpara se mijëra myslimanë të Srebrenicës të trajtoheshin si qenie të padenja për të jetuar e të masakroheshin kolektivisht, shumë mote përpara se shqiptarët e Kosovës të vriteshin e të merrnin rrugët për të shpëtuar ç’të mundeshin, egërsia shoviniste do të derdhej mbi çamët. Filozofia e krimit ishte e njëjta, ndryshonin vetëm kohët dhe vendi!
Sado të shkruhet e të thuhet, shumë pak mund të përshkruhet si duhet ajo shfarosje, ajo fshirje me forcë njerëzish të ndryshëm etnikisht dhe fetarisht me pjesën tjetër në shtetin që nuk deshi t’i mbante, me ta lënë skajin jugor të kufirit tonë shtetëror.
Imazhet e karvaneve të të vuajturve në malet e jugut, të të shkulurve dhunshëm prej vatre, në kërkimin për pak paqe e për pak dinjitet, rrëqethin me të njëjtën forcë çdo shpirt të prekshëm nga fatkeqësia e tjetrit, e jo më njerëzit e një gjaku.”
Ai do të vazhdonte më tej, “Pesha e tragjedisë së çamëve do të ishte lehtësuar nëse drejtësia do ta kishte thënë fjalën e saj. Pasardhësit e shqiptarëve të Çamërisë që provuan gjenocidin, e ata pak të mbijetuar deri më sot nga ajo kohë, do të kishin gjetur ngushëllim në triumfin e së drejtës. Shkurajuese ose jo, mbërritja deri te njohja e së drejtës mbetet ende një iluzion.
Çështja çame nuk u përket vetëm çamëve, ngado nga janë në Shqipëri. Çështja çame është dhe duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve! Siç nuk duhet t’i lihet shtetit të kujtohet sporadikisht për të, e të varen tërë shpresat te shteti për zgjidhjen e saj. Shoqëria duhet ta thotë më fort fjalën e vet e të jetë më e gjallë në këtë kauzë drejtësie për mbarë ne.
Me këtë rast, dhe në këtë kontekst, e përgëzoj Bashkinë e Konispolit për vendimin e marrë, që i jep sheshit të qytetit emrin ‘Çamëria’.
Dua të vë në dukje, gjithashtu, se Fondacioni ALSAR është i pranishëm prej vitesh në Konispol me veprimtari humanitare, arsimore dhe kulturore. Kjo prani i detyrohet dhe karakterit tonë kombëtar, përkushtimit tonë misionar për të dhënë dhe bërë më të mirën për vendin, për Shqipërinë tonë.”
Ndërsa e mbylli fjalën duke i uruar punime të mbara simpoziumit, z. Gurra u la radhën kumtuesve. Akademik prof. dr. Beqir Meta, dr. Halil Hyseni, dr. Sali Kadria, prof. dr. Fatmira Rama, Enver Kushi dhe Ahmet Mehmeti paraqitën trajtesa nga këndvështrime të ndryshme mbi çështjen çame dhe gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Një program artistik nga nxënës të shkollës “Bido Sejko” të Konispolit e bëri më të këndshme mbrëmjen dhe më të ngrohtë atmosferën.
Me kërshëri u panë stendat e ekspozitës së përgatitur me këtë rast. Publikut iu paraqitën dhe disa tituj të Botimeve ALSAR./Alsar