Gent Sejkos “i shkojnë 7“ nga flluska e ndërtimit, vendos të kufizojë kreditë për të blerë shtëpi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paralajmëruar sot masa të reja për të frenuar rrezikun në rritje të një flluske të çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Nga tani e tutje, bankat nuk do të mund të japin më kredi për shtëpi pa kufi. Limitet e reja synojnë të kontrollojnë ekspozimin e lartë të sektorit bankar dhe të ruajnë stabilitetin financiar.
Rritja e çmimeve të banesave, shpesh e pashoqëruar me rritje reale të të ardhurave, ka krijuar një hendek të madh mes çmimit dhe përballueshmërisë. Ky është një sinjal klasik i një flluske.
Në shumë raste, ndërtimet e reja nuk përmbushin kërkesën reale për strehim, por funksionojnë si mjet investimi për para të padeklaruara ose të dyshimta. Kjo jo vetëm që deformon tregun, por rrit edhe rrezikun sistemik, pasi bankat ekspozohen në mënyrë të konsiderueshme përballë vlerësimeve artificiale të pronave.
Sipas rregullores së re, qytetarët që duan të blejnë banesën e tyre të parë do të marrin kredi vetëm deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për apartamentin e dytë, financimi do të jetë maksimumi 80%.
“Maksimumi i huasë në lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë,” tha Sejko gjatë një konference për shtyp ditën e sotme.
Masat janë edhe më të forta për kreditë në valutë, për të zbutur rrezikun nga luhatjet e kursit të këmbimit. Në këtë rast, huamarrja do të kufizohet në 75% për banesën e parë dhe 70% për banesën e dytë.
“Në valutë të huaj, vlera e kredisë do të jetë më e ulët për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit,” shtoi ai.
Gjithashtu, kufizime do të vendosen edhe për përqindjen që kësti i kredisë zë ndaj të ardhurave mujore. Kjo do të jetë 40% për kredi në lekë dhe 35% për kredi në valutë për banesën e parë. Ndërsa për shtëpinë e dytë, raporti do të jetë 35% në lekë dhe 30% në valutë.
Këto masa synojnë të ftohin një treg të nxehtë, ku çmimet kanë dalë përtej logjikës së të ardhurave reale dhe janë kthyer në burim spekulimi dhe pastrimi parash. Bankat tashmë e rendisin flluskën e ndërtimit si rrezikun e tretë më të madh për sistemin financiar, pas sulmeve kibernetike dhe tronditjeve globale.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, rreth 390 miliardë lekë kredi janë të mbështetura me kolateral në pasuri të paluajtshme, nga të cilat 195 miliardë lekë janë kredi të dhëna individëve. Një rënie e papritur e tregut mund të godasë rëndë bankat dhe ekonominë në tërësi./joq