Lufta e Bosnjes dhe Masakrat Serbe

-Një përmbledhje e shkurtër-
Përgatiti Roald A. HYSA
Historia e Bosnje-Hercegovinës dhe shkëputja e saj nga ish-Jugosllavia socialiste është e mbushur me plot dhimbje dhe gjak për boshnjakët muslimanë. Numrat e të masakruarve muslimanë akoma edhe sot nuk dihen të sakta dhe nuk ka një shifër të prerë. E gjitha kjo tragjedi ndodhi brenda një periudhe të shkurtër tre-vjeçare. Ngjarjet tragjike u konsumuan në prani të faktorit ndërkombëtar, si në rastin e Srebrenicës, ku për pasivitetin e forcave holandeze iu hap rruga masakrës më të madhe me synimin e një spastrimi etniko-fetar të boshnjakëve muslimanë. Boshnjakët muslimanë i vuajnë edhe i përkujtojnë për çdo vit me ceremoni të posaçme ngjarjet e dhimbshme tragjike të këtyre viteve, që nisën në ditët e para të prillit 1992 e vijuan me rrethimin tre-vjeçar të Sarajevës.
Bosnja dhe Hercegovina është njëri nga vendet historike në Evropë, me histori pothuajse të pandërprerë si një njësi gjeopolitike që nga Mesjeta e deri më sot. Ndërmjet viteve 1180 dhe 1463 ajo ishte një mbretëri e pavarur; nga viti 1580 deri në vitin 1878 ishte një “Ejalet” në kuadër të Perandorisë Osmane; nga viti 1878 deri në vitin 1918 ishte brenda Perandorisë Austro-Hungareze; dhe nga viti 1945 e deri në vitin 1992 ishte një Republikë Federale në kuadër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Referendumi i Bosnje-Hercegovinës
Në Bosnje-Hercegovinë, republika më e larmishme nga pikëpamja etnike dhe fetare, me 4 milionë banorë, muslimanët boshnjakë dhe kroatët organizuan një referendum për pavarësinë e kësaj republike të ish-Jugosllavisë. Kjo lëvizje u kundërshtua ashpër nga serbët e Bosnjës, që mbështeteshin nga Beogradi, dhe që përbënin mbi 30% të popullsisë. Ndërsa serbët bojkotuan votimin, 60% e qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës votuan për pavarësinë.
Lufta e Bosnjës
Në fillim të prillit 1992, shpërtheu lufta mes myslimanëve dhe kroatëve nga njëra anë dhe serbëve të Bosnjës nga ana tjetër. Bosnja e fiton njohjen ndërkombëtare një ditë më pas. Nën udhëheqjen e Radovan Karaxhiçit dhe të armatosur nga ushtria serbe, serbët e Bosnjës deklaruan se territoret nën kontrollin e tyre i takonin një njësie të quajtur Republika Serbe. Shumë shpejt kroatët e Bosnjës u kthyen kundër myslimanëve të Republikës.
Rrethimi i Sarajevës
Trupat serbe të Bosnjës filluan menjëherë rrethimin e kryeqytetit boshnjak të Sarajevës që zgjati 44 muaj. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar ngjarjet më dramatike të këtij rrethimi, ku 350 mijë banorët e qytetit nuk arrinin dot të siguronin nevojat bazike dhe të paktën 10 mijë u vranë nga snajperat dhe bombardimet serbe. Sarajeva u rrethua nga forcat serbe menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, rrethim ky që do të zgjaste 3 vite e gjysmë dhe që do të kalonte në histori si rrethimi më i gjatë ushtarak i historisë moderne të këtij vendi. Në këtë rrethim afro 10 mijë civilë humbën jetën dhe u plagosën më shumë se 50 mijë persona. Në këtë qytet gjatë këtij rrethimi ushtarak janë hedhur 329 bomba në ditë dhe janë dëmtuar 100 mijë godina.
Masakra e Srebrenicës
Më 11 korrik 1995 qyteti ra në duart e ushtrisë së serbëve të Bosnjës, e cila komandohej nga Ratko Mlladiç. Brenda pak ditëve nga kjo ngjarje u masakruan më shumë se 8.000 civilë, duke u kryer kështu një gjenocid që nuk ishte parë në kontinentin e Evropës që pas Luftës së Dytë Botërore. Kombet e Bashkuara, me helmetat e kaltërta hollandeze nuk morën masa të mjaftueshme për të mbrojtur zonën e sigurt, dhe nuk ndërhynë për të parandaluar tragjedinë që ndodhi në Srebrenicë.
1991 – Federata Jugosllave fillon shpërbërjen me ndarjen e Sllovenisë dhe Kroacisë. Pas këtyre vendimeve shpërthen dhuna për shkak të kundërshtimit serb ndaj ndarjes.
Shkurt-mars 1992 – Kroatët dhe myslimanët boshnjakë, pro ndarjes nga Jugosllavia, kaluan votat e serbëve në një referendum për pavarësi. Serbët të nxjerrë nga institucionet, krijuan autoritetet e tyre dhe u armatosën nga ushtria jugosllave.
Prill 1992 – Serbët filluan rrethimin e Sarajevës dhe morën nën kontroll më shumë se gjysmën e territorit të Bosnjës. Spastrime etnike dhe masakra që shnjestruan civilët filluan në gjithë Bosnjën, të zhvilluara nga të tre komunitetet kryesore në territoret që kontrollonin.
1993 – Filluan luftime mes myslimanëve dhe kroatëve, që kishin qenë aleatë të vështirë kundër serbëve. Kombet e Bashkuara dërguan paqeruajtës për të krijuar zona të sigurta për myslimanët në Sarajeve, Gorazhde dhe Srebrenicë.
1994 – Lufta vazhdon pas dështimit të bisedimeve dhe armëpushimit. Rrethimi i Sarajevës hyri në vitin e tretë.
1995 – Ky rrethim fillon të bjerë pasi aeroplanët e NATO-s bombarduan armatimin e rëndë serb që gjendej pranë Sarajevës. Duke e ndjerë se konflikti po shkonte drejt një mbyllje, forcat serbe hynë në Srebrenicë dhe vranë rreth 8 000 myslimanë djem dhe burra, si dhe duke pastruar etnikisht lindjen e Bosnjës.
Tetor 1995 – Fillon një armëpushim. Bisedimet e mbikëqyrura nga Kombet e Bashkuara prodhuan një marrëveshje paqeje në dhjetor. Sipas një anketimi të zhvilluar për tre vite nga Qendra e Kërkimit dhe Dokumentimit në Sarajeve të publikuar 12 vite më pas, më shumë se 97 000 persona ishin vrarë gjatë luftës dhe 40 000 prej tyre ishin civilë.
1996 – Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) filloi gjyqin e saj të parë për krimet e luftës.
Shkurt 2007 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se masakra e vitit 1995 në Srebrenicë ishte një gjenocid i zhvilluar nga serbët e Bosnjës, ndërsa Serbia u mbajt përgjegjëse vetëm për faktin që nuk bëri mjaftueshëm për ta ndaluar.
Korrik 2008 – Lideri i serbëve të Bosnjës në kohën e luftës, Radovan Karazhiq u arrestua në Beograd dhe u dërgua në ICTY për zhvillimin e një gjyqi për gjenocid, pas 13 vitesh në arratisje.
Maj 2011 – Ratko Mlladiq, gjenerali i serbve të Bosnjës që drejtoi operacionet ushtarake në Sarajevë dhe Srebrenicë, si dhe personi në arratisje më i kërkuar nga ICTY-ja, u arrestua në Serbi dhe u dërgua para Gjykatës për gjenocid.
Maj 2012 – ICTY-ja akuzon Mlladiqin për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të ndryshme lufte, përfshirë fushatën e snajperave kundër Sarajevës si dhe për marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Mars 2016 – Karaxhiç gjykohet në moshën 40 vjeçare për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera, persekutime, shfarosje, vrasje, deportime, veprime çnjerëzore, terror, sulme joligjore kundër civilëve dhe pengmarrje