“QYTETI I VIRTYTSHËM” I FARABIUT NJË MODEL SE SI DUHET NDËRTUAR SHOQËRIA
Nga Galdim Ajeti
Idetë për atë se si duhet të arrihet deri të shoqëria ideale, kanë qenë preokupim dhe angazhim i shumë filozofëve, mendimtarëve dhe disa prej civilizimeve njerëzore që kanë kaluar nëpër histori.
Një shoqëri, e cila e kultivon virtytin dhe e ka në boshtin e saj moralin, është trajtuar nga filozofët e antikitetit si Aristoteli, Platoni, si dhe ata të më vonshmit si Hobs dhe Johne Lock. Nevoja për shoqërinë ideale sipas mendimtarëve të lartëcekur, ka ardhur sidomos pas revolucioneve, konflikteve, luftërave për pushtet, kohë në të cilat kanë pushuar së funksionuari elitat dhe institucionet, të cilat cilësohen si pararojë e mirëfunskionimit të një shoqërie ose vendi.
Krahas mendimtarëve të antikitetit grek dhe atyre të periudhave të mëvonshme, me konceptin e shoqërisë ideale, spikat edhe Abu Nasr El Farabi (872-950). Ai në kuadër të doktrinës së tij politike e sjell atë që njihet si "Qyteti i Virtytshëm" (Madineh el Fadileh). Doktrina politike e Farabiut është prej më të sofistikuarave në lidhje me politikën dhe shtetin, sidomos mbetet e veçantë për gjeografinë e popujve muslimanë, pjesë të cilës ai i takonte.
Nëse do të pyesnim se çfarë përfaqëson mendimi i Farabiut, do të mund të konstatonim se ai është mpleksje cilësore e doktrinës islame dhe traditës së filozofisë antike greke.
Në veprën e tij "Qyteti i Virtytshëm", Farabiu thekson se filozofia si art teorik dhe mendim duhet të formojë aleancë me politikën. Sipas tij, filozofia është një art teorik që na e sqaron edhe vetë arsyen e ekzistencës. Ndërsa, politika është art “i përmirësimit të veprimeve dhe udhëheqjes së njerëzve drejt lumturisë”, Farabiu thekson se politikani dhe filozofi duhet të jenë në unitet, si mënyra më e sigurt drejt prosperitetit, sepse sipas tij, nëse filozofia dhe politika janë në unitet në mes tyre, ato arrijnë të sintetizojnë njohuritë e nevojshme dhe sjelljen e dëshiruar.
Të kthehemi përsëri te "Qyteti i Virtytshëm" për të parë se cilat janë elementët që e përbëjnë shoqërinë.
Farabiu konsideron se shoqëria e virtytshme duhet të jetë një qyteti/shteti ideal. Madje, ai për ta ilustruar më mirë këtë ide, e krahason me trupin e njeriut ku të gjitha organet funksionojnë në harmoni, dhe e sinjalizojnë atë nëse ka ndonjë çrregullim, duke e mbatjur atë të shëndetshëm. Kësisoj, banorët e qytetit të virtytshëm duhet të ndërveprojnë në mes vete për të siguruar mirëqenie dhe lumturi, ose me mirë thënë përmes tij synohet bashkimi i njerëzve të virtytshëm, për të arritur lumturinë, prosperitetin, drejtësinë, duke nxitur për respekt, solidaritet, mirëkuptim personal, dhe krejt kjo pa qenë të shtyer nga premisa financiare ose favoret e tjera.
Në themel të ngrirtjes morale të qytetarit të këtij qyteti ideal qëndronte edukimi dhe dija. Farabiu besonte se funksioni kryesor i nxënies së dijes ishte dituria për Zotin dhe atributeve të Tij, njohuri e cila sipas tij, ka ndikim qenësor në të qenit i moralshëm dhe e ndihmon atë ta gjejë rrrugën e qëllimit të krijimit. Ai konsideron se nxënia e dijes për Zotin është rruga drejt urtësisë, e që sipas tij ajo është arritja më e madhe intelektuale të qenieve njerëzore. Në bërthamën e përpjekjes, konceptit dhe doktrinës politike të Fahrabiut, është uniteti i shtetit dhe shoqërisë, e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet urtësisë dhe fesë. Arritja e unitetit në shoqëri i shëmbëllen Farabiut në rendin e përkryer të funskionimit të gjërave në univers. Për këtë shkak ai shpesh e krahason unitetin e qytetit me universin. Ai duke e ilustruar çështjen e disiplinave të dijes thekson se filozofia dhe feja, janë në shërbim të njëra-tjetrës. Në fakt, ai për dallim prej një mori filozofësh të tjerë thekson se filozofia e shpjegon fënë dhe jep prova për të, dhe në asnjë mënyrë nuk ka kontraditë në mes këtyre të dyjave.
Edukimi është një nga fenomenet më të rëndësishme sociale në filozofinë e Farabiut. Ai është i shqetësuar për shpirtin e njeriut dhe angazhohet që çdo individ me të arritur moshën e re të bëhet anëtar i shoqërisë, rrjedhimisht të rrugëtojë në nivelin e tij të përsosmërisë morale - si rrugë për të arritur qëllimin për të cilën është krijuar. Në këtë mënyrë veprimtaria e tij në lidhje me edukimin mund të përmbledhet si një përvetësim i vlerave, diturisë dhe aftësive praktike nga një individ në një kohë dhe kulturë të caktuar. Qëllimi i edukimit është ta drejtojë çdo individ në dëlirje shpirtërore, për shkak se qeniet njerëzore janë krijuar për këtë qëllim dhe qëllimi i ekzistencës në këtë botë është arritja e lumturisë.
Në konceptin e tij për qytetarin e virtytshëm osë siç e cilëson ai si "njeriu ideal" (Al Insan al Kamil), kemi të bëjmë me një person që ka përvetësuar virtyte morale - praktike. Më pas duke i praktikuar në mënyrë efektive këto virtyte teorike - morale, ato bëhen pjesë e shpirtit të çdo individi . Duhet theksuar se Farabiu i unifikon vlerat morale dhe ato estetike, ku thekson se e mira është e bukur, dhe e bukura ështe e mirë. Bukuria është e vlerësuar nga intelegjenca njerëzore. Kështu që përsosmëria që ai pret nga edukimi përmban diturinë dhe sjelljet e virtytshme, e cila është lumturi dhe mirësi në të njëjtësn kohë.
Farabiu në doktrinën e tij politike theksonte se është e domosdoshme që në Qytetin Ideal të mbretërojnë elementet si barazia në mes njerëzve, respekti reciprok dhe bashkëpunimi, kjo edhe për shkakun se në kohën kur është shkruar “Qyteti i Virtytshëm”, shteti Abasid gëlonte nga kaosi dhe rrezikohej nga Dinastia Buvejhide - që për dallim nga absidët, ajo ishte shiite - e kishte marre pushtetin dhe kishte filluar konflikti për primatin e të parit në qytetin e Bagdatit, i cili ishte një kryeqendra botërore e zhvillimit social e kulturor e asaj kohe. Doktrina politike e Farabiut, nuk mund të ndahet nga konteksti politik i kohës në të cilën ai jetonte, sepse kalifati islam, si forcë e kohës, tashmë ishte parcializuar, duke u ndarë në disa shtete më të vogla, që vepronin në mënyrë të pavarur nga qendra e saj e mëparshme, duke e përçarë unitetin politik, intelektual dhe territorial të popullsisë muslimane të asaj kohe.
Jetëpërshkrimi i Nasr El Farabiut
Abu Nasr El-Farabi ka lindur në qytetin ‘Asij në provincën Farab në Turkestan në vitin 872 në një familje elitare me prejardhje persiane. Babai i tij ishte ushtar në gjykatën turke të rajonit. Farabiu mori rrugën drejt Bagdadit, aty ku ndodhej shtëpia e urtësise (qendër e cila shërbente përveç tjerash edhe si hapësirë ku përktheheshin veprat e filozofisë greke, perse, sanskrishte, gjuha synerike, armenishtja, etj. Farabiu në këto ambiente e mësoi gramatikën, logjikën, matematikën, filozofinë, ishte dhe kompozitor i njohurë i muzikës etj. Ai vdiq në moshën 80 vjeçare në Damask, pas një udhëtimi të gjatë nëpër vende të ndryshme të botës.