Lidhje


Pse himariotët flasin greqisht? Studiuesi Kristo Frashëri hedh poshtë përrallën “grek” Himare

Në gjirin e shtatë fshatrave të Himarës ka një dallim në një pikë të rëndësishme. Tre nga vendbanimet e krahinës – Palasa, Himara dhe Dhërmiu – flasin brenda dhe jashtë shtëpisë shqip dhe greqisht. Katër fshatrat e tjerë, brenda dhe jashtë shtëpisë flasin vetëm shqip. Duhet patur parasysh se tre fshatrat e përmendura i kanë banesat e tyre afër detit. Për këtë arsye, ato merreshin kryesisht me lundrim, kurse kopshtarinë dhe blegtorinë e kishin si ekonomi ndihmëse.

 

Pothuajse çdo familje kishte mjetin e saj të lundrimit, dikush anije, dikush varkë, sipas fuqisë ekonomike. Banorët e katër fshatrave të tjerë (Vuno, Qeparo, Kudhës dhe Pilur) me banesat e tyre në kodrina, larg buzës së detit, nuk merreshin, me ndonjë përjashtim, me detari, pra nuk kishin mjete lundrimi.

 

Ata merreshin me kopshtari, blegtori dhe me emigracion. Si rrjedhim, sa herë që krahina e Himarës bëhej pre e fushatave ushtarake, familjet e fshatrave kodrinore ngarkonin mbi kuaj teshat e shtëpisë dhe së bashku me familjet dhe bagëtitë e tyre strehoheshin përkohësisht në krahinën e Kurveleshit.

 

Përkundrazi, banorët e tre fshatrave të buzëdetit, meqenëse nuk i merrnin dot anijet në krah, pasi ngarkonin mbi to familjet dhe orenditë e domosdoshme, lundronin në viset në ishujt greke Jonianë (Korfuz) ose në brigjet italiane të Puljes dhe riatdhesoheshin, nganjëherë edhe pas disa vitesh, kur largohej rreziku turk….

 

Këto largime të përkohshme do të na shpjegojnë depërtimin e greqishtes (dikur, sikurse e pohojnë vetë krerët himariotë në një letër të tyren të vitit 1759, edhe të italishtes) tek banorët e tyre…. Sot në përgjithësi edhe historiografia shqiptare pranon se banorët e këtyre tre fshatrave, ndonëse jo të gjithë, e njohin greqishten.

 

Por origjinën e saj, historianët shqiptarë e shpjegojnë me ndikimin që ka ushtruar kisha greko-fanariote në Shqipëri dhe pjesërisht me kontaktet tregtare, që këto fshatra kanë patur me qendra tregtare të afërta greke, kryesisht me Korfuzin dhe me ishujt e tjerë joniane….

 

Midis historianëve shqiptarë dhe atyre grekë ka pikëpamje të kundërta në tre drejtime. Sipas të parëve, banorët e këtyre tre fshatrave i përkasin kombësisë shqiptare dhe e kanë greqishten si gjuhë të dytë, sipas shkrimtarëve helenë ata i përkasin kombësisë greke dhe e kane shqipen si gjuhë të dytë.

 

E dyta, sipas të parëve idioma greqishte e këtyre tre fshatrave ka depërtuar nga jashtë në kohët e vona, sipas te dytëve ajo është me origjinë mesjetare, madje antike. Historianët shqiptarë e besojnë konstatimin e vëzhguesit të mprehtë anglez E. M. Leake, i cili pasi vizitoi Himarën më 1804 thotë: “Pothuajse të gjithë burrat dinë greqisht dhe ata që kanë qenë në kurbet, flasin edhe italisht; por gratë përgjithësisht s’dinë asnjë gjuhë tjetër veçse shqipes”.

 

Të dytët, nuk e kanë kundërshtuar me argumente pohimin e M. Leake, i cili e thotë shkoqur se greqishtja në kohën e tij nuk ishte gjuhë familjare./tellalli.al

 
 
 
 
XS
SM
MD
LG