Lidhje


Xi shkon në samit me “kartën Iran”/ Kina kërkon Tajvanin në këmbim të ndihmës për Trumpin

 

New York Times

 

Kur Xi Jinping u takua me Presidentin Trump vitin e kaluar, lideri kinez përdori si armë kontrollin që Kina ka mbi mineralet kritike, një pozicion force që ndihmoi për ta shtyrë Trumpin të pranonte një armëpushim tregtar njëvjeçar. Këtë javë, kur Xi pret presidentin amerikan në Pekin, ai ka në dorë një kartë tjetër të fortë, luftën me Iranin.

 

Ndërsa SHBA ka qenë e përfshirë në luftë, Xi ka folur për paqe dhe ka pritur zyrtarë nga Gjiri dhe Europa që i kërkojnë ndihmë për t’i dhënë fund krizës. Pak përpara vizitës së Trumpit, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi shkoi në Pekin, në një sinjal jo shumë të fshehtë për ndikimin që Kina ka mbi partnerin e saj në Lindjen e Mesme.

 

Sipas ekonomistit Li Daokui nga Universiteti Tsinghua në Pekin, çështja e Iranit në fakt e ndihmon Kinën. Ai thotë se Pekini ka ndikim të rëndësishëm ekonomik mbi Teheranin dhe mund të jetë i gatshëm ta përdorë atë për objektiva që i konsideron më të rëndësishëm, mbi të gjitha për ta larguar SHBA-në nga Tajvani, ishulli vetëqeverisës që Kina e konsideron të sajin.

 

Kjo i jep Xi-t më shumë besim për samitin që nis sot, takimi i parë fizik mes dy liderëve që nga tetori. Shtëpia e Bardhë po përpiqet të ushtrojë presion mbi Kinën, si një nga blerësit kryesorë të naftës iraniane nën sanksione, që të ulë mbështetjen për Teheranin.

 

Ndikimi i dobishëm i Kinës mbi Iranin


Kina ka edhe arsyet e saj për të ndihmuar në mbylljen e konfliktit. Ekonomia e saj po goditet nga çmimet më të larta të energjisë. Një recesion global do të dëmtonte eksportet kineze, një nga motorët kryesorë të rritjes. Rezervat strategjike të naftës ndihmojnë, por nuk janë të pafundme.

 

Pekini u ka bërë presion zyrtarëve iranianë të negociojnë me SHBA-në, por është i kujdesshëm të mos përfshihet thellë në një luftë që e sheh kryesisht si problem të Uashingtonit. Edhe nëse nuk angazhohet ushtarakisht, Kina mund të bashkëpunojë me SHBA-në për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare jetike nga e cila kalon deri në 40 për qind e importeve kineze të naftës.

 

Sipas Li, pala kineze mund të arrijë një marrëveshje me SHBA-në me logjikën, le të punojmë bashkë për ta bindur Iranin të mbajë ngushticën të hapur. Në këmbim, Pekini mund të kërkojë garanci që SHBA nuk do ta bllokojë atë rrugë detare.

 

Analistët thonë se Kina mund t’i ofrojë Iranit edhe stimuj të tjerë për të bashkëpunuar me Uashingtonin, si kredi, investime apo ndihmë për rindërtimin pas luftës. Por Pekini nuk ka shumë gjasa ta shtyjë Teheranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

 

Diskutimi për armët për Tajvanin: jo më tabu?


Ajo që Xi kërkon më shumë nga Trump ndodhet diku tjetër, te Tajvani. Lideri kinez do një zbutje të mbështetjes amerikane për ishullin, qoftë përmes vonesës ose uljes së shitjeve të armëve, qoftë përmes një deklarate se Uashingtoni kundërshton pavarësinë e Tajvanit.

 

Administrata Trump tashmë ka vonuar shpalljen e një pakete armësh prej 13 miliardë dollarësh për Tajvanin, pikërisht për të mos zemëruar Xi-n.

 

Trump tha këtë javë se planifikon të diskutojë me Kinën çështjen e shitjes së armëve për Tajvanin. Nëse ai e bën këtë, mund të prekë një nga parimet e vjetra të politikës amerikane, të njohur si “Gjashtë Garancitë”, një shtyllë e politikës SHBA-Tajvan dhe SHBA-Kinë. Njëra prej tyre kuptohet gjerësisht si zotim që SHBA nuk konsultohet me Pekinin përpara se t’i shesë armë Tajvanit.

 

Në varësi të mënyrës se si shtrohet tema, kjo mund të shihet si largim nga dekada të tëra të politikës së jashtme amerikane dhe si një fitore për Xi-n.

 

Mes studiuesve më të ashpër kinezë, lufta me Iranin ka nxjerrë në pah edhe dobësi ushtarake të SHBA-së, duke i dhënë Pekinit edhe më shumë vetëbesim në çështjen e Tajvanit. Gjatë konfliktit, SHBA u detyrua të zhvendoste kapacitete ushtarake larg Azisë dhe të shpenzonte rezerva të rëndësishme municionesh.

 

Sipas Wu Xinbo nga Universiteti Fudan në Shangai, konflikti me Iranin tregon qartë se SHBA nuk mund të përballojë një luftë të madhe me Kinën për Tajvanin.

 

Ripërcaktimi i marrëdhënies
Për Pekinin, samiti nuk ka të bëjë vetëm me ndonjë lëshim konkret, por edhe me përpjekjen për të ripërcaktuar mënyrën se si dy superfuqitë duhet të sillen me njëra-tjetrën.

 

Xi kërkon njohjen e faktit se Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, është sot e barabartë me SHBA-në dhe se ai vetë është një lider i barabartë me Trumpin. Kjo është diçka që Xi e kërkon që kur erdhi në pushtet në vitin 2012 dhe që, sipas analistëve kinezë, do të sillte një marrëdhënie më të qëndrueshme, edhe nëse të tensionuar, bashkëjetese të menaxhuar.

 

Siç thotë Yun Sun nga Stimson Center në Uashington, nëse presidenti amerikan shihet si lider i botës së lirë dhe Xi si i barabarti i tij, atëherë kjo e ngre Xi-n edhe vetë në nivelin e një lideri botëror.

 

Kina ka argumentuar së fundmi, edhe përmes një editoriali të agjencisë shtetërore Xinhua, se SHBA nuk mund të kërkojë nga Pekini ndihmë për çështje që i interesojnë, si ndalimi i rrjedhës së fentanylit drejt Amerikës, ndërsa njëkohësisht dëmton interesat kineze përmes sanksioneve ndaj kompanive të saj.

 

Por kjo ka qenë dinamika e marrëdhënies në tetë vitet e fundit, me përplasje që kanë kaluar nga origjina e pandemisë Covid-19 te balona spiune kineze mbi territorin amerikan. Edhe sot, të dyja palët vazhdojnë të jenë në konflikt për mbështetjen e Kinës ndaj Iranit dhe Rusisë, si dhe për kufizimet amerikane që u mohojnë kompanive kineze çipa të avancuar dhe teknologji të tjera.

 

Kina kërkon kohë për t’u forcuar më tej


Në fund, Kina kërkon më shumë stabilitet dhe vazhdimin e armëpushimit tregtar. Kjo do të thotë: jo tarifa të reja, jo kontrolle të reja eksporti, jo sanksione të reja ndaj kompanive të saj.

 

Sipas Amanda Hsiao nga Eurasia Group, Pekini thjesht kërkon kohë dhe hapësirë për t’u forcuar për përballjen e ardhshme.

 

Dhe Kina po e bën pikërisht këtë. Xi po investon te vetëmbështetja kombëtare në teknologji, tregti dhe shkencë. Në gjashtë muajt që nga takimi i fundit mes dy liderëve, Kina ka mprehur edhe më shumë mjetet për të goditur rivalët ekonomikisht. Pas viteve të kontrolleve amerikane mbi eksportet, kompanitë kineze po ndërtojnë çipat e tyre, ndërsa firma si DeepSeek po zhvillojnë sisteme të inteligjencës artificiale që përpiqen të kapërcejnë kufizimet ekzistuese.

 

Pekini ka treguar gjithashtu se do të kundërpërgjigjet kur të provokohet. Kur SHBA vendosi sanksione në prill ndaj një rafinerie kineze për blerje të naftës iraniane, Kina urdhëroi kompanitë e saj të mos i zbatojnë.

 

Megjithatë, për të krijuar një klimë më pozitive për samitin, Kina mund të pranojë të blejë avionë Boeing, sojë amerikane dhe mish viçi nga SHBA.

 

Sipas Hsiao-s, për Pekinin kjo është një kosto e pranueshme në këmbim të stabilitetit.

 

 

XS
SM
MD
LG