Nga Gaza në Tiranë, për kurimin e “foshnjës së luftës”
Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza prej më shumë se dy vitesh ka shkaktuar vdekjen e mijërave palestinezëve dhe shumë të tjerëve të plagosur. Në kërkim të shërimit, një pjesë e tyre ka gjetur strehë edhe në Shqipëri.
Disa muaj pas 7 tetorit, në janar të vitit 2024, në Shqipëri erdhi një pjesë e familjes Elbudi. Arsyeja ishte kurimi i foshnjës së tyre që lindi në Gaza në mesin e bombardimeve izraelite.
Palestinezi Mondher Elbudi arriti në Tiranë duke synuar mjekimin e djalit të tij të sapolindur, i cili pësoi dëmtim të mushkërive për shkak të thithjes së vazhdueshme të tymit të bombardimeve izraelite - fillimisht në barkun e nënës, e më pas, kur erdhi në jetë.
Mondher Elbudi e quan të birin, Ilan, “foshnja e luftës”. Jeta e tij dhe e familjes është e ndarë më dysh prej më shumë se një viti e gjysmë, pasi ai dhe tre prej fëmijëve jetojnë tashmë në Shqipëri, larg bashkëshortes dhe fëmijëve të tjerë që po e kalojnë dimrin duke jetuar në tenda në Gaza.
“Bashkëshortja ime qëndroi atje, në Gaza, me djalin tjetër i cili vuan nga mëlçia dhe ka nevojë për mjekime. Ndërsa fëmijët që janë me mua këtu, normalisht kërkojnë nënën e tyre. OBSh-ja na pyeti cili nga prindërit do ta shoqëronte foshnjën e porsalindur. Ne thamë nëna, por ushtria izraelite refuzoi që ajo të vinte, kështu që u detyrova të vija unë”, rrëfen Mondher për TRT Balkan.
Para luftës, jeta e tij ishte krejt tjetër. Mondher kujton një realitet të thjeshtë, por të qëndrueshëm, ndërsa thotë se tani, si thuajse çdo familje gazane, gjithçka është rrafshuar dhe i kanë humbur të gjitha.
“Kisha shtëpinë time, familjen time. Jeta ime ishte stabile. Mbillnim luleshtrydhe. Ishim fermerë. Jeta jonë ishte e qetë, derisa erdhi lufta e 7 tetorit dhe u shkatërrua gjithçka”, tregon ai.
Thellësisht i prekur, ai kujton momentet e dhimbshme kur, teksa ai dhe fëmijët po luanin në oborrin e shtëpisë, kanë parë përpara syve skena horrori njerëzor, me trupa të masakruar — skena që janë ngulitur në memorien e tij dhe, fatkeqësisht, edhe në atë të fëmijëve.
“Kemi parë gjëra që mendja njerëzore nuk i percepton, as mund t’i përshkruajë…”, thotë Mondher, duke shtuar se gjatë qëndrimit në Shqipëri, e ëma e tij ka ndërruar jetë në Gaza, duke e thelluar edhe më shumë dhimbjen e ndarjes dhe pafuqinë për ta ndryshuar realitetin.
Dhimbja më e madhe, megjithatë, mbetet lidhja e pamundur mes foshnjës dhe nënës së tij.
“Fatkeqësisht, djali im i vogël, Ilan, nuk e njeh nënën e vet dhe kjo është një gjë tepër e vështirë. Nëna e tij jeton, por ai nuk e sheh dot, dhe ajo nuk e përqafon dot djalin e saj”, thotë Mondheri.
I biri e sheh të ëmën vetëm përmes ekranit të telefonit, por për një foshnjë që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në spital, një ekran nuk mund t’i zëvendësojë krahët e nënës.
“Inshallah, shpresoj të bashkohem me familjen time sa më shpejt!”, shprehet Mondher në fund, duke përfaqësuar forcën, qëndresën dhe shpresën e gazanëve për një të nesërme më të mirë.