Lidhje


E drejta ndërkombëtare vdiq në Gaza. Pse bota po e vajton në Grenlandë?

Është groteske të shohësh Gjermaninë dhe Evropën teksa rizbulojnë papritur të drejtën ndërkombëtare kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, flet për aneksimin e Grenlandës. Të njëjtat qeveri që shkatërruan normat ligjore dhe neutralizuan llogaridhënien ndërsa Gaza u kthye në hi, tani flasin seriozisht për sovranitetin dhe rreziqet e pushtetit të pakufizuar...

Nga Soumaya Ghannoushi “Middle East Eye”

Për muaj të tërë, shumëkush paralajmëroi se sulmi i pakufizuar i Izraelit në Gaza nuk ishte thjesht një krim kundër palestinezëve, por një goditje fatale ndaj vetë idesë së së drejtës ndërkombëtare.

Në provë nuk ishte vetëm shkalla e dhunës, por edhe vetë ekzistenca e rregullave: a do

të mbetej pushteti i kufizuar nga ligji, apo ligji do t’i hapte rrugë forcës brutale? Mjerisht, paralajmërimet u hodhën poshtë si ekzagjerime. Por nuk ishte kështu.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, e artikuloi më qartë se kushdo rrezikun: bota përballej me një zgjedhje “të ashpër e të pamëshirshme”. Ajo ose të mbronte parimet ligjore të ndërtuara për të parandaluar luftën, ose të shihte kolapsin e sistemit ndërkombëtar nën peshën e politikës së pakontrolluar të pushtetit të fuqive të mëdha.

Për miliarda njerëz në Jugun Global, e drejta ndërkombëtare nuk është një abstraksion, por një mburojë. Pa të, në skenë mbeten vetëm grabitqarët. Gaza nuk ishte një devijim, por momenti kur një doktrinë e gjatë hoqi dorë nga çdo kufizim.

Aty nuk u vra vetëm popullsia palestineze, por edhe vetë ligji, së bashku me vlerën e jetës njerëzore. Për më shumë se 2 vite, e drejta ndërkombëtare është shkelur hapur, bashkë me trupat e fëmijëve, mjekëve, gazetarëve e pacientëve të bombarduar në shtëpitë dhe spitalet e tyre. Jeta u reduktua në një pengesë, ligjshmëria në bezdi dhe morali në barrë.

 

Mundësimi i mizorive

Dhe kjo gjë ndodhi në sy të botës. Gjermania e armatosi Izraelin. Britania e justifikoi luftën e tij. Franca nguli këmbë në të drejtën e Tel Avivit për t’u hakmarrë. Të tjerët heshtën, duke u fshehur pas “kompleksitetit” të çështjes.

Institucionet që duhej të parandalonin krime të tilla ose qëndruan mënjanë, ose i mundësuan.

Bota u bind se Gaza mund të trajtohej si një përjashtim pa pasoja. Nuk ishte kështu. Rregullat u shpërfillën kur palestinezët u shtypën nën to, dhe u bënë sërish të shenjta kur Grenlanda apo vetë Evropa, u ndjenë të rrezikuara.

Është groteske të shohësh Gjermaninë dhe Evropën teksa rizbulojnë papritur të drejtën ndërkombëtare kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, flet për aneksimin e Grenlandës. Të njëjtat qeveri që shkatërruan normat ligjore dhe neutralizuan llogaridhënien ndërsa Gaza u kthye në hi, tani flasin seriozisht për sovranitetin dhe rreziqet e pushtetit të pakufizuar.

Ata që armatosën shtetin që kreu një gjenocid dhe panë spitalet të bombardoheshin, tani dridhen për kufijtë, për sa kohë që janë evropianë.

 

Nga Gaza në Venezuelë

Gaza shënoi pikën kur fuqia e mbështetur nga amerikanët pushoi së pretenduari respektimin e normave ndërkombëtare dhe veproi hapur si një dominim i imponuar me forcë. Ligji i zbatuar në mënyrë selektive pushoi së funksionuari si i tillë, ai u shndërrua në një leje.

Dhe kjo leje nuk vonoi të ushtrohej gjetkë. Ajo që ndodh sot në Venezuelë nuk është përshkallëzim, por zbatim i kësaj logjike: rrëmbimi i një kreu shteti dhe bombardimi i

një kryeqyteti sovran janë deklarata të hapura.

SHBA-të kanë ndërhyrë me dhunë në Amerikën Latine për më shumë se një shekull. Ajo që dallon epokën e Donald Trump nuk është frekuenca, por forma: ndërhyrja nuk fshihet më pas eufemizmave, nuk filtrohet përmes institucioneve.

Përkundrazi, është e shpallur, teatrale, e pandjeshme ndaj faljes. Trump e ka rigjallëruar dhe shtrembëruar Doktrinën Monro, duke e kthyer në një licencë për dominim amerikan. Venezuela është demonstrimi i saj, por jo destinacioni i fundit.

Plani i imponuar Karakasit është i qartë: SHBA-të do të kontrollojnë shitjet e naftës venezueliane “për një kohë të pacaktuar”, do të menaxhojnë të ardhurat dhe do ta përdorin si levë për të diktuar të ardhmen politike e ekonomike të vendit.

Venezuela nuk do të jetë e lirë të tregtojë sipas dëshirës, por e detyruar që të blejë ekskluzivisht vetëm mallra amerikane. Kjo nuk është ndihmë, por shpronësim.

 

 Varrimi i së drejtës ndërkombëtare

Paralelet me Irakun janë të pamundura të injorohen. Edhe atje, sanksionet u shndërruan në armë, ndërsa katastrofa humanitare u riemërtua si “politikë”. Programi “naftë për ushqim”, i administruar nga OKB-ja ishte një përpjekje për të zbutur pasojat e sanksioneve që kishin vrarë mbi gjysmë milioni fëmijë nga kequshqyerja dhe sëmundjet.

Por plani që po i imponohet sot Venezuelës është akoma më ekstrem: pa mbikëqyrje ndërkombëtare, pa një kuadër shumëpalësh, pa liri tregtie. Vetëm SHBA-të kontrollojnë naftën, të ardhurat dhe kushtet e mbijetesës.

Ky nuk është një sistem ndihme, por një formë e re shpronësimi kolonial. Origjina historike është e qartë. Ajo që po ndodh në Venezuelë pasqyron praktikat më të vjetra koloniale: shkatërrimin e industrisë tekstile të Indisë nga Britania, ose Luftërat e Opiumit që e reduktuan Kinën në një treg të robëruar nën kërcënimin e armëve.

 

Edhe perandoritë e shekullit XIX e mbulonin pushtimin me gjuhën e “civilizimit” dhe “progresit”. Trump nuk e kërkon më këtë maskë. Dominimi justifikohet vetëm nga pushteti i ushtruar hapur. Historia na mëson se dhuna imperialiste e ushtruar jashtë vendit, kthehet në mënyrë të pashmangshme brenda.

Vrasja e Renee Nicole Good nga një oficer i Migracionit dhe Doganave të SHBA-së, ICE, e ndjekur nga mohimi i ndihmës mjekësore, e shkatërron iluzionin se ky sistem synon vetëm popullatat e largëta. Praktikat e imponuara mbi palestinezët, po normalizohen në vende të tjera.

Forcat e sigurisë amerikane dhe izraelite ndajnë teknologji mbikëqyrjeje, programe trajnimi dhe strategji represioni, të cilat e zbehin gjithnjë e më shumë vijën ndarëse midis pushtimit ushtarak dhe zbatimit të ligjit brenda vendit. Ajo që u vu në provë mbi palestinezët po bëhet standard global.

 

Gaza u shndërrua në varrezën e së drejtës ndërkombëtare - jo sepse ligji ishte i brishtë, por sepse u varros metodikisht, publikisht dhe pa pasoja. E drejta ndërkombëtare u çmontua pjesë-pjesë. Ata që sot vajtojnë rënien e saj, janë të njëjtët që e organizuan shkatërrimin e saj, njëlloj si Frankenshtajni që u tmerrua nga përbindëshi që kishte krijuar vetë.

Ky është realiteti i epokës sonë: një epokë e banditizmit të hapur, ku pushteti i ashpër nuk fshihet më pas gjuhës së ligjit, por e shpall veten si forcë e pandalshme dhe e pamëshirshme.

 

Shënim: Soumaya Ghannoushi është shkrimtare britaniko-tuniziane dhe eksperte në politikën e Lindjes së Mesme.

 

XS
SM
MD
LG