Lidhje


Ja si “reforma” në gjyqësor do t’i japë fund pushtimit izraelit të Palestinës

 Përpjekja e qeverisë Netanjahu për të zhbërë pavarësinë e gjyqësorit, po gris vellon e “demokracisë liberale” që mbulonte pushtimin e Palestinës. Duke e detyruar shtetin të shfaqet në formën e tij më brutale dhe pa “dorashka” ligjore, Jariv Levin po shkatërron pa dashje mekanizmin e sofistikuar që mbante gjallë statuskuo-në prej dekadash…

Nga Carolina Landsmann “Haaretz”

 Për vite me radhë, Izraeli ka përdorur një sistem pushtues të sofistikuar, pothuajse elegant, i cili nuk është bërë kurrë i qartë. Ne të gjithë së bashku e ruajtëm pushtimin

e Palestinës përmes një ndarjeje të qetë të punës midis të djathtës dhe të majtës, tre degëve të qeverisë, medias, botës kulturore, kolonëve dhe “mollëve të kalbura” të tyre radikale.

Secila prej tyre bëri punën e vet duke iu përmbajtur “vlerave” të veta. Dhe së bashku, ne ruajtëm imazhin e Izraelit si një demokraci liberale, edhe pse ishte paksa e ashpër në skajet e saj.

 

Kryeministri aktual Benjamin Netanjahu, e çoi këtë sipërmarrje të përbashkët në kulmin e saj të rremë, sepse arriti ta forconte atë pavarësisht se ia hoqi elementin e “dorës sonë të shtritë në paqe”.

Pavarësisht të gjitha problemeve të tij ligjore dhe telasheve me ultra-ortodoksët, kjo zgjati derisa Ministri i Drejtësisë Jariv Levin erdhi në krye së bashku me “reformën” e tij gjyqësore dhe e shkatërroi të gjithën.

Çdo i majtë serioz e di se Gjykata e Lartë i ka legalizuar ‘de facto’ krimet e pushtimit të Palestinës. Pa të, ndërmarrja e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor do të kishte qenë e pamundur.

 

Ishte po kjo gjykatë, që ia bëri të mundur Izraelit të vazhdonte të sundonte mbi një popull tjetër përmes një diktature ushtarake, duke ruajtur njëkohësisht imazhin e tij si

një “vend i iluminuar”. Për vite me radhë, figurat kryesore të Izraelit liberal mund të shiheshin në pasqyrë dhe të shihnin në të majat e demokracisë.

Ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Aharon Barak, mund të formulonte doktrinën e tij të të drejtave universale të njeriut, duke siguruar në të njëjtën kohë infrastrukturën ligjore për një qeveri ushtarake mbi miliona njerëz pa shtetësi.

 

Shikma Bressler, një udhëheqëse e protestave kundër reformës gjyqësore, mund të kishte pasur një sukses të jashtëzakonshëm në Institutin e Shkencave Veizman, pa e sfiduar as edhe për një minutë rendin politik në të cilin vepronte.

Por Levin nuk mund ta duronte që gjërat të mbeteshin të nënkuptuara. Ai donte që gjithçka të ishte e qartë, të ishte e shkruar, të ishte e ligjshme në kuptimin më të vrazhdë dhe më brutal të fjalës.

Gjykata e Lartë, nuk do të miratonte më një veprim ndërsa shprehte pakënaqësi me të. Nuk do të kishte më institucione në dukje të pavarura që anojnë vazhdimisht nga Sioni, ndërsa mbajnë një qëndrim universalist.

Dhe pikërisht atëherë ndodhi shpërthimi. Në momentin që Levin njoftoi reformën gjyqësore, u shkatërrua edhe imazhi i të gjithë njerëzve “të mirë”: elitave në shërbim, oficerëve të lartë të ushtrisë dhe i akademikëve.

 

Pasi kishin jetuar në paqe me pushtimin për dekada të tëra, pa dyshuar për asnjë moment se Izraeli ishte një demokraci, gjeneralët që e kishin mbajtur pushtimin dhe gratë e tyre, madje edhe pilotët e forcave ajrore, dolën në rrugë sikur të ishin njerëz që luftonin për

të drejtat civile në vitet 1960.

Sigurisht, vetëm për të drejtat e tyre civile. Për palestinezët do të “shqetësoheshin” më vonë. Po pse ishte kaq urgjente që Levin ta shembte këtë fortesë? Çfarë nuk shkonte me botën në të cilën Gjykata e Lartë ndonjëherë thoshte “jo”, le të themi, kur shteti donte të burgoste emigrantët me ngjyrë të paligjshëm që kapte në mes të shkretëtirës.

 

Por nga ana tjetër pse nuk i sfidoi vërtet themelet e sistemit, ku të majtët e shihnin veten si mbrojtës të lirisë? Dhe në të cilën artistët bënin filma “kritikë”, që e përshkruanin Izraelin si një shtet “të përgjegjshëm” edhe kur vazhdonte të funksiononte metrika e pushtimit?

Për gjëra të tilla, a ia vlen vërtet të hedhësh në erë një strukturë spektakolare psiko-politike, që e lejoi Izraelin të vazhdonte të pushtonte përgjithmonë një popull tjetër

dhe t’i mbante ata nën një qeveri ushtarake, ndërsa të gjithë ne jetonim në një tokë demokratike utopike?

 

Në një ironi të madhe të historisë, Levin, nëpërmjet këmbënguljes së tij dogmatike për qartësi, mund të sjellë fundin e pushtimit izraelit të Palestinës. Është vetëm çështje kohe para se “të rinjtë radikalë të kodrave”, pra kolonët hebrenj, të mësyjnë nga Bregu Perëndimor drejt Izraelit.

Dhe kur liberalët laikë ta kuptojnë nëpërmjet përvojës personale se janë pakicë, ata do të bëjnë atë që bën çdo pakicë e pasur kur persekutohet nga banditë në rrugë, me një kurs të kundërt nga ministri i drejtësisë dhe ministri përgjegjës për policinë: do të arratisen në çdo drejtim që do të munden.

Izraeli nuk do të shkatërrohet nesër, pasi sipas raporteve të huaja, zotëron armë bërthamore. Por ekonomikisht, shoqërisht dhe diplomatikisht, ai do të shembet shumë më shpejt nga sa mund të mendohet.

Në këtë mënyrë, Levin mund të bëjë atë që të gjithë kritikët e pushtimit nuk arritën kurrë të bënin: të sjellë fundin e këtij regjimi.

 

 

 

XS
SM
MD
LG