Ish-lideri skocez: Elon Musk është “një nga njerëzit më të rrezikshëm në planet”
Ish-kryeministri skocez Humza Yousaf ka bërë një paralajmërim të ashpër për Elon Muskun, duke e cilësuar atë “një nga njerëzit më të rrezikshëm në planet” dhe duke apeluar për veprime vendimtare kundër retorikës së tij përçarëse, transmeton Anadolu.
Sulmet e Muskut ndaj qeverisë britanike dhe politikanëve kanë variuar nga akuzat e rënda për mbulimin e krimeve të bandave deri tek thirrjet e drejtpërdrejta për shkarkimin e kryeministrit Keir Starmer.
Komentet e tij nxitëse, duke përfshirë retorikën kundër migrantëve dhe Islamit, si dhe mbështetjen e tij të hapur për figurat e ekstremit të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë Evropën, kanë tërhequr dënime të gjera, duke nxitur debate mbi ndikimin e huaj, fjalën e lirë dhe rolin e mediave sociale në politikën moderne.