Lidhje


Turqia dënon sulmin ndaj policisë në veri të Kosovës

Ministria e Jashtme e Türkiyes, ka dënuar sulmin në veri të Kosovës nga një grup i armatosur, në të cilin ka mbetur i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

 

“E dënojmë sulmin e mëngjesit të sotëm (24 shtator) në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit me shumicë serbe në veri të Kosovës, që rezultoi në vdekjen e një polici të Kosovës dhe plagosjen e policëve të tjerë”, tha zëdhënësi i Ministrisë, Tanju Bilgiç, në një deklaratë në përgjigje ndaj një pyetjeje në lidhje me zhvillimet e sotme.

 

“Të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë”, ka shtuar Bilgiç.

 

“Për të ulur tensionin në rajon dhe për të parandaluar përshkallëzimin, është e domosdoshme që të gjitha palët të veprojnë me përmbajtje dhe të evitojnë dhunën. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe rajon. Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të mbështesim procesin e dialogut”, thuhet në deklaratë.

 

Rreth orës 3:00 të mëngjesit, në Banjskë të Zveçanit, të banuar me shumicë serbe, një zyrtar policor mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj njësitit policor në veri. Pas sulmit ndaj tyre u bë e ditur se zyrtari policor i vrarë ka qenë polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

 

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmet ndaj zyrtarëve policorë në dhe rreth Manastirit në Banjskë të Zveçanit po vazhdojnë ende nga rreth 30 persona të armatosur rëndë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar tre sulmues të vrarë deri më tani.

 

Burimi: AA


Vrasja e policit në veri, Kosova shpall të hënën Ditë Zie Kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur të hënën ditë zie në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku. Lajmi është bërë i ditur nga presidenca përmes një postimi në Facebook.

 

“Presidentja Vjosa Osmani e shpallë të hënën ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

 

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, – thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës. Këtë të diel janë zhvilluar homazhe në selinë e policisë së Mitrovicës së jugut dhe në Prishtinë.

 

Afrim Bunjaku humbi jetën në krye të detyrës, teksa duke u përballur me një grup të armatosur në fshatin Banjskë të Leposavçit. Persona të armatosur i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë – Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën Bunjaku.

 

50-vjeçari nga Samadrexha e Vushtrrisë, me pozicion rreshter, prej vitesh ka shërbyer në uniformat blu të vendit të tij. Babai i 2 djemve dhe 1 vajze ishte transferuar në Zveçan pas dorëheqjes së serbëve nga strukturat policore. Vetëm para një jave Afrim Bunjaku mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës. /LAPSI.al


Vrasja e efektivit në veri, policia e Kosovës: U sulmuam me granata dore dhe armë

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje lidhur me sulmin e armatosur ndaj tyre, ku për pasojë një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur.

 

‘Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

 

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë’, thuhet në njoftim.

 

 

Më tej në njoftim thuhet se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

 

 ‘Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor’, thuhet në njoftim.

 

Policia shton se të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Burimi: Ora News


Kurti nga Zvicra: Në dialog jemi në të drejtën tonë, duhet t’i përmbahemi kornizës pa marrë detyrime të reja

Në bashkëbisedim me presidentin federal të Zvicrës, Alain Berset është theksuar shkalla e lartë e integrimit të qytetarëve nga Kosova në Zvicër.

 

Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në Pallatin Federal në Bernë nga presidenti i Federatës së Zvicrës, Alain Berset. Pas takimit ai ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për përmbajtjen e takimit, raporton albinfo.ch nga Berna.

 

“Me presidentin Berset njihemi që nga pjesëmarrja ime në Forumin e Davosit, në fillim të vitit. Me të kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve, për rritjen e madhe të këmbimit tregtar, që në vitin 2022 ka qenë për një të tretën më i madh se një vit më parë”, ka deklaruar Kurti.

 

 

“Pastaj është nënvizuar edhe fakti se remitancat nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër përbëjnë një të pestën e të gjitha remitancave që vijnë në Kosovë. Po ashtu, në bashkëbisedim me presidentin Berset është theksuar shkalla e lartë e integrimit të qytetarëve nga Kosova në Zvicër etj”, ka shtuar tutje.

 

Kryeministri Kurti, ka folur edhe për agjendën e mëtejshme të vizitës së tij në Zvicër.

 

“Tani do të kemi një vizitë në Muzeun e Einsteinit, këtu në Bernë ndërsa sonte në mbrëmje do të takoj kandidatët me rrënjë shqiptare për zgjedhjet federale që mbahen më 22 tetor. Ne inkurajojmë komunitetin e këtushëm shqiptar që të marrë pjesë në mënyrë masive në këto zgjedhje, pavarësisht nga partia që do të votojnë”, ka deklaruar Kurti.

 

Ai ka folur edhe për aktualitetin politik në Kosovë.

 

“Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tre propozime ndërsa Serbia asnjë. Në këto rrethana, ne duhet t`i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si obligim dhe jo të marrim detyrime të reja”, ka deklaruar Kurti.

Burimi: Ora News

 


Shpërthimi në veri, reagon ambasadori amerikan Hovenier: Ne i dënojmë këto akte dhune

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është i tronditur për siç thekson ai "mjetet shpërthyese në shumë pjesë të Kosovës".

Ambasadori Hovenier në platformën “X” ka shkruar i dënojnë këto akte dhune dhe i bëri thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë.

 

“I tronditur thellë kur lexova raportet e mjeteve shpërthyese të përdorura në shumë pjesë të Kosovës. Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

 

Burimi: Ora News

XS
SM
MD
LG