Harta zbulon krimin: Zvërneci rrezikon të fshihet nga natyra dhe të lindë si enklavë private
Harta e Planit të Përgjithshëm Vendor është prova më e qartë se në Portonovo të Zvërnecit nuk po ndodh një “punim përgatitor”, nuk po vendoset thjesht një gardh dhe nuk po menaxhohet një pronë private e zakonshme. Ajo që po ndodh aty është fillimi i një operacioni të madh për të kthyer një nga zonat më të ndjeshme natyrore të Shqipërisë në territor të kontrolluar nga një kompani private, me tela me gjemba, roje të maskuara dhe me heshtjen e shtetit.
Në hartë shihet qartë se kjo zonë nuk është një truall bosh. Aty mbivendosen bregdeti, brezi 300 metra, zona e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, monumente natyre, kanale ujore, laguna, duna dhe korridore ekologjike. Pra, nuk jemi përballë një parcele të zakonshme ku dikush ndërton një vilë, por përballë një ekosistemi të tërë që është pjesë e pasurisë natyrore të vendit. Dhe kur një zonë e tillë rrethohet me hekura e tela, ajo nuk po “zhvillohet”; ajo po ndahet nga publiku.
Pikërisht këtu bie alibia e madhe e qeverisë: “është pronë private”. Edhe sikur brenda saj të ketë parcela private, kjo nuk e zhduk statusin e zonës. Deti nuk bëhet privat. Laguna nuk bëhet private. Dunat nuk bëhen private. Monumentet natyrore nuk bëhen private. Kanali që lidh lagunën me detin nuk bëhet privat. Dhe mbi të gjitha, e drejta e banorëve për të mos u trajtuar si të huaj në vendin e tyre nuk mund të fshihet pas një certifikate pronësie.
Ajo që ndodhi dje në protestë ishte fotografia brutale e kësaj logjike. Banorët dhe aktivistët dolën për të kundërshtuar rrethimin e një territori që ata e shohin si pjesë të jetës, kujtesës dhe trashëgimisë së tyre. Përballë tyre nuk doli shteti për të sqaruar, nuk dolën institucionet për të dhënë dokumente, nuk doli kompania për të treguar projektin. Dolën rojet private me të zeza. Dolën grushtet, tërheqja zvarrë dhe dhuna.

Edhe më shqetësuese është mjegulla rreth kompanisë që ka marrë përsipër këtë projekt. “Zvërnec South Adriatic Development” paraqitet si fasada moderne e një investimi gjigant, por pas saj qëndron një strukturë e errët pronësie, me lidhje offshore, me emra të huaj e ndërmjetës të paqartë. Kur një projekt që prek një zonë të mbrojtur ka nevojë për kaq shumë shtresa, kaq shumë adresa të huaja dhe kaq shumë paqartësi, atëherë pyetja është e thjeshtë: kush po e merr realisht Zvërnecin?
Një kompani që flet për miliarda euro, por jo për pronarët realë me të njëjtën qartësi. Një projekt që premton “harmoni me natyrën”, por nis me gardh metalik në zemër të peizazhit. Një investim që flet për “miq të Shqipërisë”, por përballë shqiptarëve vendos siguri private. Një zhvillim që premton vende pune, por banorëve u merr fillimisht tokën, plazhin dhe hyrjen në det.
Kjo hartë tregon atë që propaganda përpiqet ta mbulojë. Portonovo është pjesë e një sistemi natyror që lidhet me Nartën, Pishë Poron, Vjosën, Karaburunin dhe Sazanin. Në këtë kuptim, Portonovo nuk po rrezikon vetëm të ndërtohet por edhe të fshihet si hapësirë publike dhe natyrore. Të mbetet në hartë si emër, por në realitet të kthehet në enklavë private. Një vend ku shqiptarët do të lejohen të hyjnë vetëm si punëtorë, kamerierë, roje ose klientë që paguajnë, jo si qytetarë të një vendi që u përket.
Harta e tregon qartë: kjo nuk është “tokë private” në kuptimin e thjeshtë që po përpiqet të na shesë qeveria. Kjo është pjesë e trupit natyror të Shqipërisë. Kemi një skemë pushtimi me dokumente, me heshtje institucionale dhe me dhunë private.