Lidhje


“Krimi zgjedhor duhet goditur”, kreu i SPAK raporton në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Klodian Braho: Në hetime do të përfshihet edhe gjurmimi i parasë

Kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit të sotëm në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, theksoi se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është një çështje e sundimit të ligjit dhe jo e debatit politik.

 

Braho bëri të ditur se gjatë periudhës 2021–2026, SPAK ka administruar 233 materiale që lidhen me krimet zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë administruar 194 sinjalizime dhe kallëzime, ndërsa 46 procedime penale janë regjistruar, një pjesë e të cilave janë nisur me iniciativë të vetë SPAK.

 

Sipas tij, strategjia e ndjekur në zgjedhjet e vitit 2025 solli një qasje më proaktive, me koordinim më të madh mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, KQZ-së dhe Policisë së Shtetit, duke rritur efektin parandalues ndaj krimit zgjedhor.

 

Braho theksoi se hetimet nuk duhet të fokusohen vetëm te blerësi apo shitësi i votës, por të ndjekin gjurmën e financimit, për të identifikuar organizatorët dhe përfituesit realë të skemave të korrupsionit zgjedhor.

 

Në përfundim, kreu i SPAK propozoi hartimin e një Strategjie Kombëtare kundër Krimit Zgjedhor, forcimin me ligj të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rishikimin e politikës penale për rastet më të rënda të korrupsionit zgjedhor, duke garantuar një mbrojtje më efektive të votës dhe integritetit të procesit zgjedhor.

 

Fjala e plotë:

 

Ju falënderoj për ftesën dhe për mundësinë që SPAK-u të paraqesë qëndrimin e vet institucional në kuadër të punës së Komisionit për reformën zgjedhore.

 

Për SPAK-un, mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve nuk është çështje e debatit politik, por është çështje e sundimit të ligjit, e besimit publik dhe e aftësisë së institucioneve për të reaguar ndaj çdo forme të krimit zgjedhor.

 

Në këtë seancë dëgjimore, kontributi i SPAK-ut do të përqendrohet në çështjet që lidhen me ligjin penal, me kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, me hetimin e veprave penale që cenojnë procesin zgjedhor dhe me problematikat e evidentuara në praktikë.

 

Që në fillim, dua të theksoj se SPAK nuk vjen në këtë seancë për të vlerësuar garën politike, subjektet zgjedhore apo për të bërë vlerësime mbi rezultatin e zgjedhjeve. Ky nuk është as roli ynë, as mandati ynë kushtetues. Roli ynë lidhet me zbatimin e ligjit penal, me ushtrimin e ndjekjes penale brenda kompetencës së përcaktuar nga ligji dhe me evidentimin e çështjeve që kërkojnë vëmendje procedurale dhe ndërinstitucionale në funksion të parandalimit dhe hetimit efektiv të krimit zgjedhor.

 

Për rrjedhojë, qëndrimi ynë sot synon të kontribuojë cilësisht në punën e Komisionit duke ndarë me ju të dhënat e administruara nga SPAK për periudhën 2021-2026, përvojën parandaluese dhe hetimore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor, si dhe problematikat që mund të adresohen përmes përmirësimeve ligjore dhe institucionale.

 

Të nderuar deputetë,

 

Përpara se të ndalem te të dhënat konkrete, vlerësoj të nevojshme të sqaroj kufirin e kompetencës lëndore të SPAK-ut për sa i përket krimeve zgjedhore.

 

Kodi Penal, në Kreun X, parashikon veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Ky kre përmban 15 vepra penale. Referuar nenit 75/a, paragrafi i parë, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, SPAK ka kompetencë lëndore vetëm për ushtrimin e ndjekjes penale për veprat penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe korrupsionit pasiv në zgjedhje, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.

 

Ndërsa veprat e tjera penale që lidhen me krimin zgjedhor, në parim, i përkasin prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Përjashtim bëjnë rastet kur fakti penal lidhet me subjektet e posaçme apo kur vepra penale është kryer nga krimi i organizuar.

 

Po ashtu, duhet shmangur keqkuptimi se çdo pretendim publik, çdo deklarim politik apo çdo informacion i përcjellë gjatë periudhës zgjedhore mund të përkthehet automatikisht në procedim penal nga SPAK apo në një akuzë penale. Jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën tonë dhe jo çdo parregullsi gjatë procesit zgjedhor përbën vepër penale.

 

Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm se pritshmëria publike ndaj SPAK-ut në këtë fushë është shpesh më e gjerë se kompetenca ligjore e institucionit. Kjo lidhet edhe me nivelin e lartë të besimit të qytetarëve te puna dhe integriteti i SPAK-ut. Pikërisht për këtë arsye, çdo informacion i administruar është vlerësuar me seriozitet, por gjithmonë brenda kufijve të kompetencës, standardit të provës dhe kërkesave të Kodit të Procedurës Penale.

 

Nga vlerësimi i tre cikleve zgjedhore të zhvilluara gjatë periudhës së funksionimit të SPAK, konkretisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shfaqet një panoramë e qartë e problematikave që përsëriten në këtë fushë.

 

Raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur shqetësime që lidhen me shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe punonjësve publikë, përdorimin e burimeve administrative, financimin e fushatës, si dhe nevojën për reagim efektiv nga institucionet ligjzbatuese.

 

Këto konstatime duhet të lexohen me seriozitet dhe kujdes profesional. Ato nuk janë, në vetvete, konstatime penale për fajësinë e individëve të caktuar. Por ato janë indikatorë të rëndësishëm risku, që ndihmojnë institucionet të kuptojnë se ku duhet të përqendrohet parandalimi, monitorimi, verifikimi dhe hetimi penal.

 

Për periudhën 2021 deri në 2025, SPAK ka trajtuar gjithsej 233 materiale zgjedhore. Nga këto 157 janë regjistruar si procedime penale. Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht kufirit të kompetencës së drejtpërdrejtë të SPAK, volumi i materialeve të administruara në këtë fushë ka qenë i konsiderueshëm.

 

Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2022 u regjistruan 5 procedime penale, në vitin 2023 u regjistruan 36 procedime penale, në vitin 2024 u regjistruan 7 procedime penale, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 46 procedime penale. Për vitin 2026, deri më sot, janë regjistruar 2 procedime penale.

 

Këto shifra tregojnë dy elemente të rëndësishme.

 

Së pari, krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit.

 

Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e punës së SPAK lidhet me vlerësimin fillestar të kompetencës, me dallimin ndërmjet shkeljes administrative dhe faktit penal, me verifikimin e burimit të informacionit dhe me identifikimin e rasteve ku ekzistojnë elemente konkrete për regjistrimin e procedimit penal.

 

Në këtë këndvështrim, përvoja e viteve 2021 deri në 2024 shërbeu si bazë për një qasje më të strukturuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Pikërisht për këtë arsye, në funksion të rekomandimeve të Kuvendit dhe të gjetjeve të përsëritura të OSBE/ODIHR-it, SPAK-u miratoi dhe zbatoi Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin 2025, me synimin që reagimi institucional të mos ishte vetëm pas kallëzimit, por më i hershëm, më i koordinuar dhe më i orientuar nga risku.

 

Të nderuar deputetë,

 

Strategjia e vitit 2025 nuk duhet parë si një instrument që zgjidh përfundimisht fenomenin e krimit zgjedhor. Strategjia ishte një hap i parë për ta kaluar SPAK-un nga një model kryesisht reagues, të bazuar te kallëzimet dhe njoftimet nga subjekte të tjera, drejt një modeli më të strukturuar, më parandalues dhe më të orientuar nga analiza e riskut.

 

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se kjo qasje prodhoi një volum të lartë pune dhe një bazë të gjerë informacioni. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u administruan 194 materiale, sinjalizime, kallëzime, referime dhe informacione të lidhura me dyshime për krime zgjedhore.

 

Origjina e këtyre materialeve tregon një ndryshim të rëndësishëm. Në vitin 2025, nga 46 procedime penale të regjistruara, 47.8 për qind janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit dhe 23.9 për qind janë nisur kryesisht nga SPAK, ndërsa 28.3 për qind ka ardhur nga kallëzime të shtetasve, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, subjektet politike dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

 

Dallimi kryesor i vitit 2025 ishte se institucioni nuk priti vetëm ardhjen e kallëzimeve. Ai u përpoq të lexojë riskun më herët, të koordinojë informacionin më shpejt dhe të orientojë reagimin sipas kompetencës dhe provave. Fakti që 23.9 për qind e procedimeve janë nisur kryesisht nga SPAK është tregues i rëndësishëm.

 

Nga totali i procedimeve të regjistruara në vitin 2025, 5 procedime me 9 të pandehur janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, 9 janë dërguar me kërkesë për pushim, 5 janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, 1 është pezulluar, 4 janë bashkuar me procedime të tjera dhe 22 mbeten në hetim deri më sot.

 

Gjatë vitit 2026 janë dënuar 7 persona për vepra penale që prekin zgjedhjet, duke treguar se ecuria gjyqësore e këtyre çështjeve vazhdon edhe pas përfundimit të ciklit zgjedhor.

 

Një element tjetër që meriton vëmendje në kuadër të reformës është politika penale për këto vepra. Nga analiza e personave të dënuar për vepra penale zgjedhore, duke përjashtuar rastet ku vendimmarrja e mëvonshme e Apelit ka çuar në pafajësi, rezulton se lloj i dënimit kryesor i dhënë nga gjykatat është burgimi. Në grupin e rasteve të analizuara, mesatarja e dënimit me burgim është rreth 13 muaj dhe një pjesë e konsiderueshme ka përfituar nga alternativat e dënimit me burgim. Kjo tregon se efekti parandalues i sanksionit penal mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me peshën e fenomenit dhe të ndikimit që këto vepra kanë mbi integritetin e procesit zgjedhor.

 

Për këtë arsye, një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe në raport me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor. Ky rishikim nuk duhet të jetë as i përgjithshëm, as mekanik. Ai duhet të diferencojë zgjedhësin, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik.

 

Të nderuar deputetë,

 

Në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë në proces të finalizimit të analizës së përbashkët mbi hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

 

Grupi ndërinstitucional i punës është në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe analiza do t’i përcillet zyrtarisht Kuvendit. Për këtë arsye, sot nuk do të ndalem në mënyrë shteruese te çdo konkluzion i raportit, por do të ndaj disa gjetje kryesore që rezultojnë nga diskutimet e përbashkëta, nga të dhënat e administruara dhe nga përvoja institucionale e SPAK gjatë këtij procesi, të cilat besoj janë të rëndësishme për punën e këtij komisioni.

 

Bashkëpunimi ndërmjet SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultoi një nga elementet më të rëndësishme të qasjes së vitit 2025. Protokolli i bashkëpunimit, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale krijuan një mekanizëm më funksional për orientimin e rasteve sipas kompetencës, për shmangien e mbivendosjeve dhe për reagimin më të shpejtë ndaj indicieve që lidhen me krimin zgjedhor.

 

Prania e task-forcës së SPAK me mbulim kombëtar, e koordinuar me seksionet e posaçme të përkohshme të ngritura në çdo prokurori të juridiksionit të përgjithshëm nga Prokurori i Përgjithshëm, tregoi vlerë praktike. Ky organizim mundësoi që reagimi institucional të mos ishte vetëm qendror, por edhe territorial, më afër burimit të informacionit dhe më pranë dinamikës reale të procesit zgjedhor. Integrimi i kësaj qasjeje me mekanizmat e denoncimit dhe të monitorimit pranë KQZ-së krijoi një bazë më të mirë për identifikimin e hershëm të riskut.

 

Përvoja e vitit 2025 tregoi se prania e hershme dhe e dukshme e institucioneve ka efekt parandalues. Vetë fakti që SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, KQZ dhe strukturat ligjzbatuese ishin më të koordinuara, më të pranishme në terren dhe më aktive në komunikimin publik, krijoi një nivel më të lartë vëmendjeje ndaj përgjegjësisë penale për sjelljet që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Ky efekt parandalues është i rëndësishëm dhe duhet ruajtur, por ai nuk mund të mbështetet vetëm te prania në ditën e votimit. Për këtë arsye, mekanizmi i bashkëpunimit duhet të aktivizohet më herët, të paktën katër muaj përpara datës së zgjedhjeve, dhe të vijojë deri pas përfundimit të numërimit të votave.

 

Analiza tregon se korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si akt i izoluar dhe individual. Në shumë raste, dikush nuk blen një votë për një interes të ngushtë personal. Përfitimi synohet për një subjekt politik, për një kandidat, për një grup interesi ose për një strukturë që kërkon të ndikojë rezultatin politik. Prandaj, hetimi nuk mund të kufizohet vetëm te dhënësi apo marrësi i përfitimit. Ai duhet të zgjerohet drejt burimit të financimit, organizatorëve, ndërmjetësve, personave që koordinojnë skemën dhe përfituesve realë të saj.

 

Kjo është arsyeja pse, për zgjedhjet e ardhshme, fokusi duhet të jetë më i qartë te gjurma financiare. Shitblerja e votës, favoret administrative, pagesat cash, mbështetja logjistike, shërbimet apo përfitimet e tjera nuk duhen parë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato duhet të analizohen si pjesë e një zinxhiri që lidh burimin e parave, mënyrën e shpërndarjes, ndërmjetësit, zonën ku ushtrohet ndikimi dhe përfituesin politik ose elektoral të skemës.

 

Në këtë kuptim, gjetja kryesore është se modeli i vitit 2025 funksionoi, por duhet konsoliduar më tej duke e orientuar drejt gjurmimit financiar dhe identifikimit të përfituesve realë të korrupsionit zgjedhor.

 

Të nderuar deputetë,

 

Nga përvoja e vitit 2025, SPAK vlerëson se reforma zgjedhore duhet të prodhojë tre rezultate konkrete.

 

Së pari, mund të vlerësohet hartimi i një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor. Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm nëpërmjet reagimit penal pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar, ku parandalimi, monitorimi administrativ, raportimi qytetar, verifikimi policor, hetimi penal dhe kontrolli financiar të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm institucional.

 

Së dyti, protokolli i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të kalojë nga një instrument i përkohshëm për një cikël zgjedhor, në një mekanizëm të qëndrueshëm dhe të përhershëm të normuar me ligj. Ky mekanizëm duhet të përfshijë jo vetëm SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, por edhe Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese që kanë rol në verifikimin e indicieve, në gjurmimin e burimeve financiare dhe në dokumentimin e rasteve. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të aktivizohet më herët dhe të zgjasë më gjatë.

 

Së treti, mund të vlerësohet rishikimi i politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor. Kjo nuk duhet kuptuar si rritje mekanike e dënimeve për çdo rast, por si nevojë për të vlerësuar nëse marzhet aktuale të dënimit janë të përshtatshme për rastet kur vepra kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë.

 

Gjithashtu individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin dhe shtabin e tij elektoral, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik. Sa më i lartë të jetë roli organizues, politik, administrativ ose financiar i personit, aq më i qartë duhet të jetë edhe reagimi penal.

 

Të nderuar deputetë,

 

Në mbyllje, dua të theksoj se përvoja e vitit 2025 nuk ishte një model teorik dhe as një ushtrim formal institucional. Ajo lindi nga nevoja reale për t’iu përgjigjur më shpejt, më qartë dhe me më shumë përgjegjësi një fenomeni që cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te zgjedhjet.

 

Ky model proaktiv tregoi se kur institucionet veprojnë më herët, kur ndajnë informacion në kohë reale dhe kur janë të pranishme në terren, reagimi është më efektiv dhe efekti parandalues është më i dukshëm. Për këtë arsye, ajo që u ndërtua në vitin 2025 si përgjigje praktike ndaj nevojave të procesit zgjedhor, duhet të shërbejë si bazë për një politikë kombëtare më të qëndrueshme kundër krimit zgjedhor.

 

Për SPAK, fokusi në vijim mbetet i qartë. Hetim i bazuar në prova, jo në perceptime. Reagim i shpejtë, por gjithmonë brenda standardit procedural.

 

SPAK do të synojë të ketë një qasje më proaktive në hetimin e krimeve zgjedhore, hetime më të thelluara dhe ndjekje penale në mënyrë sistematike, duke mos u kufizuar vetëm në periudhën zgjedhore, si dhe duke u orientuar nga analiza e riskut të pranisë së këtij fenomeni në pjesë të territorit.

 

Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë.

 

Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit.

 

Nëse reforma arrin ta lidhë hetimin penal me kontrollin financiar, bashkëpunimin institucional dhe reagimin e hershëm, atëherë lufta kundër krimit zgjedhor nuk do të jetë më vetëm reagim pas faktit, por mekanizëm real mbrojtjeje për votën.

 

SPAK mbetet i gatshëm të kontribuojë me të dhëna, analizë dhe ekspertizë institucionale në punën e Komisionit, në funksion të një kuadri më të fortë ligjor dhe institucional për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe integritetit të votës./tch

XS
SM
MD
LG