Lidhje


Opinion | Dezinformimi – arma e padukshme kundër së vërtetës dhe përgjegjësia për verifikimin e lajmeve

 

Shkruan: Adnan Qaka

 

Duket qartë se sot lajmet, të cilat përhapen përmes rrjeteve sociale, kanë përqindje të rëndësishme të ndikimit në përcaktimin e aktualitetit. Në ditët e sotme është e mundur që, përmes rrjeteve sociale, brenda disa minutave, t’i orientojmë qytetet, shtetet, madje edhe botën, t’i ndryshojmë ato dhe t’i kontrollojmë aty ku kemi ndikim.

 

Sot jemi dëshmitarë të faktit se, përmes lajmeve të përhapura në anë të rrjeteve sociale, përballemi me tronditje dhe kriza politike të shkaktuara në shtete të ndryshme. Gjithashtu, ne ishim dëshmitarë të krizës së shkaktuar në “Pranverën Arabe”, e cila u ndikua shumë edhe nga Facebook-u, edhe nga Twitter-i.

 

Me ardhjen e internetit, pa problem, tërë aktualiteti po mund të orientohet nga një qendër e vetme botërore. Interneti dhe platformat e rrjeteve sociale, në ditët e sotme, janë shndërruar në armë më të rrezikshme sesa ushtritë shtetërore. Përmes lajmeve të rreme, të cilat njerëzit i përhapin në rrjete sociale, mund të nxiten revolta të mëdha popullore dhe kaos, të cilat janë më të dëmshme sesa armët e shkatërrimit në masë.

 

Muslimani vazhdimisht duhet të jetë i kujdesshëm në identifikimin e lajmeve të sakta, të cilat përhapen në Twitter dhe Facebook etj. Çdo informatë menjëherë duhet të vërtetohet dhe gjykimin për njerëzit duhet ta bëjmë me kujdes dhe drejtësi.

 

Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë edhe në trevat tona shqiptare se dezinformata, qoftë nga mediat, politikanët, gazetat, analistët politikë, portalet apo personat e papërgjegjshëm, të njëanshëm, të shitur dhe urrejtës, vazhdimisht prodhohet dhe shpërndahet për ngjarje të ndryshme në politikën botërore, për Islamin në botë, për situatat politike në vende të ndryshme, për krizat, luftërat, shpifjet, dezinformimet dhe frikësimet e natyrave të ndryshme, duke alarmuar masën pa nevojë me kinse rrezikime nga luftëra me përmasa rajonale dhe botërore, viruse dhe dezinformime të ndryshme, duke përçuar agjenda të ndryshme, sidomos serbe, ruse dhe sioniste, përmes lajmeve të rreme, duke dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të Islamit tek shqiptarët.

 

Prandaj, çështja e dezinformimit dhe shpifjes është një fenomen tejet shqetësues, sidomos në shtetin e Kosovës.

Prandaj, feja islame na fton për maturi; qoftë duke pëlqyer lajme të ndryshme, duhet të kemi kujdes, sepse edhe pëlqimi i një lajmi mund të jetë aprovim i diçkaje nga ana jonë; qoftë duke shpërndarë lajme të rreme dhe dezinformata, sepse kjo na ngarkon me gjynahe dhe kemi përgjegjësi para masës dhe para Allahut, dhe i bëjmë dëm palës tjetër.

 

Islami na mëson se edhe ndaj armikut nuk duhet të shpifim dhe të dezinformojmë, por duhet të jemi objektivë.

Ne jemi dëshmitarë se, nga lajmet e rreme të paraqitura në Twitter dhe rrjetet e tjera sociale, pamë se çfarë ndodhi me “Pranverën Arabe”, ku ishte një vepër e shërbimeve të ndryshme perëndimore dhe të disa shteteve arabe dhe Turqisë. Gjithashtu, ishte vepër e sionizmit që u shërbente agjendave izraelite; pra, synimi më i qartë ishte mundësimi i krijimit të Izraelit të Madh dhe bërja e Izraelit një superfuqi globale.

 

Sidomos e pamë përmes dezinformatave nga mediat, politikanët dhe stafi shëndetësor i shitur dhe injorant gjatë kohës së plandemisë COVID-19; ndodhi një diktaturë globale, traumatizim, stres dhe terror psikik, dhe krizë globale ekonomike, si dhe vdekje të miliona njerëzve, për shkak të trajtimit që konsiderohet qëllimisht i gabuar të OBSH-së me protokollet e saj shëndetësore dhe vaksinimet me vaksinat e COVID-19.

 

Në këtë kuadër, nuk duhet të harrojmë se dezinformimi nuk kufizohet vetëm në një fushë; ai mund të përdoret për luftërat, politikën, fenë, shëndetësinë, ekonominë, sigurinë dhe çdo çështje tjetër që prek emocionet dhe frikën e njerëzve.

 

Pikërisht për këtë arsye, secili prej nesh duhet të ketë përgjegjësi të madhe për atë që lexon, pëlqen, komenton dhe shpërndan. Nuk mjafton që një lajm të jetë i bujshëm, të na pëlqejë ose të përputhet me bindjet tona; duhet të pyesim se kush e ka publikuar, nga vjen informacioni, a ka burime të besueshme dhe a është verifikuar.

 

Nëse një informacion mund të dëmtojë një individ, një grup njerëzish apo një popull të tërë, atëherë përgjegjësia jonë është edhe më e madhe.

Prandaj, duhet të jemi dëshmitarë të së vërtetës dhe jo përhapës të shpifjeve; duhet të jemi të drejtë edhe kur informacioni ka të bëjë me kundërshtarin apo armikun tonë, sepse Islami nuk na mëson që të fitojmë përmes gënjeshtrës, shpifjes dhe manipulimit, por përmes drejtësisë, maturisë dhe së vërtetës.

 

Mbrojtja e privatësisë dhe ndalimi i kërkimit të të metave

Kërkimi i të metave të njerëzve, hetimi i jetës së tyre private dhe përpjekja për të zbuluar gabimet, mangësitë apo dobësitë e tyre janë sjellje që bien ndesh me parimet islame. Nuk është e drejtë që njeriu të merret me gjëra që nuk i përkasin dhe të ndërhyjë në privatësinë e të tjerëve. Edhe kur kërkohet kapja e fajtorit, kjo nuk do të thotë se lejohet cenimi i të drejtave dhe privatësisë së njerëzve.

 

Sipas Islamit, askush nuk duhet të gjykohet vetëm mbi bazën e dyshimeve apo hamendjeve. Nuk mund të dënohet një person për një mëkat apo të metë që nuk është parë prej të tjerëve, e aq më pak të gjykohet mbi supozime. Faji i njeriut trajtohet kur ai bëhet i dukshëm dhe i pranuar, jo përmes dyshimeve dhe kërkimit të fshehtësive.

 

Në këtë kuptim, është e domosdoshme që njeriu të ruajë nderin dhe dinjitetin e të tjerëve, ashtu siç dëshiron që të tjerët të ruajnë nderin dhe privatësinë e tij. Askush nuk ka të drejtë të hapë dyert e jetës private të dikujt tjetër vetëm për të gjetur ndonjë gabim.

 

Të metat nuk kërkohen, por mbulohen

Është e rëndësishme të kuptohet se mbulimi i të metave të njerëzve nuk është dobësi, por një shprehje e fuqishme e respektit, mëshirës dhe përgjegjësisë morale. Kur dikush zbulon një të metë të tjetrit, nuk duhet të nxitojë ta përhapë atë, ta bëjë publike apo ta kthejë në temë bisede.

 

Muhamedi a.s. ka paralajmëruar fuqishëm kundër përhapjes së të metave të njerëzve. Ai ka mësuar se kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë të metat atij. Kjo e vendos njeriun përballë një parimi shumë të madh: mënyra se si sillemi me dobësitë e të tjerëve përcakton edhe mënyrën se si duhet të presim që të tjerët të sillen me dobësitë tona.

 

Përhapja e të metave nuk ndalet vetëm te fjala. Ajo mund të marrë forma të ndryshme: biseda, mesazhe, emaile, postime në rrjete sociale, komente apo publikime në internet. Në një kohë kur një informacion mund të përhapet brenda pak çastesh te mijëra njerëz, përgjegjësia për të ruajtur privatësinë bëhet edhe më e madhe.

 

Prandaj, fakti që një e metë është bërë e njohur nuk do të thotë se ajo duhet të shpërndahet më tej. Përkundrazi, njeriu duhet të ndalet dhe të mendojë: A do të doja që e njëjta gjë të bëhej publike për mua?

 

Mbulimi i të metave është mbrojtje e nderit

Kur një njeri zbulon të metat e vëllait të tij musliman dhe i mbulon ato, ai nuk po e justifikon gabimin dhe as nuk po e shpërblen të keqen. Ai po mbron dinjitetin e një qenieje njerëzore dhe po refuzon që gabimi i dikujt të shndërrohet në turp publik.

 

Muhamedi a.s. ka mësuar se kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu do t’ia mbulojë të metat e tij.

Kjo është një thirrje e fuqishme për të mos e kthyer dobësinë e tjetrit në argëtim, thashethem apo turp publik. Nderi i njeriut nuk duhet të bëhet objekt i kureshtjes së njerëzve. Privatësia nuk është diçka që mund të shkelet vetëm sepse dikush dëshiron të dijë më shumë.

 

Prandaj, një shoqëri e shëndoshë nuk ndërtohet duke kërkuar gabimet e njerëzve, duke i ekspozuar dhe duke i poshtëruar ata. Ajo ndërtohet duke ruajtur nderin, duke mbuluar të metat, duke këshilluar me urtësi dhe duke mos e shndërruar gabimin e një personi në dënim të përjetshëm para syve të të tjerëve.

 

Të kërkosh të metat e njerëzve është të hapësh dyer që nuk të përkasin. T’i përhapësh ato është ta kthesh gabimin e një individi në turp të përbashkët. Ndërsa t’i mbulosh, ta ruash nderin dhe ta këshillosh me drejtësi është një shenjë e fuqishme e moralit dhe e respektit njerëzor.

 

Allahu xh.sh., në suren Huxhurat, na jep një parim të fuqishëm për çdo kohë:

“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”

(Huxhurat, 6)

 

Ky varg na paraqet një metodologji kuranore për t’u marrë me lajmet dhe raportet, jo thjesht një këshillë morale kalimtare.

Vlen të përmendet se Kurani nuk thotë, “Nëse ju vjen një lajm i rremë”, por përkundrazi, “një person i pabindur me lajme”. Kjo tregon se problemi nuk qëndron vetëm në përmbajtjen e vetë lajmit, por edhe në burimin e tij, shkallën e besueshmërisë që frymëzon dhe pasojat e veprimit sipas tij.

 

Si duhet të merremi me lajmet?

Së pari: Nuk duhet ta barazojmë marrjen e thjeshtë të lajmit me konfirmimin e tij.

 

Marrja e lajmeve nuk e bën automatikisht të vërtetë.

Së pari, lajmi është informacion që ka nevojë për verifikim.

 

Së dyti, ne verifikojmë para se të formojmë një mendim.

“Prandaj hetojeni.”

Domethënë, mos e bazoni një gjykim, akuzë ose vendim në lajme përpara se e vërteta e tyre të jetë e qartë.

 

Së treti, ne shqyrtojmë pasojat e besimit në lajme.

Kurani e thotë arsyen:

“Përndryshe do të dëmtoni një popull nga padituria.”

Një gabim në lajme nuk është gjithmonë thjesht një gabim faktik; ai mund të përshkallëzohet në padrejtësi, shpifje, armiqësi ose një vendim të gabuar.

 

Së katërti, nuk mjafton të pendohesh pasi të ketë ndodhur dëmi.

“Dhe pastaj do të pendohesh për atë që ke bërë.”

Qasja kuranore synon të parandalojë dëmin përpara se të ndodhë, jo të merret me pendimin më pas.

 

Dhe më e rëndësishmja,

vargu nuk thotë se çdo raport nga një person i lig është gënjeshtër, as nuk thotë se çdo raport nga dikush që nuk është i lig është i vërtetë.

 

Përkundrazi, na mëson një parim të saktë:

Sa më i ulët të jetë besimi në burimin e informacionit, aq më e madhe është përgjegjësia për ta verifikuar atë përpara se të formojmë një mendim bazuar në të.

Kjo vlen edhe më qartë sot për mediat sociale: një postim, një regjistrim, një fotografi, një klip, një titull sensacional ose një mesazh që qarkullon… vetëm pse të arrin nuk e bën të vërtetë.

 

Një person mund të ketë qëllime të mira, por nëse ndan informacion pa e verifikuar atë, ai vetë bëhet një hallkë në krijimin e dëmit.

 

Prandaj, qasja kuranore mund të përmblidhet në tre faza:

Raportimi → Verifikimi → Opinioni

 

Jo:

Raportimi → Besimi → Gjykimi

Këtu qëndron vlera e vargut në kohën tonë:

Jo çdo informacion meriton të besohet, jo çdo informacion meriton të publikohet dhe jo çdo informacion meriton të jetë bazë për një opinion.

 

Ky ajet është një thirrje për maturi, vëmendje, kujdes dhe verifikim në pranimin e lajmeve dhe informacioneve, sepse një informacion i pavërtetë, i nxituar apo i pakontrolluar mund ta dëmtojë një individ, një masë njerëzish ose një popull të tërë.

 

Prandaj, para se ta besojmë, ta pëlqejmë, ta komentojmë apo ta shpërndajmë një lajm, duhet ta shqyrtojmë dhe ta verifikojmë, sepse fjalët dhe veprimet tona kanë pasoja dhe për to kemi përgjegjësi para njerëzve dhe para Allahut të Madhëruar.

 

 

XS
SM
MD
LG