KURUM mbylli aktivitetin, arrihen negociatat për punëtorët, Llatja: Ata që do rrinë në shtëpi do paguhen 35 mijë lekë në muaj, kush punon pagë 100%
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ishte sot pranë ambienteve të kompanisë Kurum, pas disa ditësh negociata për çështjen e 500 punonjësve të larguar nga puna.Pas mbledhjes me drejtuesit e kompanisë, Llatja tha se u arritën disa marrëveshje për punonjësit.
“Kemi pasur shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me punëtorët e kompanisë Kurum. Ata kanë ardhur para disa kohësh në zyrën time ku u shprehën për mbylljen e prodhimit për shkak të problematikave që ka pasur, shqetësimi ka qenë punëtorët. Edhe vjet ka qenë e njëjta situatë. Prodhimi është mbyllur por punëtorët nuk janë larguar. Kemi pasur disa takime dhe kemi pritur vendimin e bordit drejtues të kompanisë. Sot patëm negociatë të fundit, në bashkëpunim me sindikatën e punëtorëve. Asnjë punëtor të mos largohet nga puna në një afat të pacaktuar.
Të marrim garancitë se kompania të angazhohet për të mbyllur procesin e investimit tek linja e re e petëzimit. Ndërsa sa i takon procesit të çelikut të gjithë punëtorët do të vijojnë të jenë në punë. asnjë nga ata nuk do të marrë pagesë nën 35.000 në muaj bruto. Të gjithë do të marrin dietën ushqimore ditore 22 ditë në muaj. Për ata që do të jenë në punë do të vijojnë të paguhen me 100% të pagesës, ndërsa ata që do të rrinë në shtëpi do të paguhen sipas kontratës kolektive, 35 mijë lekë bruto.
Kush do të vijë të punojë fizikisht apo do të merren me mirëmbajtjen do të pguhen 100 % plus detat ushqimore. Ata që do të rrinë në shtëpi do të paguhen deri në momentin kur të nisë prodhimi. Tek petëzimi kemi marrë garanci se do të nisë brenda këtij viti. Vitin tjetër deri në pranverë shpresojmë të nisë tek çeliku “, tha kryebashkiaku./reporttv