Protesta e opozitës në Tiranë, 44 persona u shoqëruan në Polici
Wednesday, 27 November 2024 09:28
Pak pas mbylljes së protestës së Partisë Demokratike, e cila mbrëmë bllokoi pesë nyje kyçe të qarkullimit në Tiranë, mësohet se në komisariatet e Tiranës janë shoqëruar 44 persona.
A2 CNN ka raportuar se 18 të shoqëruar janë tek Komisariati Nr. 1, 5 persona të tjerë janë dërguar tek Komisariati Nr. 3 dhe 21 nga pjesëmarrësit në protestë ndodhen te Komisariati Nr. 6.
Opozita ka bllokuar për tre orë aksin rrugor përpara Bashkisë së Tiranës, Rrugën e Elbasanit, Sheshin Willson, Zogun e Zi dhe Pallatin me Shigjeta.
Protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë, me forcat e rendit që përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë grumbullimet te Bashkia e Tiranës dhe sheshi Willson./Atv