Pikëpyetjet/ Kujt do t’i shërbejë pasuesi i Janullatosit?

Ndarja nga jeta e Anastas Janullatosit, kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ka rihapur diskutimet për kombësinë e pasardhësit të tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. I ndjeri është akuzuar për tre dekada se u vendos në krye të KOASH duke manipuluar ceremoninë e gushtit të vitit 1992, se e shndërroi kishën në një ambasadë të dytë greke në Tiranë dhe se nuk u nda asnjëherë nga vënia në shëbim të interesave të shtetit grek, pavarësisht misionit për t’i shërbyer kishës në Shqipëri.
Për arsyet e mësipërme dhe të tjera, Anastas Janullatosit iu mohua nënshtetësia shqiptare nga katër presidentët e Shqipërisë, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe më pas Nujar Nishani.
Kërkesat e vazhdueshme të klerikut grek për një pasaportë shqiptare morën përgjigje pozitive vetëm në vitin 2017, kur president u zgjodh Ilir Meta.
Fill pasi mori pasaportën shqiptare, Anastas Janullatos bëri edhe deklaratën e famshme në një media greke, kur tha se pasardhësi i tij do të jetë një shqiptar.
“Padyshim që pasuesi im do të jetë shqiptar. Ne nuk kemi vajtur atje për të ndërtuar një koloni, por për të ndërtuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë” u shpreh Janullatos për televizionin grek SKY.
Por cila është procedura e zgjedhjes së kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë? A sanksionohet në statut që në krye të Kishës Ortodokse duhet të jetë një shqiptar? Nga vijnë pjesëtarët e Sinodit të Shenjtë që do të votojë për një kryepeshkop të ri?
Statuti i KOASH, në nenin 3 të tij shpjegon mënyrën se si do të zgjidhet pasardhësi i Janullatos.
Fillimisht duhet që Këshilli Kleriko-Laik i përbërë nga 257 priftërinj të propozojë emrat që plotësojnë kushtet për të qenë kryepeshkop.
Këto kritere përcaktohen nga neni 17 i Statutit. Thuhet shpesh që kryepeshkopi Anastat Janullatos e ka përcaktuar në statut që pasardhësi i tij duhet të jetë një shqiptar. Në fakt kjo nuk është e vërtetë.
Vërtet në paragrafin 3 të statutit, kërkohet që kryeprifti të ketë shtetësi shqiptare, por më pas fjalia që shtohet është se “Në raste të veçanta mund të bëhet përjashtim me vendim të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Sinodit të Shenjtë”.
Pra, statuti parashikon edhe raste të veçanta, që përkon me periudhën kur kisha ortodokse u drejtua nga Anastas Janullatos nga viti 1992 deri në vitin 2017.
Gjithsesi, pasi kandidaturat kalojnë në Këshill, është radha e mbledhjes së Sinodit të Shenjtë të kishës për të votuar një prej tyre.
Sinodi i Shenjtë përbëhet nga 7 Mitropolitët, drejtuesit e të cilëve mblidhen bashkë dhe zgjedhin një nga emrat e propozuar.
Rreth një muaj më parë, me dëshirën e Janullatosit u bë pjesë e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë edhe episkopi i Krujës.
Pas vdekjes së Janullatos, Sinodi i Shenjtë përbëhet nga 7 antarë.
Më poshtë janë renditur anëtarët aktualë të Sinodit të Shenjtë që do të votojnë për kryepeshkopin e ri, shoqëruar nga vendlindja e tyre.
1) Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij, Asti; (lindur në Durrës)
2) Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Joani; (Lindur në Tiranë) (mbikqyrës i mitropolitit të Tiranës)
3) Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij, Dhimitri; ( Lindur në Serres Greqi)
4) Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e Tij, Nikolla; (Lindur në Fier)
5) Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij, Andoni; ( Lindur në Tiranë)
6) Mitropoliti i Amantias, Hirësia e Tij, Nathanaili (Lindur në Greqi)
7) Episkopi i Krujës, Hirësia i Tij, Anastasi (Lindur në Vlorë)
Siç shihet më lart, vetëm 2 nga 7 klerikët që do të votojnë për të përzgjedhur pasardhësin e Anastas Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale janë grekë, ndërsa 5 të tjerët janë shqiptarë.
Pasi Anastas Janullatos mbylli sytë përgjithmonë, Sinodi i Shenjtë u mblodh për të zgjedhur një mbikqyrës të Mitropolitit të Tiranës, Durrësit dhe të Shqipërisë. Nga ky votim, i pari që nga vdekja e Janullatos, u ra dakort që At Joan Pelushi, Mitropolit i Korçës, të jetë edhe mbikqyrës i Mitropolitit që la pas Anastas Janullatos.
Kuptohet se votimi konfirmoi përshpëritjet se At Joan Pelushi është favorit për të qenë pasardhës i Anastas Janullatosit. Ai ka lindur në Tiranë dhe në moshë të re, është konvertuar nga bektashi në ortodoks. Më pas, ka ndjekur studimet në SHBA, ka qenë drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës dhe që nga 1998 shërben në Korçë.
Në një intervistë të vitit 2013, kur është pyetur për insinuatat dhe sulmet ndaj drejtuesve të KOASH për raportet me Greqinë, At Joan Pelushi është. përgjigjur se “Vazhdimisht jemi sulmuar, shpesh pa të drejtë. Çdo ditë na vjedhin kisha dhe ne shpesh kemi heshtur. Akuzat në pjesën më të madhe ngrihen mbi bazë të thashethemeve. Në kishë nuk mësohet greqisht, siç pretendohet. Një fakt i tillë vlen vetëm për zonat minoritare, është e drejtë e tyre të mësojnë në gjuhën e tyre”.
Me ndarjen nga jeta të Anastas Janullatosit, në Greqi ka pasur një reagim të niveleve më të larta. Ne meshën e organizuar këtë të dielë në Mitropolinë e Athinës ishte thuajse i gjithë shteti grek, që nga kryeministri Kirjakos Mitsotakis me thuajse të gjithë qeverinë, kryetari i Kuvend dhe presidentja greke.
Kryeministri i Greqisë, Micotakis në një prononcim për mediat atje, quajti Anastas Janullatosin një “pionier të Kishës në Shqipëri” duke shtuar se ai ishte “luftëtari i parë për interesat e bashkësisë sonë kombëtare”.
“Pata fatin të takoj dhe të punoj ngushtë me Hierarkun, i cili ndërthuri dinamizmin e besimit me mirësinë e natyrshme. Siç është detyra kombëtare me altruizmin” është shprehur Micotakis.
Duke e vlerësuar klerikun përballë qytetarëve grekë, praktikisht, kryeministri i Greqisë Kirjakos Micotakis ka konfirmuar atë për të cilën e akuzonin në Shqipëri intelektualë, historianë apo edhe politikanë; se pavarësisht pasaportës që kërkonte, Janullatos mbeti gjithnjë në shërbim të interesave të bashkësisë kombëtare greke.
Prandaj dhe ky moment, kur përzgjidhet kryepeshkopi i ri, është shumë i rëndësishëm për besimtarët ortodoksë, por jo vetëm. A do të jetë ky moment kthese, kur Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të zhvishet nga tutela e një marrëdhënieje speciale me Greqinë? Apo Anastas Janullatos ka punuar edhe për këtë ditë dhe ka përgatitur një trashëgimtar të denjë në raport me mëmëdheun e tij, Greqinë?/Lapsi.al