Lidhje


Pas kritikës së Ramës, flet Altin Dumani: SPAK nis hetimet për krimet zgjedhore pasi këtë e kërkoi Parlamenti

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, gjatë një deklarate të premten, shpjegoi arsyet pse institucioni që ai drejton ka ndërmarrë një iniciativë për të hetuar krimet zgjedhore.

 

Dumani tha se hetimet për krimet zgjedhore bazohen në ligjin shqiptar dhe në rezolutën e Kuvendit. Ai i bëri komentet një ditë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi që të ndalet “survejimi i partive politike në proces zgjedhor”.

 

Sipas Dumanit, ky vendim është marrë si pasojë e shqetësimeve të organizatave ndërkombëtare për proceset zgjedhore në Shqipëri dhe si një rekomandim i Kuvendit të Shqipërisë në rezolutën e vitit 2024, që kërkon një qasje proaktive ndaj hetimit të manipulimeve zgjedhore.

 

“Nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi reflektuar shqetësimet e organizatave ndërkombëtare sa i takon procesit zgjedhor. Kuvendi i Shqipërisë, me rezolutën e vitit 2024 për SPAK-un, ka rekomanduar që ky institucion të ketë një qasje proaktive, duke i kushtuar vëmendje të veçantë hetimit të krimeve zgjedhore, veçanërisht fakteve të bëra publike në media para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor,” deklaroi Dumani.

 

Hetime në kohë për të shmangur mosbesimin

 

Dumani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kohës së hetimeve, duke theksuar se goditja e shkeljeve zgjedhore në kohë sjell efekt të madh publik, ndërsa hetimet e vonuara mund të prodhojnë drejtësi, por edhe mosbesim tek qytetarët.

 

"Kur krimi zgjedhor, përfshirë ai që lidhet me financimet informale në fushatë, goditet në kohë, efekti publik është i madh. Në të kundërt, zgjatja e hetimeve post factum, edhe nëse prodhon drejtësi, prodhon mosbesim," theksoi ai.

 

Dumani la të kuptohet se SPAK po bashkëpunon me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të krijuar një strategji efikase në hetimet mbi krimet zgjedhore.

 

KQZ synon standarde të larta për zgjedhjet e 11 majit

 

Deklaratat e Dumanit u bënë gjatë një takimi të mbajtur në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, si dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

 

Celibashi u shpreh se KQZ po punon për të garantuar një proces të pastër në zgjedhjet vendore të 11 majit, të cilat do të mbahen në Bashkinë e Kavajës dhe në disa njësi administrative në vend.

 

"Jemi duke bërë më të mirën e mundshme për të pasur zgjedhjet e 11 majit me standardet që i takojnë një vendi kandidat për t’iu bashkuar Europës," deklaroi ai.

 

Afatet zgjedhore në prag të skadimit

 

Gjatë javës së ardhshme, pritet të skadojnë disa afate të rëndësishme për zgjedhjet e 11 majit. Procesi i regjistrimit të partive politike në KQZ po shkon drejt përfundimit, ndërsa më pas do të vijojë dorëzimi i listave të kandidatëve për garën zgjedhore. Po ashtu, do të mbyllet edhe regjistrimi i diasporës në platformën elektronike, për të mundësuar pjesëmarrjen e emigrantëve në votime.

 

SPAK, KQZ dhe institucionet e tjera të përfshira premtojnë një monitorim të rreptë të procesit zgjedhor për të siguruar një garë të ndershme dhe të lirë. /noa.al 

 

 

XS
SM
MD
LG