Lidhje


Plani i BE-së prej 6 miliard eurosh për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfitojnë të parat

Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat në Bashkimin Evropian, Marta Kos, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, bëri të ditur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin parafinancimin e parashikuar në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

 

Sipas saj, ky parafinancim duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Urime Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim sipas Planit të Rritjes! Kjo duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për t’i sjellë vendet më afër BE-së.”, shkruan në X Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat në Bashkimin Evropian, Marta Kos.

 

922 milionë euro impakti deri në 2027-ën në ekonominë shqiptare

Dokumenti i politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” (AKR 2024-2027) konsiderohet si një instrument i rëndësishëm që do të nxisë përgatitjet ekonomike të orientuara nga tregu për përshpejtimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian, drejt progresit në konvergjencë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vjen si kërkesë e kreut III të Rregullores 2024/1449 të Bashkimit Evropian.

Prioritetet e reformave të përcaktuara në AKR 2024-2027 janë në përputhje me drejtimet prioritare që përcakton Plani i Ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me qëllim përshpejtimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në Tregun Unik të Bashkimit Evropian, përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si dhe thellimin e integrimit ekonomik rajonal, me objektiv kryesor mbështetjen për dyfishimin e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

AKR 2024-2027 është një dokument politike reformash thelbësore të nxitjes së rritjes dhe transformimit ekonomik dhe konsolidimit të vlerave të shtetit të së drejtës. Dokumenti i politikës AKR 2024-2027 ofron një përmbledhje masash të përzgjedhura nga dialogu institucional Shqipëri – Bashkim Evropian, dhe hapash për krijimin e mjedisit të favorshëm për konsolidimin e transformimin ekonomik të vendit, i cili është i domosdoshëm për të rritur ritmin e rritjes dhe konvergjencës socio-ekonomike me vendet anëtare në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

AKR 2024-2027 përfshin masa që lidhen me prioritete në fushat/shtyllat e politikave si klima e biznesit, kapitali njerëzor, energjia/tranzicioni i gjelbër, tranzicioni digjital dhe shteti i së drejtës/ Themeloret”.

Sa i përket financimit të pritshëm nga zbatimi i masave për Agjendën e Reformave, ku janë të përfshira kredi dhe grante totali arrin në 922,085,888 euro.

 

Në vitin 2024, parashikohet një impakt prej 76,715,139 eurosh. Ndërsa në vitin 2025, impakti rritet ndjeshëm në 279,784,625 euro, duke reflektuar intensifikimin e zbatimit të reformave.

Viti 2026 sjell një rritje të mëtejshme, me 314,381,648 euro, që tregon se masat e marra po japin fryte dhe po kontribuojnë në rritjen e PBA-së.

 

Në vitin 2027, ndonëse shifra bie në 251,204,475 euro, kjo është ende një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin ekonomik.

Ky informacion tregon një tendencë pozitive të financimit nëpërmjet Agjendës së Reformave, duke theksuar rëndësinë e këtyre masave në zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Çfarë është Plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor?

Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor përmban prioritetet të organizuara sipas katër shtyllave.

Shtylla 1 përmban rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian. Shtylla 2 përmban integrimi në Tregun e Përbashkët Rajonal. Shtylla 3 përmban përshpejtimin e reformave themelore. Ndërsa shtylla 4 përfshin instrumentin financiar Lehtësuesi për Reformën dhe Rritjen.

 

Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të mirë dhe është një mundësi premtuese për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ky plan synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, të nxisë investimet, të krijojë vende pune dhe të përmirësojë standardet e jetesës.

 

Instrumenti “Faciliteti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” mbështet shtyllën e tretë dhe të katërt të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

 

Kjo iniciativë e re zhvillimore do të ofrojë mbështetje financiare deri në 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Synimi është përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor krahasimisht me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndikuar sidomos nga pasojat që erdhën nga kriza ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, si dhe kriza energjitike globale, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, përmes nxitjes, me objektiv dyfishimin, e rritjes ekonomike.

 

Ky instrument është miratuar më 14 maj 2024, përmes Rregullores 2024/1449 të Bashkimit Evropian “Për miratimin e Facilitetit të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

Procesi i integrimit në BE kërkon një sërë reformash që do të çonin në një konvergjencë të përshpejtuar socio-ekonomike me Bashkimin Evropian dhe tregun e tij të vetëm.

 

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor synon integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, duke përfshirë aksesin progresiv në tregun e vetëm të BE-së. Plani mbështetet nga një instrument i ri financimi i bazuar në performancë, Lehtësia e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ai përbëhet nga deri në 6 miliardë euro në total për periudhën 2024-2027, nga të cilat 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi favorizuese. Të paktën gjysma e zarfit të përgjithshëm do të mbështesë investimet në infrastrukturë dhe lidhjen, duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare dhe të destinuara për zbatimin e reformave.

 

Për të përfituar nga Lehtësia, çdo vend duhej të përgatiste një Agjendë Reforme, e cila konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni Evropian pas vlerësimit pozitiv nga Këshilli i BE-së. Lëshimi i fondeve të parashikuara për çdo vend do të kushtëzohet me zbatimin me sukses të Agjendave të Reformës.

Agjenda e Reformës është një mjet që synon të sigurojë zbatimin e reformave të nevojshme që do të çonin në transformimin shoqëror duke përshpejtuar përafrimin e fushave prioritare me vlerat, politikat dhe praktikat e BE-së. 

XS
SM
MD
LG