“Thikë pas shpine!” Kriminelët ‘shkëmbyen’ gratë për të goditur kundërshtarët

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot një tjetër seancë për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ku akuzat, rrëfimet dhe interpretimet vazhdojnë të krijojnë jo pak konfuzion.
Në fillim të seancës, i pandehuri Erjon Alibeaj kundërshtoi publikisht versionet e raportuara nga mediat lidhur me përfshirjen e tij në marrëdhënie personale me persona të lidhur me çështjen. Ai theksoi se bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, kishte deklaruar se bashkëshortja e Oti Kilës kishte pasur një lidhje me të, dhe jo e kundërta, siç sipas tij ishte raportuar gjerësisht, ku media kishte aluduar për një lidhje të bashkëshortes së Alibeajt me Oti Kilën.
Deklarata e Alibeajt shkaktoi reagime të përziera në sallë, ku ironia dhe hutimi nuk munguan, duke thelluar më tej mjegullën që mbulon rrëfimet dhe versionet e ndryshme të kësaj dosjeje të ndërlikuar.
Ndërkohë, gjatë seancës, u risollën në vëmendje edhe dëshmitë e mëparshme të Dumanit. Sipas tij, Erjon Alibeaj nuk ka pasur asnjëherë synim të eliminonte Oti Kilën, pikërisht për shkak të një marrëdhënieje intime që sipas Dumanit ekzistonte mes Alibeajt dhe bashkëshortes së Kilës. Dëshmitari shtoi se lidhjet “kanë qenë të ndërruara” që la të kuptohej se dhe Kila ka pasur një mardhënie me bashkëshorten e Alibejt dhe jo vetëm ai me të Kilës, një shprehje që më shumë shtoi se sa shoi paqartësitë mbi marrëdhëniet dhe motivet brenda grupit.
Në pritje të sqarimeve të mëtejshme nga gjykata dhe palët e përfshira, saga e “Plumbit të Artë” vazhdon të mbetet një mozaik rrëfimesh kontradiktore, ku e vërteta duket se është ende në kërkim të një forme përfundimtare.