Gjykata e lartë italiane: Marrëveshja Rama – Meloni bie ndesh me Kushtetutën

Mediat italiane kanë zbardhur një vendim të Gjykatës së Lartë në vendin fqinj në lidhje me marrëveshjen mes dy vendeve për menaxhimin e emigrantëve. Në vendimin e saj gjykata nxjerr në pah çështje të shumta kritike të marrëveshjes duke shpjeguar se “ka dyshime të shumta në lidhje me përputhshmërinë e saj me Kushtetutën dhe me të drejtën ndërkombëtare, duke u ndalur konkretisht në marrëdhënien midis Protokollit dhe ligjit të BE-së”.
Ndër të tjera Gjykatës e Lartë italiane nxjerr në pah shkelje të shumta të mundshme të të drejtave kushtetuese, nga e drejta për shëndet deri te e drejta për mbrojtje. “Marrëveshja nuk arrin të identifikojë saktësisht kategorinë e njerëzve të cilëve u referohet dhe duke u kufizuar në identifikimin e tyre si ‘migrantë’ gjeneron një pabarazi të përgjithshme trajtimi midis të huajve që do të sillen në Itali dhe ‘migrantëve’ që do të transferohen në Shqipëri” – shkruan Gjykata e Lartë.
Sipas Gjykatës, marrëveshja bëhet pengesë për të drejtën e azilit për shkak të mungesës së “disiplinës analitike të aspekteve procedurale”. Indikacione që do të ishin të nevojshme për të neutralizuar “boshllëkun ligjor që rrjedh nga ekstraterritorialiteti, duke siguruar që migrantët e çuar në vendet shqiptare të kenë garanci të barabarta krahasuar me migrantët në territorin italian” – thuhet në vendim.
Gjykata e lartë italiane nënvizon se sipas protokollit Itali – Shqipëri “ndalimi nuk parashikohet më si mjeti i fundit, siç parashikohet nga legjislacioni evropian”, por përbën “alternativën e vetme të treguar nga ligjvënësi, në shkelje të garancive për mbrojtjen e lirisë personale”.
Një tjetër çështje kritike “është identifikuar pamundësia materiale, në rastin e ndalimit jashtë vendit, të lirimit të individit, pasi efektet e ndalimit kanë pushuar. Sipas Protokollit, i huaji nuk mund të lirohet në Shqipëri dhe duhet të kthehet në Itali, me pasojë që, duke marrë parasysh kohët teknike të nevojshme për transferimin me anije ose nga ajri, duket shumë e mundshme që i huaji të mbahet akoma në kamp për disa orë, nëse jo edhe disa ditë”.
Gjykata thekson se marrëveshja ka probleme edhe në të drejtat e mbrojtjes së emigrantëve. Protokolli mund të shkaktojë dëme serioze në të drejtën e shëndetit të migrantëve duke pasur parasysh se niveli i kujdesit shëndetësor shqiptar nuk është i krahasueshëm me atë italian./LAPSI.al