Islamofobia në shesh, ditën e Bajramit
Nga Alban Gorishti
Tiranë. Koha e faljes së Kurban Bajramit. Turmat e njerëzve lëviznin si një vallëzim harmonik në tërë qendrën historike. Teksa ky konstelacion zemrash ishte në kulmin e vet, një episod i pakëndshëm dëshmoi për një realitet të mbarsur me një nënvetëdije historike të sëmurë. Një besimtare goditet në krah nga një burrë shumë herë më i madh se ajo. Ky nuk është rast i izoluar dhe besoj nuk ka për të qenë as i fundit. Ndaj ky shkrim nuk i dedikohet në vetvete incidentit, por llojit të islamofobisë që po merr një kah tërësisht irracional, aq sa irracionale është edhe logjika që e karakterizon.
Karl Jung, në trajtesat e tij mbi projekcionin psikik, shpjegon se njeriu ka një prirje primitive për ta zhvendosur të keqen jashtë vetes. Ai shkruan se individi ndihet më i qetë kur “armikun” e gjen tek tjetri, sepse kështu shpëton përkohësisht nga përballja me kaosin e brendshëm. Në këtë kuptim, islamofobia moderne nuk është thjesht mosdakordësi kulturore apo debat civilizimesh, shpesh ajo është një projektim kolektiv. Një shoqëri e çorientuar, e lodhur nga boshllëku shpirtëror, korrupsioni moral, humbja e identitetit dhe ankthi ekzistencial, kërkon një figurë mbi të cilën të derdhë hijen e vet. Dhe shpesh atë figurë e gjen tek besimtari.
Jung thotë diku se “sa më emocionale dhe subjektive të jetë një përshtypje, aq më shumë gjasa ka të jetë projeksion.” Pikërisht këtu fillon të ndërtohet gjithçka. Besimtari nuk shihet më si individ real, por si ekran mbi të cilin projektohen frikërat, traumat dhe komplekset e një shoqërie të tërë. Një shami nuk perceptohet si copë pëlhure, por si kërcënim, një sexhade si provokim, ezani si pushtim simbolik. Në realitet, nuk është objekti që prodhon histerinë, por ngarkesa psikike që i vishet atij.
Kjo është arsyeja pse urrejtja bëhet irracionale. Ajo nuk reagon ndaj asaj që është, por ndaj asaj që imagjinon. Jung e përshkruan këtë mekanizëm me një saktësi të frikshme kur thotë se njeriu primitiv e ndan botën në dy kampe absolute: gjithçka e jona është e mirë, gjithçka e tjetrit është e keqe. Dhe sa më i dobët të jetë individi për t’u përballur me vetveten, aq më shumë ka nevojë për një “armik” jashtë vetes.
Prandaj nuk është rastësi që në një vend ku banaliteti, vulgariteti publik, korrupsioni dhe degradimi moral tolerohen përditë, zemërimi shpërthen pikërisht ndaj një gruaje që shkon të falet. Sepse projeksionet nuk ndjekin logjikën e realitetit, ato ndjekin logjikën e pavetëdijes. Një shoqëri që nuk arrin të diagnostikojë plagët e veta, fillon t’i shpikë ato tek të tjerët.
Dhe këtu ndodh paradoksi më i madh: njeriu që pretendon se po lufton “errësirën”, shpesh vetëm sa po projekton hijen e vet mbi dikë tjetër. Në fund, urrejtja ndaj besimit nuk zbulon domosdoshmërisht se çfarë është feja, por çfarë po ndodh brenda shpirtit të atij që urren.
Çdo projeksion shkakton një kundërprojeksion. Çdo demonizim prodhon mure. Çdo përçmim ushqen polarizim. Dhe kështu shoqëria hyn në një cikël neurotik kolektiv ku askush nuk sheh më realitetin, por vetëm hijet që ia hedh njëri-tjetrit. Pikërisht për këtë Jung paralajmëronte se njeriu modern, edhe pse teknologjikisht i avancuar, mbetet primitiv në raport me pavetëdijen e vet.
Ndoshta problemi më i madh nuk është se disa njerëz falen në shesh. Problemi është se të tjerë, duke parë lutjen, shohin aty demonët e tyre.