Lidhje


Kur pushteti fillon të zgjedhë myslimanët e tij

 

Nuk është hera e parë në histori që pushteti përplaset me fenë. Por pothuajse gjithmonë, kur kjo ndodh, konflikti nuk zhvillohet në sipërfaqe. Në thellësi, përplasja është zakonisht mes pushtetit dhe atyre pjesëve të komunitetit që refuzojnë të bëhen zgjatim i tij.


Kjo është arsyeja pse gjuha e përdorur së fundmi nga Edi Rama ndaj disa muslimanëve meriton vëmendje. Objekt i kësaj gjuhe nuk duket të jenë muslimanët që marrin pjesë në ceremonitë zyrtare, që fotografohen me pushtetin apo që e konsiderojnë afërsinë me qeverinë si formë e suksesit institucional. Objekt duket të jenë ata zëra që kanë zgjedhur të ruajnë një distancë nga pushteti dhe të mos e nënshtrojnë gjykimin e tyre moral ndaj interesave të tij.


Në këtë pikë debati pushon së qeni fetar dhe bëhet politik.


Në fund të fundit, asnjë pushtet modern nuk ka pasur nevojë të zhdukë fenë. Mjafton ta administrojë. Mjafton të prodhojë një elitë fetare që fillon të mendojë se mbijetesa e institucionit është më e rëndësishme se mbrojtja e parimeve. Mjafton që një pjesë e saj të bindet se afërsia me oborrin është më e vlefshme se afërsia me komunitetin.


Historia është plot me shembuj të tillë. Elitat e ndërmjetme kanë luajtur shpesh rolin e amortizatorit mes pushtetit dhe komuniteteve të tyre. Ndonjëherë kanë mbrojtur komunitetin nga pushteti. Ndonjëherë kanë mbrojtur pushtetin nga komuniteti.


Këtu qëndron rreziku i vërtetë. Jo se shteti do të përndjekë muslimanët. Rreziku është që gradualisht të krijohet një ndarje mes muslimanëve “të pranueshëm” dhe muslimanëve “problematikë”. Mes atyre që konsiderohen partnerë të shtetit dhe atyre që konsiderohen pengesë. Mes atyre që ftohen në tryezë dhe atyre që paraqiten si të dyshimtë, të prapambetur apo të rrezikshëm.


Me një ndarje e tillë, pushteti nuk ka më nevojë të veprojë drejtpërdrejt. Komuniteti fillon ta vetëdisiplinohet. Heshtja zë e na paraqitet si urtësi, konformizmi si moderim, kurse distanca nga pushteti si ekstremizëm.


Çështja është se një pjesë e elitës fetare mund të fillojë ta shohë autonominë e bashkëbesimtarëve të saj si kërcënim më të madh sesa ndërhyrjen e pushtetit në jetën e komunitetit. Eksperiencat e shoqërive shumë më të emancipuara na dëftojnë se komunitetet nuk dobësohen sepse sulmohen nga jashtë, por sepse humbasin aftësinë për të dalluar interesin e pushtetit nga interesi i tyre.


Prandaj pyetja që duhet shtruar sot nuk është nëse kryeministri kishte të drejtë apo jo në deklaratat e tij. Pyetja është: a do të vazhdojë bashkësia muslimane në Shqipëri të prodhojë zëra të lirë, të aftë për të folur pa lejen e pushtetit, apo do të mjaftohet me zëra që flasin vetëm kur pushteti ndihet rehat t’i dëgjojë?
Liria e një komuniteti nuk matet nga privilegjet që gëzojnë përfaqësuesit e tij por nga aftësia e anëtarëve të tij për të mbetur të lirë edhe kur pushteti do t’i donte më të bindur.

XS
SM
MD
LG