Oborri mbretëror i kohës së mbretit Zog dhe 'oborri mbretëror' i kohës së Umer ibn Abdulazizit.
Nga Alban Gorishti/Para së të zhvilloj idenë e këtij shkrimi dua të theksoj se ky artikull nuk frymëzohet nga problematikat private, individuale të nxjerra për publikun e gjerë këto ditë por nga qasjet dhe qëndrimet që besoj se duhet të kemi për të shkuarën apo të ardhmen tonë. Realisht ajo që ndodhi këto ditë është një fenomen i shëmtuar i cili nuk duhet të cënonte figurat e së kaluarës apo të denigrojë në ndonjë mënyrë ato të së sotmes. Të gjithë mbartim gëzime dhe hidhërime, halle dhe komoditete, probleme dhe zgjidhje të cilat në fund të ditës duhet të ngelen pjesë e sferës private, duke mos i konsumuar disa pozita apo 'dyer' të vogla qofshin apo të mëdha. Kjo pasi të gjithë jemi subjekt i sprovave familjare apo variacioneve karakteriale, ndaj rrjedhimisht të gjithë jemi të cënueshëm nga errozioni dhe vjetërimi i përditshmërisë.
Në këtë shkrim nuk dua të adoptoj qasjen e historianit duke analizuar akuzat që i janë bërë Zogut ndër vite, ndaj nuk dua as të merrem akuzën e braktisjes së vendit dhe popullit në ditët më të zeza, po as të diskutoj akuzën ku thuhet se ai erdhi në pushtet me bajonetat serbe pikërisht duke falur pjesë të trojeve Shqiptare si dhe duke rrëzuar qeverinë e Nolit, as ta paraqes Ahmet Zogun si Shpëtimtar i Kombit (sikurse janë shprehur disa), por as si rënues të tij. Por as të gjykoj veset e tij personale dhe as virtytet, mandej një reflektim për të hedhur paralelizma midis asaj që ishte dhe asaj që mundet të ishte nëse në mesin e ndodhive “aktorët” përfshinin disa elementë metafizikë të domosdoshëm për ndryshime pozitive të kursit historik.
Kështu historia e drejtësisë në gadishullin arabik, nga padrejtësia pagane tek drejtësia monoteiste, ndrzshoi kurs me momentin kur pejgamberi ynë a.s e pa të vërtetën me sytë e zemrës dhe ballit. Zoti thotë në Kuran: Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë e ka parë edhe herën tjetër” Nexhm 11-13.
Ajo tek e cila shkurtimisht dua të ndalem janë disa aspekte të një metamorfoze të rëndësishme të asaj çka ishte populli ynë, asaj çka është dhe asaj që shpresohet të bëhet. Pra një dialektikë etike më tepër sesa një kritikë historike. Disa materialistë pohojnë se materia, jeta dhe historia janë tërësisht subjektë të një determinizmi shprehja matematike e të cilit një ditë do të gjendet. Në historinë tonë (jo vetëm tonën) të trazuar ekziston një tipar dominant I cili shpesh na ka pamundësuar të përmirsojmë performancat tona jetësore, duke lundruar po në të njejtat pamundësi konigtive dhe trazira emocionale, ajo ka të bëjë me perspektivën e kufizuar, apo imagjinatën emocionale të cunguar nga ashpërsitë e kushteve gjeografike dhe dimensioneve të pabesisë shpirtërore. Nëse kemi një këndvështrim të kufizuar për mjedisin, mund të jetë e vështirë të ndryshojmë perceptimin tonë, pasi mund të mos kemi tablonë e plotë të asaj që po ndodh.
Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane, Shqipëria njohu menjëherë fenomenin e abuzimit me pronat. Prona që u prek e para, ishte ajo shtetërore. Skema që përdorej në këtë periudhë ishte që pronarët e mëdhenj, të cilët zoteronin 2/3 e pronës, i jepnin tokat me qira, ku familje të ndryshe vinin në pronë, banonin aty, punonin tokën dhe një pjesë të prodhimit e mbanin vetë e një pjesë tjetër ia jepnin pronarit të tokës. Nga viti 1912 deri në vitin 1920 për shkak të pushtimeve të huaja dhe për shkak të mungesës së një administrate stabël, shumica e dokumenteve kadastrorë me qëllim apo pa qëllim ishin zhdukur, shkatërruar, djegur ose vjedhur.
Ajo që më ka mbetur në mendje nga ajo që kam lexuar për mbretin Zog, ishin disa trajta të pushtetit të tij në një kohë kur ky I fundit merrej dhe mbrohej me pushkë, ndoshta ashtu vazhdon të jetë akoma edhe sot e kësaj dite.
Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit.Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij. Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë.Po ashtu patriotë si Elez Isufi, Zija Dibra, Hasan Prishtina, të gjithë dyshohet se janë ekzekutuar me urdhër dhe orkestrim të mretit Zog. Madje hasan Prishtina e cilësonte Zogun në një revistë si :“Ahmet Zogu me kryet e bandës kriminale që e ka qendrën në pallat presidencial të Tiranës”. Por kjo modë e vrasjes së kundërshtarit, u ndoq rëndom edhe nga ata udhëheqës që do ta pasonin zogun më pas. Kjo në një mënyrë apo tjetrën, po e shoqëron edhe sot, Shqipërinë modern.
"Si president ai mund të binte dhe në vend të tij të zgjidhej një burrë më i mirë. Por si mbret, ata (Italianët) do ta kishin atë përherë në duart e tyre…”- thotë Edit Durham. Kushtetuta e re që u shpall në dhjetor 1928 i dha Mbretit pushtet të pakufizuar legjislativ, juridik dhe ekzekutiv, duke i garantuar Zogut mbizotërimin. Një dokument i përbërë nga 234 nene, kushtetuta shpallte që Mbretëria e Shqipërisë ishte një monarki demokratike, kushtetuese dhe e trashëgueshme.
Historiania angleze Miranda Vickers e përshkruan kështu largimin e Ahmet Zogut nga Shqipëria në ditën e pushtimit nga Italia fashiste: “Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij. Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigante në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napolona floriri. Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, Mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi.”
I shoqëruar nga mijëra luftëtarët e Tij (apo 1000 matianët e tij siç e quajti dikush), ai luajti rol kryesor në sigurinë e zhvillimit të punimeve të Kongresit në ato ditë të trazuara. Ata vinin kryesisht nga zonat e Matit, Mirditës dhe Dibrës, të cilat njiheshin për besnikërinë e madhe që i kishin dhënë Zogut atë kohë. Madje me këta njerëy (1000 matjanë) ai iu imponua shpesh herë qoftë qeverive të atëhershme por edhe situatave të brendëshme, askush si ai nuk e pati këtë mbështetje. Mbështetje të cilën ai diti ta përdori mjaft mirë për të arritur majat e pushtetit.
Në vitin 1937 Parlamenti miratoi ligjin për ndalimin e perçes tek gratë myslimane. Ligji i Zogut lejonte ndalimin e perçes edhe me forcë, pasi ai ishte antiligjor dhe antishoqëror.Por nga ana tjetër shumë kanë folur edhe për fiksimin e Zogut me femrat, duke pasur disa të dashura para se të martohej me Geraldinën. Faktikisht kjo e shtrirë në kohë pak a shumë ka qenë performanca dhe veset e një pjese të mirë të udhëheqësve post-Zogistë. Kush më shumë e kush më pak të gjithëve i ka munguar një koherencë thelbësore midis tyre dhe pozitës që ata gëzuan apo midis tyre dhe korrektësisë që është themeli i çdo pozite.
Ajo që më ka bërë përshtypje teksa lexoja historinë e tij është se edhe në ekzil ai kishte një oborr të mirëpaguar mbretëror, po ashtu gjatë kohës që u bë mbret, vendosi një standard. Oborri mbretëror do kishte një buxhet të majmë, që i shërbente oborrit mbretëror, paguheshin 500 mijë franga ose 25 mijë napolona flori. Edhe pse ai kishte krijuar edhe llogari bankare prej të cilave merrte edhe interesat e duhur, sipas asj që është shkruajtur për të, ai asnjëherë nuk e uli standartin e tij të jetesës, ndërkohë që shqiptarët kalonin nëpër periudha të vështira urie dhe varfërie. Të njohura janë edhe pasuritë që ai mori me vete jashtë Shqipërisë, akte që shpesh janë diskutur edhe si ruajtëse të asaj pasurie. Por, standarti në të cilin jetonte Zogu ishte tërësisht I ndryshëm nga ai i pjesës tjetër të Shqipërisë së atëhershme, ndërkohë që vendi “lundronte” në llucën e varfërisë dhe injorancës, Zogu posedonte makinat më të shtrenjta të cilat ndoshta nga një pjesë e popullsisë shiheshin si “shenja” të ditës së fundit, për shkak se as në ëndërr nuk i kishin parë të tilla mjete (madje thuhet se një makinë mjaft të shtrenjtë ia kishte dhuruar vet Hitleri si dhuratë dasme). Kjo shkëputje, ky diferencim i madh midis tij dhe pjesës tjetër të popullsisë është një realitet që do ta shoqëronte Shqipërinë si në kohën e monizmit po ashtu atë moderne.
Data 27 prill u zgjodh për martesën e Zogut me Geraldinën, pasi një tjetër ceremoni e tillë u bë afro pesë shekuj më parë në kalanë e Beratit. Më 26 prill 1451 martohej Gjergj Kastrioti me Maria Donikën e Arianitit. Sporti ishte tipar i shoqërisë evropiane për të mbajtur trupin në formë, gjithsesi Zogu nganjëherë e merrte raketën e tenisit. Ata që lavdëronin lojën e tij nuk njihnin ndonjë standard krahasimi. Për t’u bërë përshtypje krerëve të fiseve, mbreti ekspozonte koleksionet e tij të qilimave orientalë dhe armët antike.Shpenzimet më të mëdha dëshmojnë se mbreti paguante trefish më shumë për çdo gjë që familja mbretërore blinte në treg.
Po Umer ibn Abdulazizi ç'hyn këtu?
Ju mundet të thoni, këto janë steka të larta, standarte palidhje me njëra tjetërn, hapësira që nuk gjejnë përputhje etj. Por unë do të thosha, pasi jemi të qartë për politikën e këtyre 100 viteve të fundit, se ajo që ne na mungon është pikërisht të afrojmë atë që na duket e largët, të familjarizojmë atë që na duket e huaj, apo të adoptojmë koncepte të “panjohura” për ne, sikurse është edhe drejtësia racionale por edhe ndershmëria jo thjesht dialektike.
Ndaj duhet të theksojmë se kjo fe u ruajt përmes fenerëve të dritës në formën e individëve të drejtë që mbështetën Islamin e vërtetë. Ata e ripërtërinë drejtësinë në mesin e njerëzve duke i ofruar njerëzve një standart të harruar, standart i cili është themeli i dërtimit të shoqërisë së ndiçuar me udhëzim, mirësi dhe drejtësi sociale. Pikërisht kjo është shoqëria që frzmëzon brezat.
Ai ishte delja e zezë e Dinastisë Umajad (pasi i hoqi shumë privilegje atyre), i rrënjosur fort në drejtësi dhe nëse mbretërimi i tij do të ishte më i gjatë se 2 vjet e 5 muaj, mund të imagjinohen ndikimet e qëndrueshme në botën e Islamit dhe historisë. Por ai u bë shëmbëlltyrë e drejtësisë, drejtësi e cila kërkon shpërblimet e Zotit dhe kurrsesi llukset e dyshimta tokësore, për këtë Allahu thotë:"Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robtë e Vet." Bekare 207
Të vërtetat dhe parimet e universale i kanë dhënë kësaj feje fleksibilitet në të gjitha kohërat dhe vendet. Është përmes mbrojtjes hyjnore të Allahut që kjo fe është ruajtur gjatë shekujve. "Ata që nuk mësojnë historinë janë të dënuar ta përsërisin atë"
Fatkeqësisht, kur Dinastia Umajade erdhi në pushtet në vitin 661 e.s, selia e prijësit u bë thjesht një rol qeverisës pa asnjë pritshmëri morali. Zakonet e periudhës së injorancës, të cilat ishin zhdukur nën mësimet e Profetit, u rishfaqën përsëri pasi pushteti humbi nga sytë Kur'anin dhe Sunetin. Racizmi, tribalizmi dhe nepotizmi u bënë elementë kryesorë të mnarkisë Umejade. Ekstravaganca kishte zëvendësuar përsosmërinë morale, të paktën në mesin e klasës sunduese.
Umer ibn Abdul Aziz lindi në vitin 61 hixhri në Medine. Nëna e tij, Ummu Asim , ishte në fakt mbesa e Umar ibn el-Khatabit, i dyti nga kalifët e udhëzuar drejt, shok i afërt i profetit Muhamed a.s.
Umeri u afirmua në Medinë si njeri i devotshëm. Omeri ishte edhe trim, kurrë nuk frikësohej ta thoshte të vërtetën. Babai i Umer ibn Abdul Azizit, Abdul Azizi, ishte guvernator i Egjiptit dhe këtu u rrit Umer ibn Abdul Aziz. Xhaxhai i tij, Abdul Melik, halifi i atëhershëm, e thirri atë në Damask ku e martoi me vajzën e tij, Fatimen. Pas Velid ibn Abdul Melikut, si sundimtar vjen Sulejman ibn Abdul Azizi, i cili me testament emëron trashëgimtar Umer ibn Abdul Azizin.
Gjëja e parë që bëri pasi u bë halif ishte të hiqte dorë nga pasuria e zakonshme e udhëheqësve. I sollën kuaj të shkëlqyer, ai i pyeti se çfarë janë? Ata u përgjigjën: “Kuajt që nuk janë shaluar ende janë përgatitur për halifin e ri”. Ai i la ato dhe e kërkoi mushkën e vet të cilën e shalonte edhe më parë dhe i tha shërbëtorit të tij: “O Muzahim, çoji këta kuaj në Bejtul-mal (thesari shtetëror).” Kështu vepro edhe me shtretërit, qilimat dhe jastëkët, “O Muzahim, çoji edhe këta në Bejtul-mal.” Kur u zgjodh si monark, Umeri, u tërhoq për tri ditë dhe nuk u paraqit fare para popullit, gjatë kësaj kohe ai kishte kontrolluar dokumentacionet e pasurisë së shtetit. Vëmendje më të madhe i kushtoi korrupsionit gjatë përpjekjes për zhdukjen e kësaj sëmundjeje, ai i theksoi mjetet e parandalimit dhe mbylljes së rrugëve që çojnë në korrupsion, si: tradhtia, gënjeshtra, ryshfetet dhe dhuratat për zyrtarët dhe guvernatorët, luksi dhe tregtia nga qeveritarët dhe vezirët.U shkroi një letër zyrtarëve të tij të cilën duhej ta lexonin para popullit të tyre, që është ndaluar marrja e dhuratave, e çfarëdo natyre qoftë.
Pastaj, ai e pa problematike largimin e guvernatorëve dhe prijësave nga bota e zakonshme dhe mosnjohjen e gjendjes reale në të cilën jeton populli . Ai i urdhëroi punonjësit e tij që ta hapin derën për t’u takuar me përgjegjësit dhe për t’i dëgjuar dhe njohur me gjendjen e tyre, sepse kjo do ta parandalonte padrejtësinë dhe uzurpimin e të drejtave të të tjerëve.
Gjithashtu ndaloi që nëpunësit e tij t’ua plotësojnë dëshirat të afërmve, pas ndodhisë kur Fatimeja, e bija e Abdulmelikut (bashkëshortja e vetme e Umerit) kërkoi nga Ma’di Keribi t’i sjellë mjaltë libanez, që ky e realizoi. Omer Ibën Abdulazizi i pat thënë: “I mjeri ti! Nëse e bën këtë përsëri, nuk do të bësh më asnjë punë për mua, as nuk do të të shikoj më!”. Ai nëpërmjet jetës së tij askete, por po ashtu edhe nëpërmjet reformave të ndryshme, mbylli dyert e mashtrimit dhe tradhtisë dhe i pengoi zyrtarët e tij që të mashtrojnë dhe t’i vjedhin muslimanët.
Umer bin Abdul Aziz ishte mbret (kalif) për vetëm tridhjetë muaj. Megjithatë frytet e politikave të tij ishin të dukshme. Shumë njerëz të pasur ishin të pakënaqur gjatë kohës së tij sepse nuk mund të gjenin njerëz të varfër për ti ndihmuar. Sepse Omar bin Abdul Aziz tashmë kishte bërë mjaft për të gjithë shoqërinë e asaj kohe. Ndërsa varfëria dhe injoranca shpirtërore vetëm sa u theksuan me kalimin e viteve, e nëse sot varfëria është pothuëjse zhdukur, mangësitë emotive vazhdonë të krijonë sisteme kaotike dhe erozion psiko- social.
Shumë e konsiderojnë periudhën e tij të udhëheqjes si epokën e artë. Rezultati i politikave që ai zgjodhi për t'u sjellë njerëzve paqe dhe prosperitet ishte një pasim i njëmendt i orientimeve islame, madje për ta faktuar këtë i dha jetë një elementi kyç të të qenit mbret, vetllogaritjes si domosdoshmëri për të mbajtur amanetin e marrë përsipër. Ashtu që edhe mbështetësit mos të paragjykojë një dozë mirjohjeje të kthyer në bumerangun e mosmirjohjes nga vet i zgjedhuri i tyre. Nuk mundet të ekzistojë ardhmëria e suksesshme vetëm se mbi themelet e drejtësisë kolektie, kjo duke pasur parasysh që llogaridhënia dhe vetllogaritja jaë elemente kyçe në 'demokratizimin' e vërtetë të një shoqërie, demokratizim i cili nis nga pasurimi i mendjes dhe zemrës dhe jo xhepave dhe arkës shtetërore.
Në 1928 erdhi në fuqi kushtetuta e re që e shpalli Zogun mbret dhe e shfuqizoi tërësisht sheriatin (ligjin islam).Zogu gjatë regjimit të tij përqafoi vlerat e bashkimit, afetarisë dhe modernitetit evropian, duke i kthyer këto ideale në vetë idelogjinë e shtetit. Po kjo nuk solli aspak progres në mendjet dhe vetëdijen e shqiptarëve, pasi ato që erdhën pas Zogut ishin pushtete edhe më të egëra dhe afetare. Kjo pasi themeli kryesor i fesë është drejtësia dhe mbajtja e amanetit ndërsa afetaria, është e kundërta e tyre. Ndaj edhe Allahu thotë në Kuran për njeriun, laicizmin dhe drejtësinë që buron nga feja:"Ne ua ofruam amanetin (obligimet, drejtësinë) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejt vetes, dhe ishte i padijshëm" Ahzab 72.Zogu bëri padyshim një vlerësim të gabuar, por po ashtu një qasje plot difekte , pasi për vet modalitetet e shoqërisë, për shkak të varfërisë dhe injorancës së atëhershme, ajo që duhet të ishte forcuar ishte padyshim arsimi dhe veçanërisht ai fetar. Duke krijuar kudo kuadro dhe subjekte të aftë, të cilët do të dinin të tregoheshin arkitektë të proceseve të suskesshme shpirtërore, e më pas kjo me siguri do të ndikonte edhe në skalitjen e drejtësisë sociale, aq të nevojshme për një popull, aq të domosdoshëm për Shqipërinë e atëhershme.
Ndërsa Eqrem bej Vlora, e portretizon Zogun kështu: “Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata: Ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata.
Vlera më e madhe e historianëve që i japin sot Ahmet Zogut është krijimi i një shteti modern shqiptar, me ligje dhe standarde, dhe ekonomi të kohës që nuk i kishin shumë shtete perëndimore në atë kohë. “Është kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.
Kush dëshiron të dijë më tepër për jetën e Umerit, le të lexojë biografinë e tij të botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe.