Lidhje


Turqia në mes Mekës dhe Brukselit diplomaci mbi tehun e shpatës

Shkruan: Hamzi Ibraimi

 

Turqia ka vendosur veten në një pozitë që pak shtete mund ta mbajnë. Është një vend që flet për Palestinën, mbron interesat e botës myslimane dhe kritikon hapur Izraelin. Në të njëjtën kohë, është një shtyllë kyçe e NATO-s dhe partner që as Perëndimi, as BE-ja, as SHBA-ja nuk mund ta anashkalojnë. Ky ekuilibër e mban Ankaranë si fuqi të domosdoshme. Por një lëvizje e gabuar mund ta kthejë këtë lojë në krizë globale.

 

Turqia lëviz mes Mekës dhe Brukselit. Ku me një anë mban gjallë lidhjen historike me Lindjen e Mesme dhe rolin e vet në botën islame. Dhe me anën tjetër, është e lidhur me ekonominë dhe sigurinë evropiane.


Kjo qasje me dy pista është ajo që e mban Ankaranë të fuqishme.

 

Turqia ka zgjedhur të jetë në NATO sepse aleanca i garanton siguri në një rajon të mbushur me konflikte. Pa NATO, Turqia do të ishte e ekspozuar ndaj presionit rus, tensioneve në Mesdhe dhe lëvizjeve të Iranit në rajon. Për të, NATO nuk është thjesht aleancë ushtarake. Është mburojë politike që i jep peshë në çdo tryezë ndërkombëtare.

 

Por kjo nuk e pengon Turqinë të mbrojë kauzat e botës myslimane. Madje NATO i jep një pozicion edhe më të fortë për ta bërë këtë. Kur një vend që është pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë flet për Palestinën, zëri i tij dëgjohet shumë më larg se i çdo shteti tjetër në Lindjen e Mesme. Turqia e di këtë dhe e përdor si kapital politik.

 

Arabia Saudite e sheh si rival që i cenon rolin e lidershipit islam. Irani e sheh si kundërshtare në Kaukaz dhe në Mesdhe.


Evropa shpesh nervozohet nga retorika e Ankarasë, por e di shumë mirë se pa të nuk menaxhon dot refugjatët dhe nuk garanton dot një pjesë të furnizimit energjetik. SHBA-të mund të kenë tensione me Erdoganin, por s’mund të marrin asnjë vendim për Lindjen e Mesme pa i llogaritur interesat e Turqisë.

 

Sa më shumë Turqia përdor rolin e saj në botën myslimane, aq më shumë acarohen marrëdhëniet me Perëndimin. Sa më shumë afrohet me Evropën, aq më pak pëlqehet në Lindjen e Mesme. Por Ankaraja nuk ka ndërmend të zgjedhë njëra anë. Ajo i shfrytëzon të dyja.

 

Të qenit në NATO i jep fuqi të mbrojë myslimanët. Të qenit mbrojtëse e myslimanëve i jep legjitimitet politik në rajon ndërsa këto dy shtylla e furnizojnë njëra tjetrën.

 

Prandaj Turqia mbetet aktor që askush nuk e shmang.

 

Në një rajon ku konfliktet ndërlidhen, Turqia është hallka që prek edhe Perëndimin, edhe Lindjen. Pa të nuk ka marrëveshje për refugjatët. Nuk ka siguri në Mesdhe. Nuk ka zë të fortë për Palestinën në arenën ndërkombëtare.

 

Pyetja nuk është nëse Turqia do të zgjedhë Mekën apo Brukselin. Pyetja është si do të vazhdojë të ecë mes këtyre dy botëve pa u rrëzuar nga fijet e holla që i ka nën këmbë.

 

Sepse nëse Turqia e humbë ekuilibrin, nuk tronditet vetëm Ankaraja. Po lëkundet e gjithë Lindja e Mesme, po ashtu ndryshon ritmi i Evropës dhe hapen përçarje në çdo balancë politike që sot mbahet gjallë edhe falë rolit të saj.

 

Por mos të harojmi se këtu peshon edhe angazhimi dhe roli i gjatë i Recep Tayyip Erdoganit për ta mbajtur vendin në këtë vijë të hollë mes dy botëve. Pavarësisht sfidave, ai e ka mbajtur Turqinë në lojë, shpeshherë duke e shtyrë përpara kur të tjerët prisnin të tërhiqej.

XS
SM
MD
LG