Lidhje


Iftaret (një Iftar ndryshe)

Nga hoxhë Tasim Darsi
 
 
Iftar është fjalë arabe me kuptimin e vaktit të mbrëmjes, darkës gjatë Muajit të Ramazanit. Iftari është vakti/çasti që ndërpret agjërimin ditor pikërisht në kohën e namazit të akshamit apo në muzgun e parë. Pra siç kuptohet nga përkufizimi, iftar do të thotë të ngrënit ushqim pas një kohe të caktuar fetarisht. Gjatë muajit të madhnueshëm të Ramazanit kemi shumëllojshmëri iftaresh.
 
Ndër këto iftare mundet të përmendim disa syresh.
 
Iftaret Familjare !
Iftaret Komunitare!
Iftaret Ceremoniale!
Iftaret Politike ! (Më të dëmshmet)
Iftaret e thjeshta xhematore (të bashkësisë së gjerë të muslimanëve-më të mirat)
…dhe iftaret e rizgjimit/vetëdijësimit.
 
 
Ndër këto lloje iftaresh të gjithë janë të mirë, kanë dobi sociale dhe komunitare duke përjashtuar vetëm njërin prej tyre, që është më i pa-dobishmi, madje më manipulativi dhe i dëmëshmi, iftari politik.
 
 
-Iftaret e shtruar nga politikanë të vendit sa për sy e faqe janë manipulativ dhe tallës të llogjikës së shëndoshë, të cilët shtrohen kryesisht për të thithur vota, kur në të njejtën kohë dihet se këta politikan që shtrojnë iftare janë të njejtët që vënë në zbatim politika të cilat varfërojnë kombin, fenë, po ashtu mashtrojnë masat dhe keqpërdorin gjithë arsenalin material dhe intelektual që posedon kombi ynë.
 
 
-Unë dua të flas për një lloj iftari që i mungon Shqipërisë, shoqërisë dhe është shumë dobiprurës për vendin dhe kohën ku jetojmë. Këtë iftar do ta quaj “Iftaret e zgjimit” apo “Iftaret e rimëkëmbjes/vetëdijësimit njerëzor”.
 
 
-Shoqëria dhe rinia në vendin tonë tashmë nuk vuan për nje tas çorbë, pra nuk vuajnë për iftare lëmoshe, ato që ju ngrohin stomakun të varfërve, por tashmë shoqëria vuan më shumë për rrahje mendimesh dhe promovim altenativash.
 
 
Iftaret që shtrohen në lokale apo salla prestigjoze, ku ftohen zakonisht e ashtëquajtura elitë (siç i quaj unë, njerëz të brengës fetare-kombëtare) s’munden të jenë vetëm për mbushje barku dhe kërcitje pjatash e turra-vrap me dalë nga gostia.
 
 
-Në kësi lloj iftaresh duhet të ketë një qasje tjetër dhe të bëhet traditë shpalosja e platformave, shkëmbimi i eksperiencave, promovimi i librave, poezia, arti,  kultura.
 
 
-Në këto lloj iftaresh gjithmonë duhet të ketë një “Key Speaker” Ligjerues Kryesor (Kyç) me një temë të caktuar, në përputhëshmëri me vizionin e Islamit për të ardhmen ekzistenciale të Islamit, për veprimtarinë dhe hartën e punimeve që duhet të ndjekin elitat dhe populli (xhemati) që i pason.
 
 
Më duket jo normale, biles e pa kuptimtë që të mblidhemi në një sallë thjeshtë për të mbushë barkun e më pas për tu larguar me shpejtësi nga tavolina, me justifikimin se erdhi jacia, kur dihet se jacia e teravia kanë kohë të mjaftueshme për tu kryer si obligime (mundet të rezervohet sallë edhe për jacinë/teravinë në raste të tilla).
 
 
Më jo normale më duket kërcitja e pjatave dhe lugëve kur ligjëruesi është duke folur për një vetëdijësim që na nevojitet.
 
 
-Pas më shumë se 12 vitesh, këtë vit mu dha rasti të isha për iftar në vendin tim, në kryeqytet me aktivistë, hoxhallarë, diplomat e intelektualë, një iftar ky i organizuar nga portali “Mexhlis” , një iftar ndryshe nga ato të trevave tona, si për nga organizimi por edhe nga përmbajtja.
 
 
Dy ishin gjërat që e bënin të veçantë këtë Iftar.
 
 
1-Kishte pjesëmarrje nga të gjitha shtresat e shoqërisë si nga statusi, përkatësia , gjinia dhe ideologjia.
 
 
2-Në këtë iftar ishte një “Key Speaker” folës kryesor, i cili trajtoi një temë të domosdoshme për shoqërinë/kombin tonë. Folësi kryesor ishte teolog Sali Shasivari, i cili foli për përgjegjësitë e elitave dhe bashkë-eksiztencën komb-fe , thënë më mirë ringritjen e përgjegjësisë, vetëdijësimin njerëzor duke besuar në Zot si dhe duke e dashur atdheun e punuar për të.
 
 
Edhe pse i pari për nga lloji i organizimit, zhvillimi ishte i suksesshëm, pjesëmarrja e mjaftueshme dhe dëgjueshmëria e kënaqëshme. Ishte hera e parë që pjesmarrësit e kuptonin, se iftaret në të vërtetë s’duhet të jenë vetëm shuarje të urisë fiziologjike apo vetëm gosti gastronomike, por duhet të jetë ushqim edhe për mendjen dhe llogjikën. Udhërrëfim për njerëzimin.
 
 
-Duke shpresuar se ky sygjerim i imi modest të merret në konsideratë si një risi e dobishme, shpresoj se në vitet e ardhëshme do të realizohen organizime edhe më të mira.
 
 
XS
SM
MD
LG