Lidhje


Një kala që u ngrit mbi vetëflijim dhe një nënë që u vetëflijua për të 'shembur një kala'

Nga Alban Gorishti 

 

Dje një lajm tragjik na hidhëroi të gjithëve pamasë, por kaq të shpeshta janë bërë lajme të tilla në vendin tonë saqë tashmë nuk është se prekin shumë ndjeshmërinë popullore. Një nënë bashkë me 3 fëmijët e vegjël u vetëflijua, pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëshortin, në ujërat e ftohta të lumit Buna. Një fund tragjik për këtë familje në filizat e ditëve të saj. Kjo histori nuk e di pse por më preku në mënyrë të veçantë, por po ashtu më kujtoi një histori, atë të famshmen që flet pikërisht për Bunën, kalanë e Rozafës, mjegullat që ngrihen lart etj. 

 

Ndërtimi i Rozafës ka një gojëdhënë të çuditshme për nga manifestimi, por dhe të hidhur që ka ardhur nga lashtësia deri në ditët tona. Shkurtimisht do të përfshij vetëm fillimin e saj ashtu që sadopak të marrim 'shijen' e kësaj narrative lashtësie që jehon në modernet:

 

"I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë. Kjo mjegull mbeti aty tre ditë e tre netë. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e lartoi mjegullën. E lartoi dhe e shpuri gjer në kodrën e Valdanuzit. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër. Ndërtonin një kështjellë. Murin që e bënin ditën u prishej natën dhe kështu nuk e lartonin dot..... "

 

Ndërsa në fund ky skenar mbyllet me kërkesën e nënës, ajo i kërkon kunetërve:"... kur të më muroni në mur, synë e djathë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të qajë - me njërin sy do ta shikoj , me njërën dorë do ta ledhatoj, me njërën këmbë do t’i tund djepin e njërin gji do t'ia jap të pijë. Gjiri im u muroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëft mbret e mbretëroftë!". 

 

Edhe pse legjendë, besoj se prezenca e saj në këto troje duhet të ishte shembull i një meditimi kulturor, reflektimi historik apo të paktën një ndjeshmërie konceptuale. Atë të nënës vetsakrifikuese, nënës e cila me shumë mund e djersë lind, kujdeset dhe shqetësohet për të vegjlit e saj. Nëna që përkundër vështirësive sakrifikon veten për të qenë faktor social dhe bazë amaneti. Këtë nënë ne sot e kemi harruar, i kemi denigruar thirrjet e saj dhe injoruar përpjekjet e saj. E kemi lënë vetëm sapo një siluetë më e re na zë rrezen e shkurtër të shikimit. 

 

I ra mjegulla Bunës përsëri, por kësaj radhe nuk ishte mjegull legjendare por faktike, reale dhe e zezë. Kësaj radhe era nuk e shtyu mjegullën lart në kodrën e Valdanuzit, por e zbriti poshtë në qytet aty ku një grua, me shumë dritë - hije në jetën e saj, luftonte për mbijetesë qoftë shpirtërore por edhe ekonomike. 

 

Por nga të gjitha këto mungesa apo mangësi, ajo që lexova si mangësi më të madhe ishte 'gjakftohtësia' e babait. Ky ishte ai elementi që më bindi se shoqëria jonë po murros individët e saj poshtë disa pritshmërive të ulëta 'patronazhiste'. Përse nuk dua ta definoj këtë fenomen si maskilist, sepse njoh plot baballarë të përkushtuar, por njoh shumë pak 'patronazhistë' baballarë të përkushtuar. 

 

Vendosa ti quaj patronazhistë jo për shkak të funksioneve 'politike' por për shkak të funksioneve oportuniste, klienteliste, arriviste, të gjitha funksione që nuk njohin disfata politike jo sepse nuk kanë ç'të humbasin por pasi nuk njohin ngjyrë, dimension, apo kah, madje nuk njohin as struktura morale dhe as kulturore. Si e tillë kjo qenie që ushqehet me ' mbetje' kulturore dhe historike, e shndërron edhe mitologjinë më domethënëse në një moçal arkeologjik gjysmë të vërtetash apo thënë më ndryshe një muze i denatyruar nga vlerat e lashtësisë, i mbushur me ankthin e shterpësisë moderne, i rrethuar nga një lum, një liqen dhe një komb që fle (pushon) nën legjenda. 

 

Faktikisht historia e vjetër e Rozafës duket të jetë histori moderne më tepër sesa e lashtë, thuhet që ai djali që più qumështin e nënës së vet u bë trim, por sa fëmijë 'sakrificash njerëzore' sot jetojnë pa shembuj, madje të traumatizuar nga ajo çka ndodhi me prindin e tyre? E kam shumë të vështirë ta besoj se këta do të bëhen heronj, trima ashtu sikurse e kam të vështirë të besoj që djali i Rozafës së vërtetë të ketë jetë bërë trim, pa nënën e vet por ndoshta kjo e fundit e matur me standartet e kohës merr kuptim. Ndërsa koha jonë nuk kërkon trima me shpatë në dorë por burra që kur japin amanetin të dinë ta çojnë deri në fund, burra që nuk e shesin as kulturën dhe as vendin e tyre për shtrirje vertikale (shtëpi apo pallate) dhe as horizontale ( konjuktura sociale). Burra që kur shohin gruan me kalimin e viteve të zbehet nga rinia dhe bukuria mos të kërkojnë të zëvendësojnë shërbimin e një jete duke e këmbyer me emocione të ndezura nga 'epidemi' erosi të sponsorizuara tinëz nga histori zanash nën vëzhgimin e heshtur/historik të një shoqërie që apatizmin dhe mungesën e reaksionit popullor përballë të keqes e 'justifikon' me legjenda dhe trupa femrash gjysmë të murrërosura në mënyrë që të rrisin një brez 'heronjsh'. 

 

Sot jemi përballë një fakti, siç shpesh kur kalojmë përbri Bunës shohim 'shtratin' e një miti, një legjende, e cila nuk lartësohet për asnjë arsye tjetër vetëm se për ti thënë atyre që mburren me të se me të vërtetë një shoqëri ka për të qenë e lumtur vetëm atëherë kur të interesohen për brengat e nënës dhe fëmijëve të saj, të femrës dhe ëndrrave të saj, të gruas dhe bashkëshortit të saj. Mitet tek e fundit përkthejnë ca të vërteta, asnjëherë nuk i mohojnë ato, ndaj le mos ti marrim ato si të vërteta universale por edhe mos ti neglizhojmë mesazhet e tyre, kalaja është shoqëria, gruaja është themeli i saj, fëmija rritet nën hijen e saj ndërsa burri nuk i beson asnjë miti, sado modern qoftë, që dëshiron të rrënojë atë kala që ai me aq shumë mund e ndërtoi. 

 

Ndaj nëse do ta përmblidhja me dy fjalë do thosha se, ju lutem mos ushqeni mite dhe legjenda por hajdeni në ndihmë të realitetit, Rozafa është një çështje e letërsisë mos e materializoni si problem të aktualitetit, mos u tregoni literal në letërsi por tregohuni 'letrar' në realitet, vetëm një shpirt i cili e pasuron veteveten nuk mundet ta humbë kurrë tjetrin. 

 

 Mos i shembni kalatë tuaja jetësore, por në vend të kësaj murrosni egon tuaj. Kalatë e vërteta nuk janë ato që ndërtohen në imagjinatë por ato që me mund mbrohen në realitet. Mos të kërkojmë sakrifica njerëzore për sëmundjet tona por sëmundjet ti 'sakrifikojmë' në emër të kalasë më të madhe, jetës, ekzistencënës realitetit të natyrshëm. 

XS
SM
MD
LG