Mustaqet e Çelos në imagjinatën e disave dhe ikonografia në protestën e pastorit
Nga Alban Gorishti
Para disa ditësh Mexhlis së bashku me disa shoqata të shoqërisë civile dhe individë të tjerë organizuan tubimin dhe marshimin në mbrojtje të jetës dhe familjes. Tubimi pati rezonancë pozitive siç edhe tema e tij kërkon angazhim serioz dhe rezonim masiv. Gjithsesi përtej përshtypjeve për vet ditën e eventit, ajo që më tërhoqi vëmendjen ishin disa gjëra, të cilat do përpiqem ti listoj , jo për të treguar antagoizëm inert por për të krijuar një prespekivë të dobishme përtej njerëzve dhe interesave. Disa ditë pas protestës dikush bëri një artikull duke kritikuar slloganet e hedhura në protestë, dikush tjetër kritikoi vet eventin, dikush tjetër mënyën e organizimit e dikush tjetër disa nga parrullat që u artikuluan atë ditë nga organizatorët e tubimit etj etj.
Tërësia e këtyre kritikave realisht më kujtuan historinë e mustaqeve të Çelos. Me pak fjalë historia e mustaqeve të Çelos përmbledh realitetin e një ambjeti ku njerëzit nuk shikojnë thelbin por detajet e parëndësishme, nuk merren me ngritjen dhe zhvillimin por me konstuktin fizik dhe fiziken pa konstrukt, pra me pak fjalë ngjarja zhvillohet në Shqipërinë ku njerëzit nuk e vlerësuan Çelon për nga kontributi që dha në fshatin e vet por ata vazhduan të ziheshin vazhdimisht, për mustaqet e tij. “A ishin te vërteta, apo fallco mustaqet e Çelos!?”. Kjo e bëri edhe Çelon të ikte përfundimisht nga ky vend duke lënë pas njerëzit që nuk deshën ta ndërtonin vendin sikurse ai dhe as nuk dëshiruan të angazhohen me hallet e veta (apo të vendit të tyre) por u morrën gjërë e gjatë me temën e “mustaqeve” dhe personit që i mbante ato.
Por realiteti në të cilin flasim, edhe pse ka modernizuar kafenet dhe kuvendet e veta, është shumë më dinamik dhe problematik sesa ambjenti ku u zhvillua historia e mustaqeve të Çelos. Si i tillë ky ambjent ka nevojë për shumë seriozitet dhe përkrahje të pakushtëzuar të kauzave kolektive të cilat nuk kërkojnë individualzëm por vlerësim pa qejfmbetje i angazhimeve të rëndësishme sociale por njëkohësisht edhe të atyre që merren aktivisht me to. Aq më tepër në një kohë që kolektivja tek ne jeton akoma me histori si ajo e mustaqeve të Çelos, ndaj edhe fetarizmi është një arsye tjetër i cili indukton ndryshim pozitiv dhe obigon dashamirësi konstruktive. Për këtë edhe gjuajtja me gurë ndaj kauzave që përpiqen të mbrojnë kolektiven është si gjuajtja me gurë ndaj “rrushit që të tillët nuk mund ta mbrrijnë kurrë”, mbi të gjitha kur shohim që avokatimi ndaj këtyre kauzave është jetësor në një shoqëri të cilës dhunshëm po i imponohet e panatyrshmja dhe amoralja.
Këtij përshkrimi të situatave aktuale do t'i shtoja edhe një element negativ aq më tepër kur përballemi me antagonizma ungjillizuese dhe lobime militanteske anatyrale, të sekteve të fetarizuara nga investime dhe buxhete të huaja. Ndërsa tërë kësaj shfaqeje i shtohet edhe bashkëpunimi i disa muslimanëve me këto organizima apo organizime të cilat tentojnë të akumulojnë sa më tepër superioritet mediatik dhe social, atëherë ajo historia e mustaqeve të Çelos shndërrohet në tragjikomedi brenda një hapësire shumë pak komike. Megjithatë, për shumë njerëz në botën tonë, të jetuarit nën pushtete të mbivendosura dhe zotërime të njëkohshme ka qenë një burim çoroditje. Ndaj për shumë prej nesh akoma nuk është e qartë se çfarë apo kë duhet ti japim Çezarit dhe kë apo çfarë duhet ti japim Zotit.
Prej karakteristikave më të mëdha të Islamit, karakteristika që kanë karakterizuar mesazhet e profetëve të hershëm, janë edhe ligjet apo urdhëresat (sheriat) . Çdo profet ka pasur ndalesat dhe urdhëresat e veta të trupëzuara në aspektet praktike të misionit të vet profetik. Ndaj një besimtar nuk mundet të quhet tërësisht i tillë nëse nga njëra anë propagandon fenë ndërsa nga ana tjetër as nuk praktikon urdhëresat dhe as nuk ndalet së vepruari ndalesa të cilat ligji i ka përshkruar si të tilla (psh ngrënia e kamatës, mos konsumimi i alkoolit etj). Kjo e limiton shpesh diskursin e një besimtari musliman, pasi vet Zoti e përshkruan retorikën e pashoqëruar nga vepra si tërësisht të urryeshme nga Zoti. Kështu nga ana tjetër fetë e tjera, sidomos protestianizmi, nuk ka ndalesa të përcaktuara qartë dhe as rituale të caktuara (përpos ca mbledhjeve apo dëgjesave simbolike) e mos të flasim për ndalesa sikurse gjenden në fenë islame. Ndaj si të tilla, këto “fe” janë më të pranueshme për egon moderne njerëzore e cila nuk dëshiron ndalesa dhe as kufij. Në këtë modus ajo që shpesh godet si retorikë nga të tillë njerëz nuk është aspak ndikuese në nivel praktike jetësore por thjesht si propagandë e cila në fund përmbledh tërësinë e angazhimit fetar të atyre që aderojnë në kongregacionet ungjillore. Ndaj vetëm fjala tek ata merr trajtat e fesë, pra ajo që tek ne njihet si ligji dhe derivatet e tij, por pa përkushtim të mëtejshëm praktik përpos verbalizimeve liturgjike të cilat tek ata janë vet shpirti i fesë së tyre . Ndërsa tek ne fjala është shumë e mangët nëse nuk shoqërohet nga puna, teksa fjala nuk ka kufij nëse pas saj nuk vjen vepra e cila i përcakton asaj kufijtë që e bëjnë të besueshme dhe efektive fjalën. Ndaj në thelb besimtari flet me vepra dhe jo domosdoshmërisht me fjalë.
Që këtej vijmë tek ikonografia të cilën protestuesit e tubimit të pastorit , pro jetës dhe familjes, e përdorën për të nxjerr në pah identitetin e tyre prozelitist*. Është pikërisht verbalizimi si normë religjoze tek këto fe, që promovoi gjatë periudhave të ndryshme idenë e trupëzimit të hyjnores nëpërmjet pikturës apo statujës. Edhe pse duhet thënë se në thelb protestanizmi është ikonoklast, identifikimi i tyre më i afërt është me ata që e hyjnëzojnë Jezusin dhe nënën e tij sesa me ata (muslimanët) që i shohin si njerëz të thjeshtë por të cilët mbartnin një mesazh hyjnor.
Ndaj edhe shfrytëzimi i kësaj proteste për të shfaqur hapur një identitet fetar tregon edhe njëherë se aleancat e disa grupeve të muslimanëve me këtë organizim janë pasojë e keqkalkulimeve apo në rastin më të rëndomtë janë pasojë e lodhjes me çështjen e mustaqeve të Çelos duke humbur fokusin e përfaqësimit dinjitoz i cili ngrihet mbi baza monoteiste, baza për të cilat edhe familja ka nevojë shumë më tepër sesa për aleancat me antagonistët “par exelence” të gjithçkaje në të cilën ne besojmë.
Për këtë arsye familja, e cila është kauzë e përbashkët e muslimanëve, përmendet në Kuran si mburojë, mbrojtje. Por mbrojtje nga çfarë? Le ta shohim. Për këtë Allahu thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një dënimi ....” Tahrim 6. Dënimi kryesor në këtë ajet i kanoset të gjithë atyre që që e ekspozojnë familjen e vet ndaj idhujtarisë dhe mosbesimit, kjo pasi besimi në një të Adhuruar të vetëm e rrënjos dhe e strukturon konceptin e moralit, koncept i cili kërkon vet llogari dhe mbikqyrje, ndërsa shumësia e zotrave të stisur e diversifikojnë ndjesinë e moralit duke diversifikuar edhe ndjenjën e përgjegjësisë dhe vet llogarisë. Ndërsa e kundërta ndodh me monoteizmin, ai sjell afeksion të natyrshëm dhe xhelozi konstruktive, e kjo e fundit e forcon mardhënien e ligjshme burrë grua e cila qëndron në themelin e shoqërisë, familjes.
Ajo që pata dëshirë të them në këtë shkrim, e përmbledhur me pak fjalë , është se shpesh jo vetëm njerëzit e rëndomtë por edhe intelektualët merren me mustaqet e Çelos brenda vet “katundit të tyre” , kështu i japin jetë apo i hapin rrugë dinamikave të kundërta me vet identitetin e tyre, dinamika të cilat promovojnë veten duke lënë hije ata me të cilët "strategët" tanë janë më afër në aspektin doktrinor si dhe ndajnë më tepër ngjashmëri në burimet dhe strukturat sociale.
E nëse do të zgjdhja vetëm një moto si shëmbëlltyrë e tërë asaj që reshtova më sipër, ajo do të ishte : Mos i vrisni luanët tuaj që të mos ju shqyejnë qentë e huaj.
*Sally Sledge diskuton prozelitizimin fetar si marketingun e mesazheve fetare