Lidhje


"Gjithçka 1500 lek" në një vend që shumëçka po nxirret në shitje/Zhvleftësimi i “pavarsisë së Vlorës”

Nga Alban Gorishti 

 

Teksa udhëtoja për të mbrritur në qytetin e flamurit, sytë dëshmuan një paradë të heshtur objektesh në shitje. Shtëpi, fabrika, kapanone, dyqane, makina etj, gjithçka “shpejtonte”e palëvizur me në krye një tabelë ku me të madhe shkurhej “SHITET”. Brenda “objektit” të udhëtimit shoferi i bërtiti një pasagjeri duke i kërkuar një shumë pak më të madhe sesa ajo që posedonte pasagjeri. Sytë e të gjithëve u shtangën nga ai trajtim neolitik dhe aspak human edhe pse ndoshta në të drejtën e vet, por ajo që relativisht provokoi pozitiven e asaj ndodhie ishte dëshira e të gjithëve për të ndihmuar pasagjerin në vështirësi, kështu pjesa që mungonte iu plotësua shumë shpejt. Ajo që duhej ishin vetëm 2500 lekë të vjetra përveç shumës prej 1500 lekëve që pasagjeri mbante në dorë. Por pjesa e shpirtërores së agresorit mu duk se u zbraz më tepër sesa mundet të jetë mbushur xhepi i tij. Prepotenca e asaj krijese kaq “të vogël” ndaj një krijese tjetër të ngjashëm për nga nevojat më prezantoi një pikpamje kryeneçe të asaj vigjilie të ditës së pavarsisë.

 

E pashë atë njeri të ofenduar nga arroganca intolerante tek e shtrëngonte fort atë 1500-çe, sikur të ishte gjithçka që ai kishte. Sa e bukur është thënia se “Njeriu është një univers në përmasa të vogla” por kjo thënie përballë asaj arrogance mu duk pa sens. Sa herë e kam parë këtë sjellje në qytetin e pavarsisë, sa herë kam parë burra që skuqen nga bura të tjerë që nuk dinë se çfarë është falja dhe toleranca, madje nuk kanë ngjyrë për fytyrën e tyre me përjashtim të hijes së zezë së mendjemadhësisë e cila është pengesë për besimin dhe bujarinë. Vallë a ka pasur burra të tillë edhe atë ditë të shënuar të atij nëntori të largët, në mesin e asaj turme aq enuziaste dhe në dukje përparimtare?

 

Teksa hyja në qytet përtej gjithçkaje ajo që ma tërhoqi vëmendjen ishte koncepti i së lirës, specifikisht i linjës “Gjithçka 1500 lek”, mu duk sikur ajo që dje ishte aq shumë e kërkuar dhe e shtrenjtë sot po shitej për një copë bukë. Përse po “arratisen” shqiptarët, e pyeta veten? Përse e lënë vendin e të parëve të tyre për vendin e të parëve të dikujt tjetër? Përse e shesin shtëpinë për shumë lek, por e blejnë orendinë e shtëpisë për vetëm 1500? Përse i besojnë shpirtrave të ulët por largojnë universin shpirtëror? Konica do të thoshte për shqiptarët “ Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”. Kur shoh agjentët e së shtrenjtës dhe shitësit e të lirës, kuptoj që falja, toleranca është të heqësh dorë nga e drejta jote, për shkak të bujarisë, dashamirësisë dhe mirësisë edhe pse ke mundësi të ushtrosh forcën për ta marrë atë të drejtë që të takon. Ky realisht është  tipari kryesor i atyre që nuk e shesin të vyeshmen për asnjë vlerë materiale dhe e përnderojnë dinjitetin e të tjerëve pavarsisht gjasave dhe rrethanave. Kjo në dy fjalë është të sëndërtosh pavarësi, sipas meje!

 

Nga ana tjetër teksa vizitova sheshin ku u ngrit flamuri  pashë figura, siluteta, fytyra, uniforma por edhe maska. Maska të krijuara nga eposi i dehumanizimit parimor dhe dominimit të antivlerave urbane. E pashë 28 nëntorin e 1912-ës duke ecur në mesin e turmës, kjo ecje më mundësoi të kuptoj se turmat nuk janë përfaqësimi më i denjë i një populli, por në mesin e tyre, duke u endur si njëri prej tyre, e kupton më së miri se sa i lirë është një popull, apo sa shumë e do lirinë nga ana tjetër dhe sa e mirëkupton apo e mbron atë. Mu kujtua Ismail Qemali dhe sesa shpejt u zbeh figura e tij ndër shqiptarë, mu kujtuan ecejaket e tij nëpër botë i shoqëruar nga të mençmit dhe dashamirësit si dhe largimi i tij nga Vlora pas pak më shumë se 1 vit prej atij “nëntori historik”, me kokën që i “vlonte” nga mendimet dhe kujtimet. I vetëm si kurrë më parë. Kjo më nxori para sysh një thënie të Ebu et-Tajib el-Mutenebiut e cila na kujton se: “Nëse nderon bujarin, e ke fituar atë... e nëse nderon të poshtrin, ka për të tu vënë kundra”. Një nga karakteristikat e turmave është të menduarit kaotik dhe individual, këtë mentalitet e kam parë shpesh në atë shesh edhe në “revolucionet” më me zë të dekadave të fundit. Njerëz që e angazhojnë veten me krijesat e tjera dhe të rëndomtën e përkohshme dhe shterëse të energjive. Kjo i jep kuptim pohimit i cili shpreh se kush e angazhon veten në shërbim të krijesave, largohet nga e Vërteta dhe nuk bën gjë tjetër, veçse edukon synimin për pushtet (nëse jo të vetes të të tjerëve), e kjo e bën të largohet nga i Vërteti, e vërteta, parimi dhe interesi kolektiv.

 

Diku një zë uronte “Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët” e teksa ktheva kokën të shihja, imazhi dhe tingulli nuk ishin aspak në sintoni me njëri tjetrin. Mungesa e entuziazmit të turmës mu duk pasojë e përnderimit që shpesh i është bërë të poshtërve në këtë vend, e kështu në vend të principeve të paraqitura nga burrat e fesë dhe të besës, ambiguiteti karakterial i ngriti shtatore poshtërisë dhe apatisë shpirtërore të veshur me pushtetin e atyre që flasin në emër të popullit teksa jetojnë në kurriz të tyre, madje jetojnë duke shtrydhur dinjitetin e tyre.

 

Parada pompoze, kostume të ngrehura nga e kuqja e gjakut, “rrokaqiej” të veshur me gjeografi surreale dhe në fund qëndrime solemne të surreales shpirtërore përballë atyre që edhe pse pjesë e historikes tashmë e deshën me gjithmend Shqipërinë e lirë dhe dinjitoze. Por sot fatkeqësisht ajo është më e pushtuar se kurrë ndonjëherë, por tashmë jo nga e huaja por nga e njohura, nga ajo që kemi afër, nga ajo që flet gjuhën tonë, nga ajo që thith atë ajër që edhe ne e thithim, nga ajo që ha atë që edhe ne hamë dhe përtyp atë që edhe ne përtypim përditë.

 

Tek e fundit ne harrojmë se në tërë këtë “dekor” horrash, njeriu nuk është thjesht një qenie racionale por mbi të gjitha irracionale. Për këtë Jungu thoshte : “E pavetëdijshmja është historia e pashkruar e njerëzimit që nga koha e pa regjistruar”. Por Jungu nuk bëri gjë tjetër veç se theksoi atë që Zoti pati thënë në Kuran më tepër se 1400  vite më parë. Jungu pati zbuluar se iracionalja ka jetuar në botën e shpirtrave para se të vendosej në racionalen e trupave. Ndaj në thelb njeriu është shumë pak racionalitet dhe shumë më shumë iracionalitet. Kur ngasim makinën, kur recitojmë, kur përkujtojmë historinë, kur heshtim për të dëgjuar, kur punojmë madje edhe kur votojmë ne nuk mendojmë por “ndjejmë”, tërhiqemi nga ajo që për shumë vite kemi ndërtuar me sjelljet dhe ndjenjat tona, irracionalja, shpirtërorja. Këtë na e saktëson edhe Allahu në Kuran ku thotë:”Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre (në botën e irracionales, shpirtërores) dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): "A nuk jam Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, dëshmuam!". Të mos thoni në ditën e kijametit: "Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur"Araf 172

 

Ndaj nëse duam që kjo pavarsi të na vijë në formatin më të mirë të atyre që e projektuan atë dhe të atyre që e mbrojtën me gjak, duhet të kujdesemi më tepër për irracionalen sesa për versionin e “shkruar” të saj. Duhet të ndalojmë budallenjtë dhe maskarenjtë të zënë podiumet e shesheve tona kryesore. Të konsiderojmë mbi të gjitha urtësitë dhe jo vetëm gjykimet e jashtme, të vlersojmë më tepër shkaqet dhe premisat sesa llustrat verbale apo shfaqet ceremoniale.E mbi të gjitha duhet ta zhbëjmë konceptin e së lirës, nuk ka gjë të lirë në këtë jetë, nëse sot përjeton një komoditet duhet të mësohesh me idenë se diku, dikur, në një cep , për njëfarë kohe do të përjetosh një mangësi ose mungesë. Nëse mësojmë të shesim lirë atë që shitet shtrenjtë, kemi për të këmbyer shumë kollaj atë që nuk ka çmim (lirinë, dinjitetin) me atë që ka vlerë të kundërt me gjithçka qytetare.

 

E mbi të gjitha, nëse vërtet e duam Shqipërinë dhe lirinë, duhet të zhdukim konceptin ku ai që toleron dhe fal është i dobët, i ngratë, i përhumbur, por në fakt nuk është aspak kështu i tilli ecën në rrugën e atyre patriotëve të cilët sot u përnderuan dhe të asaj kauze e cila matet me fillimin shpirtëror të njeriut jo vetëm me atë fizik, me atë fillim ku mbajtja e amanetit është dialogu më i bukur i “skalitur” në zemra midis rrobit dhe Zotit të vet, dialog që patriotiken e sheh si pjesë të mbajtjes së amanetit të kësaj krijese të vogël ndaj krijuesit të madh . Vetëm kështu e shoh rivlerësimin e pavarsisë së  Vlorës.

 

XS
SM
MD
LG