Lidhje


Kur laicizmi i çartisur 'proto-pellazg' "pllenohet" nga 'proto-kristianizmi' komercial!

 Nga Alban Gorishti

 

Çdo vit në kopshtet dhe shkollat e Shqipërisë zhvillohen rëndom fenomene të cilat cënojnë tërësisht thelbin e laicitetit aq shumë të artikuluar në sferën publike. Zbukurime, këngë, atmosferë “kishtare” të cilat çdo vit tjetërsojnë perceptimin e fëmijëve tanë duke përdorur një arsenal të kamufluar  religjoz brenda një institucioni laik. Edhe këtë vit si prind mu kërkua të sponsorizoja festën e “madhe” të fundvitit që fëmija im të merrte pjesë në këtë “kal troje” të zbukuruar me drera, këmbana dhe kukulla me pamjen e babagjyshit të vitit të ri. Përveç natyrës absolutisht skizofrenike të shfaqjeve që ndërthurin skenat e lindjes së Krishtit me Babadimrin, ajo çka më trishtoi ishte paaftësia e tyre për të respektuar edhe ndjesitë e dikujt me vlera religjoze të ndryshme! Injorimi i përvitshëm kështu bëhet simbol i një imponimi të përsëritur disi më ndryshe, më “bukur”, pasi dritat, muzika religjoze e lidhur me këto data dhe ngjyrat janë arsyetimi më  rëndomtë që përdorin “arkitetektët” e kësaj propagande për të na bindur se është tërësisht diçka “e paqëllimshme”.

 

Kjo ka të bëjë me dashurinë, respektin, traditën?-do thoshte dikush prej këtyre “protopellazgëve” të pllenuar me dritëhijet e një sistemi me një këmbë në perëndim dhe tjetrën në mentalitetin komunist. “Fëmijët gëzojnë, është festa e tyre!”-do thoshte një tjetër në mbrojtje të akteve irracionale të fundvitit. “Na detyrojnë, skemi çbëjmë- do të shprehej një tjetër”. “Ec, mo ça ka të keqe këtu?-do të shprehej një tjetër. Teksa unë me veten time kujtoja fjalët profetike: “Fali Zot se nuk dinë çbëjnë”. Dhe e bukura është se pjesa më e madhe e kësaj atmosfere nuk ka të bëjë me fenë, por me dëshirat për tu dehur nën rritmet e një religjioziteti komercial, i cili për nga ana doktrinore e zbraz akoma më tepër boshllëkun e qëndrimeve dhe mendimeve brenda “gjeo-politikës tonë sovrane”.

 

Por kur vjen fundviti nuk më mbetet tjetër veç të pyes veten time se përse kaq shumë shkolla flasin gjatë gjithë vitit (dhe madje zbatojnë programe kurrikulare) për tu ndjerë sa më shqiptar, përse amplifikojnë kudo gjatë gjithë vitit (jo vetëm në 28 nëntor) parrullën “Feja e shqiptarëve është shqiptaria? Teksa kur i pyet se përse fusin ide, motive, ngjyrime dhe data të një feje tjetër brenda kësaj “feje unike shqiptare” fillojnë të mbrojnë të drejtën e tyre për ta bërë këtë në emër të diçkaje që as ata nuk ia vënë dot emrin? A nuk i shohin shkëputjet midis retorikës dhe veprimeve të tyre?

 

Si klerik dhe studiues i Shkencave Sociale, qytetar shqiptar, prind, besoj se administratorët e shkollave publike dhe instditucioneve që ata drejtojnë kanë detyrimin të njohin dhe nderojnë diversitetin ideologjik, kulturor dhe fetar që ekziston në vendin tonë.  Çdo dhjetor përsëritet e njëjta çështje, dhe çdo dhjetor më vjen keq për nxënësit dhe familjet që janë të “besimit pakicë” (kështu jemi bërë ne muslimanët në këtë vend) ose tek e fundit ato pa besim, sepse e di që ajo që përsëritet vazhdimisht në retorikën publike zë vend në zemër dhe mendje dhe kjo krijon utopi skolastike duke imponuar teokraci të ngjyrosura nga komercialiteti i një periudhe gjoja festive.

 

Në një vend që ligji garanton diversitetin ideologjik dhe fetar, lejimi i këtij lloj aktiviteti jo vetëm që nuk më pëlqen por e përbuz konsumizmin ekstrem me të cilin dëshirojnë ti mësojnë fëmijët tanë. Kjo nuk është as e ligjshme dhe as moralisht e drejtë për anëtarët e të njejtit komunitet paçka se i përkasin besimeve apo festiviteteve të ndryshme. Nëse ne si fëmijë të rritur në një kohë pa fe, na u imponua pamja e një plaku që zbriste nga çatia në momentin që ishim duke ngrënë gjelin e vitit të ri, përdorimi i kësaj strukture mendore duke i shtuar këtij kamuflimi edhe miniaturën e kasolles ku lindi Jezusi, apo këngë me sfond të thellë fetar është një “kal i rrezikshëm Troje” drejt pllenimit të laicizmit me komercializëm pa fe.

 

Nëse përnderimi i fundvitit në komunizëm ishte një mjet i zhveshjes së shqiptarit nga çdo tunikë e moralit religjoz, veshja aktuale e institucioneve publike me pemë në hollin kryesor të mbështjellë me drita, xhingëlbells, një yll sipër dhe dhurata poshtë saj është dëshmia më e qartë e krisjes së rëndë të laicitetit nga vet njerëzit që janë vendosur aty për ta mbrojtur këtë laicitet. Edhe pse ndoshta këta “rojtarë të laicizmit” bën vaki të jenë edhe ateista por duhet kuptuar se ky komercialitet i bën mirë imazhit të përgjithshëm të këtij shteti si vendi më “properëndimor” që ekziston në botë.

 

Ajo që duhet sqaruar në këtë “festivitet të zhurshëm” të çdo fundviti është se në realitet nuk duhet të ngatërrojmë fetarizmin e supozuar të një pjese me indiferencën që na karrakterizon si popull. Tek e fundit nëse do të kishim pak njohuri edhe për aspektin doktrinor të krishterë do të dinim mjaft mirë se të jetuarit nën pushtete të mbivendosura dhe zotërime të njëkohshme ka qenë një burim raskapitje dhe çoroditje. Jezusi i  Nazaretit u provua një herë me një përfshirje në të tillë mbivendosjeje. “A është e ligjshme që ne t’i paguajmë taksa Çezarit?”, e pyetën  një herë disa nga bashkëqytetarët e tij hebrenj në krahinën  romake të Sirisë. Ai u përgjigj: “Më trego monedhën. Ngjasimi i  kujt është në monedhë?” Ata i thanë: “I Çezarit”. Jezusi u tha: “I jepni Çezarit atë që është e Çezarit, dhe Perëndisë atë që është  e Perëndisë”. Ndaj edhe koncepti i shtetit konsiderohet si një pronë përbashkët, teksa besimi në shoqëri si e jona është individual, por nuk duhet të harrojmë se laicititet do të thotë të ndash dhe jo të bashkosh, sikurse shoqëria është e ndarë në fe dhe ideologji duhet të jetë shteti, laikja që të respektojë të drejtën e gjithkujt për të jetuar sipas asaj që beson, feston. Por pa e ngatërruar apo unifikuar festën e dikujt me besimin e dikujt tjetër dhe as gëzimin e dikujt me atë të një pjese të shoqërisë.

 

XS
SM
MD
LG