Tragjedi biblike: ta okupojnë atdheun pastaj atë e ndajnë mes veti si plaçkë lufte!
Friday, 19 September 2025 08:24
Nga: Kim Mehmeti
Sipas mediave, Ministri izraelit i Financave ka thënë se ai është në bisedime me amerikanët si ta ndajë Gazën në enklava bregdetare pas luftës. Duke shtuar se shembjen, fazën e parë, e kanë kryer e tani duhet nisur ndërtimi?! Tingëllon e frikshme, por pa dyshim se është e vërtetë: jetojmë në kohë kur i papenguar, më i forti ta grabit atdheun dhe pastaj, duke e trajtuar atë si plaçkë lufte, e shet apo e ndan me miqtë e vetë.
Dhe përderisa Izraeli vazhdon t’i shfarosë palestinezët, disa nga mbështetësit e tij vazhdojnë të shtiren se nuk shohin se çka është duke ndodhur.
Mes mbështetësve më të ‘verbër’ të Izraelit është edhe Gjermania. Ku ta dish, ndoshta duke e ‘përkrahur’ gjenocidin izraelit mbi palestinezët, ajo don të shpëtojë nga hija e së shkuarës së saj naziste, hije që ia shëmton edhe fytyrën e sotme.
Ndërkohë kolonat e refugjatëve si dhe numri i fëmijëve të uritur e të vrarë palestinez e shpërfaqin të vërtetën se kjo botë e shpërlarë nga ndërgjegjja edhe nuk mund të shkojë më larg se sa të bëhet xhungël ku vlen ligji i më të fortit dhe i më të pashpirtit!
Është e frikshme të jetosh në atë xhungël, ngaqë nuk dihet se kush është më fatkeq: fëmija palestinezë që humb jetën nga bombat e vrasësve të pashpirtë, apo ne që përballemi me pafuqinë dhe mjerimin vetjak të mos mundemi me asgjë ta ndihmojmë!