Lidhje


Ndërsa bota shndërrohet në një “pazar diplomatik”, kush do flasë në emër të atyre që nuk kanë zë në vitin 2026?

Konfliktet e ngrira, lodhja morale dhe politika e pushtetit po e riformësojnë rendin botëror. Vetëm një udhëheqje e guximshme dhe ngritja e fuqive morale mund t’u japin një platformë atyre që sot mbeten pa zë...

 

Nga Ali Murat Kursun “TRT World”

 

Në fillim të këtij viti, pretendimet për internacionalizëm liberal, aleanca të bazuara në vlera dhe një rend global të bazuar në rregulla duket se kanë dhënë frymën e fundit nën rrënojat e Gazës. Në vend të tyre, po ngrihet një version i pamëshirshëm i një zakoni të vjetër: realizmi transaksional.

 

Nga dokumentet e reja të strategjisë së Uashingtonit e deri tek kërkimet e Brukselit për siguri, ky është sistemi i ri operativ i politikës globale. Duke pretenduar se nuk kanë më luksin e idealizmit, shtetet i shohin vlerat humanitare thjesht si kosto që duhen fshirë nga bilancet.

 

Qëllimi nuk është më vendosja e drejtësisë, por menaxhimi i krizave me çmimin më të ulët të mundshëm. Aleancat nuk ndërtohen mbi vlera të përbashkëta, por mbi projekte dhe marrëveshje quid pro quo (të përkohshme dhe pragmatike).

 

Në këtë realitet të ri, rreziku më i madh i këtij viti që sapo ka nisur, nuk është shpërthimi i luftërave të reja, por ngrirja e krizave ekzistuese në Gaza dhe Ukrainë përmes marrëveshjeve mizore që e sakrifikojnë drejtësinë në emër të interesave të ngushta  

 

Pa një mobilizim të ndërgjegjes globale, rezultati nuk do të jetë paqe, por një kaos i shtyrë përkohësisht dhe një stabilitet pa ndërgjegje. Ajo që e bën këtë pragmatizëm edhe më të rrezikshëm është ndërlidhja e krizave, të cilat po e shndërrojnë sistemin ndërkombëtar aktual në një tryezë gjigante marrëveshjesh të mëdha.

 

Një tërheqje në Ukrainë mund të shkëmbehet me një veprim në Siri, teksa heshtja për Gazën mund të zëvendësohet me një fitim në sigurinë energjetike. Kjo diplomaci e re, i zbeh vijat ndarëse të dosjeve, duke e shndërruar botën në një treg ku gjithçka mund të shkëmbehet me gjithçka tjetër.

 

Ukraina pritet të jetë laboratori i parë i këtij pragmatizmi global. Ndërsa po shtohet lodhja në kryeqytetet evropiane dhe po shpeshtohen thirrjet nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës, integriteti territorial dhe sovraniteti rrezikojnë që të sakrifikohen për realitetin e vijave të frontit.

 

Situata është edhe më dramatike në Lindjen e Mesme. Në mesin e gjenocidit që ka ndodhur në Gaza, çështja palestineze po trajtohet jo si një e drejtë politike dhe për shtetësi, por si projekt sigurie dhe ndërtimi.

 

Planet e vitit 2026, pritet t’i japin përparësi sigurisë së Izraelit dhe daljes me kosto minimale të aktorëve globalë nga kjo luftë, duke lënë në hije dinjitetin dhe sovranitetin e Palestinës. Viktimat e gjenocidit po trajtohen si objekte të pazarllëqeve diplomatike, dhe jo si subjekte të drejtësisë.

 

Fuqitë morale dhe rruga globale

 

Tradicionalisht në momente krizash, sytë janë kthyer nga institucionet e rendit liberal, Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por ngjarjet e vitit 2025, veçanërisht gjenocidi në Gaza, kanë vërtetuar falimentimin moral dhe operacional të tyre.

 

Sot normat ndërkombëtare, shërbejnë vetëm si mbrojtës të status quo-së aktuale. Vendimet e GJND-së janë reduktuar në materiale studimi për fakultetet e drejtësisë, pa asnjë ndikim real në tavolinat e udhëheqësve.

 

Drejtësia globale nuk është më një çështje mekanizmash burokratikë, por e një qëndrimi vullnetar. Në këtë boshllëk, aktorë të rinj duhet të marrin një rol më të fuqishëm. Fuqitë morale janë vende që kërkojnë ndikim jo vetëm përmes forcës ekonomike apo ushtarake, por përmes legjitimitetit etik dhe angazhimit ndaj vlerave humane. 

 

Afrika e Jugut, Brazili, Turqia, Indonezia po i formësojnë gjithnjë e më shumë debatet globale. Shembulli i Afrikës së Jugut me padinë në Hagë ndaj Putin dhe Netanjahut dhe qëndrimi i presidentit turk Erdogan mbi Gazën, tregojnë se këto vende mund të veprojnë si auditorë moralë të sistemit.

 

Lidershipi i guximshëm është dinamika e dytë që duhet të shohim në lëvizje. Na duhen udhëheqës që i shohin refugjatët si qenie njerëzore, jo si monedha negociuese, dhe që përcaktojnë kufijtë jo si mure sigurie, por si vija të ndërgjegjes. Ata do të jenë përcaktuesit e fatit të vitit 2026.

 

Dinamika e tretë janë rrugët dhe sheshet kudo nëpër botë, pra rezistenca civile e qytetarëve. Tubimi pro-Palestinë në Urën e Gallatës në Stamboll më 1 janar ishte më shumë se sa një ritual. Ai përfaqësonte një manifest të ndërgjegjes globale. Nga Londra në Xhakarta, sheshet po shndërrohen në veto morale kundër llogaritjeve të ftohta të shteteve.

 

2026: Një udhëkryq

 

Në fund të fundit, trashëgimia globale e vitit 2026, nuk do të përcaktohet nga shpejtësia e proceseve diplomatike të dhënies dhe marrjes, por nga thellësia morale e qëndrimit të mbajtur kundër gjenocidit në Gaza.

 

Ndërsa realizmi transaksional mund t’i shohë palestinezët si një detaj në fushën e sigurisë apo si një projekt ndërtimi që ofron një qetësi afatshkurtër, çdo konsensus që përjashton vendosjen e drejtësisë për krimet që ka përjetuar populli palestinez, është në thelb një bombë me sahat që vazhdon të punojë duke e thelluar kaosin.

 

Në këtë pikë, përgjegjësia historike bie mbi “fuqitë morale” dhe udhëheqësit e ndërgjegjshëm të Jugut Global, të cilët e marrin iniciativën aty ku sistemi ndërkombëtar është i bllokuar. Udhërrëfyesi për këtë vit duhet të jetë imponimi strategjik dhe jo thjeshte dëshirat morale.

 

Detyra e këtyre aktorëve, nuk është thjesht të paraqesin një arkitekturë që përfshin drejtësinë në Gaza si një opsion në tryezë. Përkundrazi, nëpërmjet koalicioneve të solidaritetit, mobilizimit diplomatik dhe aktivizmit ligjor, është e mundur t’i provohet sistemit se kostoja e çdo plani që e përjashton ndërgjegjen, do të jetë shumë më e lartë se sa një kompromis.

 

Paqja e qëndrueshme duhet të ndërtohet praktikisht, jo si një preferencë, por si e vetmja rrugëdalje nga kriza ku gjendemi.

XS
SM
MD
LG