Andi Bushati: Haraçi i “nderimit” në Keneset
Pasi u shfry si flluskë sapuni propoganda rreth vendit të veçantë që Edi Rama zinte në zemrën e Donald Trumpit, pas ftesës që kreu i Shtëpisë së Bardhë i dërgoi për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, asaj, menjëherë, tentoi ti’a zinte vendin një fabul tjetër. Respekti që kryeministrit tonë po i bëhej nga Izraeli, duke e pritur me një ceremoni sui generis dhe duke i hapur dyert e parlamentit për të mbajtur fjalim para deputetëve vendas.
Në pamje të parë ky ngjan si një nder i veçantë, të cilin kanë pasur rastin ta ushtrojnë (gjithësesi ende pa ndodhur genocidi në Gaza), fare pak liderë perendimorë, si Merkel, Makron apo ish presidenti Biden.
Por, fakti që kjo ngjarje ndodh rrallë nuk ka të bëjë vetëm me palën ftuese, por mbi të gjitha me rrefuzimin e të ftuarve për ta kryer këtë akt. Disa shtete të BE-së refuzojnë në mënyrë të prerë të mbajnë fjalën e tyre para deputetëve të Kenessetit, për shkak se ai ndodhet në Jueruzalem, të cilin ashtu si Shqipëria, ato nuk e njohin si kryeqytet të vendit dhe nga ngurimi se kjo mund të interpretohej si pranim i territoreve të pushtuara të qytetit të shenjtë. Në rregullat e tyre të pashkruara diplomatike ka një “nen” të veçantë: të flasësh në parlamentin e Jeruzalemit do të thotë të kesh marrë qëndrim edhe kur pretendon se nuk je duke e bërë këtë.
Kështu shtete si Belgjika, Spanja, Suedia apo Irlanda ia kanë kursyer gjithmonë vetes këtë “nderim”. Ndërsa në kodet e atyre liderëve që kanë guxuar ta hedhin këtë hap, ka qenë gjithmonë detyrimi për një fjalim të peshuar mirë, të ekuilibruar dhe duke pasur brenda tij dy mesazhe të qarta: bindjen e palëkundur për zgjidhje me ekzistencën e dy shteteve dhe theksimin e statusit të pazgjidhur të Jeruzalemit.
Ky ka qenë rregulli i pa bërtitur për të shmangur çdo keqkuptim. Po ti kthehesh edhe asaj që kanë thënë Merkel, Makron apo Biden, në asnjërin prej tyre nuk gjen një qëndrim para deputetëve izraelitë ku mos jetë përmendur krijimi shtetit palestinez.
Tani, ku qëndron problemi me “nderimin e rrallë” që iu bë kryeministrit tonë?
Ai u ftua në atë sallë në një kohë kur aty ku nuk shkel më asnjë lider evropian që pas janarit të 2024, kur Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut çertifikoi akuzat për ushtrim genocidi në Gaza, si të besueshme. Pra shfaqja e kësaj të hëne, më shumë i nevojitej propogandës të Natanjahut për të treguar se rrethimi po çahet, sesa nderit të Shqipërisë apo kryeministrit të saj.
Dhe Edi Rama e kreu më së miri rolin e aktorit që kishte marrë përsipër.
Ai thurri fjalët më të zgjedhura për homologun e tij izraelit, i cili nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, akuzohet për krime kundër njerzimit, se ka urdhëruar sulme disproporcionale ndaj civilëve, përdorur urinë si mjet lufte dhe ndëshkimin kolektiv të popullsisë në Gaza.
Natyrisht, në atë vend ku kishte pranuar të ftohej lideri ynë global nuk mund ti përmendte këto.
Por, ai shkoi deri në një servilizëm të neveritshëm duke fajësuar për vrasjet dhe torturat brenda asaj getoje në qiell të hapur vetëm Hamasin. Ai injoroi edhe qëndrimet që janë një linjë konstante e diplomacisë shqiptatre, si ato për zgjidhjen me dy shtete. Ai nuk e përmendi asnjëhetë nevojën për njohjen e Palestinës. Ai arriti deri aty, sa në mënyrë të tërthortë në vend të Cisjordanisë, përdori termin “Jude Samari”, të pa pranueshëm në diskumentet ndërkombëtare, që mëton të njohë sovranitetin e Izraelit mbi territoret arabe.
Pra, boll ti bësh një vështrim të vëmendshëm kontekstit në të cilin u mbajt dhe brendisë së fjalimit të Ramës në Kenesset, për të kuptuar nëse, në këtë rast, ai ka qenë “miku i nderuar” apo “klienti i përdorur”.
Por këtu puna nuk është as tek pritja, madhështia, apo oratoria. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me të njëjtëin fenomen të përsëritur të nëpërkëmbjes të nëpërkëmbjes së shtetit në emër të personit. Nëse për ti shërbyer Melonit u shkel pa problem sovraniteti i vendit, nëse për ti pëlqyer dhëndërit të Trumpit, u ndryshua ligji i zonave të mbrojtura, për rastin e Natanjahut u shkel vija e kuqe e qëndrimit tradicional të diplomacisë shqiptare për konfliktin Izrael- Palestinë. Dhe fatkeqësisht kështu do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë jetojmë në një vend ku gjenden me shumicë nga ata që sharlatanizmin janë të gatshëm ta shohin si madhështi. /Lapsi.al