DW: Pse gjithnjë e më shumë jomyslimanë në përëndim po e festojnë Ramazanin
Saturday, 23 March 2024 16:15
Ramazani është duke u kthyer gradualisht në festë me popullaritet më të madh në vendet me shumicë të krishtere.
Vitin e kaluar, Londra u kthye në qytetin e parë të madh evropian që të zbukuroi rrugët me dritat e Ramazanit. Shembullin e Londrës e ndoqi këtë vit Frankfurti në Main, i cili u kthye në qytetin e parë të madh gjerman që ndez dritat e Ramazanit.
Në Austri këtë javë më shumë se 1 mijë vetë u bënë bashkë për një “iftar të përbashkët” në landin e Kaerntenit, ku të gjithë anëtarët e komunitetit u ftuan të prishin agjërimin e Ramazanit duke ngrënë së bashku, edhe pa qenë myslimanë dhe pa agjëruar.
Organizatorët thanë se ky aktivitet është duke tërhequr çdo vit gjithnjë e më shumë njerëz. Një pjesëmarrës në aktivitet i tha gazetës rajonale “Kleine Zeitung” se “nuk e prisja të shihja atje kaq shumë jomyslimanë”.
“Sigurisht që është rritur numri i iftareve që organizohen nga institucionet shtetërore, bamirëse dhe nga kishat që festojnë diversitetin”, konfirmon Esther-Miriam Wagner, drejtore e Institutit Woolf në Universitetin e Cambridget, e cila studion marrëdhëniet midis hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve.
Rritja e popullaritetit të Ramazanit “ka të bëjë shumë me njohjen më të madhe dhe rritjen e barazisë së myslimanëve në ambientet publike”, thotë Farid Hafez, një bashkëpunëtor shkencor në Nismën Bridge, një projekt që merret me analizimin e islamofonisë në Universitetin Georgtown në Uashington.
Si shembull Hafez kujton se në vitet 1990-të, ish-ministrja e Jashtme amerikane, Madeline Albright filloi të mbante “iftare” në sektorin e diplomacisë. “Ambasadat amerikane filluan të ftonin myslimanë për të zhvilluar një dialog strukturor (gjatë aktivitetit)”, shpjegon ai. “Pastaj ambasadat amerikane e sollën këtë përvojë në vendet evropiane. Dhe kjo bëri që shtetet evropiane të fillonin të organizonin nisma të ngjashme. Ku u përfshinë të gjithë kancelarë, kryeministra, ministra integrimi”.
Ndikimi ekonomik i Ramazanit ka bërë që të rritet popullariteti i muajit të shenjtë të myslimanëve. Myslimanët shpenzojnë shumë gjatë Ramazanit duke filluar që me dhuratat dhe veshjet deri tek ushqimet e madje automobilat. Në vitin 2023, vetëm në Lindjen e Afërme u shpenzuan mbi 60 billionë dollarë (55 bilionë euro). Reklamat për Ramazanin kanë ndryshuar dhe janë shtuar dhe me siguri që dërgojnë mesazhe edhe përtej komunitetit të synuar.
Një teori tjetër e drejtoreshës së Institutit Woolf, Wagner, për rritjen e popullaritetit të Ramazanit ka të bëjë me gjuhën dhe ndryshimin e brezave. “Sapo njerëzit fillojnë të flasin gjuhën pa akcent, fillon ndryshimi dhe ata fillojnë të shihen si pjesë e shoqërisë ku bëjnë pjesë”, thotë Wagner, e cila është specializuar në sociolinguistikë. “Dhe në Britaninë e Madhe ne jemi duke parë se popullsia myslimane që e ka anglishten gjuhë amtare, tani në moshën 40- dhe 50-vjeçare, është duke zënë poste drejtuese dhe me ndikim”.
Ngjashëm dhe në Francë. Studiuesit e atjeshëm kanë vënë re se brezi i ardhshëm i francezëve myslimanë ndiejnë se mund ta praktikojnë fenë e tyre më hapur. “Nëpërmjet praktikave më të dukshme (fetare), individë të rinj francezë shijojnë statusin e tyre si anëtarë me të drejta të plota të shoqërisë”, i tha javën e kaluar gazetës Le Mond, Jamel El Hamri, studiues në Institutin kërkimor-shkencor të Botës Arabe dhe Myslimane në Francë. “Ata ndihen të dyja, edhe francezë edhe myslimanë”.
Sigurisht, jo të gjithë janë të kënaqur. Disa myslimanë janë të zemëruar me komercializimin e Ramazanit. Klerikë konservatorë thonë se jomyslimanët nuk duhet të marrin pjesë fare në Ramazan, ndërkohë që evropianët e të djathtës ekstreme besojnë se këto praktika do të çojnë në shkatërrimin e civilizimit, si të tillë. Dhe disa personalitete të mediave sociale që kanë agjëruar gjatë Ramazanit duke e trajtuar atë si një lloj garë online shëndeti, janë kritikuar për mungesë respekti për kulturat e tjera.
Por as Hafez, as Wagner nuk mendojnë se pikëpamje të tilla zvogëlojnë përfitimet që kanë njerëzit duke u ndier më mirë me sistemin e besimit të të tjerëve.
Për myslimanët që janë rritur në kulturë me shumicë të krishterë, çështja është e të qenit pjesë e shoqërisë. “Përfshirja e festivaleve në hapësirën publike është në një fare mënyre pranimi se Ramazani është pjesë përbërëse e shoqërisë”, thotë Hafez.
Dhe për jomyslimanët çështja është e festimit dhe administrimit të diversitetit, shton Wagner. “Sepse kur kemi shoqëri diverse, ne shohim se diversiteti aktualisht bën që shoqëria të lulëzojë dhe gjallërojë më shumë se zakonisht”, përfundon ajo. /DW.