Lidhje


Lufta i.zraelite për rezervat e gazit në Gaza

Nga Dan Steinbock “Eurasia Riview”

 

Gjatë 25 viteve të fundit, politikat e Izraelit në Gaza janë motivuar jo vetëm nga shqetësimet për sigurinë, por edhe nga përpjekjet për të shfrytëzuar rezervat energjetike të palestinezëve. Me arritjen e armëpushimit, këto përpjekje po përshkallëzohen me shpejtësi. Në prag të Intifadë së Dytë në shtator 2000, udhëheqësi i Organizatës për çlirimin e Palestinës, Jassir Arafat, shpalli publikisht zbulimin e gazit natyror nga një anije peshkimi rreth 30 kilometra larg Rripit të Gazës.

 

“Kjo pasuri natyrore, do të sigurojë një themel të fortë për ekonominë tonë, për krijimin e një shteti të pavarur me Jerusalemin e shenjtë si kryeqytet”- tha Arafat. Mjerisht, përpjekjet për ta sabotuar atë projekt që mund të kishte bërë shumë për të zhvilluar ekonominë e Gazës, kanë ecur paralelisht me shkatërrimin e procesit të paqes.

 

Që nga fundi i viteve 1990, Mesdheu Lindor është bërë shumë tërheqës për interesat energjetike, me fusha të mëdha energjitike si Leviatani i Izraelit (600 miliardë metra kub), Zohr i Egjiptit (850 miliardë metra kub) dhe fusha detare e Gazës (28-30 miliardë metra kub gaz).

 

Krahasuar me Leviatanin e Izraelit, që aktualisht gjeneron 10 miliardë dollarë në vit të ardhura nga eksporti, apo Zohr të Egjiptit, e cila plotëson 40 për qind të kërkesës për gaz të këtij vendi, fusha pranë bregut të Gazës ka një prodhim më të vogël.

 

Megjithatë, ajo mund të ketë një ndikim transformues në ekonominë e Gazës dhe në standardet e jetesës së palestinezëve. E vendosur 30 km në det të hapur larg Rripit ajo u zbulua në vitin 2000 nga “British BG” dhe “Palestinian Consolidated Contractors Company” dhe pritej të gjeneronte 4 miliardë dollarë dollarë të ardhura. 

 

Le t’i vendosim gjërat në kontekst: Në vitin 2023, PBB-ja e Gazës arriti në gati 18 miliardë dollarë. Dhe sot, pas shkatërrimit nga Izraeli, ka rënë në vetëm 350 milionë dollarë. Pra, kjo fushë gazmbajtëse, përfaqëson një litar shpëtimi për banorët e Gazës dhe një mundësi të shkëlqyer për të kapërcyer mungesat kronike të energjisë, duke e lënë aktualisht Gazën shumë të varur nga ndihma e huaj.

 

Me industrinë e tij të gazit natyror, Egjipti do të shërbente si qendër tokësore dhe pikë tranziti për gazin e Rripit. “British BG”do të financonte zhvillimin dhe operacionet në këmbim të 90 përqind të të ardhurave. Autoriteti Palestinez do të merrte vetëm 10 përqind, plus qasje në gaz të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e tij.

 

Ishte një marrëveshje “për ndarjen e  fitimeve” në stilin kolonial. Por një pjesë të fitimit e donte edhe Izraeli. Në vitin 1999, kryeministri Ehud Barak e vendosi enkas marinën izraelite në ujërat e Gazës, për të penguar marrëveshjen midis Autoritetit Palestinez dhe kompanisë britanike.

 

Izraeli kërkoi që gazi të transportohej përmes tubacioneve në depozitat e tij me një çmim nën nivelin e tregut dhe të kishte nën kontroll të ardhurat e destinuara për palestinezët, zyrtarisht me alibinë e parandalimit të përdorimit të parave për të “financuar terrorizmin”.

 

Në vitin 2005, kur kryeministri izraelit Ariel Sharon ishte i përqendruar në “çlirimin” nga Gaza, BG nënshkroi një memorandum me EGAS (Kompania Egjiptiane e Gazit Natyror) për ta shitur gazin atje. Por kjo marrëveshje më pas u prish, kur kryeministri britanik Tony Blair ndërhyri në minutën e fundit për të mbrojtur interesat e qeverisë izraelite për arritjen e paktit me BG-në, mesa duket pas një kërkese të Ehud Olmertit, pasardhësi i Sharonit si kryeministër I Izraelit.

 

Sipas marrëveshjes së re, gazi do t’i shitej Izraelit dhe jo Egjiptit, dhe fondet do të kanalizoheshin fillimisht në Bankën e Rezervës Federale në Nju Jork për t’u shpërndarë në të ardhmen, sërish në justifikimin e parandalimit të “financimit të sulmeve terroriste”.

 

Siç pritej, BG ishte një kliente e madhe e JP Morgan, gjigantit financiar amerikan që më pas i pagoi Blair miliona dollarë si këshilltar i nivelit të lartë. (Kjo është në fakt edhe arsyeja pse Blair është i interesuar të menaxhojë Gazën, ku ai ndjen se ka mundësi edhe më të mëdha për të bërë para).

 

Ato dredhi i shkatërruan perspektivat për një autonomi të kufizuar buxhetore të palestinezëve dhe Marrëveshjet e Oslos, ndërsa iu hap rruga luftërave të reja, për të cilat përgjegjësia do t’u ngarkohej palestinezëve.

 

Kur qeveria palestineze e unitetit e udhëhequr nga Hamasi, e refuzoi ofertën diskriminuese, kryeministri izraelit Ehud Olmert vendosi një bllokadë në Gaza. Ai shpresonte se lufta ekonomike, do të çonte në një krizë politike dhe një kryengritje të banorëve të Gazës kundër Hamasit.

 

Lufta e viteve 2008-2009, shkaktoi shkatërrime të mëdha në Gaza, por Izraeli nuk shtiu dot nën kontroll fushat e gazit përballë brigjeve të Rripit. Kështu, ndërsa Perëndimi u përfshi nga kriza financiare e vitit 2008, qeveria e Netanyahut e gjeti veten përballë një krizë energjitike.

 

Për shkak edhe të Pranverës Arabe në rajon, Izraeli humbi 40 për qind të furnizimeve të tij me gaz, dhe u dëmtua shujmë nga çmimet në rritje të energjisë, të cilat shkaktuan protestat masive për koston e jetesës në vitin 2011, ndër më të mëdhatë në dekadat e fundit.

 

Trazirat e brendshme, i dhanë kabineteve të Netanyahut një motiv bindës për të kërkuar një sovranitet energjetik në Gaza. Ironikisht, qeveria e Netanyahut shpëtoi nga zbulimi i një fushe të madhe gazi natyror në pellgun e Leviatanit.

 

Izraeli pretendoi se ”shumica” e rezervave të sapo konfirmuara, ndodheshin brenda territorit të tij, gjë që çoi në rritjen e tensioneve me Libanin, Sirinë, Qipron dhe palestinezët. Për të zbutur tensionet, SHBA-të udhëhoqën atë që u quajt “diplomacia e gazit”, duke shpresuar të përdornin pasurinë e re energjetike të rajonit për t’i rikthyer në tryezën e negociatave vendet në konflikt.

 

Por edhe para ngjarjeve të 7 tetorit 2023, vizionet e kësaj diplomacie rezultuan jo realiste. Megjithëse u zbulua vite para Tamarit dhe Leviatanit, fusha e gazit në det të hapur e Gazës mbetet e paarritshme për shkak të kufizimeve izraelite, dhe nuk ofron asnjë lehtësim për njerëzit në Gaza që vuajnë nën një rrethim mbytës.

 

Në teori, koha ishte e favorshme, për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe nevojës së Evropës për të diversifikuar burimet e gazit. Megjithatë, zhvillimi i saj mbeti peng edhe i aftësitë e kufizuara të përpunimit të gazit në Egjipt. Përveç zbulimeve energjitike, në lojë ishte edhe një çështje po aq madhe: një kanal alternativ transporti që kalonte pranë Gazës.

 

Një alternativë izraelite ndaj Kanalit të Suezit

 

Rreth 12 përqind e tregtisë botërore, kalon përmes Kanalit të Suezit, që lidh Detin e Kuq dhe Gjirin e Suezit me Detin Mesdhe. Kjo përkthehet në 9.4 miliardë dollarë të ardhura vjetore për Egjiptin. Por trafiku atje nuk ka qenë gjithmonë i qetë.

 

Në marsin e vitit 2021, Kanali u bllokua për 6 ditë nga një anije kontejnerësh që kishte ngecur në breg. Mbyllja i detyroi cisternat e naftës të devijonin kursin rreth Kepit të Shpresës së Mirë në skajin më jugor të Afrikës, duke e shtuar me mbi 4.000 kilometra rrugën nga Arabia Saudite në Shtetet e Bashkuara.

 

Sot, Kanali i Suezit është funksional, por trafiku mbetet dukshëm më i ulët se normalja për shkak të krizës në Detin e Kuq dhe shqetësimeve të lidhura me sigurinë. Në këto kushte, gjatë Luftës së Gazës, në media u shtuan zërat rreth një iniciative izraelite për kanalin. Por nuk ishte një ide e re.

 

Në epokën e lashtë, ka pasur një numër rrugësh të famshme që kalonin përmes shkretëtirës së Negevit. Qyteti Eilat funksiononte si një port kyç gjatë mbretërimit të Solomonit, si një pikë tregtare me Afrikën dhe Lindjen.

 

Në mesin e shekullit XIX-të, Kundëradmirali Britanik Uilliam Allen e mbështeti idenë e ndërtimin e një kanali midis Mesdheut dhe Detit të Kuq, si një alternativë ndaj projektit rival të Kanalit të Suezit. Por Allen dështoi të bënte bashkë fuqitë e mëdha pas planit të tij, dhe kështu u ndërtua Kanali i Suezit.

 

Ky i fundit, e shkurtoi me rreth 8.900 kilometra udhëtimin nga Londra në Detin Arabik. Megjithatë, ëndrra e një alternative ndaj Kanalit të Suezit e ruajti pozicionin e saj në vizionet e hershme sioniste. Në romanin e tij “Toka e Vjetër e Re” (1902), Theodor Herzl, babai i sionizmit politik, e pa tokën hebraike si një pikë kyçe midis dy blloqeve të mëdha rajonale dhe parashikoi një të ardhme, kur “trafiku midis Evropës dhe Azisë do të ndiqte një rrugë të re nëpërmjet Palestinës”.

 

Për këtë ide, aludoi edhe kryeministri Netanyahu me hartën e tij të “Lindjes së Mesme të Re” shpalosur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së vetëm dy javë para ofensivës së Hamasit më 7 tetor 2023. Harta shkaktoi kritika të forta në mbarë botën, pasi kishte fshirë Palestinën dhe palestinezët.

 

Por vetëm dy vjet më vonë, rreth 90 përqind e Gazës është shkatërruar dhe palestinezët e Bregut Perëndimor, po përballen gati çdo ditë me sulme të dhunshme nga kolonët izraelitë.

 

Plani për 520 shpërthime bërthamore

 

Në vitet 1950, Izraeli ndërtoi një port në Eilat, ndërsa një port më modern u ndërtua në bregdetin jugor të Mesdheut në Ashdod, vetëm 60 kilometra nga kufiri me Gazën. Në vitet 1960, Kanali i Suezit ishte bërë jetik edhe për interesat e SHBA-së, siç dëshmohet nga një plan i laboratorit “Laërence Livermore”, që u deklasifikua vetëm në fund të Luftës së Ftohtë.

 

Projekti parashikonte përdorimin e 520 shpërthimeve bërthamore 2-megatonëshe për të hapuar një kanal përmes shkretëtirës së Negevit. Në vitin 1970, linja izraelite e transportit detar ZIM, krijoi një degë për të ofruar shërbime për ngarkesat ndërkufitare midis Ashdodit dhe Eilatit, ndërsa filloi ndërtimi i një tubacioni nafte përmes Negevit nga Eilati në Ashkelon, vetëm 12 kilometra nga Rripi i Gazës.

 

Këto vizione u realizuan në tetor 2020, kur Kompania Shtetërore Izraelite e Tubacioneve Evropë-Azi (EAPC) dhe kompania Land Bridge MED-RED me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje për të përdorur tubacionin Eilat-Ashkelon për të transportuar naftë nga Deti i Kuq në Mesdhe; vetëm 1 muaj pas Marrëveshjeve të Abrahamit.

 

Në prill 2021, Izraeli njoftoi se Kanali Ben Gurion do të lidhej me Detin Mesdhe duke e anashkaluar Rripin e Gazës. Ndryshe nga Kanali i Suezit, kanali izraelit do të lejonte kalimin e njëkohshëm të anijeve në të dyja drejtimet. Ai do të ishte 30 për qind më i gjatë se Kanali i Suezit, ose 193 km.

 

Kostot e projektit 5-vjeçar do të arrinte midis 16-55 miliardë dollarë. Kanali parashikohet të gjenerojë 6 miliardë dollarë ose më shumë të ardhura vjetore.

 

Natyrisht, kushdo që kontrollon kanalin e propozuar do të ketë ndikim të madh ekonomik (dhe ndikim politik) mbi rrugët globale të furnizimit dhe transportit të mallrave.

 

Përpara 7 tetorit, e vetmja gjë që qëndronte midis qeverisë Netanyahu dhe projektit të kanalit ishte një Gazë palestineze dhe Hamasi. Sfida ishte eliminimi i të dyjave.

 

Shënim: Dan Steinbock, është një ekspert i njohur i biznesit dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai është një studiues në Universitetin e Nju Jorkut.

 

 

XS
SM
MD
LG