Pengesa kryesore për arritjen e paqes ishte dhe mbetet Netanyahu

Lirimi i pengjeve duket si një pikë kthese, por vizioni i Netanyahut për “Spartën Hebraike”, kërcënon ende të sabotojë planin e brishtë të Trumpit për dhënies fund të luftës në Gaza. Madje Netanyahu mund të shtyjë zgjedhjet parlamentare me pretekstin e “gjendjes së jashtëzakonshme”, dhe veç Gazës të sulmojë sërish edhe Iranin.
Nga Eran Yashiv “Haaretz”
Gëzimi për lirimin e pengjeve - dhe ndjesia se lufta po mbaron - është inkurajuese. Por ia vlen të bëjmë një hap prapa për të analizuar se çfarë ka të ngjarë të ndodhë më pas, dhe ku po shkon Izraeli. Siç dihet mirë, plani i paqes i Donald Trump është i paqartë dhe në fakt shumë i brishtë.
Megjithatë, ekziston një përputhshmëri interesash midis presidentit të SHBA-së dhe udhëheqësve rajonalë. Pyetja kryesore, është nëse ky proces do të vazhdojë përgjatë një rruge të arsyeshme që rikthen njëfarë normaliteti në rajon. Pengesa kryesore, ishte dhe mbetet vetëm një: Benjamin Netanyahu.
Veprimet e tij, do të përcaktojnë në përgjithësi suksesin e këtij plani, sepse ai është aktori kryesor që ka më shumë gjasa ta prishë atë. Trump e kuptoi me vonesë dëmin e mundshëm që mund të shkaktonte Netanyahu. Më 7 nëntor 2024, dhe sërish më 27 maj të këtij viti, shkrova tek kjo gazetë se Netanyahu ka të ngjarë të bëhet një pengesë për Trumpin, pasi interesat e tyre nuk përputhen.
Po ashtu, theksova se zyrtarët e Uashingtonit, e kuptuan që Netanyahu po i mbante zvarrë, ndonjëherë madje duke i mashtruar. Javët e fundit, kjo pikëpamje është përsëritur nga The Wall Street Journal dhe media të tjera me reputacion.
Rikthimi i Jared Kushner në qendër të vëmendjes, e pasqyron këtë argument më shumë se sa çdo gjë tjetër. Ai është personi që i lidhi interesat e biznesit të Gjirit me aktorët politikë arabë dhe ndërkombëtarë. Ishte ai që punoi me Witkoff dhe Blair, u takua me udhëheqës rajonalë dhe krijoi një kornizë mjaftueshëm të gjerë për të kapërcyer dallimet.
Ai u përball me një kundërshtar kryesor - Netanyahun - por e mposhti atë sepse Trump ushtroi mjaftueshëm presion. Mjaftonte të shihje buzëqeshjen e Kushner në Shtëpinë e Bardhë para konferencës për shtyp, ndërsa pjesëtarët e delegacionit izraelit rrinin me fytyra të ngrysura, teksa Netanyahu lexoi faljen që kishte hartuar së bashku me Witkoff drejtuar kryeministrit të Katarit për bombardimin e kryer pak kohë më parë në Doha kundër drejtuesve të Hamasit.
Po kështu, reagimi i tij ndaj fishkëllimave të drejtuara ndaj Netanyahut në tubimin në Sheshin e Pengjeve, i tha të gjitha. Për Trumpin, zbatimi i vazhdueshëm i marrëveshjes, do t’i shërbejë interesave të tij në Gadishullin Arabik dhe trashëgimisë së tij si president.
Nëse ka sukses, nuk ka dyshim se ai do të fitojë Çmimin Nobel për Paqen brenda një viti, me mbështetjen edhe të udhëheqësve evropianë. Për Izraelin - shoqërinë dhe ekonominë e tij - marrëveshja mund të jetë një shpëtim.
Qeveria e Netanyahut e ka çuar Izraelin drejt një shteti të dështuar, në prag të daljes nga radhët e kombeve të zhvilluara: izolim ndërkombëtar në rritje, sanksione, një eksod i të rinjve të arsimuar dhe rënie e ndjeshme e investimeve.
Por ky rrezik do të vazhdojë, nëse vazhdojnë politikat e Netanyahut, dhe për fat të keq nuk ka asnjë shenjë se ato kanë ndryshuar. Kontrolli i tij mbi pushtetin mbetet jetik për të, pasi gjyqi aktual ndaj tij do të ishte problemi i tij më i vogël, nëse ai do të humbiste postin e kryeministrit. Siç e tregoi edhe fjalimi i tij në Knesset gjatë vizitës së Trump, ai vazhdon të kapet pas vizionit të tij spartan. Ai vazhdon ta portretizojë Izraelin si të rrethuar nga armiq, por të fortë dhe gjithmonë të gatshëm për të luftuar. Ndërsa po përdor çdo formë lajkash dhe manipulimesh, ai po promovon një vizion të zymtë të një lufte të pafundme.
Midis citateve nga Bibla që përmend, qëndron koncepti i një “Sparte hebraike” të drejtuar nga forcat fetaro-nacionaliste. Netanyahu dëshiron ende të vazhdojë ndryshimin e sistemit gjyqësor izraelit, siç reflektohet për shembull në mungesën e ftesës për kreun e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm me rastin e fjalimit të Trump në Knesset.
E si mund të jemi të sigurt se Netanyahu është ende në rrugën e luftës? Një nga treguesit, është përmbajtja dhe gjuha e trupit të konferencës së tij për shtyp në Shtëpinë e Bardhë por edhe fjalimi i fundit në parlament, Knesset. Një shenjë tjetër, është rezervimi i dyshimtë për pushime familjare në hotelin luksoz “Bereshit” në kulmin e negociatave, çka tregon dëshirën e tij për të penguar zbatimin e marrëveshjen së Trump.
Ai përballet tashmë me dy rrugë të mundshme: e para është të ecë me shpejtësi drejt zgjedhjeve parlamentare. Ai do t’i shtrembëronte në maksimum “arritjet” e tij, dhe do të tentojë të bindë ata që po mendojnë të votojnë për ish-kryeministrin Bennett, se vetëm ai mund të arrijë një marrëveshje rajonale.
Po ashtu, do të mbështetej tek lëvdatat e Trump në fjalimin e tij në Knesset, dhe ndoshta edhe te apeli i Trump që presidenti Herzog ta shfajësojë nga akuzat për korrupsion. Në një skenar të tillë, dhe duke pasur përballur një opozitë të paaftë, ai mund të fitonte prapë, ose të paktën të formonte një shumicë bllokuese.
Por unë vetë dyshoj se do të materializohet ky skenar. Ai dështoi ta bënte këtë edhe pas luftës me Iranin. Zgjedhjet e parakohshme, janë të vështira për t’u shkaktuar në Izrael. Edhe media në Izrael, pavarësisht dobësisë që ka përballë regjimit aktual, mund të nxjerrë ende në pah kontradiktat midis marrëveshjes dhe deklaratave të tij të mëparshme, veçanërisht ndërsa Hamasi po i vazhdon shfaqjet e forcës.
Për më tepër Netanyahu i frikësohet reagimit nga baza e tij për “zhvendosjen në qendër”. Rruga e dytë, është të vazhdojë me planin e Trump për një fare kohe, pastaj të organizojë në heshtje devijime dhe provokime.
Zyrtarë si David Zini, kreu i shërbimit të sigurisë Shin Bet, mund të mos dinë se si - ose mund të mos duan - që t’i rezistojnë serisë së kurtheve që do të fillojë të ngrejë Netanyahu. Edhe pala tjetër, me siguri që do të bjerë në këto kurthe.
Në këtë mënyrë, ai mund ta largojë planin e Trump nga rruga e duhur ose edhe ta rrëzojë plotësisht atë, dhe si gjithmonë të fajësojë të tjerët. Kjo është pikërisht ajo që bëri ai midis janarit dhe marsit të këtij viti, duke shkaktuar dëme të mëdha për Izraelin dhe gjithë rajonin.
Megjithatë, shprehjet e tij në fytyrë në paraqitjet publike gjatë javës së kaluar dhe refuzimi i tij për të marrë pjesë në samitin e Egjiptit, sugjerojnë që ai e kupton që Trump e ka bllokuar në një cep, duke e bërë shumë më të vështirë planin e tij tinëzar të sabotimit të marrëveshjes.
Ndërsa po afrohen zgjedhjet e vitit 2026, në pranverë ose në vjeshtë, ai ka të ngjarë që t’i shtyjë ato përmes një manovre ushtarake, që do të synojë një “gjendje të jashtëzakonshme”, siç është një sulm tjetër ndaj Iranit. Nën sundimin e tij, kjo lëvizje nuk do të ishte surprizë.
Ky skenar i zymtë, mund të parandalohet vetëm nga një njeri: Donald Trump. Nëse Trump dëshiron marrëveshje të mëdha biznesi, një trashëgimi të dukshme presidenciale dhe një Çmim Nobel, ai i ka mjetet për të vazhduar presionin e javëve të fundit. Nëse presioni nuk është i mjaftueshëm, ai do të kërkojë të rrëzojë nga pushteti Netanyahun.
Ai ka shumë mundësi në dispozicion, përfshirë ndikimin e konsiderueshëm mbi partitë ultra-ortodokse. Tek Bennett dhe aleatët e tij, Trump do të gjejë partnerë shumë më të besueshëm dhe bashkëpunues. Edhe në fjalimin e tij në Knesset, Trump vuri në dukje vështirësitë që i kishte krijuar Netanyahu.
Publiku liberal i Izraelit, duhet të mbetet shumë vigjilent. Nuk do të ketë më protesta masive për lirimin e pengjeve. Por lufta kundër kryeministrit aktual, duhet të ripërtërihet dhe përditësohet. Netanyahu nuk do të tërhiqet: ai do të vazhdojë agresionin e tij ushtarak, reformën e dyshimtë në gjyqësor dhe plaçkitjen e burimeve kombëtare.
Ky është vetëm një pushim i shkurtër. Lufta kundër tij duhet të vazhdojë.
Shënim: Eran Yashiv, profesor i ekonomisë në Universitetin e Tel Avivit dhe anëtar i Qendrës për Makroekonomi në Shkollën e Ekonomisë në Londër.