Lidhje


Presioni i Trump për zbatimin e armëpushimit në Gaza, po krijon një krizë politike në Izrael

Izraeli nuk është një shtet vasal i SHBA-së, tha zv/presidenti amerikan  J.D.Vance. Por kur është fjala për armëpushimin në Gaza dhe aneksimin e Bregut Perëndimor, vendimmarrja izraelite është thellësisht e ndërthurur me prioritetet aktuale të Uashingtonit.

 

Nga Qassam Muaddi “Mondoweiss”

 

Vizitat e njëpasnjëshme të zyrtarëve amerikanë në Tel Aviv gjatë kësaj jave, kanë shkaktuar  jo pak shqetësim në qarqet politike izraelite, ndërsa Uashingtoni po e shton presionin mbi Izraelin që t’i përmbahet planit të armëpushimit në Gaza të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

 

Qarqet politike izraelite, janë të zemëruara që iu desh t’i nënshtroheshin vullnetit të presidentit amerikan, ndërsa opozita po shfrytëzon rastin për të kritikuar ashpër kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për shndërrimin e Izraelit në një vend “vasal” të Shteteve të Bashkuara.

 

Gati i gjithë rrethi i ngushtë i Trump ka kryer vizita në Tel Aviv gjatë javës së kaluar, përfshirë të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, zëvendës/presidentin J.D.Vance dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

 

Ata ishin të gjithë atje për të monitoruar armëpushimin theksoi Vance, duke shtuar: “Por jo një monitorim në kuptimin e mbikëqyrjes së një fëmije të vogël...”. Por media izraelite iu referua fluksit të vizitave si një “Bibi-sitting” amerikan, duke bërë ironi me fjalën babysitter që do të thotë kujdestare fëmijësh.

 

E përditshmja izraelite “Haaretz”, publikoi të mërkurën një karikaturë ku Netanyahu portretizohej si një fëmijë që luante me tanke dhe aeroplanë lodër, ndërsa Witkoff i thoshte: “Luaj edhe pak, pastaj do të shkojmë të flemë”.

 

Gazeta “Maariv” publikoi një tjetër karikaturë ku tregoheshin Witkoff, Vance dhe Kushner duke ndjekur nga afër Netanyahun, i cili thotë: “Unë po shkoj në banjë”. As udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, nuk është përmbajtur nga sulmet e forta.

 

Në hapje të sesionit dimëror të parlamentit, Knesset, Lapid e kritikoi ashpër Netanyahun për futjen e Izraelit në “krizën më të rrezikshme politike në historinë e tij”, si dhe për sabotimin e marrëveshjeve më të hershme të armëpushimit, që mund të kishin çuar në lirimin më të shpejtë të robërve izraelitë në Gaza.

 

Lapid tha gjithashtu se Netanyahu e ka shndërruar Izraelin në “një shtet vasal, që merr urdhra në lidhje me sigurinë e vet”. Gjërat u tensionuan edhe më shumë gjatë një konference për shtyp me Netanyahun, kur Vance u pyet nga një gazetar nëse Izraeli po bëhej një “protektorat” i SHBA-së. “Ne nuk duam një shtet vasal, dhe Izraeli nuk është i tillë. Ne nuk duam as një shtet klient, dhe sërish Izraeli është një shtet i tillë”- u përgjigj Vance. Këmbëngulja e zv/presidentit për atë që nuk po bëjnë SHBA-të, është ajo që po ngulitet në mendjet e të gjithëve.

 

Netanyahu është ende i acaruar nga perspektiva e një koalicioni ndërkombëtar forcash që do të hyjë në Gaza, dhe e ka kundërshtuar në veçanti pjesëmarrjen e forcave turke. Kur u pyet për këtë çështje të martën, Vance tha se “asgjë nuk do t’i imponohet Izraelit”, por vuri në dukje se Turqia ka ende “një rol konstruktiv” për të luajtur.

 

Vizitat e Vance, Witkoff, Kushner dhe Rubios në Tel Aviv, ndodhën teksa armëpushimi i brishtë në Gaza, ishte gati të prishej të dielën e kaluar, më 19 tetor, pas një incidenti në Rafah, në të cilin dy ushtarë izraelitë u vranë në një shpërthim.

 

Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, dhe nisi një seri sulmesh në të gjithë Gazën, duke vrarë të paktën 40 palestinezë. Hamasi mohoi çdo dijeni për incidentin e Rafah, teksa pati raportime se shpërthimi u shkaktua nga një buldozer izraelit që kaloi mbi një municion të pashpërthyer, fakt për të cilin ishte në dijeni edhe Shtëpia e Bardhë.

 

Pak orë më vonë, Trump deklaroi për televizionin Fox News, se të dyja palët po e respektonin armëpushimin, ndërsa Izraeli i ndaloi bombardimet në fund të asaj dite. Qarqet politike në Izrael, e konsideruan ndërprerjen e sulmit të shpejtë të Izraelit, si një shenjë se Netanyahu ishte tërhequr nën presionin e vazhdueshëm të SHBA-së për të garantuar zbatimin e armëpushimit.

 

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, një politikan i linjës së ashpër, e konsideroi vendimin si “të turpshëm” dhe i bëri thirrje Netanyahut të rifillojë sulmin e tij në shkallë të plotë kundër Gazës. Tani ekziston një tjetër ngërç, që po vazhdon të nxisë tensionet SHBA-Izrael: aneksimi i Bregut Perëndimor.

 

Në mesin e kësaj vale kritikash, Netanyahu shpalli kandidaturën e tij për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit 2026. Netanyahu është aktualisht kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, duke qeverisur në krye të koalicioneve të djathta dhe të qendrës për një total prej 18 vjetësh.

 

Në mes të vizitës së J.D.Vance, Knesset votoi pro në parim mbi një projektligj që do të aneksonte Bregun Perëndimor. Reagimi nga SHBA ishte i ashpër. Përpara se të hipte në avionin që po shkonte në Tel Aviv, Sekretari i Shtetit Rubio tha se votimi ishte “kundër-produktiv” dhe “kërcënues për marrëveshjen e paqes”.

 

Ndërkohë Vance shkoi më tej, duke e quajtur votimin “të çuditshëm”, “një budallallëk” dhe një “fyerje”, duke shtuar se “politika e administratës Trump, është që Bregu Perëndimor të mos aneksohet nga Izraeli”. Por reagimi më i ashpër i SHBA-së erdhi nga vetë Trump.

 

Gjatë një intervistë për revistën “Time”, ai tha se aneksimi i Bregut Perëndimor nga Izraeli “nuk do të ndodhë, sepse unë u dhashë fjalën vendeve arabe”, duke shtuar nëse do ta bëjë këtë “Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”.

 

Problemi është se aneksimi i Bregut Perëndimor, ka qenë premtimi më i rëndësishëm elektoral i Netanyahut që nga viti 2019. Ai ishte në krye të një përpjekje legjislative njëvjeçare për ta bërë realitet këtë aneksim, duke filluar me Ligjin e Shtetit Komb të vitit 2018 , pastaj me rezolutën e Knesset-it për të hedhur poshtë idenë e krijimit të një shteti palestinez në korrik 2024, dhe së fundmi me rezolutën e Knesset në korrik 2025, që e lejon qeverinë të aneksojë Bregun Perëndimor.

 

Qëndrimi i prerë kundërshtues i SHBA-së, është i papërshtatshëm për Netanyahun, pasi për momentin ai duhet të shmangë çdo lloj përplasje të madhe me Uashingtonin. Në një postim në platformën X , Netanyahu tha se votimi ishte “një provokim nga opozita për të mbjellë përçarje”, edhe pse projektligji u prezantua nga një aleat i kampit të tij të krahut të djathtë, Avi Maoz, i cili kandidoi në zgjedhjet e fundit në një koalicion me partinë e Netanyahut, Likud.

 

Por distancimi i Netanyahut nga aleatët e tij është i kuptueshëm. Tani, ai e sheh veten të bllokuar midis angazhimit të tij ndaj bazës së tij votuese dhe interesit më të gjerë për të siguruar mbështetje të vazhdueshme nga SHBA-të, ku administrata aktuale ka një listë prioritetesh të ndryshme.

 

Këto janë prioritetet që Trump shpreson të jenë arritja e tij më e madhe: ndërmjetësimi i një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, e cila ka thënë qartë se aneksimi i çdo pjese të Bregut Perëndimor nga Izraeli, do të ishte për të një “vijë e kuqe”.

 

Në mandatin e tij të parë, Donald Trump u përplas me një qeveri të udhëhequr nga Netanyahu, e cila ishte zotuar të aneksonte pjesë të Bregut Perëndimor. Trump e ndaloi procesin e aneksimit, duke ndërmjetësuar marrëveshje normalizimi me disa shtete arabe, më e rëndësishmja me Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Për Trump, rëndësia e të ashtuquajturave Marrëveshje të Abrahamit, buron nga fakti se vendete tjera të Gjirit që ende nuk i kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin - Katari dhe Arabia Saudite - janë çelësi për të siguruar dominimin ekonomik dhe politik rajonal të SHBA-së.

 

Kjo është pjesë e axhendës më të gjerë të SHBA-së për të rivendosur hegjemoninë amerikane, dhe për t’u përballur me ndikimin në rritje të Kinës. Një pjesë e planit të Trump për të arritur atje, parashikon integrimin e Izraelit në Lindjen e Mesme.

 

Pas gjenocidit në Gaza, Izraeli po përballet me izolim ndërkombëtar, ndaj integrimi rajonal duket se do të jetë edhe një përparësi e Tel Avivit. Por në këtë rast, integrimi do ta detyronte Izraelin të ndalonte të paktën përkohësisht planet e tij për të pohuar sovranitetin hebre midis lumit dhe detit, siç thuhet në statutin e Likud.

 

Smotrich i dha zë asaj ëndrre supremaciste, kur po fliste në një konferencë mbi zhvillimet teknologjike të enjten, duke thënë se Izraeli nuk do të heqë dorë nga aneksimi për hir të normalizimit të raporteve: “Nëse Arabia Saudite na kërkon normalizim në këmbim të një shteti palestinez, ne i themi: Jo, faleminderit, ju vazhdoni të hipni mbi deve në shkretëtirën e Arabisë Saudite, ne do të vazhdojmë të zhvillohemi”.

 

Pas një morie kritikash nga figurat e opozitës izraelite, Smotrich kërkoi formalisht falje për çdo “fyerje” që mund të kishte shkaktuar me këtë deklaratë, por pohoi se Izraeli nuk do të hiqte dorë nga “trashëgimia”, “tradita” dhe “të drejtat” e popullit hebre në “Jude dhe Samari” - termi sionist për Bregun Perëndimor.

 

Por deklarata e Smotrich nuk është mendimi i një ekstremisti të izoluar, sado që opozita izraelite do të donte të ishte kështu. Pavarësisht kritikave për mënyrën se si u shpreh Smotrich, shumica dërrmuese e anëtarëve të Knesset e mbështesin aneksimin.

 

Pas njohjes evropiane të një shteti palestinez në shtator, udhëheqësi i opozitës Benny Gantz un shpreh në një artikull në New York Times, se refuzimi i Izraelit për ekzistencën e një shteti palestinez, ishte një çështje e “konsensusit kombëtar”. Por Izraeli as nuk ka nevojë të pranojënjë shtet palestinez për ta mbajtur Trumpin të lumtur.

 

Mjafton që të përmbahet nga aneksimi i plotë, të paktën për momentin. Por edhe kjo është diçka që Izraeli e ka të vështirë ta bëjë. Akuzat dhe kundër-akuzat politike në qarqet izraelite, janë një shenjë se ata po përgatiten për zgjedhjet, dhe po përpiqen të fitojnë pikë kundër rivalëve të tyre. Kjo na tregon se establishmenti politik izraelit, të paktën në mënyrë të nënkuptuar, e ka pranuar se për momentin lufta ka mbaruar. Por fakti që ky teatër politik, zhvillohet nën hijen e presionit të paparë të SHBA-së, sugjeron se sa thellë është e ndërthurur vendimmarrja izraelite me prioritetet e Uashingtonit.

 

XS
SM
MD
LG