Paqja në Gaza nuk do të vijë me “garanci” abstrakte por me vendosjen e drejtësisë për gjenocidin
Ekziston një hendek i qartë midis takimeve të nivelit të lartë nga zyrtarët amerikanë dhe arabë mbi Gazën, të cilat premtojnë siguri dhe udhëheqje, dhe vuajtjeve dhe vdekjes së palestinezëve në terren...
Nga Jack Khoury “Haaretz”
Një fjalë e urtë arabe thotë “lërimi i gomarit nuk e sheshon arën, edhe nëse ai punon derisa të lodhet”. Kjo shprehje, është një shëmbëlltyrë për dikë që sforcohet dhe djersitet, por përdor mjetet e gabuara.
Në dallim nga qetë, gomerët nuk ecin në vijë të drejtë, dhe nuk e kuptojnë se ku fillon dhe ku mbaron ara. Ata e lënë tokën në një gjendje të çrregullt, sikur të mos ishte prekur nga duart e njeriut. Ndaj e tyrja është një punë të palodhur që nuk jep rezultate. Pikërisht kështu duket aktualisht politika amerikane në Gaza - një lërim kaotik pavarësisht shumë përpjekjeve - por pa asnjë fryt për të treguar. Për më shumë se një vit, Uashingtoni është përpjekur të menaxhojë luftën, armëpushimet, “rregullimin” dhe rindërtimin e Rripit të Gazës, por po e bën këtë si gomari - me shumë veprime, shumë PR (kryesisht për presidentin), por me pak mirëkuptim.
Që nga dita e parë e luftës, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur mdonjë plan të qartë. Kjo vlen si për demokratët e Joe Biden, ashtu edhe për administratën aktuale të Donald Trump. Ka ende jo pak pyetje të hapura: A është qëllimi i saj t’i japë fund luftës, apo ta menaxhojë atë për një periudhë të pacaktuar?
Po kërkon të shpërbëjë Hamasin apo ta integrojë atë në një sistem të ripërtërirë qeverisjeje, pas trajnimit dhe përgatitjes, siç ndodhi me Ahmad Al-Shara në Siri? A dëshiron stabilitet rajonal apo ta mbajë në të vërtetë Lindjen e Mesme në “pikën e vlimit”, në mënyrë që të mund të mbetet përherë gjykatës dhe arbitër?
Pyetjet janë të shumta, por për to nuk ka përgjigje të qarta. Politikat po zbatohen në mënyrë reaktive, në vend se të merren nisma vizionare. Po shpenzohen më shumë energji për t’u pëlqyer palëve të përfshira, në vend se të udhëheqin një proces të vërtetë që të çojë në një paqe të qëndrueshme.
Në këto kushte, vazhdon kaosi në terren. Shtetet e Bashkuara, duket se po përpiqen të “lërojnë” në tokën e përgjakur, pa e njohur strukturën e saj. Populli në Gaza, po pret për bukë, ilaçe ose për një çati mbi kokë.
Ndërkohë Uashingtoni po flet për “faza”, ”garanci” dhe “partnerë të besueshëm”, sikur kjo të përfshinte një projekt inxhinierik dhe jo qenie njerëzore të varrosura nën rrënoja. Por fajtor për këtë situatë nuk është vetëm Donald Trump dhe ekipi i tij.
Përgjegjësi mbajnë edhe vendet arabe. Disa prej tyre po luajnë një “lojë vonesash”, sepse kanë frikë nga ndryshimi ose nga përfshirja në kaos. Të tjerët e shohin Gazën si një barrë të padëshiruar, dhe kënaqen vetëm me deklarata proteste boshe.
Të lira nga faji nuk janë as vetë fraksionet palestineze, veçanërisht ato që kërkojnë kurorën e lidershipit: Autoriteti Palestinez dhe Hamasi. Pavarësisht nëse besojnë tek rezistenca apo kërkojnë arritje të vogla qeveritare, në emër të pragmatizmit dhe për t’u afruar me Shtëpinë e Bardhë, fakti është se perspektivat kombëtare palestineze po lihen pas dore.
Ndarja midis Ramallahut dhe Qytetit të Gazës, midis realitetit politik dhe cinizmit e urrejtjes personale, shërbejnë për të përjetësuar ngërçin - ndërsa Uashingtoni vazhdon të “lërojë tokën” dhe të përfitojë nga ndarja midis palestinezëve sikur kjo të ishte pjesë e peizazhit.
Rezultati është i qartë. Kjo nuk është një luftë që po i afrohet një fundi vendimtar, as një paqe që po merr formë dhe as fillimi i rindërtimit. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin ende që të flasin për “faza” dhe “zgjidhje graduale”, ndërsa banorët e Gazës kërkojnë të marrin frymë, të varrosin të vdekurit e tyre dhe t’ia fillojnë nga e para.
Uashingtoni beson se është e mundur të formësohet Lindja e Mesme me ndihmën e levave të pushtetit dhe parave, por po harron se kjo tokë i përgjigjet mirëkuptimit dhe jo presionit. Është e pamundur të mbjellësh shpresë në tokën që ka thithur kaq shumë gjak.
Dhe është e pamundur të vendosësh stabilitet pa drejtësi. Kur mungon drejtësia, toka nuk do të prodhojë asgjë. Në Gaza, banorët e së cilës po varrosin të vdekurit e tyre, pritshmëria është për një tokë të sapolëruar dhe për të korra që do t’u japin atyre dhe fëmijëve të tyre një të ardhme të ndryshme.
Por duket se të gjithë lojtarët me ndikim - Izraeli, Shtetet e Bashkuara, vendet arabe, por edhe fraksionet palestinezët me pushtet - po lërojnë të njëjtën fushë të rrëmujshme duke përdorur gomerët.