Një muaj më vonë, “armëpushimi” në Gaza ekziston vetëm në emër
Palestinezët shpresonin se armëpushimi në Gaza me Izraelin, do të ofronte një shans për ta marrë veten nga 2 vite gjenocid, por një muaj më vonë, Izraeli vazhdon të sulmojë pa u ndëshkuar, kriza ekonomike është ende aty, dhe është pothuajse e pamundur për t’u gjetur ushqimi i shëndetshëm...
Nga Noor Alyacoubi “Mondoweiss”
Kur u shpall armëpushimi në mesin e tetorit 2025, shumë njerëz në Gaza besuan se kjo mund të sinjalizonte më në fund një rikthim tek paqja, një fund të shpërthimeve, sulmeve ajrore dhe zhurmës së vazhdueshme të Zannana (avionëve zbulues pa pilot) sipër kokave të njerëzve.
Por realiteti në terren është shumë ndryshe. Gati çdo mëngjes, dëgjohen ende tingujt e bombardimeve izraelite. Titujt kryesorë të lajmeve të fundit, vazhdojnë të raportojnë një numër në rritje të civilëve të vrarë dhe të plagosur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që nga i ashtuquajturi fund i luftës, janë vrarë mbi 236 civilë dhe plagosur 600 të tjerë. Tanket izraelite vazhdojnë të bllokojnë qasjen e banorëve të Gazës në pjesë të mëdha të territorit, duke e kufizuar lëvizjen e civilëve përmes asaj që quhet “vija e verdhë”, dhe penguar mijëra njerëz që të kthehen në shtëpitë e tyre.
Dronët mbikëqyrës qëndrojnë ende sipër kokave të tyre. Bombat bien ende, vetëm se tani kjo ndodh nën etiketën e një “armëpushimi”. Sipas zyrës së medias qeveritare, Izraeli ka qëlluar 88 herë ndaj civilëve, ka bastisur 12 herë zonat e banimit përtej “vijës së verdhë’, ka bombarduar Gazën 124 herë dhe ka shkatërruar në 52 raste pronat e palestinezëve autoktonë.
Po ashtu, gjatë muajit të kaluar Izraeli arrestoi 23 palestinezë nga Gaza. Dhe ndërkohë, autoritetet izraelite vazhdojnë të bëjnë kërcënime publike për rifillimin e operacioneve ushtarake në shkallë të plotë në Gaza.
Këto kërcënime, të kombinuara me dhunën e vazhdueshme, kanë ngritur disa pikëpyetje serioze midis palestinezëve: A ka vërtet një armëpushim? Dhe nëse po, pse po vazhdojmë të vuajmë ? Pse jemi ende të privuar nga ushqimi, ilaçet dhe siguria? Pse jemi ende të uritur?
Një jetë me zhvendosje të vazhdueshme dhe shumë borxhe
Gjatë 24 muajve të fundit, 29-vjeçarja Raheel ka përjetuar zhvendosje të vazhdueshme - duke u evakuuar, duke u zhvendosur dhe duke u rikthyer vazhdimisht, duke kaluar nga veriu në jug të Gazës dhe anasjelltas. Zhvendosja e saj më e fundit, e çoi në Kampin Al-Nusairat në Gazën Qendrore, të përcaktuar si një “zonë e sigurt” nga autoritetet izraelite.
Atje, ajo, bashkëshorti dhe vjehrrit e saj jetuan në një tendë të vetme. Për gati 20 ditë, ajo copë e brishtë pëlhure ishte streha e tyre e vetme. Largimi i tyre nga Qyteti i Gazës nuk ishte vullnetar, por një vendim i dëshpëruar dhe i marrë nën presionin e bombardimeve.
Ndërsa forcat tokësore izraelite po përparonin dhe sulmet ajrore u intensifikuan në të gjithë qytetin në një fushatë sistematike për të marrë kontrollin e tij, Raheel dhe burri i saj u detyruan që të iknin. “Ne nuk kishim para për të ikur. Por nuk kishim as mundësi që të qëndronim atje”- kujton ajo.
Pa të ardhura të qëndrueshme, ata morën hua aq pak sa mundën - nga disa miq të tyre - dhe iu bashkuan qindra mijëra njerëzve të zhvendosur, të cilët po shkonin drejt jugut në kërkim të sigurisë. Por siguria ishte e përkohshme.
“Kur u shpall armëpushimi, nuk ndjeva lehtësim por panik. Nuk mund të mendoja për asgjë tjetër përveç borxheve që kishim. Mezi ia dilnim mbanë si të zhvendosur, si do ta përballonim tani kthimin?”- thotë Raheel. Ashtu si shumë të tjerë, ajo dhe familja e saj u detyruan të merrnin sërish hua, këtë herë për t’u kthyer në atë që kishte mbetur nga Qyteti i Gazës.
Presioni i mbijetesës në kushtet e zhvendosjes, u zëvendësua nga presioni i kthimit tek rrënojat. Pak para se të ktheheshin, Raheel mori lajmin se shtëpia e tyre në Gazën Lindore ishte shkatërruar. “Që nga fillimi i luftës, nuk kam mundur të jetoj asnjë ditë në paqe brenda shtëpisë time”- tregon ajo.
Shtëpia e saj, kishte qenë në një “zonë të kuqe” për pjesën më të madhe të ditëve të luftës. Ajo shton: “Gjatë gjithë gjenocidit, vazhdova ta imagjinoja atë moment kthimi - vetëm për të pasur pak privatësi, pak hapësirë. Por edhe kjo mu hoq”.
Por edhe pse nuk kishin më shtëpi, ata u kthyen gjithsesi. “Ne nuk u rikthyem sepse jeta atje ishte më e mirë, por për të qëndruar pranë rrënojave të shtëpisë sonë, pranë njerëzve tanë, në vend se të lëviznim pafundësisht lart e poshtë. Zhvendosja të shkatërron si njeri, pak nga pak”- shprehet gruaja palestineze.
Sot, familja e Raheel mezi ia del të mbijetojë çdo ditë. Burri i saj është i papunë dhe nuk ka të ardhura të qëndrueshme. Ata mbështeten tek kuponët e vegjël që u jepen, pakot e ndihmës humanitare dhe mbështetja nga miqtë dhe të afërmit - shumë prej të cilëve po përballen vetë me vështirësi ekstreme. Çdo vakt, çdo udhëtim dhe çdo sëmundje i shton borxhet e tyre në rritje.
Tregjet janë të mbushura me ushqime të pashëndetshme dhe të shtrenjta
“Edhe pse tani tregjet mund të duken të mbushura me produkte, që kishin munguar gjatë dy viteve të fundit, vaktet tona të përditshme nuk kanë ndryshuar shumë. Ato përbëhen ende nga ushqime kryesisht të konservuara, bishtajore dhe disa lloje perimesh. Disa çmime kanë rënë pak, por shumica e produkteve të reja që janë lejuar të futen, janë ose të pakta ose shumë të shtrenjta”- thotë Raheel.
Pas armëpushimit, pika e kalimit në Kerem Shalom, u rihap për herë të parë që nga marsi i këtij viti. Në javët që pasuan, qendrat tregtare të Gazës filluan të rimbusheshin me produkte. Supermarketet, minimarketet, tezgat në rrugë dhe madje edhe qendrat tregtare e rifilluan punën e tyre.
Tani raftet duken sërish të mbushura. Krahas artikujve ushqimorë bazë si bishtajoret dhe produktet e konservuara, ka një bollëk produktesh me sheqer: çokollata, biskota, karamele, reçel dhe pije të ëmbla. Janë rikthyer edhe produktet yndyrore si gjalpi, djathi i përpunuar dhe kremi i konservuar, ndonëse në sasi të kufizuar.
Produkte të tjera jo-thelbësore, si cigaret dhe pijet e gazuara, janë gjithashtu gjerësisht të disponueshme. “Unë kam dëshirë të ha çokollata dhe ëmbëlsira si kushdo tjetër. Po si mund të mendoj për to, kur nuk kam mundësi të blej produktet bazë? Familja ime ka nevoja më urgjente”-thekson Raheel.
Një çokollatë në Gaza shitet aktualisht për 7 shekel (rreth 2 dollarë), ndërsa një pako biskota kushton rreth 10 shekel (3 dollarë). Tani këto artikuj dominojnë vitrinat e dyqaneve, ndërsa ushqimet thelbësore mbeten të pakta dhe me çmime të papërballueshme për shumicën.
Vezët janë gati të pamundura për t’u gjetur. Rrallë gjenden edhe qumështi dhe nënproduktet e tij. Mishi i ngirë i pulës dhe viçit, mbërrin në dërgesa të kufizuara dhe shitet shpejt. Për shumicën e familjeve, këto produkte janë thjesht të papërballueshme.
“Nëse je me fat, një kilogram mish pule i ngrirë kushton rreth 50 shekel (15 dollarë), ndërsa një kilogram mish viçi kushton rreth 70 shekel (22 dollarë). Edhe familja më e vogël ka nevojë për më shumë se një kilogram mish që të ndihet e ngopur. Për ne, edhe blerja e një kilogrami mish është jashtë çdo lloj mundësie”- tregon gruaja palestineze.
“Ka kaluar një muaj që kur nisi armëpushimi, dhe unë nuk kam provuar ende mish pule apo viçi. Nuk kam mundur të blej as edhe një kokërr vezë…”- ankohet ajo. Edhe pse Raheel ha të njëjtat porcione ushqimi si më parë, ajo ka vënë re se po shton në peshë, pasi dieta e saj nuk është e larmishme, dhe përbëhet kryesisht nga karbohidrate dhe sheqer.
Shtëpia e Bardhë, raporton se gati 15.000 kamionë me mallra tregtare dhe ndihmë humanitare kanë hyrë në Gaza që nga 10 tetori. Por sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës, vetëm 171 kamionë - nga 600 që priten çdo ditë - po lejohen që të hyjnë nga ana e ushtrisë izraelite.
Shumica e këtyre kamionëve, transportojnë miell gruri, karbohidrate, niseshte, sheqer dhe ushqime të përpunuara, të tilla si kremra djathi dhe krem i konservuar. Me këto produkte që janë zakonisht të disponueshme në Gaza, dhe me pak alternativa në dispozicion, njerëzit detyrohen të mbështeten tek ato si burimi kryesor i të ushqyerit, duke bërë që të shtojnë në peshë - shpejt por në mënyrë të pashëndetshme - dhe duke fshehur kështu shenjat fizike të urisë dhe kequshqyerjes afatgjatë.
“Ne nuk duam mish pule dhe mish viçi, vetëm sepse na mungon shija. Por sepse trupat tanë - të brishtë dhe të rraskapitur nga lufta, uria dhe zhvendosja - kanë nevojë për ushqim të vërtetë. Duam që të riparojmë atë që është thyer. Duam të rifitojmë forcën tonë. Ne duam të ushqehemi jo për kënaqësi, por për mbijetesë. Për shëndet. Për dinjitet. Për jetë”- thotë Raheel.