Lidhje


𝐄𝐝𝐢 𝐑𝐚𝐦𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐦𝐲𝐬𝐥𝐢𝐦𝐚𝐧ë𝐭

Nga hoxhë Dr. Justinian Topulli
 
 
Hipokrizia apo nifaku ishte një dukuri, me të cilën myslimanët e parë u përballën në Medine dhe jo në Mekë, për arsyen e qartë të forcës së tyre në rritje pas emigrimit. Hipokrizia nuk është vetëm një ves individual, por një dukuri sociale dhe politike, me të cilën myslimanët ndeshen sa herë që bashkësia e tyre fiton fuqi. Nifaku lind nga kombinimi i urrejtjes ndaj Islamit, pamundësisë për t’iu kundërvënë haptazi bashkësisë myslimane dhe dobësisë së brendshme shpirtërore.
 
 
Nuk ka nevojë të jesh hipokrit me të dobëtit dhe me ata që nuk kanë zë në shoqëri, e as pozitë për të ndryshuar rrjedhën e saj. Por, në momentin që një grup njerëzish bëhen potencial ndryshimi në shoqëri, por janë të paorganizuar dhe të paudhëhequr si duhet, pra, pa një bari adekuat, është shumë më e lehtë dhe më e përshtatshme të bëhesh bari i tyre, duke i joshur dhe bërë për vete, sesa duke u bërë hasëm i hapur me ta.
Diçka që nuk mund ta ndalësh, të paktën duhet të bësh përpjekje ta kontrollosh, së paku për ta përçarë dhe për të përdorur energjinë e një pjese prej tyre në favorin tënd.
 
 
Është pikërisht kjo, ajo që ndodh në marrëdhëniet e myslimanëve me të majtën në përgjithësi në Perëndim dhe sidomos me Edi Ramën në veçanti në Shqipëri. Ky njeri është magjistar i fjalës dhe hipokrit kalibri, si dhe akrobat i paparë i qëndrimeve të skajshme e kontradiktore, të cilat nuk tregojnë vetëm aftësinë e tij të lartë të mashtrimit, por njëkohësisht edhe një dozë sinqeriteti dhe dilemash shpirtërore që ai kalon.
 
 
Në kuptimin standard dhe të cekët që shumë nga ne kanë për hipokritët apo munafikët, ata i kufizojnë vetëm te një model njerëzish, që thjesht, kur flasin, gënjejnë, thyejnë premtimin e dhënë dhe nuk mbajnë amanetin, siç edhe përshkruhen në hadithin e njohur. Por jo, nuk janë vetëm këta munafikë. Allahu, në Kuran, na i përshkruan munafikët në suren el-Bekare, por edhe në raste të tjera, si njerëz që kanë dilema të brendshme, që herë besojnë e herë mohojnë, që herë shohin dritën e Islamit e herë verbohen para saj. Gjendja e tyre shpirtërore lëviz në errësira të brendshme, megjithëse drita e udhëzimit është aty pranë. Munafiku është njeri që njeh një shkallë të së vërtetës dhe, prapëseprapë, e refuzon atë ose e përdor në mënyrë oportuniste.
 
 
Munafikët nuk arrijnë të kuptojnë faktorët e vërtetë të triumfit islam, sepse janë të burgosur në llogaritjet e tyre materiale. Ata shohin numra, fuqi dhe pajisje; besimtarët shohin ndihmën e Zotit, bindjen, durimin dhe kohezionin moral. Munafiku nuk është vetëm dyfytyrësh, por edhe i verbër ndaj ligjeve shpirtërore të historisë.
 
 
Munafiku, jo rrallë, flet gjuhën e fesë më mirë se të tjerët, pikërisht për ta përdorur si maskë. Dëmi i tij është më i madh se ai i armikut të hapur, sepse ai mjegullon kuptimin e fesë apo sjelljen e bashkësisë ndaj deformimeve që tenton të fusë apo kristalizojë në shoqëri. Projekti i “Shtetit Bektashi” dhe “Parku i Besimeve”, në thelb, kërkojnë të godasin pikërisht bashkësinë islame të shqiptarëve dhe të kristalizojnë një doktrinë sinkretike hibride panfetare te shqiptarët myslimanë, që për ta është blasfemike, për të penguar kështu faktorizimin e tyre të mëtejshëm. Nëse rrjedhën e lumit dhe prurjet e shtuara të tij nuk mund t’i ndalësh, atëherë zgjidhja më e mirë është ta devijosh dhe ta copëzosh atë. Dhe këtë tenton të bëjë Edi Rama, me vetëdije ose jo, i instruktuar nga miqtë e tij sionistë e të tjerë, apo nga gjenialiteti i tij pervers dhe hipokrit.
 
 
Kështu që njerëz të tillë, që lëkunden mes besimit dhe mohimit, mes sinqeritetit dhe mungesës së tij, janë hipokritët më të rrezikshëm. Dhe, kur Allahu na ka folur për ta në Kuran, ka treguar se në mesin e myslimanëve ka njerëz që ua vënë veshin atyre në ato që thonë, duke besuar në sinqeritetin e tyre. Edi Rama është një njeri tipik i tillë, i cili, me sinqeritetin e tij, për aq sa mund të jetë i sinqertë një hipokrit, i josh e i miklon myslimanët me fjalët dhe karotat e tij, në funksion të agjendës së tij personale dhe partiake të pushtetit, apo qoftë edhe të bindjeve të tij kontroverse. Dhe ai e ka aftësinë të të bëjë për vete kur i rri pranë dhe komunikon me të nga afër.
 
 
I Dërguari i Allahut na ka thënë se elokuenca e fjalës mund të ketë magji, e Rama, me sa duket, e ka këtë aftësi që t’i magjepsë një pjesë të njerëzve me fjalët e tij. Nuk është kusht që ai t’i bëjë të gjithë për vete; mjafton t’i vendosë në dilemë të fortë disa prej tyre, dhe kjo do ta turbullojë gjithë bashkësinë.
Një njeri, i cili deklaronte dikur se plani urbanistik francez nuk ndryshon edhe sikur Krishti e Muhamedi të ngjallen, dhe nuk lejonte ndërtimin e xhamisë së madhe, apo donte të na bënte një xhami që vetëm xhami nuk dukej; ai që shkelte pa të keq mbi hasrat e xhamisë së Ethem Beut, të shtruara në rrugë, befas fillon e shtron iftare dhe mban hutbe që ua kalon edhe hoxhallarëve; bëhet mik me një nga figurat politike më ikonike të botës islame, siç është presidenti Erdogan, duke e quajtur atë vëlla, e po kështu sillet edhe me disa udhëheqës të Gadishullit Arabik; punëson në kryeministri gra me shami etj., dhe pastaj, si pa të keq, hidhet në krahët e Netanjahut dhe Hercogut, u shet sionistëve sigurinë kibernetike të Shqipërisë, për të vazhduar akrobacitë e tij me Vuçiçin dhe shfaqjen gati heroike si mbrojtës i kauzës kombëtare dhe Kosovës në Beograd, e pastaj bëhet promotor i Ballkanit të Hapur, e të tjera cirqe qëndrimesh të habitshme kontradiktore, si nisma për shtetin Bektashi apo të ashtuquajturin Parku i Besimit, që të bëjnë herë ta urresh e herë ta simpatizosh, nuk tregojnë thjesht për një diplomat të aftë që di t’i bëjë njerëzit për vete, siç e shohin disa, por edhe për një mjeshtër të hipokrizisë dhe tuneleve të errëta e të dritës, ku kalon ndërgjegjja e tij e trazuar dhe e pastabilizuar. Ky është karakteri i tij, që ai shfaq ndër vite, dhe nuk besoj se është rrugëtimi i tij drejt dritës, siç hamendësojnë disa.
 
 
Sigurisht që ne ia duam udhëzimin çdo njeriu dhe nuk përjashtojmë askënd, por nuk mund ta hamë më sapunin për djathë, për faktin se njerëz të tillë na japin disa koncesione, që në fakt janë pasojë e rritjes dhe faktorizimit tonë, dhe ne, ndërkohë, t’i japim në këmbim atij dinjitetin tonë dhe premisën për përçarjen e bashkësisë dhe defaktorizimin e saj!
 
 
Një njeri, që nën qeverisjen e tij janë vjedhur dhe abuzuar qindra miliona, sa nuk janë vjedhur ndoshta kurrë më parë në ndonjë qeverisje tjetër, nuk mund të jetë ai, me të cilin ne ndajmë bukën e iftarit, as projekte komunitare, edhe pse, për sa kohë është kryeministër i vendit, na duhet të kemi marrëdhënie institucionale me të, dhe jo më shumë se kaq.
XS
SM
MD
LG