Për ty miku/mikja ime ateiste 2
Nga Alban Gorishti
....Dyshime në krijim.....
Kurani e përmend njeriun duke hequr dy paralele midis atributeve të tij, e para e tyre është se ai tregon për të shumë dobësi si psh : “u krijua nga një pikë ujë”, “iu bë haptazi armik” Zotit , ai është “është shumë i nxituar” , i cili “pandeh se do të lihet në kokë të vet” , i cili “është shumë i padrejtë, mizor dhe injorant” , i cili “përkëdhelet dhe tregohet mosmirënjohës ndaj të mirave” sepse “është krijuar me dobësi” etj. Shumica e njerëzve e kalojnë tërë jetën në këtë botë që është univers prove, nën sundimin e “nefsit” që është emërtimi i përbashkët i këtyre dobësive dhe i të tjerave si këto.
Ndërsa paralelja e dytë ka të bëjë me njëfarë lavdërimi të tij në fillim të disa ajeteve Kuranore teksa në fund të versetit shoqërohet gjithmonë me vënie në dukje të mangësive të tij, për shembull : “Me të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të bukur dhe pastaj e shndërruam në “esfel-e safilin” (në më të dobëtin e të dobëtve).” (Tin: 4-5), ppo ashtu: “Njeriu lutet edhe për të mirë edhe për të keqe dhe njeriu është shumë i nxituar.” (Isra: 11)...
Dikur mbaj mend se po lexoja një libër të dijetarit me famë botërore, ibn Kajm el Xheuzijeh, rreth krijimit të njeriut dhe universit ndërsa ai shpesh përmendte në të për mohuesin e krijimit (ateistin) shprehje si “kritik delirant” etj...Kjo më bëri të përsiatja rreth emërtimeve që ai përdorte ndaj kësaj kategorie njerëzish, ai i përngjasonte këta ateist me atë person injorant i cili kritikonte punën e profesionistëve të shkencës duke mos kuptuar dot asnjë gram prej dijeve të atij “profesioni “ , pastaj vazhdonte të nxirrte në pah sesi është puna me krijimin e Zotit, dizanjn që i kapërcen kufijtë e të kuptuarit të çdo njeriu shpesh edhe të njeriut të shkencës . A mundet ky njeri me këto kapacitete të dobëta të “kritikojë” krijimin e tokës dhe universit . Kjo pasi ai që dyshon për Zotin është si ai që bën kritikë ndaj këtyre mjeshtërive ndërsa vet nuk mundet as ti perceptojë dot ato e vështirë pastaj ti shpjegojë ato . Kjo në thelb i përngjason vëzhguesit “kritik” (dmth injorant) i cili gjatë kohës së ndërtimit të një pallati guxon ti japi këshilla teknike inxhinierit projektues dhe zbatues të atij projekti edhe pse vet nuk ka as njohuritë më thelbësore të cilat do ta ndihmonin të perceptonte sesi lidhen shtyllat e atij ndërtimi me njëra tjetrën.
Në mrekullitë e perfeksionit të krijimit përmenden shumë fakte të cilat tregojnë për përsosmërinë dhe balancat e krijimit . Kështu tregohet se toka rrotullohet rreth boshtit të vet me shpejtësi një mijë milje në orë. Po qe se nuk do të ndodhte kështu, por do të rrotullohej me shpejtësi njëqind milje në orë, dita dhe nata do të ishin më të gjata se ç’janë tani, për pasojë, dita e gjatë do ta digjte dhe shkatërronte bimësinë, ndërsa ajo bimësi që do të mbetej e pa shkatërruar nga dita, do të ngrinte natën dhe do të shkatërrohej .
Po ashtu pozicioni i tokës me pjerrësi të boshtit 23 gradë ndaj planit horizontal, bën që të formohen stinët. Po qe se tokës nuk do t’i ishte dhënë një pjerrësi e tillë, avujt që ngrihen nga oqeani do të lëviznin drejt veriut dhe jugut duke i kthyer kontinentet në copa akulli. Nga të gjitha këto dhe nga një sërë shembujsh të tjerë, kuptojmë se jeta mbi tokë nuk është e rastit. Nuk ekziston as mundësia një në një milion që jeta në tokë të jetë shfaqur rastësisht.
Ky “skulptor” që i thonë Krijues i gjithë këtij ndërtimi të përsosur , u jep trup të gjitha gjërave që jetojnë; është një “piktor” që i jep formë çdo gjetheje të çdo bime dhe që i jep ngjyrë çdo luleje. Jeta që Ai krijoi është një “muzikant” që e ka mësuar çdo zog se si të cicërojë këngën e tij, që i ka mësuar insektet se si të merren vesh ndërmjet tyre përmes mijëra tingujsh. Jeta që ai krijoi është një “alkimi” me specializim të lartë. Ai u jep frutave dhe erëzave shije, trëndafilave, aromë. Nga uji dhe acidi karbonik bën sheqer dhe dru dhe, duke i bërë këto, e lë të lirë oksigjenin në mënyrë që krijesat të mund të marrin frymë.
Edhe fakti që njeriu mundet ta rrokë dhe konceptojë idenë e Zotit, është një argument më vete. Ideja mbi Zotin është produkt i një dhuntie hyjnore që ekziston tek njeriu dhe që është e posaçme vetëm për njeriun mbi tokë, aftësi e quajtur “imagjinatë” (mendim,meditim). Eshtë në sajë të fuqisë së kësaj aftësie që vetëm njeriu mundet të gjejë prova dhe argumente mbi ekzistencën e gjërave që s’shihen. A nuk mjafton ky mjet (mendja) si argument për ekzistencën e Tij?
Fakti që njeriu shumë shpesh (përfshi edhe shumë shkencëtarë) edhe pse shfaq një intelekt të madh përsëri zhytet tërësisht në ujrat e trubullta të “mohimit apo dyshimit në krijim”, prandaj ky fakt më ka bërë të mendoj gjatë, ashtu prej shpjegimeve për këtë “zgjedhje” dëshpëruese të njeriut është ajeti ku Zoti thotë : “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, ua mbuluan zemrat e tyre.” Mutafifine. Po ashtu Ai thotë për këtë “amalgam muskujsh” (njeriu) në një verset sqarues të shumë fenomeneve që ndodhin tek njeriu : “A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë, dhe veshë me të cilat do të dëgjojnë? Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor.” Haxh 46. Kështu pra Zoti na lajmëron që aktiviteti i përpunimit të këtij materiali informativ të cilin e rezervojmë në tru dhe përzgjedhja përfundimtare se në cilën rrugë do të kalojmë realisht është punë e zemrës dhe jo e trurit .
Kështu pra mik/mike, ti që dyshon në tërë këtë, qetësoje zemrën tënde, vështro në univers por edhe në veten tënde argumentet e pafundme, nëse e do të mirën (si koncept hyjnor absolut) atëhere duhet të kujdesesh për atë zemër e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me intelektin tënd, e cila është përcaktuese (përkundër asaj që thonë sot shkencëtarët perëndimorë) për lumturinë apo dëshpërimin tënd . Qetësoje zemrën tënde që të qetësohet jeta jote, dije se njeriu e ka një krijues prandaj besoja zemrën Atij, i Cili e ka krijuar njeriun dhe e njeh edhe më mirë sesa edhe vetvetja, prandaj thuaji Atij duke i kërkuar mbrojtje: “O Zot i im, unë mbrohem me Ty prej cytjeve të djajve!Dhe mbështetem të Ti që ata të mos më afrohen!” Muminune
Disa argumente llogjike mbi ekzistencën e Zotit:
1) Argumenti i ekzistencës. Për të konkluduar mbi ekzistencën e një gjëje duhet nisur nga ekzistenca e idesë mbi të. Gjatë gjithë historisë njerëzore, gjithmonë ka qënë i pranishëm një përfytyrim mbi Zotin. Këtë e pranojnë edhe ateistët. Në mungesë të një qënieje eternalisht vetëkzistente, do të duhej që gjithësia të shfaqej nga “hiçi” me anë të një rastësie të verbër, gjë që bie në kundërshtim me logjikën për shkak të përsosmërisë në gjithësi.
Ismail Feni (1855-1946) jep, lidhur me këtë specifikë, këtë shembull interesant:“Le ta supozojmë se keni një kopsht ku keni mbjellë shumë fidanë në mënyrë të rregullt. Një ditë, ju shkoni atje dhe shihni se, aty-këtu, shumë fidanë janë përmbysur. Kur e pyesni kopshtarin se pse janë përmbysur fidanët, ai ju thotë se i ka përmbysur një erë e fortë. Dhe ju e pranoni këtë përgjigje. Mirëpo, kur shkoni një ditë tjetër, vini re përsëri fidanë të përmbysur apo të shkulur vetëm se jo aty-këtu dhe në mënyrë të çrregullt, por në mënyrë sistematike, për shembull, një në çdo pesë fidanë. Dhe kur e pyesni kopshtarin për shkakun, ju jep po atë përgjigje. Po ju, a do t’i besoni kësaj radhe? Nuk do t’i besoni dhe, pa dyshim, do t’ia atribuoni qëllimit të keq të dikujt. Sepse edhe në qoftë se ngjarja e parë do të mund t’i lihej rastësisë, ngjarja e dytë nuk mund t’i lihet në asnjë mënyrë, sepse kësaj radhe në ngjarje ka hyrë llogaria!” .
2) Argumenti i universalitetit. Në ndryshim nga argumenti i ekzistencës i cili mbështetet në domosdoshmëri dhe argumente logjike, argumenti i universalitetit mbështetet në eksperimente dhe prova të ndërmarra me synimin për hulumtimin e entitetit të dukurive dhe konceptimin e shkaqeve, me fjalë të tjera, mbështetet në hulumtimin e ekzistencës së gjithësisë sipas parimit të kauzalitetit (shkakësisë). Sipas kësaj, lëvizja që ekziston në gjithësi është, patjetër, vepër e një lëvizësi (shtytësi). Eshtë domosdoshmërisht logjike ekzistenca e një lëvizësi (shtytësi) të parë që lëvizja të fillojë nga një pikë e caktuar kohore. Ky shtytës është Zoti. Është Aristoteli ai që e ka parashtruar për herë të parë këtë ide.
3) Argumenti i qëllimshmërisë. Çdokush që i kupton drejt e saktë rregullin dhe rregullsinë që sundojnë në gjithësi, si dhe funksionin e saj, nuk e ka të vështirë ta kuptojë se e gjitha kjo ka dhe ndjek një qëllim të caktuar. Njeriu nuk dyshon se e gjitha kjo është planifikuar nga një qenie e rregullt, sunduese, e fuqishme dhe e vetëdijshme, sepse është e pamundur dhe absurde që një fuqi e verbër të krijojë një botë të tillë të përsosur.
4) Argumenti moralo-etik. Eshtë filozofi gjerman Kant (1724-1804) që e ka parashtruar këtë argument. Megjithëse Kanti i pati kundërshtuar dhe hedhur poshtë tërësisht argumentet që përmendëm para kësaj, nuk ka qenë ateist. Dyshues mbi fuqinë e arsyes së kulluar (pure reason), Kanti e ka përdorur moral-etikën si argument të njohjes intuitive të Zotit. Sipas tij, ligjet morale janë një grumbull lejimesh dhe ndalimesh shtrënguese që na duken të huaja, ndërkaq që njeriu priret nga gjëjrat që japin shije, kënaqësi dhe gëzim. Kurse ligjet morale (moralo-etike) e shtrëngojnë vullnetintë pranojë të mbajë një qëndrim të rëndë dhe lodhës. Ky shtrëngim duhet të burojë nga një fuqi e cila zotëron një autoritet që e shtrëngon vullnetin e njeriut t’u përshtatet ligjeve morale. Kjo forcë që zotëron një autoritet shtrëngues është vetë Zoti.