Lidhje


Për ty miku/mikja ime ateiste 12

Nga Alban Gorishti

 

Largëpamësia e fetarizmit dhe “progresizmi” i verbër tek të mëvonshmit....

 

Imam el-Euzai tha: “Ai që gjurmon qëndrimet e pazakonshme (pra qëndrimet e rralla, lehtësimet , rëshqitjet e tyre ) të dijetarëve, del jashtë fetares (Islamit)....”. Ajo çka modernistët dhe progresistët bëjnë është saktësisht e njëjtë. Ata lexojnë gabimet e Zemeksherit, dijetarit të njohur Mu’tezilij  dhe më pas i pasojnë ato (gabimet e tij). Po ashtu, ata miratojnë gabimet e dijetarëve tjerë, derisa të formulojnë herezinë me të cilën aktualisht janë të kënaqur. Nëse s’e bëjnë këtë, atëherë ata mundohen të manipulojnë qëndrimet e respektuara të dijetarëve në mënyrën që u mundëson atyre të formulojnë një ide perverse”.

 

Sulejman et-Tejmi tha: “Sikur të pranoje lehtësimet e çdo dijetari, në ty do të mblidhej e gjithë e keqja”. Ndërsa  Zoti i patëmeta thotë në Kuran: “Sikur e Vërteta të përputhej me dëshirat e tyre, do të prisheshin qiejt, toka dhe çfarëdo që ka në to. Ne ua dërguam përkujtimin e tyre, por ata ia kthejnë shpinën përkujtimit të tyre”. (el-Mu’minun, 71) . Ibn Kethiri sjell një koment të shkurtër të këtij ajeti Kuranor, ai thotë : “Muxhahidi, Ebu Salih dhe es-Sudij thanë:’el-Hak/e Vërteta është Zoti i madhëruar’. Ajo çka mendohet me këtë ajet është se, sikur Zoti t’u përgjigjej dëshirave në zemrat e tyre dhe të përcaktonte sipas kësaj, qiejt, toka dhe kushdo brenda tyre do të prisheshin, dmth për shkak të dëshirave të tyre të prishura dhe të çartisura”. Mësojmë pra që e vërteta rrallëherë është në harmoni me dëshirat apo ambiciet e njerëzve madje ajo në pjesën më të madhe është në kundërshtim me to.

 

Profeti,  alejhi selam, thotë : “Isai (alejhis-selam) është ngritur para popullit të tij dhe ka thënë: O bijtë e Israilit! Mos flisni me urtësi përpara injorantëve, sepse kështu i bëni padrejtësi asaj (urtësisë) dhe mos ia ndaloni atë të zotëve të saj, sepse kështu u bëni padrejtësi atyre! Mos bëni padrejtësi dhe mos e ndihmoni  zullumqarin, sepse kështu prishet simpatia e Zotit ndaj jush!( Akidja e selefëve dhe dijetarëve të sunetit , Ismail Es-sabuni )

 

Tek adoleshenti  vëren konflikte të mëdha emocionale si rezultat i vuajtjeve që i shkakton konflikti midis moralit tradicional të shoqërisë dhe standartëve të tij vetjake. Individualiteti në rritje ka nxitur nevojën qe të theksohet se jo çdo tekë njerëzore është edhe e drejtë njerëzore. Kjo gjëndje e trazuar midis të sotmes dhe të vjetrës është shfrytëzuar nga rrënuesit e shpirtërores dhe nihilistët e së natyrshmes .                                                                                                       

Miku/mikja ime  kjo më kujton sesa shumë janë angazhuar ata që ta “merakosin” shpirtin e të riut me gjëra të pa dobishme dhe të paqëna ashtu që ta zbrazin interesin e tij ndaj çdo gjëje që e bën të kujtojë sadopak se diku thellë në skutat e brendësisë së tij ekziston edhe lidhja e përjetëshme e njeriut me Zotin e vet ,shpirtin e tij. Kjo më rikujton historinë me druvarin të cilën po e sjell mëposhtë: “Druvari ishte mbytur në djersë dhe mezi mbushej me frymë teksa godiste me sëpatën e tij .Në cdo goditje fluturonin ashklat në ajër . Një ditë dikush iu afrua dhe e pyeti :Sa fiton në ditë nga kjo punë ? Druvari u përgjigj :Dhjetë dollar’. Burri i propozoi: do të të jap 100 dollarë në ditë me kusht që këto dru mos ti godasësh nga e mprehta e spatës por nga ana tjetër e saj .Thjesht dua ti shtytpësh . I habitur druvari e pyet : “Po kështu druri nuk pritet kurrë”. Burri iu përgjigj :Nuk më intereson fare nëse pritet apo jo , dua vetëm që ta godasësh me pjesën e shtypur të spatës “ Druvari : Dakort si të doni ju “ . Dhe menjëherë ia nisi punës . Por shumë shpejt ndjeu se po bënte diçka pa vlerë, dicka koti. Pasi u orvat edhe pak , i hodhi njëqind dollarët në fytyrën e burrit që i kishte propozuar dhe i tha : Merri se nuk më hyjnë në punë “ pastaj iu këthye punës sëtij  të  përditëshmë”. Edhe nëse “druvari”  ynë nuk i pranoi lekët të cilat ia largonin kënaqësinë shpirtërore  , ideologjitë me –izm kanë qenë kaq këmbëngulëse saqë  tek e fundit e detyruan edhe “druvarin” tonë (shpritin , natyrshmërinë e pastër) ta pranojë atë punë të pakuptimtë.....

 

Miku/mikja ime gjatë historisë së progresit historik revizionistët e sistemeve ideologjike janë përpjekur ta paraqesin sistemin fetar si atë më primitiv prej sistemeve të tjera . Për shembull sipas Vicosë , historia ndahet në tre periudha

 

1- Periudha hyjnore , periudhë që njerëzit sillen dhe rregullojnë jetën e vet sipas zërave që vijnë nga bota transcendente .

2-Periudha e heronjëve , periudha e fisnikërisë autoritative

3-Periudha humane ,periudhë e republikës dhe monarkisë . Ndërsa sipas tij çdo popull i këthehet periudhës së vet  fillestare, egërsisë “ (Ali Bullac -Historia , shoqëria ,tradita) . Pra sistemet dhe mendimtarët e ndryshëm revizionist janë përpjekur ta shohin fenë si gjendjen primordiale të egër të zhvillimit intelektual njerëzor . As gramatika dhe as tërësia e fjalëve të saj nuk është fryt i një pune të përbashkët.  

 

Në disa gjuhë fjalia fillon me folje (kallëzues), ndërsa në disa të tjera fillon me kryefjalë. Këto nuk janë të zgjedhura me vetëdije (nga ana e njeriut), por janë dhunti e Zotit. Përveç kësaj dhuntie hyjnore janë edhe dhunti të tjera tepër të veçanta si ndryshimi i ngjyrave të njeriut dhe krijimi i tij në kombe të ndryshme. Tjetër dhunti që Zoti ka vendosur në shpirtrat e rrobëve të vet është dhe vertikalizimi i mardhënieve prind , fëmijë , Zot . Edhe nëse në çdo lloj religjoni ekziston ky lloj raporti por Islami e ushqen dhe e perfeksionon këtë  lidhje aq sa e ngjall kujtimin e saj edhe kur materia e humb gjallërinë e vet dhe ja le vendin botës metafizike.  Por pak ateistë besojnë vetëm në materializëm. Shumë janë gjithashtu humanistë laikë, për të cilët besimi te Zoti është zëvendësuar me besimin tek njerëzimi. Njerëzit i afrohen njohjes hyjnore përmes shkencës. Ata besojnë se Zoti nuk ndikon në rrjedhën e historisë njerëzore. Ndaj në vend të kësaj, njerëzit kanë marrë përsipër vetë përgjegjësinë, duke sjellë përparim përmes arsyes, shkencës, teknologjisë, arsimit dhe reformës shoqërore.

 

Shpesh rrymat revizioniste dhe ato racionaliste na “qortojnë” për mënyrën sesi e menaxhojmë këtë botë bashkë me ndodhitë e saj . Por si mundet të ecësh në rrugën e lumturisë kur ajo ka lidhje me shpirtin tënd dhe jo me racion dhe si provë e saj janë shoqëritë e pakënaqura në epokat e mirqënies materiale .

 

Pikëpamjet që futen në grupin e agnosticizmit, janë “skepticizmi”, “relativizmi” dhe “pozitivizmi”. Në kundërshtim me dogmatikët, agnosticistët mbrojnë pikëpamjen sipas së cilës “e vërteta absolute” nuk mund të arrihet. Megjithë unitetin e mendimit që kanë këta mbi këtë specifikë, mes tyre ka shumë dallime. Për shembull, skepticistët e pranojnë këtë botë si një ëndërr. Të vërtetën e çdo informacioni apo dijeje e shohin me dyshim . Relativistët  pretendojnë se qeniet mund të njihen jo me entitetin e tyre të vërtetë, por me format dhe trajtat me të cilat reflektohen në mendjen e njeriut të gjitha këto të kufizuara nga kushtet e kohës dhe hapësirës. Ndërsa Probabilistët dhe pragmatistët kanë bindjen se e vërteta mund të njihet relativisht. Kurse sipas dijetarëve islamë, në këtë gjithësi ka të vërteta që mund të njihen, por ka edhe të vërteta që s’mund të njihen.

 

Dallëndyshet nga Evropa e Mesme në vjeshtë fluturojnë kah vendet e largëta të Afrikës. Në pranverë kthehen dhe ndalen mbi pullazin e njëjtë, ku lanë folenë. Si e dinë se duhet të nisen, së pari, dhe kohën kur duhet të nisën rrugës së largët? Dhe kur kthehen, si  dinë ta gjejnë folenë e vet nën kulmin e njërës nga mijëra shtëpitë e qytetit milionësh? – Në këtë “revizionisti” ynë mendjemadh përgjigjet me lehtësi: fare thjesht, udhëhiqen nga instinkti . Injorimi i fshehtësisë është njëri nga aspektet e rëndësishme të ateizmit praktik. Jeta e njeriut “masë,lëndë” karakterizohet me mungesën e meditimit . Ky tip njeriu nuk sheh gjëkundi enigmë, fshehtësi. Ai nuk habitet, nuk mrekullohet, nuk ndien frikë para të panjohurës. Një mendimtar ka thënë: “Nëse shkenca me fenë ndahen, feja (pa dije) i shpie njerëzit në prapambetje, ndërsa shkenca (pa fenë) i shpie në ateizëm.”

 

Këtu, patjetër le të përkujtojmë një fakt të amshueshëm të cilin e konfirmoi historia e religjioneve dhe e pranoi psikika  e popujve ,e ai është se : lëvizja reformuese ,revolucionare rrënjësore në religjione pësoi  falsifikim ose devijim rrënjësor sado që patën sinqeritet dhe dhanë mund përgjegjësit , thirrësit për tek këto lëvizje .

 

Ne mënyrën sesi ka menduar Darvini por edhe shume të tillë që “mërziten me jetën”, më kujton sesa mekanikisht dhe verbërisht sheh evolucioni. Kjo realisht ka të bëjë edhe me ata “kritikë të përsosmerisë”  të cilët thjesht ndjekin një mendim që u kalon në kokë duke mos pasur as baza e as teori të mirëfilltë per të. Duke menduar në këtë fakt  mu kujtua ajeti  i 11 i sures Haxh ku Zoti thote : “Ka nga njerëzit që adhuron Zotin me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai i ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.”

 

Njeriu ekziston për aq, për sa i kundërvihet rrjedhës së përgjithshme të botës, mekanizmit gjithpërfshirës të hiçit e të paqenies.Mirëpo njeriu është edhe i krijuar. Në një çast, në mënyrë të pashpjegueshme është bërë i vetëdijshëm se jo vetëm që nuk është shtazë, por kuptimin e jetës e ka gjetur duke mohuar shtazoren në vete. Marrëdhënia jonë private me natyrën presupozon që natyra të jetë e gjallë. Për një shkencëtar mekanik, ose teknokrat, ose ekonomist, ose progresist, natyra është asnjanëse dhe e pajetë. Ka nevojë për zhvillim si pjesë e përparimit njerëzor. Por shpesh të njëjtët njerëz kanë qëndrime të ndryshme në mënyrë private. Në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, shumë njerëz bëhen të pasur duke shfrytëzuar natyrën në mënyrë që të mund të blejnë një vend në fshat për t'u "larguar nga gjithҫka". Kjo ndarje midis racionalizmit publik dhe romantizmit privat ka qenë pjesë e mënyrës perëndimore të jetës për breza, por  tashmë po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme. (Rupert Sheldrake , Deluzioni në shkencë)

 

Mikja/miku  im i mërzitur, një filozof pati thënë : “Njeriu që është vërtetësisht i vetëdijshëm për lirinë e vet në të njëjtën kohë bëhet i sigurt për ekzistimin e Zotit. Liria dhe Zoti janë të pandarë. Dhe më tej: “Nëse siguria e lirisë përmban në vete sigurinë e qenies së Zotit, atëherë ka një lidhje ndërmjet mohimit të lirisë e mohimit të Zotit” (Karl Jaspers, Hyrje në filozofi). Vetëm Zoti ka mundur të krijojë qënie të lirë dhe vetëm me aktin e krijimit ajo liri është bërë e realizueshme . Në këtë sens them se : Nuk e di ç’domethënie do të kishte portreti pa zot (piktor). Por këtë “progresistët, revizionistët tanë” nuk e kuptojnë.

 

Mbase, herët a vonë, deri në fund të këtij shekulli ose gjatë miliona vitesh të progresit të civilizimit, njeriu do të prodhojë imitimin e vet, ndonjë robot a monstrum, shumë të ngjashëm me konstruktorin. Ajo makinë antropomorfe do të jetë tejet, tejet e ngjashme me njeriun, por që tani një gjë është e sigurt: ajo s’do të jetë e lirë, ajo do të bëjë vetëm ato që njeriu ka vendosur në të nga fillimi. Këtu qëndron madhështia e krijimit Hyjnor dhe e papërsëritshmja e këtij akti, pakrahasueshmëria me çfarëdo që ngjau para e pas kësaj në kozmos. Në një neon të amshimit filloi të ekzistojë krijesa e lirë. Sikur të mos ishte kjo “prekje hyjnore”, padyshim se njeriu në përditshmërinë e tij nuk do të ishte i lirë. Atëhere si mundet ta kërkosh lirinë, të cilën e mendon si i vetmi burim i lumturisë tënde tek rrymat revizioniste që kanë mohuar çdo lloj lidhjeje qoftë me të vjetrën apo me të renë , qoftë të afërt apo të largët , qoftë fizike apo shpirtërore qoftë fetare dhe afetare, vetëm që të prevalojë shpirti i “lirë” i pandikuar nga “prangat” e së kaluarës në një botë ku përfundimi i saj siç ata e quajnë do jetë pa fe dhe pa besim por do të udhëhiqet pikërisht nga ky shpirt i “lirë”. Kjo ka të bëjë me teorinë e Francis Fukuyama, Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit Teoria e Fundit të historisë është teori evolutive dhe përpjekje për të rigjetur telosin e historisë, me qëllim për të rikthyer leximin teleologjik të saj. Duke lajmëruar Fundin e Historisë, Fukuyama argumenton se ajo të cilës i kishte ardhur fundi nuk ishte zhvillimi i ngjarjeve, po historisë ‘e kuptuar si një proces më vete, koherent dhe evolutiv, kur merret parasysh përvoja e të gjithë popujve në të gjitha kohërat.’ (Fukuyama 2006:8) Sipas Fukuyamas, historia është drejtimore, me fjalë të tjera çon kah një drejtim, dhe pikësynimi i saj është demokracia liberale. Sipas filozofisë politike të tij, janë dy motorë apo forca që i shtyjnë të gjitha shoqëritë në historinë universale dhe të vetme drejtë këtij synimi evolutiv. Forca e parë është shkenca natyrore moderne dhe teknologjia, e cila krijon kultura homogjene. Optimizmi i tij përkitazi me evoluimin e lirisë njerëzore i shprehur në idenë e Fundit të Historisë përmbyllet me një përfundim pesimist mbi Njeriun e Fundit, i cili shfaqet në fundin Historisë: ‘njerëz që krejtësisht përbëhen nga dëshira, por që krejtësisht u mungon vetëpohimi krenar që disi ishte në zemër të humanizmit në epokat e kaluara.’ (Fukuyama 2006:207)

 

Miku/mikja  ime Zoti i ka bërë fëmijët drita të syve të birit të Ademit ,për shkak të humbjes së tyre Jakubit iu ersuan sytë nga pikëllimi(shiko Kuranin sure Jusuf) ,ndërsa sot me progresizmin , revizionizmin Darviniano –ateist, duan që fëmija të zhvlerësohet ngadalë nën sytë e prindit të vet ashtu siç i hiqen petalet asaj lules dhe ngelet e zbrazur nga hijeshija dhe aftësia gjallëruese derisa edhe kjo krijesë pastaj ta zhvlersojë prindin e vet duke e interpretuar arogancën e vet ndaj tij pikërisht me atë “liri” që rrymat ateiste po luftojnë ta bindin si e vetmja filozofi bashkohore . Ndërsa fetarizmi (Islam) , thërret me zë të lartë : “Gjersa ka Allah, s’ka dëshpërim!..”

 

Islami  miku/mikja ime e shënjtëron lotin e prindit për fëmijën e vet ashtu që ky lot të bëhet shpëtim jo vetëm për fëmijët e tij por edhe për breznitë në vazhdim duke e lagur zemrën e fëmijës së tij duke e zbutur atë, ashtu që edhe ai nëpërmjet kësaj lidhjeje të mbrohet prej filozofive të cilat jo pak e gërryen shpirtin njerzor në shekuj. Muslimi në Sahihun e tij thotë: “Ebu Hasan ka thënë: ” i thashë Ebu Hurajras r.a : Më kanë vdekur dy fëmijët e mi, çfarë mund të na tregosh ndonjë hadith nga i Dërguari i Zotit, i cili do ta rregullojë gjendjen tonë pas vdekjes së tyre?”- Ai tha: “Po! Fëmijët e tyre janë të rinjtë e Xhenetit. Ndonjëri prej tyre e takon babait e tij “ose tha, prindërit e tij” dhe e kap atë prej rrobes “ose tha, prej dore” ashtu sikurse po të kap edhe unë ty prej rrobe, dhe nuk e lëshon derisa Zoti ta fus atë dhe ata në Xhenet.” E transmeton edhe Imam Ahmedi.

 

Miku/Mikja ime e mërzitur jo më kot të vendosa në një rang me emrin e “dritës së syve të birit të Ademit “ në këto reshta të shkurtër, por duhet të kuptosh se : “Ata të gjithë mëkatojne ndaj mëkatoj edhe unë ” pushon së qëni shfajsim. Islami theksoi se njeriu është i përbërë nga dy elementë : trupi dhe shpirti (ose racionaliteti) ndërsa krijesat e tjera si engjëjt apo xhinët vetëm prej nje elementi, prandaj nuk mundet të lësh pas dore njërin element para tjetrit por duhet patjetër të mbash ekulibrin midis shpirtit dhe trupit . Prandaj duhet të kuptohet se kërkimi i së vërtetës nuk do të thotë gjithmonë kërkim i të dëshirueshmes. Por kujdes sepse në thelb ajo që është e lehtë dhe tërheqëse nuk do të thotë se është e vërtetë por ndoshta përmban thjesht elemente të saj, e mira nuk i jep frytet e veta aty për aty ashtu siç i jep e keqja “hidhësitë” e veta . Prandaj kanë thënë se: Shirat e prillit çelin lulet e majit. Ndaj nëse goditja të vjen nga pas dije se je në krye. Mos harro se ai i cili sot të këshillon është më i mirë se ai që të thotë se je perfekt/e , ai që të ndihmon të kontrollosh ndjenjat e tua është më i mirë sesa ai që të tregon se ato duhet ti lësh të lira pa “fre”. Më beso mikja ime se kur Zoti të dha ty fetarizmin ndërsa filozofitë me –izm dikujt tjetër do të thotë se ai ka dashur pikërisht që ti të jesh pjesë e vizionit të Tij të përjetëshëm, më beso ka dashur të të nderojë ty dhe fëmijët e tu, ty dhe dinjitetin tënd , ty dhe dritën e syve të tu ndaj kapu pas Atij që të këshillon dhe lere atë që të bën qejfin pasi do që ti të jesh pjesë e dekorit të “tij” zbukurues në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq dëshiron që nëpërmjet filozofive me –izëm në fund të ta largojë ndriçimin e shpirtit tënd dhe qetësinë e e dinjitetit tënd ......ndaj mos u mashtro....... Origjina e trupit është ҫështje shkencore tek disa, origjinë e të cilit  shkenca  nuk i ka dhënë akoma përgjigje përfundimtare , ndaj mos ja shit shpirtin dikujt që nuk ta sqaron dot origjinën e trupit tënd.

 

“Ithtarët e Projektimit Inteligjent tregojnë vështirësinë, nëse jo pamundësinë, për të shpjeguar strukturat komplekse si syri kurrizor ose flagellumin bakterial në drejtim të një serie mutacionesh gjenetike të rastësishme dhe përzgjedhjes natyrore. Ata sugjerojnë që strukturat dhe organet komplekse tregojnë një integrim krijues të shumë përbërësve të ndryshëm sepse ato janë krijuar në mënyrë inteligjente. Ata e lënë të hapur pyetjen e projektuesit të gjithë kësaj (pra se cili është Ai), por përgjigjja e qartë është Zoti. (Sheldrake 1999 ,The science delusion).

XS
SM
MD
LG