Lidhje


Çmenduria e teorive gjinore

Nga dr. Justiian Topulli
 
 
Që kur janë përdorur për herë të parë fjalët seks e gjini, pavarësisht origjinës së ndryshme dhe nuancave kuptimore, ato kanë identifikuar të njëjtin realitet dhe koncept biologjik: mashkull-femër, pra, atë krijesë të Zotit që mbart gjenetikisht kromozomet XY, i aftë për të pllenuar femrën, dhe atë krijesë të Zotit që mbart gjenetikisht kromozomet XX, e aftë të bëjë fëmijë. Për mijëra vjet, termat "burrë" dhe "grua" kanë qenë përkufizime të bazuara në biologji. Një mashkull rritet e bëhet djalë dhe më pas burrë; një femër rritet e bëhet vajzë dhe më pas grua. Këto realitete nuk ishin dhe nuk janë "identitete" të zgjedhura e as të imponuara, por realitete të jetës.
 
 
Ndërkohë, 'teoritë gjinore' (gender theories) na paskan bërë një zbulim të madh, që e quajnë shkencor (!), duke na thënë se seksi identifikon identitetin biologjik, ndërsa gjinia, atë social-kulturor dhe psikologjik, që jo domosdoshmërisht është e lidhur me seksin biologjik!
 
 
Pra, duke qenë se identiteti gjinor, sipas tyre, është ajo që ti ndjehesh, atëherë ti mund të jesh në seksin mashkull, por të kesh identitet gjinor vajzë dhe grua, po kështu dhe mund të jesh në seksin femër, por të kesh identitet gjinor djalë dhe burrë, ose asnjërin, ose të dy njëkohësisht, ose herë njërin e herë tjetrin...!
Por si është e mundur diçka e tillë?!
 
 
Po ja thonë ata, ka njerëz që lindin me të dyja organet, pra hermafrodit (deledash), ose kanë kombinime gjenetike të tilla si XXY apo XYY, anomali këto, të cilat e bëjnë të vështirë përcaktimin seksual vetëm mashkull apo femër, e për rrjedhojë, edhe gjinia ngelet çështje zgjedhjeje personale ose imponim social. Nëse kjo vlen për të tilla raste, atëherë ajo vlen edhe për çdo rast tjetër, ku njerëzit mund të lindin meshkuj dhe ndihen si vajza ose gra, apo mund të lindin femra, por ndjehen djem ose burra! Në fund të fundit, identiteti gjinor, duke qenë një konstrukt social-kulturor dhe psikologjik, sipas tyre, atëherë domosdo që është çështje zgjedhjeje dhe ndjesish, ai mund të ndryshojë edhe pa pasur të tilla anomali të tilla biologjike!
 
 
Anomalitë biologjike dhe përjashtimet trajtohen si të tilla dhe nuk e thyejnë rregullin apo rendin natyror binar mashkull-femër dhe burrë-grua, dhe nuk mund të shërbejnë aspak si argument për të përmbysur një realitet kozmik, që ekziston që nga fillimi i njerëzimit, dhe madje është realiteti i mbarë qenieve të gjalla.
A mundet që një ndjenjë e brendshme subjektive, ta ndryshojë realitetin e çdo qelize në trupin e një personi?
 
 
Të qenit biologjikisht mashkull ose femër imponon një sërë komponentësh identitarë, dhe është siç thotë mjeku nobelist, Alexis Carrel: "Gruaja ndryshon shumë prej burrit; çdo qelizë e trupit të saj, çdo organ i saj dhe para së gjithash sistemi nervor, bartin gjurmët e gjinisë së saj. Ligjet fiziologjike janë të prera, sikurse edhe ligjet e botës siderale; ato nuk mund të zëvendësohen nga dëshirat e njeriut dhe ne jemi të detyruar t'i pranojmë siç janë."
 
 
Ndërkohë, përpjekja për të kthyer përjashtimin në rregull dhe anormalen në normalitet, gjininë në identitet subjektiv me zgjedhje, nuk bën gjë tjetër, vetëm se sjell një kaos social dhe de-natyralizim të qenies njerëzore dhe rendit social, duke i hapur rrugën perversitetit dhe legjitimimit të çmendurive seksuale që dëgjojmë në kohën e sotme.
 
 
Në thelb, e gjithë kjo katrahurë, që kërkon të përmbysë konceptet bazike njerëzore e sociale, është produkt i epsheve dhe veseve të ulëta njerëzore, që dëshiron të provojë çdo kënaqësi të mundshme trupore dhe në veçanti ato seksuale, dhe ta legjitimojë këtë, si një prirje sublime, sepse kështu ia lehtëson edhe më shumë vetes, psikologjikisht dhe materialisht, shfryrjen ekstremit të tekave humane. Kjo, në fakt, e transformon njeriun në një qenie thjesht instiktive, që praktikisht tejkalon edhe kafshët madje, pasi edhe ato rezultojnë të kenë limite, më shumë sesa këta "njerëz".
XS
SM
MD
LG