Pushtimi që s’erdhi nga osmanët, por po vjen nga perëndimi
Alban Gorishti
Narrativa e zakonshme se “osmanët na shtypën, na privuan dhe na shndërruan” bie ndesh me realitetin historik dhe me logjikën sociologjike të Ibn Haldunit, i cili thotë se popujt e pushtuar imitojnë gjithmonë pushtuesit kur ndihen inferiorë ndaj tyre. Por shqiptarët, ndryshe nga kjo teori, nuk imituan osmanët ata ruajtën gjuhën, zakonet, strukturat fisnore, madje edhe kodet juridike si Kanunin, veshjet, këngët, mikpritjen dhe konceptin e nderit. Autorët shqiptarë para Kongresit të Manastirit nuk shkruanin në një shqipe të standardizuar, sepse standardi u vendos vetëm në 1908. Por ata shkruanin lirshëm në dialektet e shqipes si gegërisht, toskërisht ose arbërisht dhe përdorën shumë alfabete.
Ky fakt provon se gjuha shqipe ishte e gjallë dhe funksionale shekuj para unifikimit të saj dhe se osmanët nuk e ndaluan, as e zhdukën atë, as i privuan shqiptarët të përdornin gjuhën e tyre madje më vonë i ndihmuan ata të përçonin gjuhën e tyre pikërisht në atë kongres.
Edhe zhvillime si roli i familjeve të mëdha shqiptare – nga pashallëqet e Shkodrës te administratat lokale të Janinës – tregojnë se shqiptarët nuk qenë të përjashtuar, por pjesë aktive e strukturës së Perandorisë. Elitat vendore merrnin përgjegjësi qeverisëse, ushtrake dhe ekonomike, gjë që tregon se dinamika e kohës nuk ishte e njëanshme, por e ndërthurur mes autoritetit osman dhe traditës lokale shqiptare si dhe tregojnë se shqiptarët nuk qenë një popull i shtypur, por një përbërës aktiv i Perandorisë, aq sa disa prej figurave më të rëndësishme të saj nga Mehmet Pashë Deralla te Qyprillinjtë dolën pikërisht nga trojet shqiptare. Një pushtues që synon ta shndërrojë një popull nuk e ngjit atë në majat e administratës.
Ndërkohë, në shekullin XXI, shqiptarët po u nënshtrohen një pushtimi të ri jo me ushtri, por me industri kulture, trende, rrjete sociale dhe modele sjelljeje të importuara. Sot brezat imitojnë Perëndimin në mënyrë të papërmbajtur, duke adoptuar sjellje që shkojnë nga konsumizmi ekstrem te fenomenet si OnlyFans, të cilat riformësojnë etikën dhe marrëdhëniet shoqërore. Ndryshe nga osmanët, Perëndimi modernist nuk synon territorin, por mendjen e individit, ai nuk imponon administratë, por model jete. Kjo është arsyeja pse sot shohim një krizë të vërtetë identitare, familja është dobësuar, traditat relativizohen, morali publik është zbehur dhe brezat janë të zhvendosur nga ai bosht kulturor që i mbajti shqiptarët të pandryshuar për pesë shekuj.
Ironia historke flet vetë, nën Perandorinë Osmane shqiptarët mbetën shqiptarë, në kohën e modernizmit perëndimor po humbasin pikërisht atë që trashëguan prej shekujsh. Kjo tregon se problemi nuk ka qenë Perandoria Osmane problemi është sot, kur imitimi është bërë mënyrë jetese dhe kur pushtimi nuk vjen më nga jashtë me forcë, por nga brenda me dëshirë.