Lidhje


Kurani, libri i thesareve gjuhësore

Nga hoxhë Florian Leli

 

Ka qënë dhe do të mbetet libri më brilant i studiuar ndonjëherë nga njeriu. Origjinaliteti në frazat gjuhësore, kuptimet fisnike dhe stili i arrirë janë vetëm një anë e paarritshmërisë (ixhazit – إعجاز) së këtij libri.

 

Nuk ekziston në botë ndonjë libër, të cilin dijetarët dhe gjuhëtarët e kanë analizuar dhe studiuar aq shumë, sa Kurani. Dijetarët dhe gjuhëtarët arabë janë ndalur gjatë në analizimin e Kuranit, në të gjithë sferat e gjuhës, në analizën gramatikore; morfologji dhe sintaksë, në analizën retorike; semantikën, stilistikën, në analizën leksikore, në variantet gjuhësore, etj.

 

Në vijim po paraqes vetëm një shëmbull të thjeshtëzuar të analizës sintaksore të ajetit të dytë të sures Bekare: (-Ky është libri që nuk ka dyshim në te është udhëzues për ata që janë të devotshëm-ذلك الكتاب لا ريب فيه هدى للمتقين-). Ai mund të analizohet kështu:

 

Analiza e parë: (Ai - ذلك) është kryefjalë (مبتدأ), (el kitabu - الكتاب) është kallëzues emëror (خبر). Deri këtu përkthimi i bie të jetë: Ai është libri. Më tej, kjo analizë merr variante të ndryshme:

 

1) (la rajbe – لا ريب) mund të jetë një përcaktor mënyre (حال) i kallëzuesit (libri) dhe në këtë rast e merr kuptimin: Ai është libri padyshim ose me padyshim. Sipas këtij varianti togfjalëshi parafjalë me përemër (në të – فيه) mund të jetë:

 

a) ose kallëzues (خبر) në fjalinë (s’ka dyshim në të, pa dyshim në të) dhe kështu plotësohet fjalia e parë me kuptimin: Ai është libri pa dyshime në të.

 

b) ose kallëzues i kryefjalës (المبتدأ) (huda – udhëzim – هدى) me kuptimin: Në të ka udhëzim, pra është në lidhje kuptimore me fjalën pas saj dhe formojnë një fjali. Kjo fjali mund të jetë e varur nga kryefjala (Ai – ذلك) dhe është një fjali kallzuesore me kuptimin: Ai është libri padyshim, në të cilin ka udhëzim. Këtu përemri (fihi) përkthehet me përemër lidhor sepse ai është lidhëza (الرابط) që lidh fjalinë kallzuesore (جملة الخبر) me kryefjalën (المبتدأ).

 

Mund të jetë edhe fjali e pavarur, fjali e re dhe përkthimi në këtë rast merr këtë formë: Ai është libri padyshim. Në të ka udhëzim.

 

2) Fjala (huda – udhëzim – هدى) mund të jetë kryefjalë, siç u përmend pak më parë, por mund të jetë edhe:

 

a) kallëzues i dytë i kryefjalës (Ai – ذلك) me kuptimin, Ai është libri pa dyshime në të, është udhëzim për të ruajturit.

 

b) kallëzues i një kryefjale të nënkuptuar dhe përkthimi është i njëjtë me të mësipërmin, por fjalitë janë të ndara: Ai është libri pa dyshime në të. Është udhëzim për të ruajturit.

 

Analiza e dytë: (Ai – ذلك) është kryefjalë dhe (libër – الكتاب) është përcaktor (صفة أو بدل) dhe fjalia (لا ريب) është fjali e varur me lidhje kallzuesore, me kuptimin: Ai libër është pa dyshime. Më pas edhe kjo analizë merr disa nga format e analizës që përmendëm më sipër.

 

Ka edhe një analizë të tretë, e cila e lidh këtë verset me atë para tij (Elif, lam, mim). Sipas kësaj analize të dy ajetet janë një fjali e vetme.

 

Këto janë variantet më klasike që janë dhënë për këtë ajet. Ekzistojnë edhe variante më të pak të njohura.

 

Shkurtimisht: Ajeti mund të përkthehet në disa variante:

 

1) Ai është libri pa dyshime në të, është udhëzim për të ruajturit.
2) Ai është libri pa dyshime në të. Ai është udhëzim për të ruajturit.
3) Ai është libri padyshim, në të cilin ka udhëzim për të ruajturit.
4) Ai është libri padyshim! Në të ka udhëzim për të ruajturit.
5) Ai libër është pa dyshime në të. Është udhëzim për të ruajturit.
6) Ai libër është pa dyshime. Në të ka udhëzim për të ruajturit.

 

Disa nga këto variante janë të ngjashme dhe mund të përmblidhen në dy-tre variante kryesore.

 

Kjo paraqitje është një përmbledhje tepër e shkurtër, sa për krijimin e një ideje. Dijetarët e gramatikës arabe dhe të tefsirit zgjerohen shumë më tepër.

 

Në anën tjetër, larmi kemi edhe në analizën morfologjike të disa fjalëve. Sa për shëmbull, fjala (huda – هدى) mund të jetë një emër foljor (مصدر) me kuptimin (udhëzim), por mund të jetë edhe i interpretuar si një mbiemër që shpreh vepruesin (مصدر مؤول باسم الفاعل) dhe kuptimin në këtë e rast e ka (udhëzues). Kështu përkthimeve të mësipërme i shtohet edhe një variant tjetër.

 

Kundërshtimet mund të ndodhin edhe në aspektin semantik (علم المعاني). Nëse themi që fjala libër është kallëzues emëror përse atëherë vjen në trajtën e shquar? A shpreh një veçim (قصر), me kuptimin: Vetëm ai është libri pa dyshime. Apo trajta e shquar tregon këtu përsosmëri?

 

Shpeshherë këto dallime sintaksore, morfologjike, semantike (kuptimore) janë të përafërta dhe të përngjashme. Në shumë raste të tjera mund të jenë shumë të ndryshme. Si shëmbull sollëm vetëm një ajet të shkurtër dhe relativisht të thjeshtë. Në Kuran ka shumë ajete, dallimet gjuhësore të të cilave çojnë në konkluzione dhe përfundime shumë të ndryshme në fikh, në akide, në vetë rregullat e gjuhës, apo në fusha dhe botëkuptime të tjera.

 

Dobitë dhe përfundimet metodologjike dhe fetare që mund të nxirren nga shëmbulli i pasqyruar janë të shumta. Ajo që dëshiroj të theksoj këtu, është fakti se dijetarët në përgjithësi nuk flasin pa argumente. Dijetarët e shkencave islame patjetër bazohen në arsyetime të mbështetura diku. Një rol kyç ka edhe arsyetimi gjuhësor. Një pjesë e mirë e këtyre arsyetimeve janë të diskutueshme dhe sillen mes pranimit dhe kontestimit. Disa janë të padiskutueshme, të tjera shumë të forta dhe aparente me mundësinë e një varianti tjetër, disa më pak aparente dhe kuptimet e kundrejta kanë fortësinë dhe peshën e tyre.

 

Allahut i takon falenderimi dhe për të gjithë ju qoftë paqja e Allahut dhe bekimi.

XS
SM
MD
LG