Aspekti Material dhe Shpirtëror në Xhaminë e Et’hem Beut
Wednesday, 08 January 2025 17:20
Nga Olsi Aluku
Aspekti Material
Xhamia e Et’hem Beut është simbol i Tiranës dhe kartolinë e saj, është njëra nga xhamitë më të vjetra ekzistuese dhe monument kulture [1], minarja e saj është njëra nga të paktat të cilat i kanë rrezistuar diktaturës komuniste ateiste, kur në vitin 1967 ka shkatërruar më shumë se 97% të objekteve të kultit në Shqipëri [2], gjithashtu kjo xhami është shenjë e traditës dhe pika qëndrore e Tiranës moderne.
Këtë xhami filloi ta ndërtojë stërnipi i themeluesit të Tiranës –Sulejman Pashë Bargjinit (vd.1616)– i cili quhej Molla Beu (vd.1808) në vitin 1794, por ai vdiq sapo mbaroi së ndërtuari kupola e saj dhe kështu punimet i mori në dorë i biri i tij Haxhi Et’hem Beu (vd.1848), emrin e të cilit mban sot xhamia.
Et’hem Beu i përfundoi punimet duke ndërtuar hajatin, çatinë, minaren dhe pikturat.[3] Arkitektura e kësaj xhamie është e tipit me kupolë mbi mure me gurë lumi të suvatuar dhe me hajat të hapur me tavan të sheshtë druri dhe të mbuluar me çati me tjegulla vendi.[4]
E veçanta e kësaj xhamie është se ajo i përket kohës kur gjeniu artistik shqiptar sapo ka filluar të lulëzojë me krijimtarinë e tij origjinale në të gjitha sferat e kulturës dhe artit, e bashkë me të edhe në arkitekturë, duke i rigjallëruar dhe adaptuar motivet dhe formuar tipare të veçanta vendase [5] duke qenë se Islami me universalitetin e parimeve te tij e nxit dhe frymëzon krijimtarinë rajonale.
Aspirata e Haxhi Et’hem Beut ishte që të ndërtojë për Tiranën një xhami që të ishte si Shën Sofia për Stambollin dhe këtë vizion të tij e ka skalitur tek poezia që lexojmë mbi portën e hajatit [6]:
—Kjo xhami e zbukuruar hijshëm me kupolë të lartë, gjallëruese e shpirtit
—"Si një tjetër Shën Sofi e bëri të bukur këtë qytet”
Gjithashtu edhe babai i tij, Molla Beu, themelet e xhamisë i hodhi me qëllim që kjo xhami t’i japë jetë qytetit dhe të përkrahë zgjerimin e tij [7]:
—Një ndërtesë kaq tërheqëse dhe e bukur shpall se
—në këtë vend të lumtur është ngritur një tempull për zbutjen e dhimbjeve.
Tirana ka patur 68 xhami [8], më e vjetra pra ka qenë xhamia e Sulejman Pashës e cila ishte 200ml larg kësaj të Et’hem Beut, u dogj më 1944 dhe nuk u lejua të rindërtohej edhe pse tiranasit i mblodhën paratë e nevojshme në shumë pak ditë, ndërsa xhamitë e tjera i shkatërruan në vitin 1967.
Xhamitë e Shqipërisë në përgjithësi dhe e Et’hem Beut gjithashtu nuk shkëputen nga ansambli i lagjes ku ndodhen, por shkrihen organikisht me të, duke u dalluar nga banesat vetëm prej minares, mureve të rafshët dhe dritareve karakteristike [9]
Arkada gjysëm rrethore e portikut e kalon në një plan të dytë vëllimin kubik, i jep një vend të përpjestuar minares dhe e zvogëlon pamjen rigoroze të kubit qëndror.
Dy varret e bukura të gdhendura në mermer janë të Et’hem Beut dhe bashkëshortes së tij Belkisa e cila vdiq në moshën 30 vjeçare v. 1844, dhe ishin të ruajtura përsosmërisht deri në vitin 1967.
Vepra arti mjeshtërore janë punimet në dru të mimberit dhe mafilit të femrave të cilat shfaqin karakter vendas të piktures ornamentale.
Dhe mbishkrimi mbi sallë mbyllet duke thënë:
—”Kjo xhami e hijshme u bë burim i dritës së syrit për popullin e Zotit”.
Aspekti Shpirtëror
I gjithë arti islam është shprehje e bukurisë kuranore në parimet e saj, me dy aspektet ndërplotësuese të fesë, doktrinën dhe praninë; pra aspektin e të vërtetës dhe të bukurisë.
‘E Verteta’ është pohimi i njëshmërisë së Zotit, kryeparimit islam të tewhidit, la ilahe illa Allah, ndërsa ‘bukuria’ është ajo që me shpalosjet e saj na e bën të pranishme madhështinë dhe fisnikërinë e Krijuesit.
Kurani na tregon se çdo gjë dëshmon se Ai, Allahu, është Një, i Vetëm, pa të Ngjashëm, i Vetëmjaftueshëm, as ka lindur dikë, as është i lindur vetë, Ai është Absolut dhe gjithashtu i Gjithmëshirshëm dhe një nga emrat e bukur të Allahut është i Bukuri, el-Xhemīl.
‘Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën.’, rrëfen Pejgamberi islamit, Muhamedi a.s. Madje niveli më i lartë i islamit është arritja e virtytit të bukurisë e cila është mënyra e vetme për ta përjetuar praninë hyjnore të Zotit sikur ti ta shikoje Atë; dhe pikërisht kjo ishte përgjigjia që ai i dha ëngjëllit Xhibril në një nga takimet e tyre.
Në zbatim të kryeparimit të tewhidit arti islam shpalos unitet dhe plotësi, kësisoj vepra e artit, përkatësisht xhamia e Et’hem Beut i integron të gjitha aspektet artistike në harmoni të plotë duke i dhenë hakun çdo elementi, qoftë kompozimit arkitektonik dhe elementëve të tij, përdorimit të materialeve natyror të ndërtimit, afreskeve murale, ornamenteve të drurit, dyshemesë së shtruar, përhapjes akustike, deri edhe planvendosja e cila në peizazhin urban të qytetit xhamisë së Et’hem Beut i rezervon vendin e zemrës nga e cila burojnë dhe kthehen të gjitha arteriet e rrugëve kryesore të këtij qyteti të themeluar nga xhamitë.
Që në kohët e vjetra kur feja përcaktonte çdo aspekt të jetës, gjithashtu edhe në planin urban të Tiranës moderne kryeqytet (v.1920), xhamia Et’hem Beut mbetet qendra e ketij qyteti të madh dhe shikojmë se rrugët kryesore si ajo e: Kavajës, Durrësit, Dibrës, Elbasanit dhe Bulevardi konvergjojnë pikërisht te kjo xhami.
Objekti i Xhamisë është fryt i gjenisë artistike islame shqiptare dhe kjo vepër është aq e plotë dhe integrale sa nuk pranon dot ndërhyrje qoftë duke shtuar apo pakësuar diçka në të pa rrezikuar thyerjen e kësaj strukture kristalore.
Duke filluar që nga hyrja deri të vendi i faljes (mihrabi) ku qëndron imami, itinerari që përshkon besimtari është një parafigurim i rrugëtimit shpirtëror.
Anash portës së hajatit ndodhen varret e punuara mjeshtërisht në mermer të cilat në një farë mënyre i përkujtojnë besimtarit vdekjen e egos dhe rëndësinë e nështrimit të pasioneve negative me kalimin e pragut.
Brenda hajatit gjendemi në një hapësirë të ndërmjetme, e cila nuk është as plotësisht e ndarë nga mjedisi i jashtëm, as nga i brendshmi dhe me bukurinë e arkadës së gurtë, tavanit të drunjtë dhe afreskeve floreale na parathotë diçka për bukurinë mahnitëse që gjendet brenda katër mureve të mbuluar me kupolë.
Pasi kryejnë ritualin e larjes në katin nëntokë brenda hajatit, ashtu të pastruar besimtaret drejtohen tek salla e faljes, e cila me çdo faqe të saj të pikturuar mrekullueshëm me afreske floreale dhe kaligrafi kuranore na shpalos një të vertetë universale islame se: Bota e brendshme shpirtërore është shumë më e pasur se e jashtmja, ashtu siç [bota tjetër është më e mirë për ju se kjo e para] pohon Kurani famëlartë.
Trajtimi me afreske floreale që veshin gjithë faqet e mureve janë tipar dallues i artit islam shqiptar, të cilat në artin islam nuk kanë thjesht funksion dekorues, por përkujtues dhe në to paraqiten shëmbëllime të bukurive të papërfytyrueshme parajsore që përmenden në Kuran, si: kopshte, gjelbërime, fruta, pallate, dhe lumenjë të rrjedhshëm.
Xhamia e Et’hem Beut i thur Lavde Krijuesit me gjuhën e bukurisë dhe dëshmon (delīl) se Ai është Një (wahid).
© almaalukuphotography
__________________________________
[1] Monument kulture i kategorisë së parë. Shiko: Monumentet e Kulturës, “Mbrojtja e Monumenteve II,” 8 Nëntori.
[2] Machiel Kiel, “Arkitektura Osmane në Shqipëri”, f. 447.
[3] Aleksander Meksi, Gjergj Frashëri, “Arkitektura dhe Restaurimi i Xhamisë së Haxhi Et’hem Beut në Tiranë,” Periodiku Monumentet, Nr.14, f.125.
[4] A. Meksi, “Xhamitë e Shqipërisë”, Tiranë 2015, f. 116.
[5] "Historia e Arkitekturës Shqiptare", Tiranë 1979, f.347.
[6] Për mbishkrimin e plotë shiko M. Kiel, f. 392-393. Hajati është shtuar tre dekada pas ndërtimit të sallës qëndrore, por ishte parashikuar që në fillim të projektit.
[7] Për mbishkrimin e plotë shiko Machiel Kiel, f. 391.
[8] Ekrem H. Ayverdi, “Vepra të Arkitekturës Osmane në Shqipëri”, fq. 14.
[9] "Historia e Arkitekturës Shqiptare", Tiranë 1979, f.348.