Lidhje


Kush e fshiu Islamin nga Fjalori i Gjuhës Shqipe?

 Nga Samuel Laze

 

Në Janar 2026 Akademia e Shkencës e Shqipërisë nxori në qarkullim Fjalorin e Madh Online të Gjuhës Shqipe, një projekt aq sa i domosdoshëm për nga rëndësia po aq edhe i vonuar për nga koha që duhej publikuar. Promovimi i tij solli reagime të ndryshme pozitive e negative që nga sfera akademike deri te shtresa standarde e shoqërisë. Ndër të tjera, jo me pa të drejtë u ngrit edhe diskutimi mbi ekzistencën e një tendence për anashkalimin,  injorimin dhe eliminimin e terminologjisë islame në këtë fjalor.

 

Si një shembull tipik u tregua rasti i mungesës së fjalës “kuranor” në fjalor. Edhe pse në këtë rast gjuhëtarëve tanë nuk iu vëmë dot shumë faj sepse prapashtesa “–or” si fjalëformuese në shqip, veçanërisht në fushën e leksikut islam është diçka e sajuar dhe e popullarizuar –siç do ta shohim më poshtë – kryesisht gjatë shek. XX.  Megjithatë, të mos gjesh në fjalorin e shqipes termin “inshallah” kur këtë fjalë e përdorin të gjithë shqiptarët qysh në moshën 4 vjeçare është padyshim një skandal!

 

Një retrospektivë e shkurtër në histori...

 

Jehona e Revolucionit të Madh Francez (1789) edhe pse me pak “vonesë”, arriti të mbërrijë në mesin e shqiptarëve brenda shekullit XIX.  Tashmë që dashuria ndaj atdheut po paraqitej si sinonim me kriteret që përcaktoi nacionalizmi ala frënga, qarqe që nga Austro-Hungaria, Italia, bota sllave, organizatat protestante, Greqia, xhonturqit etj... u përpoqën të luanin me kartën e shqiptarizmës për konfigurimin e interesave të tyre në rajon dhe më gjerë. Gjithsecili këtë energji potenciale që po prodhonte nacionalizmi kërkonte ta shpinte te mulliri i vet.

 

Kështu, për shembull, Italia me qëllimin e një ekspansioni të mundshëm në Ballkan dhe për t’i bërë ballë Greqisë, përdori fillimisht identitetin e arbëreshëve dhe sponsorizoi ngritjen e një kuadroje të posaçme që do të nisnin operacionet për latinizimin e letërsisë shqipe nën perden e letrarizimit dhe krijimin e një gjurme të shqiptarisë si një projeksion i çizmes italiane.

 

Nga ana tjetër, Greqia pasi e kuptoi që plani për eliminimin e identitetit shqiptar i dështoi,  me anë të emisarëve të saj sikur Jani Vreto u përpoq të krijonte një teori heleno-shqiptare për nacionalizmin sipas së cilës grekët dhe shqiptarët vinin nga i njëjti soj. kishin të njëjtën kulturë dhe ishin së bashku populli më i vjetër i Evropës dhe duhet të vepronin në bashku nën çatinë helenike dhe se toskët na qenkëshin bërë myslimanë me zor por ngaqë nuk i’u ndahej xhani nga helenizmi kishin zgjedhur bektashizmën që na qenkësh një fe(!) më tolerante. Këtyre gjepurave heleno-file  iu përgjigj ashpër Sami Frashëri i cili e njihte mirë Greqinë pasi kishte mbaruar studimet në shkollën Zeosimea. Sipas Samiut shqiptarët rridhnin nga pellazgët dhe kishin ardhur në këto troje përpara helenëve dhe se grekët e sotshëm s’ishin të njëjtët me helenët e vjetër. Ndërsa kalimi i shqiptarëve në myslimanë, apo me shprehjen e tij, në din-i mybin-i Islamin ishte krenari dhe duhej t’i mbyllej çdo shteg  përçarjes ndër-fetare në Shqipëri.

 

Mund të themi që Sami Frashëri ishte i vetmi Rilindas që u përpoq të krijonte pak a shumë, deri diku një farë nacional-islamizmi shqiptar nën çatinë perandorake  në atë oqean të madh agjenturash që shqiptarisë donin t’i vishnin me zor këpucët e tyre, edhe pse vëllezërit Frashëri do të ishin nga arkitektët kryesorë të purizmit gjuhësor. Ndërsa te spektri klasik konservator që përbehej nga ylemaja shqiptare osmane dhe intelektualë sikur Arif Hiqmeti apo Haxhi Ali Elbasani, vihej re një sintezë e plotë mes Islamit. shqiptarisë dhe osmanlillëkut, sigurisht pa përjashtuar edhe shqiptarët e krishterë të cilët konsideroheshin amanet nga Zoti, vëllezër në komb dhe atdhe e nuk i lihej hapësirë asnjë lloj diskriminimi ndaj tyre por promovohej gjithmonë bashkëjetesa. Islami është din-i i tevhidit, d.m.th bashkon dhe nuk përçan. Për gjashtë shekuj me radhë nën hyqmin e tij, Ballkani nuk ka parë kurrë përgjakje si ato të viteve 1912-1913 apo edhe të përmasave më të vogla. Çdokush kishte të drejtë të jetonte ashtu sikur besonte për sa kohë nuk nxiste anarkinë apo cenonte rendin publik.

 

Nacionalizmi që solli Sami Beu ishte i vetmi i cili mund të siguronte një union kombëtar nën paradigmën e principeve të Revolucionit Francez duke mos përçmuar a cenuar veçoritë e elementëve të ndryshëm kombëtar. Sipas tij çdokush mund ta jetonte besimin e vet sikurse kishte bërë deri tani por në komb jemi shqiptarë dhe nuk duhet të dorëzohemi te projektet e agjenturat e huaja.

 

Ndërsa te të gjitha projektet e tjera të nacionalizmës vihet re qartazi një përjashtim i Islamit nga jeta shoqërore dhe trajtimi i tij si një fenomen i dhunshëm, sipërfaqësor dhe shkak i prapambetjes. Kjo gjë në realitet nuk i shërbente aspak bashkimit kombëtar por lëvizje të mirë-financuara arritën të krijonin një anatomi të nacionalizmit shqiptar anti- islam, kundërshtarët e së cilës do të konsideroheshin heretikë të shqiptarizmës dhe përçarës të kombit!

 

Kështu, për shembull te Gazeta  Albania e Faik Konicës,  e financuar nga Austro-Hungaria do të gjejmë shkrime të tilla:

 

“ndonëse jemi të tërë të ndërgjegjshëm për origjinën tonë të krishterë, dhe mbi hallet tona ende kemi shenjat e trashëguara të shpatave që shtrëngonin të vjetrit tanë të mundur për të kaluar në Islamizëm; ndonëse fajet e turqve ndaj nesh janë po aq të mëdha sa shërbimet që u kemi bërë; ndonëse plagët tona janë të tilla që nuk duhet të harrohen kurrë, ne nuk duam, duke shfrytëzuar lirinë për të mos qenë më të pashkolluar, të mbajmë asnjë mëri...”

 

Gjithashtu do të ishin sërish funksionarët austro-hungarezët që do të nxirrnin librin e parë mbi historinë e Shqipërisë në shqip. Ky libër u hartua nga L. Thalloczy, Drejtor i Arkivave i Ministrisë së Financave dhe i çështjeve të Bosnjë-Hercegovinës. Më tej ai u përkthye në shqip nga Zef Curani, një ish-mësues në Durrës.

 

Nga ana tjetër personazhe sikur Jeronim de Rada apo Dora D’Istria krijuan një shqiptarizëm sipas të cilëve Islami ishte diçka sipërfaqësore dhe e parëndësishme për shqiptarët, se gjoja ishim bërë myslimanë ose me kulaç ose me kërbaç, se nuk kishim lidhje me “fanatikët e Portës”. Përveç kësaj ata i ndanin myslimanët gegë me ata toskë duke i kushtëzuar me karakteristika që vetëm imagjinata e tyre mund t’i shtjellonte.

 

Serbia po ashtu donte ta luante kartën religjioze në Shqipëri. Edith Durham shprehet se: “Serbia i dhuroi dhurata Marka Gjonit, Prek Bibë Dodës. Në 1910 Beogradi dha mbështetje për krijimin e Principatës së Mirditës... Në Cetinjë u kërkuan armë dhe para për krijimin e Shqipërisë katolike e ortodokse si kundërpeshë ndaj Shqipërisë myslimane të Vlorës.”

 

Lëvizjet misionare nga ana tjetër,  e përdorën për hesap të tyre nacionalzmin duke nxitur kryesisht pakicat kombëtare ndaj elementit dominues. Aktiviteti i tyre ishte tej mase intensiv në krijimin e nacionalizmave ballkanikë si pjesë e projekteve të tyre karshi Osmanllisë. Jo vetëm për çështjen shqptare por në përgjithësi interesat e tyre takoheshin me shtetet imperialiste dhe kolonizatore prandaj sigurisht që suksesi i tyre socio-politik e ekonomik është i shpjegueshëm në këto rrethana.

 

***

Sikurse mund të kuptohet, të gjitha këto shtete, organizata dhe institucione kishin edhe konflikte interesi mes njëra-tjetrës dhe mos-dakordësimi për ndarjen e Shqipërisë që ata e shikonin si plaçkë ishte një prej elementeve kryesore  që mundësoi ekzistencën e shtetit tonë,  por sigurisht faktori më kryesor mbetet gajreti (përpjekja) i shqiptarëve për liri duke mos pranuar nënshtrimin ndaj një fuqie të huaj. Mirëpo, së bashku me përplasjet që kishin mes vetes të gjitha këto fuqi – nëse do të shprehemi në mënyrë të drejtpërdrejtë -  i bashkonte lufta ndaj Perandorisë Osmane si përfaqësuese e botëkuptimit islam dhe  nga arsyet më kryesore për këtë ishin principet ekonomike që Islami përcillte si për shembull, hurmet-i riba , pra ndalimi i interesit bankar apo vuxhub-i zeqat, dhënia e zeqatit që siguronte një ekuilibër dhe linjë lidhëse (hatt-i muvasallë) midis shtresave shoqërore. (Edhe sot sebepi kryesor i përhapjes së Islamofobisë në botë mbetet ekonomia, por kjo është një temë tjetër).

 

Ata e dinin mjaft mirë se aftësia shprehëse dhe artikuluese e një individi është e kufizuar me fjalët që ky individ njeh. Ndonjëherë ndodh që emocionet që përjetojmë nuk arrijmë t’i shprehim dot. Ko ndodh për shkak të mungesës së asaj fjale në fjalorin e mendjes sonë. Ky është një manifestim tjetër i dështimit të sistemit arsimor në Shqipëri ku sot për sot në përditshmërinë e një nxënësi të fillores kalojnë pak a shumë të njëjtat fjalë me ato të një studenti në universitet. Dallimin në këtë rast e bën ylfeti (të mësuarit, të përshtaturit) i tyre  me median televizive, internetin dhe rrjetet sociale, ku në sajë të kësaj bote digjitale sfera e fjalëve të tyre tejmbushet me fjalë të huaja dhe rrjedhimisht truri i një produkti të shkollave shqiptare (!) arrin deri në atë pikë sa fillimisht mendon në anglisht dhe më pas përpiqet ta kthejë në shqip, por ngaqë shqipja e sotshme është masakruar me një kast të posaçëm shumë studentë nuk arrijnë të shprehen ashtu sikurse mendojnë dhe jo në pak raste kërkojnë që projektet e tyre t’i prezantojnë në gjuhën angleze.

 

Shekulli i XIX dhe XX do të shënojë një valë ekstreme agresive të “pastrimit” të gjuhës shqipe nga “turqizmat”. Veçse me turqizëm duhet të kemi parasysh kallëpin me të cilin orientalistët dhe derivatet e tyre kanë emërtuar terminologjinë islame në gjuhën shqipe. Këto fjalë me burim nga Kur’an-i Qerim janë rrënjosur përgjatë shekujve në botëkuptimin e kombit tonë duke i dhënë shpirt, identitet dhe personalitet në një nivel të tillë duke krijuar një terqip (sintezë) me gjuhën shqipe, eliminimi i të cilave do ta shuante këtë gjuhë.

 

Tajar Zavalani edhe pse ishte anti-mysliman dhe inferior në kulm ndaj origjinës së tij, në sajë të një  interviste së zhvilluar me Profesor Joklin, një nga baballarët e albanologjisë (nuk është rastësi dhe për tu habitur që albanologjia i ka pasur baballarët e huaj...) u bind që eliminimi i turqizmave nga fjalori do ta thante gjuhën shqipe duke i humbur shpirtin e saj, prandaj në shkrimet e tij ai i përdor këto fjalë më shumë se ç’i përdorte Hafiz Ali Korça dhe Hoxhë Ibrahim Dalliu. Ja ifadeja (deklarata) që jep:

 

“Purizma, filon Profesor Jokli, që shifet ndër disa botime shqipe nuk më duket e arsyeshme. Sidomos mënia kundër fjalëve tyrqishte është shumë e përhapur ndër juve. Është e vërtetë se në të kaluemen keni patur shumë arësyena të urrenit çdo send që kishte lidhje me Tyrqin e vjetër. Ishte gjë fare e natyrshme që deri sa luftonit për Pmvarësinë tuej, të quhej si një shenjë patriotizmi, lufta kundër çdo të mbeture të sundimit të huaj. Por tani që keni njëzet e pesë vjet jete të pamvarur, tani që me Tyqrin e përtrimun jetoni si miq të mirë, është koha të bëheni pak më objektivë. Nuk në duket gja e drejtë, as edhe e nevojshme, qi të çporni nga përdorimi ato fjalë tyrqishte që janë rrënjosur me kohë në gjuhën e popullit; sidomos kur fjalën tyrqishte që e kuptojnë të gjithë e zëvendësoni me ndonji fjalë të huaj që s’e kupton askush, ose një pakicë shumë e vogël. Pastaj mos harroni se përhapja e fjalëve tyrqishte nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ky është një fenomen që ndeshet në gjithë Ballkanin. Në serbishten edhe në greqishten e sotme gjenden radhazi fjalë tyrqishte. Kjo shpjegohet mbasi tyrqit kanë prurë Urbanismin në sinisinë ballkanike, e njëkohësisht edhe fjalët që kanë lidhje me jetën e qytetit. Prandaj kini pak mëshirë për fjalët tyrqishte. Mos shani gjuhën duke kujtuar se po e spastroni. Puna nuk është aqë në fjalët e huaja se sa në shpirti i gjuhës, të cilin duhet t’a ruani nga çdo bastardim. – Fjalët e Profesor Joklit më vojtën në zemër. Gjeta një përkrahës me autoritet të pakontesteshëm kundër puristëve tanë që më kanë kritikuar në këtë pikë.”

 

Është ironik fakti që një fushatë më agresive ndaj “turqizmave” më shumë se sa në Shqipëri është zhvilluar në Turqi në kohën e Mustafa Qemalit (që ylemaja osmane e quante Dexhali i Islamit). Faji i vetëm i këtyre fjalëve është që shërbejnë si urë lidhëse me botëkuptimin islam, gjë që i shqetëson tejmase qarqet neo- bizantine në Rajon dhe më gjërë.

 

Nga pikëpamja etimologjike fjalët turke në gjuhën shqipe –krahasuar me huazimet nga gjuhët e tjera- mund të numërohen me gishtat e dorës. Pjesa dërrmuese e turqizmave në gjuhën tonë janë me origjinë perse dhe arabe. Mirëpo ne nuk i kemi marrë këto fjalë sipas kuptimit të tyre në fjalor por i kemi përvetësuar në kontekstin e tyre terminologjik në një mënyrë të posaçme për gjuhën shqipe. Atyre që këto fjalë i konsiderojnë arkaike ndërsa zëvendësimi i tyre me oksidentalizma iu duket progres iu themi që gjuha perse vjen nga e njëjta familje me gjuhën angleze. Kështu për shembull fjalë sikur “mother” në anglisht, në persisht thuhet “mader”, brother-birader (byrazer në shqip), door-der, prestige-perestish... Ndërsa në lidhje me fjalët arabe, sikurse është shprehur Hafiz Abdullah Zëmblaku kur e akuzonin se po përdorte ende shumë fjalë të tilla në shkrimet e tij, ai iu përgjigj duke i thënë se edhe në Evropë gjithashtu gjenden një numër i madh fjalësh me origjinë arabe.

 

Mirëpo sikurse e përmendëm edhe më sipër, ne këto fjalë nuk i kemi marrë se vijnë nga “  gjuhë të shenjta” dhe as për të zëvendësuar ndonjë fjalë shqipe, por i kemi përvetësuar dhe shqiptarizuar duke i përdorur si një urë lidhëse me botëkuptimin tonë kombëtar.  Një shkencë ka tri elemente dalluese (âlâmet-i fârika) pa të cilat nuk mund të funksionojë: literatura, metodologjia dhe terminologjia. Ashtu sikurse sot për fushën e teknologjisë kemi përvetësuar fjalë nga anglishtja (dhe për këtë nuk kemi arsye pse të jemi kundër) ashtu edhe përgjatë shekujve të kaluar, për të njohur shkencat islame, nëpërmjet osmanishtes kemi përvetësuar fjalë me origjinë perse dhe arabe. Kjo jo sepse Islami identifikohet me Lindjen, pasi të quash Oksidentin qytetërim dhe Orientin Islam është i njëjti gabim, por sepse gjuha në të cilën u zbrit (inzâl) Kur’ani është gjuha arabe (një gjuhë që ka mbi 30 milionë fjalë dhe nuk i lë shteg hamendësimeve në lidhje me domethënien që një fjalë mbart në një kontekst të caktuar) dhe gjuhën perse sepse me anë të kasaj gjuhe u zhvillua, kultivua dhe u përcoll një pjesë e mirë e terminologjisë islame në gjeografinë osmane. Një tjetër fakt që e vërteton këtë është ky: Nëse terminologjia islame do të ishte baraz me gjuhën arabe atëherë i bie që çdo arab të ishte dijetar, gjë që është absurde pasi të arrish të kuptosh Kur’an-i Qerimin duhet të kesh njohuri të thella në më së paku 15 shkenca.

 

Për ata që thonë “po na prishni gjuhën” ju themi se në radhë të parë ne nuk po kërkojmë të importojmë fjalë të reja për gjuhën shqipe dhe as po imagjonojmë t’i imponojmë ndokujt përdorimin e tyre në përditshmëri, por ashtu sikurse në çdo fushë tjetër, edhe në shkencat Islame gjendet një leksik specifik, mungesa e së cilit i bën të pakuptueshme këto shkenca. Shkurtimisht, këto terminologji nuk i duhen të gjithëve, por atyre që duan të artikulojnë diçka në këtë fushë.

 

Qarqet misionare, orientaliste dhe imperialiste e kishin kuptuar mjaft mirë këtë realitet dhe e kishin të qartë që për ‘i shkëputur shqiptarët nga Islami, hapi vendimtar do të ishte deformimi dhe transformimi rrënjësor (radical shake-up)  i gjuhës shqipe. Është pikërisht për këtë arsye që shoqatat e misionarëve protestantë (ata që na bënë peshqesh edhe Erion Velinë) i kërkuan Kostandin Kristoforidhit ta  rishkruante Fjalorin e Gjuhës Shqipe duke i zëvendësuar edhe ato pak turqizma që “ndërgjegja” e këtij të fundit nuk i kishte bërë kurban në emër të emancipimit gjatë botimit të parë. Gjithashtu ata u kujdesën në mënyrë të përpiktë të botonin në mënyrë konstante, intesivisht libra “shqip” të tejmbushura me barbarizma dhe fjalë të sajuara me qëllimin e vetëm për t’i imponuar kombit shqiptar gjuhën e re që ata po shpiknin në emër të shqiptarizmës.

 

Kuptohet që ky ishte një projekt i mirëmenduar dhe afatgjatë pasi siç thotë edhe Profesor Joklin, në atë kohë “nuk i kuptonte askush ose vetëm një pakicë e vogël”  ndërsa për ne që i lexojmë sot na duket sikur kanë përdorur një gjuhë të kulluar dhe mendojmë se në të vërtetë ashtu paskësh qenë gjuha shqipe. Nga ana tjetër edhe njerëz (!) sikur Jani Vreto punuan fort në këtë drejtim ku një nga projektet e tij më famëkeqe është “Erveheja e Muhamet Kyçykut, qëruar prej fjalëve të huaja”. në të cilin e morri poemën e shkrimtarit tonë të nderuar të Letërsisë së Divanit, Muhamet Kyçykut dhe e shkatërroi me mentalitetin e tij prej andarti. Austria po ashtu nuk ndenji duarlidhur. Me anë të teksteve shkollore që botoi, gazetave që financoi dhe brezit të ri që rriti (fëmijët e zengjinëve dhe bejlerëve me influencë, të shkolluar në Evropë - në zemrat e të cilëve ishte rrënjosur kompleksi i inferioritetit -  do të ktheheshin në jeniçerët e Austrisë në vendin tonë duke luajtur rolin e bajraktarit të oksidentalizmës ) u kujdes në mënyrë të posaçme në këtë drejtim.

 

Sikur tregon edhe Ali Korça : “Në Shkodër nga ana e Mosjo Kralit u emërova  anëtar edhe në Komisionin letrar. Këtu ndodhej edhe patër Fishta, Luigj Gurakuqi. Mati Logoreci, Salih Nevica dhe të tjerë. Mosjo Krali e zotëronte fort bukur shqipen dhe për ta qëruar nga fjalët e huaja kujdesej tepër. Një ditë më patë thënë Mosjo Krali: “Përpiquni ta pastrojmë gjuhën shqipe se e di që e kini merak tepër”. I thashë: “Mundej t’ arrinim këtij qëllimi por sikur të ndodhej në këtë Komision edhe Faiku me Mid-hatin”. Më tha: Mid-hati ndodhet në Bulgari e Faiku nd’ Amerikë”

 

Në të gjitha drejtimet do të kemi një histeri sulmesh ndaj terminologjikë islame dhe identifikimin e tyre me prapambetjen dhe orientin. Sigurisht që komunistët do t’i vendosnin kapakun kësaj meseleje edhe pse zaten kur ata morën pushtetin Islami në Shqipëri ishte shkatërruar dhe duhej vetëm një e fryrë qiriri për t’i lënë knock-out  shqiptarët myslimanë. Kështu arkitekti i realizmit socialist dhe myridi i lozhave të Francës, Ismail Kadare ndër të tjera, me anë të personazheve të tij do të shprehej se:

 

“[Gjoni] – Tani për tani dy gjuhët tona, shqipes dhe greqishtes, po u afrohet një si re e zezë, gjuha turke.

Ai [Brokhardi] bëri “po” me kokë.

- Lufta midis gjuhëve  s’është më pak e kobshme se lufta midis njerëzve, tha [Brokhardi].

Unë [Gjoni] u pikëllova edhe vetë nga biseda që kisha hapur.

- Po afrohet gjuha turke, - përsërita pas pak dhe sytë tanë një copë herë humbën mbi njëri –tjetrin, me atë prapashtesën “llëk”, - vazhdova ngadalë,

- si një tokmak i tmerrshëm.

- Mjerë ju! – ia bëri ai ”

 

Kadareja tmerrohet nga prapashtesa turke “llëk” por atij nuk i bëjnë përshtypje prapashtesat e huaja “-ist”, “-izëm”, “-or”, “-izoj” “-ion”, “-icë” etj... që vetë ai dhe paraardhësit e tij i imponuan gjuhës shqipe...

 

Kësaj valleje që vazhdon pa ndalim deri në ditët tona do t’i bashkëngjiteshin edhe një tufë e gjatë që nuk ia vlen as t'jua  përmendim emrat... Sa për ilustrim po përmendim vetëm një rast të Pirro Mishës te “Për mallin e Tokës”  në të cilin e quan gjuhën turke si armë të pushtuesit. Poeti Mark i lutet luftëtarit Martin që ta mësojë të luftojë për të marrë pjesë në mbrojtjen e kështjellës:

 

“- Hajde, se punë që rregullohet kollaj! – i tha Martini.

  - Ndal! – Marku e ngriti përsëri zërin – “Hajde” është fjalë turqisht. S’duhet përdorur kurrë, se kështu fillon pushtimi i tyre. Lëshojnë në fillim fjalët e pastaj sulen dhe vetë. Thuaje bukur dhe shqip: eja ”

 

Këtu te libri “Për mallin e Tokës” duket që Misha e paska ngatërruar pak mallin pasi së pari fjala “hajde” vjen nga gjuha arabe, së dyti nuk ka të njëjtin kuptim me fjalën “eja” dhe së treti ai nuk e vë re fjalën turke “kollaj” që kalon në atë dialog imagjinar.

 

Në këtë vorbull fatkeqësisht sot ka ngecur edhe spektri më konservator i shoqërisë sonë, përfshirë edhe hatipët, vaizët e hoxhallarët. Nëse edhe nga minberi i xhamisë shfaqet një kompleks inferioriteti, neglizhencë apo mbizotëron padituria ndaj gjuhës klasike shqipe atëherë nuk mund të presim që në fjalorin e hartuar nga Jani Thomai të shohim ekzistencën e terminologjisë islame.

 

Më poshtë po paraqesim sa për ilustrim një listë të shkurtër fjalësh ku krahasojmë se si përdoren sot edhe nga qyrsitë e xhamive krahasuar me fjalët që janë përdorur historikisht:

 

predikim – vaaz

predikues – vaiz, veiz

ligjërim – hutbe, suhbet, hitap

ligjërues – hatip

adhurim – ibadet

falje – namaz

fe – din

devocion – takva

podium – qyrsi

rrjesht – saf

shkollë juridike – mez’heb, mes’hep

jurispodencë islame – ahqâm- i dinije

leksion – ders

popull – hallk, komb, ehâli

edukim – terbie

etikë – ahlak

moral – maneviat, ahlak

sekret – sirr

aksion – punë, amèl

perceptim – idrâq

kuptim – ma’nâ

përmend – ziqër

meditim – tefeqyr (nga fjala fiqir, fiqër)

profet - pejgamber, nebi

i Dërguar – Resul

urtësi – hiqmet

vend-adhurim- ibadet-hane

vend-falje  i hapur – namazgjah, musallâ

traditë profetike – synet-i senije

jeta profetike – Sijer-i Nebi

fjalë profetike – hadith-i sherif

bashkësi – ymet, milet

ftesë, thirrje – davet

tribunë fetare – suhbet

relacion – mënasebet

person, qenie –  zat

përgjegjësi – mesuliet

sakrificë – fida

epokë – devër

sprovim – imtihan, mysibet

aftësi – hyner

ekzistencë - vuxhud

***

Çfarë ndodh nëse i zëvendësojmë këto fjalë me fjalë latine apo ujdisim ndonjë fjalë të re (neologjizëm)? Meseleja nuk qëndron te kallëpi i jashtëm por te domethënia që këto fjalë mbartin. Kështu për ta sqaruar konkretisht po analizojmë vetëm dy fjalë:

 

1 . Tefeqyr – Sot përdoret si “meditim”. Fjala meditim në fjalorin e sotëm të shqipes ka kuptimin: përsiatje, të menduarit thellë, rrahja mirë me mend e gjërave për të gjetur shkaqet e arsyet e diçkaje, për të zbuluar të vërtetën, për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje a një mëdyshje etj.

 

Ndërsa “tefeqyr – nga fjala fiqir, fiqër” në terminologjinë islame nuk do të thotë vetëm të vësh fiqirin në punë, të përdorësh vetëm mendjen. Ndjenjat e pastra të zemrës sinjalizojnë mendjen. Pas këtij sinjalizimi mendja akumulon njohuritë që i nevojiten, dhe rezultati që del në pah  nga kurorëzimi i mendjes me zemrën njihet si tefeqyr. D.m.th është sinteza e njohurive të mendjes me dashurinë e zemrës.

 

“Një sahat tefeqyr, është më i hajrit se një mijë vite ibadet” (Hadith-i Sherif)

 

  1. Takva – Sot përdoret si “devocion”. Fjala latine devocion po t’i referohemi fjalorit të sotëm të shqipes ka kuptimin: ndjenjë e pastër dhe e zjarrtë nderimi, dashurie e besnikërie që ushqejmë ndaj dikujt a diçkaje, gatishmëri për të bërë gjithçka për të , përkushtim. 2. fet. Ndjenja e besimit të pakufishëm te një fe a te një kult dhe përulja e thellë ndaj tyre.

Ndërsa në literaturën Islame fjala “takva” ka kuptimin e frikës, veçse jo një frikë që buron nga kërcënimi por një frikë që rrjedh nga dashuria. Në këtë mënyrë: Allahu vendos një dashuri, një muhabet në zemrën e robit të tij dhe robi e kupton këtë. Frika që ka robi për  mos ta humbur dashurinë që Zoti i ka vendosur në zemër quhet “takva”. Frika që një mysliman ka nga ndarja me Allahun quhet takva.

 

Nëse thonë “po ku merr vesh populli kështu, ne i shpjegojmë me fjalë të thjeshta që ta kuptojnë” ju themi se absurditeti më i madh është të mendosh se personi që ke përballë është i paaaftë për t’i kuptuar ato që i thua. Më së paku kjo sjellje është qibër (arrogancë, mendjemadhësi) pasi gjykimi fillon nga vetja “a po ja shpjegoj unë siç duhet”. Veç kësaj, ndërsa sot edhe fëmijët e parashkollorit i njohin në mënyrë aq të hollësishme proceset biologjike me “terminologji” nga më të larmishmet dhe të detajuarat do të ishte e tepërt të mendohej se nuk mund të kuptojnë disa terma të thjeshtë të botëkuptimit islam.

 

Cungimi i leksikut islam nga përditshmëria, fatkeqësisht na ka shkaktuar një firo të rëndë në edepin (moralin e zemrës) tonë. Fjalën pezmatim e kam hasur për herë të parë teksa lexoja romanet e I. Kadaresë. Aty Kadareja shprehej se (hâshâ) “Allahu është pezmatuar...” Të njëjtën fjalë e kam ndeshur edhe në një nga xhamitë kryesore të Tiranës gjatë një hutbeje ku hatipi u shpreh që (hâshâ) “Pejgamberi u pezmatua...!”. Sa axhâip (interesante) dhe e trishtë është që të njëjtën fjalë që një dindushman si Kadareja e përdori për Allahun, një imam po e përdorte nga minberi për Resulin e Tij. Ndërsa sot edhe hallku i Palestinës qëndron me shpresë e vendosmëri duke mos u pezmatuar karshi gjenocidit sionist, si mund të (hâshâ) pezmatohej Hz. Pejgamberi që është më i dashuri i Allahut dhe i vetëdijshëm në çdo frymëmarrje se është me Të?! Ylemaja e vjetër shqiptare fliste përulësisht gjithnjë me nderim e hyrmet ndaj Hazreti Pejgamberit (s.a.s) duke e përmendur me emrat e tij të bukur si: Fahr-i Xhihân, Resul-i Eqrem, Resul-i Emin, Serdâr-i Enbijâ, Padishah në dy xhihan etj...

 

Nëse terminologjia islame përpiqet të sajohet me fjalë të huaja, atëherë mund të kuptojmë prej saj aq sa mund të kuptojmë pasqyrimin e një fytyre në një kub akulli. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne këto fjalë i  kemi marrë / duhet t’i marrim shabllon si në origjinën e tyre. Përkundrazi, po të vëmë re në mënyrën se si janë përdorur historikisht te ne, do të shohim një transformim të tyre në mënyrë harmonike me fonetikën dhe sintaksën e gjuhës shqipe. Nëse i përdorim shabllon sikurse janë – gjë që s’ka ndodhur  historikisht – atëherë me dashje apo pa qëllim do i shërbejmë një agjende tjetër sipas së cilës këto fjalë ” janë të huaja, orientale dhe kanë hyrë rishtazi në kulturën tonë.” Psh. fjala saat në shqip ka kaluar si sahat, fjala thevab ka kaluar si sevap, fjala thiklet ka kaluar si siklet, dhikr ka kaluar si ziqër etj... Përdorimi i këtyre fjalëve në të njëjtën mënyrë siç ka mbërritur te ne përgjatë shekujve është shumë i rëndësishëm nga aspekti i ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore duke mos i lënë hapësirë agjendave të huaja që kërkojnë të bëjnë “lojëra fjalësh”. Leximi i këtyre fjalëve në formën e tyre origjinale është i posaçëm (mahsus) vetëm gjatë këndimit të Kur’an-i Azimushanit, gjë që na e mëson shkenca e texhvidit.

 

 Kur dëgjojmë fjalë si psh. “interesant”, “kontroll”,  “kompleks” etj.. nuk na tingëllojnë aspak si të huaja dhe nuk shfaqim habi apo reagim (ndërsa kur dëgjojmë një fjalë “turke” bëhet nami). Faktori kryesor për këtë është mesazhi subliminal i lënë në subkoshiencën tonë nëpërmjet procesit të inkulturalizmit, që nënkupton objektivin e prezantimit të mesazhit dhe vlerave të huaja duke patur parasysh kulturën, kushtet, vlerat dhe përparësitë lokale. Kjo metodë është përdorur në mënyrë intensive veçanërisht nga misionarët. Jo vetëm për fjalët por edhe për emrat, psh. Ivani, Jovani ka kaluar në Gjon, apo George përmendet si Gjergj etj...

***

 

Një anekdotë shumë domethënëse i atribuohet Jul Çezarit: Kur diktatori më i famshëm romak Jul Çezari përdori një fjalë jo latine në senat, një prej senatorëve e kundërshtoi. Çezari iu përgjigj duke i thënë : “A mund të bëj unë kë të dua shtetas latin ose t’ja heq shtetësinë kujt të dua?! - Po – i tha senatori. - Atëherë, meqë e përdora unë këtë fjalë, nga tani e tutje do jetë fjalë latine.” Senatori i’u përgjigj: “Jo, Çezar, ti mund t'jua japësh shtetësinë apo heqësh kujt të duash sepse për këtë të jep kompetencë ligji, por asnjë ligj nuk të lejon të vendosësh që një fjalë të jetë latine. Këtë mund ta bëjë vetëm populli latin. Nëse e pëlqen një fjalë dhe e vendos në përdorim atëherë ajo fjalë bëhet latine.” Çezari edhe pse ishte diktator kërkoi ndjesë.

 

Në të njëjtën mënyrë, është kombi shqiptar ai që duhet të vendosë se cilat fjalë duhet të përmbajë gjuha shqipe dhe jo misionarët, klientelistët, oportunistët apo puthadorësit që i bëjnë temenâ ziafeteve zyrtare. Garancia kombëtare ndërtohet nga njerëz që nuk i bëjnë tenezzyl kockave që i hedh pushteti!

 

 

 

     Referenca:

 

  1.     Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar
  2.     Albania, vol A, fq.157 sipas Clayer, v.s.p
  3.     Edith Durham, Swic... sipas Bajram Xhafës, Historia e Shqipërisë 1912-1929
  4.     Ahmet Faruk Goksun, Misyoner kuruluslarin musluman ulkelerde yetimler uzerindeki faaliyetleri
  5.     Tajar Zavalani, Misioni i Shek. XX, fq. 195-196
  6.     N. Clayer, Behind the Veil, HAL Open Science
  7.     H. Ali Korça, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë, fq.35
  8.     Kadare, 1981 [VIII]: 173, sipas Enis Sulstarova, Arratisje nga Lindja... fq.158
  9.     Misha, 1981: 65-66, sipas Enis Sulstarova, Arratisje nga Lindja.... fq. 159
XS
SM
MD
LG