Toka e shenjtë në Kuran dhe hadith sipas rëndësisë së saj simbolike dhe eskatologjike
Nga: Maria Massi Dakake/Universiteti George Mason
Në Islam, ekziston një koncept i përcaktuar qartë i gjeografisë së shenjtë ose qendrave të shenjta që përfaqësojnë pika të ndryshme aksesi në një lidhje vertikale midis hyjnores dhe njerëzores. Brenda Islamit, nocioni i së shenjtës si i tillë - si dhe vendi i shenjtë - lidhet me fjalën ‘harem, e cila tregon një vend të shenjtë, një vend të mbrojtur, i cili në shenjtërinë e tij duhet të jetë i lirë nga të gjitha format e dhunës dhe konflikteve. Ky koncept ishte i pranishëm në Arabi që nga kohët para-islame, madje edhe në mes të paligjshmërisë relative dhe luftës së vazhdueshme të brendshme midis fiseve arabe, literatura islame sugjeron që disa qytete konsideroheshin si faltore (mes tyre Meka) dhe disa muaj të vitit konsideroheshin si të shenjta. Në këto vende dhe kohë të shenjta, arabët shmangën gjakderdhjen dhe dhunën, për hir të pelegrinazhit ritualistik religjoz. Kurani miraton vendet e shenjta dhe muajt e arabëve paraislamikë:
“O ju që besuat! Mos i shkelni simbolet e All-llahut, as muajin e shenjtë (mos lejoni luftën), as kurbanin (mos e pengoni), as atë me qafore (të caktuar për kurban), as (mos pengoni) ata që duke kërkuar begati nga Zoti i tyre dhe kënaqësinë e Tij, kanë mësyer (për vizitë) shtëpinë e shenjtë (Qaben). E kur të hiqni ihramin, atëherë gjahtoni”[1].
Meka
Siç dihet, qendra më e shenjtë, boshti i vërtetë qiellor (axis mundi) i universit fetar islam është Meka dhe brenda saj, haremi që rrethon Qaben, e më pas më intensivisht, natyrishëm vetë Qaben. Ndërtesa aktuale e Qabes është shkatërruar dhe rindërtuar disa herë – duke përfshirë një herë gjatë rinisë së Muhamedit a.s dhe një herë gjatë luftës së dytë civile islame, disa shekuj pas vdekjes së tij[2]. Megjithatë, besohet se që nga koha e Ibrahimit, ndërtesa ka vendosur "gurin e zi" (të shenjtë sipas terminologjisë së autores)- një meteorit që thuhet se i është dërguar Abrahamit nga parajsa, i përfshirë në strukturën e Qabes që ai ndërtoi me të birin, Ismailin, i cili mirëmbahet dhe është përfshirë në të gjitha rindërtimet e mëvonshme të strukturës. Ai përfaqëson vijën e drejtpërdrejtë dhe (të shenjtë) ndërmjet qiellit dhe tokës dhe gjithashtu përfaqëson vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj linje, pavarësisht nga paqartësitë e ekzistencës strukturore të Qabes.
Në Kuran, Qabeja shpesh përmendet thjesht si "Shtëpia" (el-bejt)[3], ose si "Shtëpia e Shenjtë"[4], ose "Shtëpia e lashtë"[5], për aq sa Kurani e deklaron atë të jetë "Shtëpia e parë" e krijuar për njerëzimin:
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”[6].
Kuptimi i deklaratës Kur'anore se Qabeja përfaqëson "shtëpinë" e parë e ndërtuar për njerëzimin ishte objekt i disa debateve midis komentuesve të hershëm islamë. Pikëpamja më e artikuluar dhe e pranuar gjerësisht është se Qabeja përfaqëson Shtëpinë e parë të krijuar për adhurimin e Zotit në tokë[7]. Ndërsa është Ibrahimi ai që raportohet se ka ndërtuar Qaben së bashku me Ismailin, Kurani lë të kuptohet se disa njëfarë strukture e shtëpisë së shenjtë kishte ekzistuar atje përpara Ibrahimit, sepse në Kuran 14:37, Ibrahimi i lutet Zotit :
“Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që ta falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta.”
Kjo lutje ndodh menjëherë pasi ibrahimi ka lënë Haxheren dhe Ismailin në shkretëtirë dhe duket se i referohet ekzistencës së një "shtëpie të shenjtë" përpara ndërtimit të strukturës së Qabes me Ismailin.
Traditat e tefsirit shpesh japin një përshkrim më mitologjik të origjinës së Qabes, me disa që pohojnë se Qabeja u krijua edhe para vetë tokës dhe se ajo u formua dhe zbriti nga Zoti ndërsa Froni i tij ishte ende “mbi ujërat.” Sapo ai e zbriti Qaben, pjesa tjetër e tokës vazhdoi përpara, ose u “zbërthye” nga poshtë saj[8]. Megjithatë, një tjetër traditë mitologjike e tefsirit thotë se Qabeja u zbrit së bashku me Ademin kur ai u dërgua në tokë, në mënyrë që ai dhe pasuesit e tij të mund të rrotulloheshin rreth saj, ndërkohë që ai dhe engjëjt kishin shkuar rreth Fronit Hyjnor në sferën qiellore.[9] Në fakt, jo vetëm rethinat e Qabes, por shumë nga rregullat që kanë të bëjnë me pelegrinazhin islam (dhe deri diku paraislamik) në Mekë e lidhin këtë vend me Ademin dhe gjendjen e tij në Kopshtin e Edenit. Për shembull, siç përmend Brannon Wheeler në veprën e tij, Meka dhe Edeni, pelegrinazhi para-islamik që thuhet se u krye lakuriq dhe pelegrinazhi islam që u lejon burrave të veshin vetëm dy copa pëlhure "të paqepura", kujtojnë lakuriqësinë e pastër të Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit (me veshje të qepura që përfaqësojnë aktin e tyre të lidhjes së gjetheve të Kopshtit për mbulim pas rënies). Për më tepër, ndalimet si në kohën paraislamike ashtu edhe në atë islame i marrëdhënieve seksuale dhe gjuetisë ose therjes së kafshëve gjatë pelegrinazhit pasqyrojnë mungesën e këtyre gjërave në Kopsht para rënies[10]. Traditat e tefsirit që e lidhin Qaben me origjinën e tokës, ose me Ademin, ndonjëherë vazhdojnë të shpjegojnë se në kohën e përmbytjes së madhe të Nuhut, Zoti e ktheu Qaben në parajsë në mënyrë që ajo të kursehej nga shkatërrimi, por themelet e ndërtesës mbetën, dhe pikërisht mbi këto themele më vonë Ibrahimi dhe Ismaili ndërtuan Qaben[11]. Të gjitha këto tradita vërtetojnë se ndërsa vetë struktura e Qabes mund të jetë ndërtuar dhe rindërtuar shumë herë në historinë njerëzore, nga duart e njeriut, shenjtëria e saj e përhershme mund të gjurmohet në origjinën e saj fillestare dhe mbrojtjen e pandërprerë hyjnore[12].
Vendi i shenjtë që rrethon Qaben përmendet si "xhamia e shenjtë (el-mesxhid al-haram), dhe qyteti i Mekës dhe rrethinat e tij të afërta përmenden ndonjëherë si "i bekuar (mubarak)"[13] ose si " i shenjtëruar”[14], edhe pse më shpesh përshkruhet si një tokë nën mbrojtjen e Zotit (emin). Qyteti konsiderohej një vend i shenjtë i mbrojtur në kohët paraislamike dhe Kurani e vërteton këtë duke iu referuar Mekës në përgjithësi dhe haremit në veçanti, si vende sigurie[15], duke iu përgjigjur lutjes së Abrahamit që toka e ashpër dhe e djerrë e Mekës do të ishte një rrethinë sigurie për pasardhësinë e tij (përmes Ismailit)[16]. Nocioni i haremit mekas si vend strehimi apo vend i shenjtë është i qartë në tekstin kuranor:
“A nuk e kanë vërejtur ata se Ne e kemi bërë vendin e shenjtë (Mekën) të sigurt, e njerëzit përreth tyre rrëmbehen (plaçkiten, mbyten). Po, a i besojnë ata të kotës, e të mirat e All-llahut i përbuzin?”[17]
Kur'ani deklaron se kushdo që hyn në teritorin e Mekës është i sigurt (emiin)[18] dhe se njerëzit nuk duhet ti dëmtojnë apo ti pengojnë ata që shkojnë në vendin e shenjtë për pelegrinazh (emin el-bejt)[19]. Edhe kriminelët, sipas disa verisoneve të tefsirit, duhet të konsiderohen të sigurt nga kapja dhe ndëshkimi brenda qytetit ose të paktën haremit, megjithëse disa tradita e përjashtojnë ekzekutimin e dënimeve fizike brenda qytetit[20]. Statusi i mbrojtur i qytetit dhe "paprekshmëria" e tij theksohen më tej historikisht në atë që gjatë viteve të luftës së ashpër midis muslimanëve në Medine dhe paganëve të Mekës, qyteti i Mekës u kursye nga luftimet ose gjakderdhja brenda zonave të tij, Dhe kur Meka u pushtua përfundimisht, tetë vjet pasi Muhamedi dhe pasuesit e tij ishin larguar nga qyteti, ishte një pushtim pothuajse pa derdhje gjaku, me qytetin që u dorëzua nga udhëheqësit e tij përpara se ushtria e Muhamedit të hynte në qytet[21].
Jeruzalemi
Nëse Meka përfaqëson qendrën e universit shpirtëror islam dhe vendin e mbrojtjes së pandërprerë hyjnore, ajo po ashtu është e vendosur nga tradita islame dhe vetë Kurani në një lloj marrëdhënieje polare ose plotësuese me një qytet tjetër ‘të shenjtë’ në gjeografinë islame, qytetin e Jeruzalemit. Sipas haditheve të regjistruara në ekzegjezën Kur'anore dhe gjetkë, Jerusalemi ishte qyteti i dytë i shenjtë i krijuar nga Zoti dhe u ndërtua dyzet vjet pas Mekës[22]. Lidhja midis dy qyteteve në ndërgjegjen islame u vendos dhe u vulos në mënyrë të pashlyeshme nga tregimi islam i Udhëtimit të Natës së miraxhit, në të cilin Muhamedi është marrë nga haremi (hapësira e shenjtë) në Mekë "horizontalisht" për në Jerusalem dhe më pas "vertikalisht" përmes shtatë qiejve deri në "dy harqet e gjatësisë" afër vetë Perëndisë. Ndërsa edhe komentet më të hershme Kur'anore, dhe vetë shokët e Muhamedit, nuk pajtoheshin rreth natyrës së këtij udhëtimi (a ishte vërtet fizik, apo vetëm një udhëtim shpirtëror/mendor)[23], rëndësia e të cilit, në kuptimin islam të misionit profetik dhe marrëdhënies së tij me Judaizmin dhe Krishterimin, nuk mund të mbivlerësohet. Ndërsa ka shumë tregime narrative të udhëtimit me disa ndryshime në detaje, vetë Kurani e përmend ngjarjen vetëm në mënyrë eliptike, në vargun fillestar të sures 17:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona.”
Brenda këtij pasazhi, të dy vendet janë vendosur qartë në marrëdhënien polarizuese që do të vazhdonin të gëzonin brenda ndërgjegjes islame: të dy vendet e shenjta përshkruhen si vende adhurimi (ose fjalë për fjalë "sexhde"), domethënë si "mesxhid" (xhami), por ndërsa njëri përfaqëson atdheun e shenjtë të Muhamedit, tjetri përfaqëson, ndoshta, pikën më të largët që Muhamedi kishte udhëtuar, ose të paktën vendin më të largët në të cilin ai kishte bërë "sexhde". Prandaj, është pika më e largët në të cilën Muhamedi e kishte kryer personalisht lutjen islame, pasi Muhamedi thuhet se ishte falur duke rënë në sexhde mes rrënojave të Tempullit përpara se të fillonte ngjitjen e tij në qiell.
Pikërisht nëpërmjet kësaj ngjarjeje Muhamedi arrin të kuptojë më qartë se shpallja që po merr përsipër dhe misioni fetar që i ishte dhënë, ishin pjesë e trashëgimisë më të madhe të Judaizmit dhe Krishterimit – pasi ai takohet si me Moisiun po ashtu edhe me Jezusin gjatë udhëtimit të tij. Megjithatë, ndoshta edhe më domethënëse për studimin tonë këtu është se pas kthimit të tij nga ky udhëtim i mrekullueshëm dhe për rreth pesë vjet më pas, Muhamedi dhe ndjekësit e tij e drejtuan lutjen e tyre të përditshme në drejtim të Jeruzalemit, qendrës së shenjtë të judaizmit dhe krishterimit. Edhe pse drejtimi i lutjes më vonë kthehet në drejtimin e Mekës dhe Qabes, Jeruzalemi ka mbetur gjithmonë një vend ‘i shenjtë’ dhe shumë simbolik në ndërgjegjen islame si pikë e ngjitjes mistike (siç është sigurisht edhe në krishterim). Në misticizmin islamik, Jeruzalemi, ose më saktë, "Jerusalemi qiellor", është shpesh një element simbolik në alegoritë dhe vizionet mistike[24]. Ky polaritet i shenjtë midis Mekës dhe Jeruzalemit do të formojë përfundimisht një element dhe motiv të rëndësishëm në tregimet eskatologjike islame, siç do ta shohim.
Medina si pikë e mesme ndërmjet dy qendrave të shenjta
Nëse Jeruzalemi mund të thuhet se ekziston në marrëdhënie të polarizuara me Mekën në ndërgjegjen islame, ai është gjithashtu hierarkikisht i treti nga tre qytetet e shenjta në Islam, pas Mekës dhe gjithashtu Medinës, qyteti i adoptuar i Profetit dhe vendi i shtetit të parë të pavarur fetar islam. Një hadith i transmetuar gjerësisht që i atribuohet Muhamedit, ai i urdhëron ndjekësit e tij të ndërmarrin udhëtime të veçanta (pelegrinazhe) në asnjë vend tjetër me përjashtim të tre vendeve të shenjta: Mekë, Medinë dhe Jerusalem (zakonisht kuptohen sipas rendit hierarkik)[25]. Kështu, Medina zakonisht konsiderohet e dyta vetëm pas Mekës, si një vend i shenjtë në Islam dhe me rëndësi më të madhe për muslimanët sesa Jeruzalemi.
Medina si e tillë nuk përmendet drejtpërdrejt në Kuran si një vend i shenjtë dhe sigurisht që nuk posedon natyrën e mrekullueshme të Mekës dhe Jeruzalemit si pika kontakti të drejtpërdrejtë me Hyjnoren, por megjithatë konsiderohet e ‘shenjtëruar’ nga prania e vetë Muhamedit[26]. Sepse Muhamedi jo vetëm që e bëri Medinën shtëpinë e tij dhe themeloi shoqërinë e parë të vërtetë islame atje, ai gjithashtu zgjodhi të vdiste atje. Kur Meka u çlirua përfundimisht tetë vjet pasi Muhamedi ishte larguar nga qyteti, ai e pastroi Qaben nga idhujt e saj, ia përkushtoi atë adhurimit të Zotit të vetëm, i udhëzoi banorët e saj për stilin e duhur të jetesës islame dhe më pas u kthye në Medine, ku ai do të jetonte dy vitet e mbetura të jetës së tij. Sado e shenjtë që ishte Meka, përkundër faktit se ishte qyteti i tij i lindjes, qyteti i të parëve të tij, qyteti në të cilin ai mori shpalljen e parë dhe qyteti i Qabes së shenjtë, ai zgjodhi të mos vendosej aty dhe të uzurponte qytetin. Ai e la atë si një vend të shenjtë pelegrinazhi dhe u kthye në Medine. Në një seri hadithesh mbi meritat e Medinës, Profeti deklaron se ai kërkoi mbrojtjen e Zotit për qytetin dhe e shpalli atë një vend të shenjtë (haram) si Meka, sepse armët nuk duhej të përdoreshin në qytet dhe nuk duhej të ppraktikohej gjuetia brenda kufijve të saj[27]. Në këtë mënyrë, ai i bëri veprimet e tij analoge me ato të Ibrahimit, i cili iu lut Zotit që ta bënte Mekën një "rajon të sigurisë" për familjen e tij të cilën e kishte vendosur atje dhe për këtë arsye vendosi statusin e saj si qytet i mbrojtur. Është gjithashtu e rëndësishme të përmendet se gjatë viteve të hershme heroike të vendosjes islame në Medine, qyteti ishte fokusi i identitetit komunitar islam, përderisa çdokush që dëshironte të bashkohej me komunitetin fetar të Muhamedit iu kërkua të "vendosen" në (d.m.th. bëj hixhret në) Medine. Ata që iu nënshtruan mesazhit fetar të Muhamedit dhe Kuranit, por nuk erdhën për t'u vendosur në Medine, konsideroheshin vetëm anëtarë margjinalë të komunitetit, të cilët nuk gëzonin asnjë të drejtë për mbrojtje apo aleancë me muslimanët Medinas[28]. Kjo ishte një lidhje e përkohshme, megjithatë, pasi që Meka dhe pjesa më e madhe e Gadishullit Arabik, hynë në gjirin e Islamit, obligimi i kërkuar i hixhretit në Medinë u hoq.
Por Medina nuk është vetëm "sekonda" e mesme midis Mekës dhe Jerusalemit (qyteti i parë dhe i tretë më të shenjtë në Islam), por gjithashtu ndodhet gjeografikisht midis këtyre dy qyteteve të tjera dhe përfaqëson si simbolikisht edhe historikun e tensionit midis këtyre dy qendrave të tjera të shenjta. Pikërisht në Medinë, Muhamedi e gjen veten të ndarë midis qytetit të tij të lindjes, Mekës dhe faltores së tij të shtrenjtë – të cilës i është dashur, në fakt, “ti kthehet shpina” drejt të cilës nuk mund të kthehet ende – dhe Jeruzalemit, drejtimit të tij të ri të adhurimit dhe ndjenjës shoqëruese të marrëdhënies me traditat hebraike dhe të krishtera që përfaqëson lutja në atë drejtim. Por në Medine ai e gjen veten të refuzuar nga përfaqësuesit e vetë trashëgimisë hebraike që simbolizohet në lutjen e tij drejt Jeruzalemit. Ndërsa raportet tregojnë se hebrenjtë e Medinës fillimisht ishin të kënaqur me Muhamedin ndërsa drejtimi i lutjes ishte Jerusalemi, ata u kthyen kundër tij me vendosmëri kur Muhamedi mori urdhërin hyjnor për ta ridrejtuar lutjen e tij drejt faltores së shenjtë në Mekë. Për më tepër, disa të konvertuar nominalë në Islam - të njohur në traditën kur'anore dhe islame si "hipokritë", disa prej të cilëve ishin të konvertuar nga judaizmi - me sa duket hoqën dorë nga besimi i tyre në Muhamedin dhe Islamin pas këtij ndryshimi dhe disa të tjerë humbën besimin në statusin e tij si i dërguar hyjnor:
“Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: "Çka i ktheu ata (muslimanët) prej kibles (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)? Thuaj: "Të All-llahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do". Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush. E Kiblen nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që All-llahu i drejtoi. All-llahu nuk është që t'ua humbë besimin tuaj. S'ka dyshim se All-llahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve. Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhurruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti i tyre. E All-llahut nuk mund t'i fshihet ajo që veprojnë ata. Po edhe sikur t'u sillshe ti çdo lloj argumenti atyre që u është dhënë libri, ata nuk pasojnë kiblen tënde, e as ti nuk do të pasosh kiblen e tyre, po asnjëra palë nuk do ta pasojë kiblen e tjetrës. E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor. Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin ate (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup pre tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën. Secili (popull) ka një anë të cilës ai i kthehet, ju shpejtoni kah punët e mbara, kudo që të jeni All-llahu ka për t'ju tubuar të gjithëve, All-llahu ka fuqi për çdo send. “ (2:142-146/148)
Ndërsa këto vargje kuranore nuk tregojnë armiqësi të tmerrshme midis Muhamedit dhe popullatës hebreje të Medinës – ata kanë kiblen e tyre dhe ju keni tuajën, secili për qëllimin e vet – ato theksuan se Islami ishte një fe e dallueshme nga Judaizmi apo Krishterimi dhe se një element kyç i dallimit të tij me këto të dyja ishte lidhja e thellë dhe e qëndrueshme ndaj trashëgimisë arabe Abrahamike që përfaqësonin Meka dhe Qabeja.
Koncepti i Tokës së Shenjtë dhe Qendrave të Shenjta në Islam
Nga diskutimi ynë rreth këtyre tre vendeve të shenjta në Islam, duhet të jetë e qartë se megjithëse sigurisht ekziston një koncept i "tokës së shenjtë" në Islam, ai nuk është një koncept analog me idenë e Tokës së Premtuar në Judaizëm. Në kontekstin e tij judaik, Toka e shenjtë e Kanaanit u jepet izraelitëve si e drejta e lindjes. Pavarësisht nëse e posedojnë apo jo, ajo është në parim e tyre, siç e bën të qartë edhe Aryeh Cohen në punimin e tij, se pasazhet e shkrimeve të shenjta përcjellin një urdhër të qartë për të "kolonizuar tokën" duke e implementuar këtë të drejtë të lindjes, megjithëse kuptimi i kësaj urdhërese dhe zbatueshmëria e saj në kohën e diasporës është debatuar mes autoriteteve rabinike. Ata që nuk e njohin Kur'anin duke pasur parasysh po ashtu luftën e vazhdueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve, mund të habiten kur mësojnë se Kur'ani gjithashtu raporton se izraelitëve iu dha e drejta për një pjesë të tokës (jo në mënyrë specifike, gjeografikisht ose me emër)[29] nga Zoti, duke sugjeruar një miratim kuranor të konceptit judaik të "Tokës së Premtuar":
“E atij populli që ishte i nënshtruar i trashëguam lindje e perëndim të tokës, që Ne e bekuam (me të mira), ndërsa për durimin që patën, u plotësua fjala më e mirë (premtimi i vërtetë) e Zotit ndaj beni israilëve; rrënuam atë që bënte faraoni i tij, si dhe atë që kishin ndërtuar ata” 7:137.
“Pas tij beni israilëve u thamë: "Rrini në vend, e kur të vijë koha e botës tjetër, Ne ju sjellim të gjithëve të përzier" 17:104.
Traditat e tefsirit theksojnë më tej urdhërin hyjnor për këtë tokë drejtuar izraelitëve, duke raportuar se Zoti e kishte gdhendur këtë tokë për izraelitët në "Tabelën e Ruajtur" mistike - e cila përmban dekretin e Zotit nga gjithë përjetësia - dhe se ajo iu dha atyre si një dhuratë nga Zoti që ata të banojnë dhe të vendosen në të duke përjashtuar (nga kjo vendosje) tiranët vendas[30]. Megjithatë, Jerusalemi/Kanaani, ndryshe nga Meka, nuk është domosdoshmërisht një vend i imunizuar nga dhuna (edhe pse tradita islame i referohet vendit të shenjtë në Jerusalem si haram), sepse Kurani gjithashtu regjistron urdhërin e Zotit drejtuar izraelitëve në shkretëtirë, në mënyrë që të luftojnë për këtë tokë duke ia hequr atë banorëve të saj ekzistues:
“O popull imi, hyni në tokën e shenjtë, të cilën All-llahu ua premtoi, dhe mos u ktheni mbrapa, pse atëherë khteheni të dëshpëruar. Ata (populli i Musait) thanë: "O Musa, aty është një popull i fuqishem (dhunues), prandaj ne nuk do të hyjmë aty kurrë derisa ata të mos dalin nga ajo (të na e lirojnë pa luftë), nëse dalin ata nga ajo, ne do të hyjmë". Dy burra, prej atyre (prijësve) që All-llahu i kishte pajisur me bindje dhe kishin frikën e Tij, thanë: "Hynju atyre nga dera, e kur t'u hyni nga ajo, atëherë ju jeni ngadhënjyes. Dhe vetëm All-llahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë të sinqertë". Ata thanë: "O Musa, ne kurrë nuk hyjmë në të derisa ata janë aty, shko pra ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë këtu!" (Musai) Tha: "Zoti im! Unë nuk kam në dorë pos vetes sime dhe as vëllai im (Haruni nuk ka në dorë pos vetvetes, ose: pos vetes sime dhe vëllain tim), ndana, pra, neve prej popullit të fëlliqtë". (All-llahu) Tha: "Ajo (tokë) është e ndaluar (haram) për ta katërdhjetë vjet. Do të sillen nëpër tokë (të hutuar). Ti mos u keqëso për popullin e shfrenuar". 5: 21-26[31].
Ndërsa këtu Kur'ani përfshin po ashtu një tregim rreth mungesës së gatishmërisë të izraelitëve për të hyrë në Tokën e Premtuar dhe për të luftuar për të, nga frika e banorëve që atëherë e banonin atë, Kur'ani thotë se kjo mungesë gatishmërie rezultoi në ndalimin e tyre për të hyrë në atë tokë për dyzet vjet ndërsa traditat e tefsirit raportojnë se kur kaloi ajo kohë, ata mundën ta zotëronin tokën me ndihmën e Zotit. Kurani, megjithatë, duket se i referohet dy shkatërrimeve të Tempullit hebre dhe i lidh këto me praninë e korrupsionit fetar midis izraelitëve (siç po ashtu referojnë burimet hebraike, edhe pse flasin vetëm për shkatërrimin e Tempullit të parë):
“Ne u kumtuam në libër beni israilëve: "Ju do të bëni shkatërrime dy herë në tokë dhe do të tejkaloni duke bërë zullum të madh". Kur erdhi koha e premtimit të parë, Ne dërguam kundër jush njerëz Tanë, që ishin të fuqishëm e të ashpër (sulmues) dhe ata hulumtuan (rreth e përqark) përreth vendit (duke mos u frikësuar). E ai (ndëshkim) ishte vendim i prerë. Pastaj, Ne ua kthyem juve mbisundimin kundër atyre, ju përforcuam me pasuri e me djem dhe ju shtuam më së shumti. Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes. E kur vjen koha e fundit (herën e dytë Ne i dërgojmë) që t'ju shëmtojnë fytyrat tuaja, që të hyjnë në xhaminë (Aksa) sikurse hynë herën e parë dhe që të shkatërrojnë rrënjësisht atë që arrijnë. Zoti juaj do t'ju mëshirojë (nëse pendoheni), e nëse ju i ktheheni (të keqes), kthehemi (me ndëshkim) edhe Ne. E xhehennemin e kemi bërë burg për jobesimtarët.”[32]
Ndërsa Kurani e vendos përgjegjësinë për këtë shkatërrim mbi supet e vetë izraelitëve, është e qartë se në asnjë rast dështimet morale të izraelitëve nuk çojnë në një revokim të qartë të së drejtës së tyre për tokën,por as ky shkatërrim nuk i përjashtoji ata nga falja dhe mëshira e Zotit – duke qenë se fragmenti raporton se Zoti i forcon dhe rikthen izraelitët pas shkatërrimit të parë dhe e lë të hapur mundësinë që Ai ta bëjë këtë përsëri pas të dytit (shkatërrim).
Ka disa pasazhe që e konsiderojnë këtë tokë, të shenjtë ose të bekuar për të gjithë njerëzit pra në një panoramikë universale[33]. Megjithatë nocioni i një toke të bekuar botërisht është në fakt shumë më i dukshëm në përshkrimet kuranore të vendit të shenjtë të islamit, Mekës. Përderisa Kurani duket se miraton pretendimin ekskluziv të izraelitëve për tokën që Zoti u kishte dhënë atyre (të paktën historikisht) dhe raporton se Zoti i kishte urdhëruar ta pushtonin dhe ta zotëronin atë, Kurani nuk bën sugjerime të tilla në lidhje me Mekën. Për më tepër, sado domethënës të ketë qenë shpirtërisht Jerusalemi në jetën e Profetit, Kurani nuk jep asnjë urdhër që muslimanët të vendosen ose të pushtojnë këtë tokë. Traditat që i atribuohen Profetit thjesht sugjerojnë që muslimanët duhet të vizitojnë territorin e xhamisë së Aksasë dhe të falen atje nëse është e mundur, e nëse kjo nuk është e mundur, ata duhet të dërgojnë donacione për mirëmbajtjen e saj[34]. Megjithatë, Jeruzalemi u pushtua së bashku me pjesën tjetër të territoreve siriane dhe palestineze në vitin 638. Kalifi në fuqi në atë kohë, Umer b. al-Khatab, nuk kishte dëshirë të largohej nga Medina, pavarësisht nga pushtimi masiv i territoreve të arritur gjatë mandatit të tij. Megjithatë, rrëfimet historike raportojnë se ai bëri një udhëtim të veçantë jashtë Gadishullit Arabik për të parë këtë vend të shenjtë dhe për të rregulluar personalisht kushtet e dorëzimit të qytetit, me kërkesë të banorëve të tij të krishterë. Thuhet se ai u prek shpirtërisht duke qenë në vendin e Shenjtit të Shenjtorëve (i referuar si mihrab, ose kamari i lutjes, i Davidit) dhe u lut atje, por gjithashtu u trondit thellësisht kur pa që Tempulli ishte mbushur me mbeturina nga banorët e saj bizantinë; ai menjëherë filloi të hiqte mbeturinat vetë me duart e veta dhe urdhëroi shoqëruesit dhe shokët e tij të bënin të njëjtën gjë[35]. Vetëm në kohët e mëvonshme, dhe nën udhëheqjen dinastike të Umajadëve, Kupola e Shkëmbit u ndërtua si një monument islam në atë vend.
Në rastin e vetë Mekës, Muhamedi është i përmalluar për ta futur qytetin në gjirin e Islamit dhe për ta pastruar Qaben nga statujat dhe stolitë e saj idhujtare dhe ta rezervojë atë për adhurimin e Zotit të vetëm. Në fund të jetës së Muhamedit, në një nga kapitujt e fundit të Kuranit që do të shpallet (surja 9: Teube), lëshohet një dekret në të cilin urdhërohet që idhujtarët dhe politeistët të mos hyjnë më në qytetin e pastruar (nga idhujt dhe statujat) po ashtu të mos marrin pjesë në festivalin vjetor, pelegrinazhin e haxhit[36]. Megjithatë, edhe në këtë rast, Muhamedi nuk e ndjen të domosdoshme që ta zotërrojë ose të banojë personalisht brenda qytetit. Ai është i kënaqur që ai të mbetet një vend pelegrinazhi për të dhe që banorët e tij të pranojnë Islamin. Sepse sado e shenjtë të jetë Meka, jeta ritualistike dhe shpirtërore e Islamit nuk është e lidhur simbolikisht me banimin në ndonjë hapësirë gjeografike, siç është, për shembull, në fenë e lashtë izraelite (“Si mund ta këndojmë këngën e Zotit në një tokë të huaj?”)[37] ose në hinduizëm, me konceptin e Indisë si atdhe i shenjtë, dhe koncepti shpesh i artikuluar se hinduizmi mund të praktikohet vërtet në Indi. Megjithatë, në Islam nuk është kështu; përkundrazi, siç thotë një hadith, duke iu drejtuar muslimanëve: “E gjithë toka është bërë vendfalje për ju”[38]. Kjo mund të interpretohet si një referencë për një lloj fati ekspansionist islam, por gjithashtu mund të kuptohet se e gjithë toka është e shenjtë dhe e shenjtëruar, pikërisht sepse çdo hapësirë në të mund të jetë një vend për bashkimin midis hyjnores dhe njerëzores në lutje. Vini re se kur kibleja ndërrohet nga Jeruzalemi në Mekë, Kurani u përgjigjet atyre që vënë në dyshim ndryshimin duke thënë: “Të Zotit janë Lindja dhe Perëndimi!” dhe gjetkë “Të Zotit janë Lindja dhe Perëndimi, pra kudo që të ktheheni, aty do të gjeni fytyrën e Zotit”[39] dhe “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, …”[40].Për më tepër, të mos jesh në një tokë të shenjtë apo edhe në një territor në të cilin feja respektohet, nga pikëpamja kuranore, nuk është justifikim për mangësitë në praktikën rituale ose në besim, ndryshe nga rasti judaik, ku disa mitzvot mund ose duhet të përmbushen vetëm në Tokën e Premtuar. Në një pasazh kuranor, një grup njerëzish vijnë para Zotit në Ditën e Gjykimit, duke u përpjekur të justifikojnë mungesën e besimit ose praktikës së tyre fetare duke argumentuar se ata "ishin të shtypur në tokë". Përgjigja Kur'anore kthehet në mënyrë të prerë: "A nuk ishte toka e Zotit aq e gjerë për ju që të mund të shpërnguleni (gjetkë)?"[41] . Vini re se kjo është pikërisht ajo që bëri Muhamedi duke e lënë qendrën e shenjtë të Mekës për në Medinën e panjohur.
Ndoshta më interesant është fakti se nga vendet e shenjta në Kuran, është Meka ajo që më së shpeshti është caktuar si një vend i shenjtë për njerëzimin në tërësi dhe jo vetëm për muslimanët në veçanti. Ndërsa pamë shembullin e tokës së shenjtë që iu dha izraelitëve e cila u përshkrua si "e bekuar për të gjithë botët" (21:71), është Qabeja në Mekë dhe vetë Meka, e cila është caktuar vazhdimisht si një vend i shenjtë me rëndësi universale për njerëzimin, siç kemi lexuar tashmë në vargun e cituar më sipër:
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.” 3:96-97
Ndërsa Kurani këtu duket se thotë se faltorja në Mekë (ose Bekë) është një vend udhërrëfyes shpirtëror dhe pelegrinazhi për "të gjithë njerëzimin", ky sugjerim është injoruar kryesisht në komentet tradicionale të këtij pasazhi. Megjithatë, vargjet e tjera duket se konfirmojnë statusin universal të Qabes si një vend të shenjtë dhe një vend të ruajtur nga dhuna:
“All-llahu e bëri Qaben, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (çështje të fesë e të jetës) për njerëz, dhe muajin e shenjtë, edhe kurbanin edhe (ato kafshë të shënuara për kurban) atë me qafore. Këtë (përcaktim nga Zoti) që ta dini se All-llahu e di ç'ka ka në qiej dhe ç'ka ka në tokë dhe se All-llahu ka përfshirë me urtësinë e dijen e vet çdo send (përcaktimi i Zotit për këto është me qëllim të caktuar, e për të mirën e njerëzve).” 5:97
Edhe këtu, komentet tradicionale shmangin çdo diskutim të statusit universal të Qabes - me një rresht komenti që sugjeron se shtëpia e shenjtë dhe muaji i shenjtë ishin synuar si një pikë mbështetje dhe një vend i shenjtë për arabët paraislamikë dhe në veçanti, si një vend strehimi nga konfliktet e tyre të brendshme[42]. Diku tjetër, Kurani e bën të qartë se që nga koha e Abrahamit, Shtëpia në Mekë ka përfaqësuar një vend të shenjtë për të gjithë njerëzit, me Abrahamin (Ibrahimin) i cili u udhëzua të shpallë aty ritualin e haxhit, për gjithë njerëzimin:
“Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde. Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta” 22:26-27
Natyra universale e shenjtërisë së Qabes, e sugjeruar në këtë pasazh kuranor, përforcohet më tej nga traditat e tefsirit që pohojnë se kur Abrahami bëri këtë thirrje në pelegrinazh me urdhër të Zotit, malet u ulën në mënyrë që shpallja të përhapej në të gjithë tokën, në mënyrë që do ta dëgjonin edhe ata që nuk kanë lindur ende (d.m.th., ata që janë ende në "barqet apo kockën sakrale" të prindërve të tyre)[43].
Megjithatë, një varg tjetër kuranor, i cili pohon se haremi Mekas ishte caktuar të jetë i tillë për të gjithë njerëzimin, është kuptuar nga ekzegjeza Kuranore se ndonëse ata që jetojnë dhe banojnë përreth haremit gëzojnë të drejta të plota në pronën e tyre, të tillët nuk kanë të drejtë t'i ndalojnë të tjerët nga e drejta e tyre e kryerjes së haxhit në Qabe:
“S'ka dyshim se ata të cilët nuk besuan dhe pengojnë prej rrugës së All-llahut dhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes), të cilën Ne e bëmë të barabartë për njerëz, qofshin vendas ose të ardhur, dhe kushdo që të përpiqet të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat, Ne kemi për t'ua shijuar një dënim të idhët.” 22:25
“Çka kanë ata që të mos i dënojë All-llahu, kur ata janë që pengojnë (të tjerët) nga xhamia e shenjtë (Qabja), e edhepse nuk janë mbikëqyrës të saj. Kujdestarë të saj janë vetëm ata që ruhen (të devotshmit), por shumica e tyre nuk është që di.” 8:34
“Ata janë që nuk besuan, ju penguan t'i afroheni xhamisë së shenjtë (Qabes), duke i mbajtur kurbanet të penguar të arrinin në vendin e vet. E sikur të mos kishte burra besimtarë dhe gra besimtare, që ju nuk i dinit, e t'i sulmonit duke mos ditur, dhe me mbytjen e ndonjërit prej tyre të turpëroheni (Zoti do t'ju jepte leje të hyni në Mekë). (E bëri atë) Për ta marrë All-llahu në mëshirën e vet atë që do. Dhe sikur të ishin të ndarë, Ne do t'i dënonim me një dënim të rëndë ata prej tyre të cilët nuk besuan”.” All-llahu ëndrrën e të dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e All-llahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, t'i rruani flokët e kokave tuaja, t'i shkurtoni e nuk do të keni frikë! Pra Ai ka ditur atë që ju nuk e dinit, para kësaj ju dha një fitore të shpejtë (Hajberin).” 45:25,27
Tradita e tefsirit islam raporton se këto vargje ishin përcaktuar si një qortim për mekasët paganë, të cilët refuzuan hyrjen e muslimanëve medinas në vendin e shenjtë për të kryer pelegrinazhin dy vjet përpara se ai përfundimisht të vihej nën kontrollin e muslimanëve[44]. Në mënyrë të njejtë, Kurani i kërcënon ata që do të pengojnë të devotshmit e Zotit të hynin në vendin e shenjtë:
“E kush mund të jetë më mizor se ai që në xhamitë e All-llahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë respektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh.” 2:114
Në shumicën e komenteve Kur'anore, ky pasazh konsiderohet të jetë një qortim për të krishterët për ndalimin e hebrenjve që t'i afrohen tempullit të tyre dhe për angazhimit të tyre në shkatërrimin e tij[45].
Në fakt, Kurani flet për rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së të gjitha vendeve të adhurimit monoteist, duke përfshirë "manastiret", "kishat", "sinagogat" dhe xhamitë, një ide që disa muslimanë e kanë marrë si të mirqenë se ishte detyra e tyre të mbronin dhe ruanin vendet e shenjta të ithtarëve të librit, si dhe të tyret njëkohësisht, pasi të gjitha ato përfaqësonin faltore kushtuar të vetmit Zot:
“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejt, e All-llahu ka fuqi për t'u ndihmuar atyre (muslimanëve). (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: "All-llahu është Zoti ynë!" u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, sinagogat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut. E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues.” Kuran 22:39-40
Në Kuran, të gjitha qendrat monoteiste të adhurimit dhe të gjithë besimtarët monoteistë duket se kanë një status të mbrojtur; vetëm idhujtarët janë të ndaluar në mënyrë të qartë të hyjnë në faltoren e Mekës, sipas Kuranit:
“Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e All-llahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në zjarr. E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)” 9:17-18.
“O ju që besuat, vërtet idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më xhamisë së shenjtë. Nëse i frikësoheni skamjes, All-llahu me dëshirën e vet do t'ju pasurojë me mirësitë e Tij. All-llahu është i gjithëdijshëm, është i urtë.” 9:28
Megjithatë, sigurisht, autoritetet islame më vonë i shndërruan disa vende të krishtera të adhurimit në xhami; dhe, në të njëjtën kohë, Islami filloi t'i shihte Mekën dhe Medinën si vende të shenjta në të cilat vetëm muslimanëve u lejohej ekskluzivisht hyrja në to. Më pak se një dekadë pas vdekjes së Muhamedit, 'Umeri do të urdhëronte që i gjithë gadishulli arab të caktohej një tokë e banuar ekskluzivisht nga myslimanët, ndërsa banorët hebrenj dhe të krishterë të zhvendoseshin diku tjetër në tokat islame. Umeri pretendon se kjo ishte diçka që Muhamedi kishte për qëllim ta bënte, por sigurisht që nuk ka asgjë në vetë Kuranin që ta sugjerojë këtë.
Toka e shenjtë në tregimet eskatologjike islame
Në narrativat eskatologjike islame dhe rëndësinë shpirtërore dhe historike të vendeve dhe qyteteve të ndryshme gjeografike u formua një element i rëndësishëm në parashikimet mesianike të kohëve të fundit (para kataklizmës). Të gjitha këto tregime i përkasin traditës profetike ose sunetit islam duke mos patur bazë në vetë Kuranin. Për më tepër, tregimet nuk pajtohen mes tyre, zbulojnë një kontrast të mprehtë midis sunitëve dhe shiitëve për këtë çështje dhe shfaqin lehtësisht një lidhje polemike dhe politike me ngjarje të veçanta në historinë e hershme islame. Përveç thënies së mirënjohur islame se askush nuk e di të ardhmen (e cila është pjesë e gajbit, ose e padukshme) përveç Zotit, duke përfshirë Profetin Muhamed, shumë prej narrativave përfshijnë gjithashtu parashikime historike . Studiues si Wilferd Madelung, Michael Cook dhe Suliman Bashear janë përpjekur të tregojnë lidhjen mjaft të cekët që këto rrëfime dhe parashikime kanë ndonjëherë me betejat politike dhe ushtarake me të cilat përballet komuniteti islam në fund të shekullit të 7-të dhe në fillim të shekullit të 8-të. Për shembull, në fund të shekullit të 7-të, bashkësia islame po përballej me grindje të brendshme në formën e një lufte të dytë civile, e cila vuri përballë dinastinë Umajade, e cila ishte e vendosur në Siri dhe për këtë arsye kishte nën kontrollin e saj Jerusalemin, me atë të Zubejridëve, me bazën e tyre në Hixhazin Arabik, të cilët kishin nën kontrollin e tyre faltoren e Mekës. Kjo luftë, e cila zgjati për pothuaj më tepër se dhjetë vite, mund t'ë jetë dukur vërtet si fundi i botës për shumë njerëz në bashkësinë islame, e cila e përqendroi vëmendjen në këto dy qytete të shenjta - me Umajadët në një moment që sulmuan udhëheqësin Zubejrid brenda vetë faltores së shenjtë të Mekës[46], ndërsa në të njëjtën kohë ndërtuan vendin e shenjtë në Jerusalem. Ndërsa Umari ishte thellësisht i tronditur kur pa rrënojat e Tempullit dhe thuhet se dha udhëzime për të ndërtuar një xhami muslimane në vend – por të ndarë nga shkëmbi i shenjtë dhe vetë Shenjti i lashtë i të Shenjtëve – ndodhi pikërisht në kohën e Sundimit Umajad të Abdul-Melik b. Maruan, i cili u angazhua në këtë betejë kundër Zubejridëve në Mekë, që u ndërmorë ndërtimi i Kupolës së Shkëmbit (kubetu sakhra). Kjo mund të jetë bërë pjesërisht për të krijuar një qendër tjetër të shenjtë brenda kontrollit Umajad që do të rivalizonte haremin e Mekës. Në të njëjtën kohë, muslimanët u angazhuan gjatë gjithë shekullit të VII dhe në fillim të shekullit të 8-të në inkursione të jashtme ushtarake me bizantinët e krishterë. Për më tepër, Kupola e Shkëmbit, siç dihet, është gjithashtu e gdhendur kryesisht me vargje kuranore që pohojnë pikëpamjen islame të natyrës së Jezusit mbi pikëpamjet e krishtera të Trinitetit dhe konceptit të birit. Në këtë masë, vetë ndërtesa ka rolin e një funksioni polemizues përballë të krishterëve bizantinë me të cilët kjo dinasti ishte e përfshirë në luftëra territoriale.
Shumica e tregimeve eskatologjike islame përfshijnë kthimin e Jezusit për të vrarë Dexhallin (emri mysliman për Antikrishtin). Kjo luftë përshkruhet shpesh sikur ndodh në zonën përreth Jeruzalemit dhe sipas një numri hadithesh, Dexhalli nuk do të lejohet ose nuk do të mund të hyjë në vendet e shenjta të Mekës ose Medinës[47]. Mbrojtja hyjnore e Mekës, siç pohohet në Kuran, kuptohet se e bën atë të papërshkueshme nga e keqja e madhe e Dexhallit; dhe hadithe të shumta që lavdërojnë Medinën pohojnë një mbrojtje të ngjashme hyjnore edhe për atë haram (faltore të shenjtë). Të njëjtat rrëfime eskatologjike shpesh vazhdojnë të pohojnë se pas vrasjes së Dexhallit, Jezusi do të ndërmarrë një sërë veprimesh të dizajnuara për të minuar shumë nga ritet dhe ritualet e veçanta që i përkasin krishterimit dhe për të treguar respektin e tij ndaj mesazhit islam. Për këtë qëllim, një hadith i njohur eskatologjik thotë se Jezusi jo vetëm do të vrasë Dexhallin, por do të thyejë kryqet dhe do të vrasi derrat dhe do të falet sipas rititualeve islame në Jerusalem[48]. Është e lehtë të shihet se si këto ngjarje të parashikuara shërbejnë për të vendosur vulën përfundimtare mbi nocionet e mbivendosjes së Islamit mbi ato të krishtera, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ato pothuajse me siguri u shfaqën. Referenca të ngjashme polemike për zona të veçanta gjeografike mund të shihen në tregimet eskatologjike shiite, ku është Mehdiu shiit i cili i vetëm, ose ndonjëherë së bashku me Jezusin, do të udhëheqë betejat përfundimtare të kohëve të fundit. Në tregimet shiite, Mehdiu do të fillojë nga Meka, si Imami i tretë , Husajn b. 'Ali, dhe të marri rrugën e tij për në Irak. Tradita të ndryshme shiite përqendrohen në Qerbela ose Kufa (vendi i martirizimit të Husejnit dhe 'Aliut ) në mënyrë specifike, si bazë e Mehditut, ndërsa ai lufton betejën e fundit[49]. Ajo që është interesante në këto tradita të ndryshme eskatologjike sunite dhe shiite, është se të dyja kanë fokusin e tyre gjeografik në qytete ose zona me grindje historike dhe fetare – sikur të rishikojnë dhe/ose korrigjojnë betejat e mëparshme – ndërsa qytetet e Mekës dhe Medines, pavarësisht rëndësisë së tyre shpirtërore, ruajnë statusin e tyre të miratuar në Kur'an dhe sunetin Profetik si vende të shenjta të mbrojtura, kryesisht të imunizuara nga betejat e fundit të kohëve.
Megjithatë, fakti që shumica e tregimeve eskatologjike islame vendosen në Jerusalem ose rreth tij, në vend të Mekës, ka një simbolikë të fuqishme shpirtërore, të rrënjosur thellë në traditat rreth Udhëtimit të Natës së Muhamedit, por jo domosdoshmërisht e lidhur me beteja thjesht polemike ose politike. Përqendrimi eskatologjik islam në Jerusalem përsërit udhëtimin e Muhamedit atje gjatë viteve të tij të fundit mekase, sepse vetëm në Jerusalem Muhamedi merr udhëzimet për vetë faljen (namazin) që këto tregime eskatologjike pretendojnë se Jezusi do të kryejë. Është vetëm në Jerusalem që Muhamedi e gjen veten në bashkësinë e të gjithë profetëve, duke përfshirë Adamin, Abrahamin dhe Moisiun, si dhe Jezusin. Meka, si qendra e monoteizmit të pastër abrahamik, përfaqëson origjinën në shkretëtirë, monoteizmin e pastër dhe të dlirë të shkretëtirës dhe "qumështin" primordial të cilin Muhamedi e zgjedh mbi "verën" e vjetëruar kur të dyja i ofrohen para se ai të ngjitjej drejt qiejve; ndërsa Jeruzalemi përfaqëson "xhaminë më të largët", të ardhmen, pikën e përfundimit dhe mbylljes. Është vendi ku bashkohen fetë, ku ato më në fund tregohen të jenë një, siç tregohet në vargjet kuranore të cilat sugjerojnë qoftë dallimet providencale midis feve monoteiste por edhe pajtimin e tyre përfundimtar:
“Secili (popull) ka një anë të cilës ai i kthehet, ju shpejtoni kah punët e mbara, kudo që të jeni All-llahu ka për t'ju tubuar të gjithëve, All-llahu ka fuqi për çdo send.” 2:148
“Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur'anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko pra mes tyre me atë që All-llahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që të erdhi. Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program (të posaçëm në çështje të veprimit). Sikur të donte All-llahu, do t'ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t'ju sprovojë në atë që ua dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu, e Ai do t'ju njoftojë me atë që kundërshtoheshit” 5:48
Eskatologjikisht, ku tjetër mund të takohen të gjitha këto fe në fund të të gjitha gjërave, veçse në qendrën e tyre të përbashkët të shenjtë në Jerusalem?
Marrëdhënia polare midis Jerusalemit dhe Mekës në perspektivën islame ndodh jo vetëm në rrafshin e gjeografisë së shenjtë, por edhe në rrafshin e historisë së shenjtë ose të kohës së shenjtë. Në traditën islame jashtë Kur'anore, Meka lidhet me origjinën e vetë tokës, ose të paktën me origjinën e unifikuar të jetës fetare tokësore në praktikat fillestare të Adamit, të cilat pasqyronin ndjenjën e tij të mërgimit dhe nostalgjinë e tij për banesën e tij në parajsë ,e cila mbeti e rënjosur në kujtesën e tij të ndërgjegjshme. Lidhja intime e qytetit me Abrahamin - e përforcuar nga ritet e pelegrinazhit të haxhit, të cilat të gjitha kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose simbolike me historinë e Abrahamit dhe familjes së tij në këtë rajon - thekson më tej primordialitetin dhe pastërtinë e Mekës si origjinën e gjithë adhurimit monoteist. Jerusalemi, nga ana tjetër, është vendi i "xhamisë më të largët"; është vendi ku Muhamedi e sheh fenë e tij, me origjinë në shkretëtirën e largët arabe, si përfundimisht të bashkuar me fetë (besimin) e të gjithë profetëve ndaj edhe është vendndodhja e ngjarjeve përfundimtare eskatologjike, të cilat, besohet se do të rezultojnë jo vetëm me triumfin e fesë njëherë e përgjithmonë kundër forcave të së keqes, por që do të arrijë gjithashtu drejt një uniteti përfundimtar të feve dhe kështu do të plotësojë harkun e historisë shpirtërore, të filluar në Mekë, por duke përfunduar në Jerusalem. / Përktheu: Alban Gorishti
Referencat:
[1] Kur'ani 5:2 . Një nga konfliktet e para midis emigrantëve muslimanë në Medine dhe ish-të afërmve të tyre paganë në Mekë, përfshinte një sulm të muslimanëve ndaj një karvani tregtar Mekas gjatë një prej muajve të shenjtë. Duke iu përgjigjur kritikave që morën muslimanët për këtë shkelje, Kurani pohon se lufta gjatë muajit të shenjtë është me të vërtetë një shkelje e rëndë, por shtypja për arsye religjoze dhe dëbimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre ishte diçka edhe më e rëndë, e cila duhej të merrte përgjigjen e merituar qoftë edhe në muajt e shenjtë (Kur'an 2:217). Ndërsa kjo ngjarje dhe përgjigja e saj kuranore duket se bëjnë një përjashtim nga ligjet që rregullojnë muajt e shenjtë për të mbrojtur dhe frocuar fenë përballë armiqve të saj paganë, pra është "përjashtimi që vërteton rregullin", pasi ai njëkohësisht pranon dhe konfirmon rëndësinë e kësaj kohe të shenjtë, në përgjithësi.
[2] Zemakhsheri raporton në komentin e tij, el-Keshsh (Bejrut: Dar al-Kutub al-`Arabijah, 1995, v. 1, fq. 378), se pas Ibrahimit, Qabja u rindërtua më vonë nga fisi Xhurhum të cilët ishin prej arabëve (të cilët thuhet se u vendosën në Mekë në kohën kur Haxherja dhe Ismaili ndodheshin atje), dhe më vonë nga Amalikët dhe më në fund nga fisi i Muhamedit, Kurejshët.
[3] Kurani 2:125; 3:96-97, 5:2.
[4] Kuran 14:37.
[5] Kurani 22:29, 33.
[6] Kurani 3:96-97.
[7] Ibn Kethir, tefsir el-Kuran, Damask-Mektebe dar el fikr, 1998, v 1, fq 509.
[8] Kurtubi, Tefsir, v. 3, fq. 54, ku një traditë pohon se Qabeja u krijua dhe zbriti njëkohësisht në kohën e krijimit të vetë tokës; dhe një tjetër pohon se Qabeja ka ekzistuar para krijimit të Ademit dhe se vetë engjëjt e rrethonin atë; Po ashtu Zamakhshari, el-Keshsh v. 1, fq. 378, ku thuhet gjithashtu se Qabeja është krijuar 1000 vjet para tokës.
[9] Xhamiu el bejan, v. 4, f. 12.
[10] Shih Brannon Wheeler, Mecca and Eden, Chicago: University of Chicago Press, 2006, fq. 64-67.
[11] Taberi,Xhamiu el bejan, v. 4, fq. 11-12; Zemakhsheri, el-Keshash f, v. 1, fq. 379.
[12] Shih Kur'anin (suretul-Fil), i cili tregon mbrojtjen e mrekullueshme të Zotit të Mekës dhe Qabes nga fiset pushtuese jugore dhe Kur'anin (suretul Kurejsh), i cili urdhëron fisin e Kurejshëve, të cilët kishin në kontroll Mekën, të adhurojnë"Zotin e Shtëpisë" i cili "i kishte ushqyer kur kishin uri dhe i kishte mbrojtur nga frika".
[13] Kurani 3:96.
[14] Kurani 27:91 i referohet pohimit ku thuhet se "këtë tokë të cilën Ai e ka shenjtëruar (ose e ka bërë të shenjtë)"
[15] Kurani 2:125-126, 95:3, 28:57, 29:67.
[16] Kurani 14:35.
[17] Kuran 29:67.
[18] Kuran 3:97.
[19] Kurani 5:2.
[20] Shih Taberi, Xhamiu el bejan, v. 4, fq. 17-19; Ibn Kethir, Tefsir, v. 1, fq. 510.
[21] Në disa tradita, Muhamedi thotë se atij iu dha një afat i përkohshëm për të ndëshkuar disa kriminelë pas pushtimit të Mekës, por se për të gjitha kohërat, para dhe pas asaj dite, ishte caktuar nga Zoti si një vend sigurie dhe strehimi për të gjithë. Shih, për shembull, Bukhari, Sahih, v. 1, libri 3, ha. 104.
[22] Shih Taberi, Xhamiu el bejan, v. 4, fq. 13; Kurtubi, Tefsir, v. 3, fq. 54; Ibn Kethir, Tefsir el-Kur'an el adhim, v. 1, fq. 509.
[23] Taberi xhamiu el bejan, v. 15, fq. 21-25.
[24] Alegoria e Ibn Sënës dhe Recitali Vizionar në H. Corbin, Avicenna and the Visionary Recital (përkth. Ë. Trask), Princeton: Princeton University Press, 1990, fq. 137.
[25] Shih Buhari, v. 2, libri 21, h. 281, 288; v. 3, libri 29, h. 87 dhe libri 31, h. 315.
[26] Megjithatë, Medina përmendet me emrin e saj të vjetër, Jethrib, në një pasazh të Kuranit ku hipokritët përpiqen të bindin njerëzit e "Jathribit" që të largohen nga Profeti gjatë rrethimit të saj (Kur'ani 33 :13).
[27] Shih në përgjithësi, Bukhari, libri 30 (Fadail Medinah), si dhe librin 55, h. 586, ku Profeti deklaron se ai e ka bërë Medinën një vend të shenjtë (haram) përmes lutjes së tij në emër të saj, ashtu siç e kishte bërë Ibrahimi Mekën një vend të shenjtë përmes lutjes së tij për këtë të fundit.
[28] Shih Kur'anin 8:72.
[29] Tradita të ndryshme të tefsirit rendisin zona të ndryshme si toka e premtuar për izraelitët. Këto përfshijnë: Malin Sinai dhe rrethinat e tij; rajonet e Sirisë, Palestinës dhe Jordanisë; dhe Jeriko. Taberiu deklaron se çështja nuk mund të zgjidhet dhe thotë se i referohet një pjese toke, diku midis lumit Eufrat dhe Egjiptit. Shih Taberi xhaiu el bejan, v. 6, fq. 234-235.
[30] Po aty, v. 6, fq. 234.
[31] Shih paralelen biblike te Numrat 13-14.
[32] Kurani 17:4-8.
[33] Kurani 21:71, 81.
[34] Suneni i Ebu Daudit libri 2, h. 457.
[35] Taberi,tarikh er-rusul vel muluk, (Annales, red. M.J. De Goeje), Leiden: E.J. Brill, 1964, I: 2408-2409
[36] Kurani 9:17-18, 28
[37] Psalmet 137:4. Gjithashtu, disa mitzvot nuk mund të realizohen jashtë Tokës së Premtuar, siç përmend Aryeh Cohen në punimin e tij.
[38] Shih e sakta e Muslimit, libri 4, h. 1057
[39] Kurani 2:115. Komuniteti i hershëm ndryshuan në kuptimin e kësaj deklarate: disa pohuan se kjo erdhi si përgjigje ndaj kritikave të hebrenjve për ndryshimin e drejtimit të lutjes nga Jeruzalemi (të cilin ata e konsideronin kiblen e duhur) në Mekë, duke treguar se Zoti zotëron të gjitha drejtimet dhe mund t'i përcaktojë ato sipas dëshirës; të tjerë sugjeruan se kjo do të thoshte se një lutje e sinqertë e ofruar në çfarëdo drejtimi do të pranohej nga Zoti, bazuar në raportet se Profeti dhe disa shokë të hershëm do të luteshin në cilindo drejtim që do të kthehej deveja e tyre gjatë udhëtimit; të tjerët pohuan se kjo ishte për të zbutur frikën që disa muslimanë të hershëm kishin për bashkëkohënikët e tyre muslimanë që kishin vdekur para se të ndryshonte kibleja dhe t'i siguronte ata se bashkëbesimtarët e tyre që kishin vdekur duke u lutur drejt Jeruzalemit pa u falur drejt Mekës do të pranoheshin gjithsesi nga Zoti; më në fund disa argumentuan se kjo do të thoshte se Zoti zotëron të gjithë territorin tokësor - Lindjen dhe Perëndimin - dhe kështu në cilindo që të gjeni veten, kthehuni drejt kibles së Qabes dhe lutja juaj do të pranohet (shih Taberi, xhamiu el bejan, v. 1, fq. 700-704.)
[40] Kuran 2:177
[41] Kuran 4:97
[42] Taberi, xhamiu el bejan, v. 7, f. 104.
[43] Kurtubi, Tefsir, v. 7, f. 95. Ibn Kethir, Tefsir el Kuran el kerim v. 3, f. 290.
[44] Kurtubi, Tefsir, v. 7, fq. 90.
[45] Taberi, xhamiu el bejan, v. 1, f. 696; një opinion tjetër i gjetur këtu pohon se kjo i referohet si të krishterëve ashtu edhe Nebekudnetsarit babilonas në veprimet e tyre ndaj tempullit hebre (fq. 696-697). Një opinion tjetër e konsideron deklaratën e bërë në ajet si të përgjithshme. Me fjalë të tjera, referenca e menjëhershme e tij mund të jetë shkatërrimi i tempullit hebre, por gjykimi është universal, në atë që i aplikohet kujtdo që do të përpiqet të pengojë rrugën ose të shkatërrojë vendet ku adhurohet Zoti (shih Zamakhshari, el-Kashshaf, v. 1, fq. 178-179).
[46] Kjo ngjarje duket se është baza e traditave eskatologjike që parashikojnë shkatërrimin ose djegien e Qabes para fundit të kohës. Sahihu Muslim, libri 41, h. 7023, 7024
[47] Shih: Sahih el Buhari v. 3, libri 30, h. 103-106, etj
[48] Ebu Daud, në Sunen, libri 37, h. 4310; shih gjithashtu A. Sachedina, Islami Messianism, Albany: SUNY Press, 1981, fq. 171-172.
[49] Shih A. Sachedina, Mesianizmi Islamik, fq 159-163.