Kaledonia e Re, grupi pro-pavarësisë kërkon tërheqjen e forcave franceze të sigurisë
Një grup pro-pavarësisë në Kaledoninë e Re ka bërë thirrje për “tërheqjen e menjëhershme" të forcave të sigurisë të dislokuara në ishull nga qeveria franceze, transmeton Anadolu.Sipas mediave lokale, në një konferencë për media, Fronti Nacional-Çlirimtar Socialist i Kanakëve (FLNKS) u kërkoi policisë, xhandarëve dhe ushtarëve të largohen nga treva e jashtme e Francës, ku ata u dërguan për t’i frenuar incidentet e dhunshme që shpërthyen në muajin maj, raportoi media lokale.Një ndryshim kushtetues i miratuar nga Parisi për t'u dhënë të drejtën për të votuar në zgjedhjet provinciale banorëve francezë të Kaledonisë së Re të cilët kanë qenë atje për më shumë se 10 vjet, shkaktoi protesta duke ngritur shqetësime për reduktimin e përfaqësimit politik të popullsisë vendase të Kanakëve.
Që atëherë, presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi pezullimin e planit të kontestuar të reformës zgjedhore.
FLNKS-ja gjithashtu bëri thirrje për një mision dialogu që është i strukturuar politikisht, i paanshëm dhe gëzon status ndërkombëtar, duke kërkuar nga presidenti Macron të udhëzojë kryeministrin e ardhshëm të vendit që të angazhohet me grupin.
Përveç kësaj, FLNKS-ja kërkoi largimin e komisionerit të lartë francez, Louis Le Franc dhe prokurorit Yves Dupas nga arkipelagu i Paqësorit Jugor, si dhe kthimin në ishullin e mbështetësve të pavarësisë së Kaledonisë së Re personat që u arrestuan dhe u dërguan në Francë.
Franca shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe vendosi forca shtesë për të ndihmuar në rivendosjen e rendit në Kaledoninë e Re.
Kanakët vendas besojnë se nisma e qeverisë franceze për reformën kushtetuese shkel Marrëveshjen Noumea. Ndryshimet e propozuara do të lejojnë qytetarët francezë që kanë jetuar në ishull për të paktën 10 vjet të votojnë në zgjedhjet lokale.
Kaledonia e Re fitoi autonominë përmes Marrëveshjes Noumea në vitin 1998, e cila kufizoi të drejtat e votës për ata që banonin në ishull para vitit 1998 dhe pasardhësit e tyre, për të parandaluar që popullsia indigjene të kthehej në pakicë.
Më 13 maj, protestat filluan në përgjigje të një reforme kushtetuese franceze që do të margjinalizonte popullin indigjen të Kanakëve në zgjedhje. Policia dhe xhandarët u vendosën në të gjithë ishullin për të frenuar kërkesat legjitime të Kanakëve, veçanërisht në kryeqytetin Noumea.
Dy ditë më vonë, administrata e Kaledonisë së Re ndaloi rrjetin social TikTok dhe shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 12-ditore.
Burimet zyrtare franceze thanë se shtatë persona u vranë dhe më shumë se 370 u arrestuan gjatë trazirave./AA