Lidhje


Stabilizimi, tërheqja, rindërtimi - Një vështrim mbi udhërrëfyesin e armëpushimit të Gazës

 Presidenti amerikan Joe Biden ka paraqitur atë që ai e përshkroi si një propozim trefazor izraelit për një armëpushim në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite, duke thënë se "është koha që kjo luftë të përfundojë" , duke fituar kështu një reagim pozitiv fillestar nga rezistenca e Hamasit, grup që ka duruar dhe luftuar pushtimin brutal izraelit për 238 ditët e fundit. Këtu janë tre fazat siç përshkruhen nga Biden në një fjalim dhe nga zyrtarët amerikanë në një konferencë të mbajtur më vonë.

 

Propozimi parashikon një marrëveshje që do të përfundonte me një proces shumëvjeçar për të rindërtuar enklavën bregdetare të shkatërruar gjerësisht dhe kthimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur, sipas Biden dhe një prej zyrtarëve të tij të lartë që informuan gazetarët.

 

Faza e parë

 

Faza e parë, do të shohë armëpushimin të zgjasë për të paktën gjashtë javë dhe propozon "një armëpushim të plotë dhe të tërësishëm" të aplikuar në Gaza, duke i shtuar këtu tërheqjen e trupave izraelite nga ajo që Biden e përshkroi si "të gjitha zonat e populluara të Gazës".

 

Zyrtarët e tij sqaruan se kjo përfshin "zona me popullsi të dendur" ku forcat izraelite po veprojnë aktualisht.

 

Një numër i papërcaktuar pengjesh do të liroheshin gjithashtu gjatë periudhës fillestare, duke përfshirë gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të asaj që Biden tha se do të ishin "qindra" të burgosur palestinezë.


Eshtrat e disa prej pengjeve që kanë vdekur gjithashtu do të kthehen dhe civilët palestinezë do të lejohen të kthehen në shtëpitë dhe lagjet e tyre në të gjithë Gazën, duke përfshirë veriun, ku Izraeli ka zbatuar kufizime gjithëpërfshirëse.

 

Dërgesat e ndihmave humanitare gjithashtu do të rriteshin në mënyrë drastike për të arritur në 600 kamionë në ditë, sipas Biden.

 

Faza e dytë

 

Biden e quajti fazën e dytë "një fund të përhershëm të armiqësive".

 

Megjithatë, ai shtoi se negociatat për të arritur në fazën e dytë mund të zgjasin më shumë se gjashtë javë pasi do të kishte diferenca midis dy palëve.

 

“Izraeli do të dëshirojë të sigurohet që interesat e tij mbrohen, por propozimi thotë se nëse negociatat zgjasin më shumë se gjashtë javë nga faza e parë, armëpushimi do të vazhdojë për aq kohë sa vazhdojnë negociatat”, tha Biden, i cili do të shënonte një zhvillim të ri nga propozimet e mëparshme.

 

Ai shtoi se SHBA-ja, Katari dhe Egjipti do të sigurojnë që bisedimet të vazhdojnë gjatë kësaj periudhe derisa "të arrihen të gjitha marrëveshjet" për të filluar fazën e dytë.

 

Faza e dytë do të çojë në lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura që janë gjallë, përfshirë ushtarët meshkuj, ndërsa forcat izraelite do të tërhiqen nga Gaza, sipas Biden.

 

Ai shtoi: “Dhe për sa kohë që Hamasi i përmbush angazhimet e tij, një armëpushim i përkohshëm do të bëhet – sipas propozimit izraelit – ndërprerja e armiqësive përgjithmonë”.

 

Një nga çështjet e pazgjidhura që duhet të zgjidhet është numri i të burgosurve palestinezë që do të liroheshin në këmbim të lirimit të pengjeve izraelitë, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

 

"Ne nuk do ta zgjidhim këtë tani. Por do të zgjidhet gjatë gjashtë javëve të para, dhe për sa kohë që ato bisedime janë duke vazhduar, përfitimet nga marrëveshja për të gjithë në fazën e parë do të vazhdojnë," vuri në dukje zyrtari.

 

Raporti i shkëmbimit të të burgosurve është një çështje kritike, sepse në fazën e dytë, të gjithë pengjet e gjallë do të lirohen, duke përfshirë të gjithë personelin ushtarak izraelit mashkull. Forcat izraelite gjithashtu do të tërhiqen plotësisht nga Gaza.

 

“Armëpushimi i përkohshëm do të shndërrohej në një ndërprerje të përhershme të armiqësive”, tha Biden.

 

Si faza e parë ashtu edhe ajo e dyta janë parashikuar të zgjasin rreth 42 ditë.

 

Në fazën e tretë,

Biden tha se "një plan i madh rindërtimi për Gazën do të nisë dhe çdo mbetje përfundimtare e pengjeve që janë vrarë do t'u kthehen familjeve të tyre".

 

Biden pretendoi se Izraeli kishte "shkatërruar forcat e Hamasit gjatë tetë muajve të fundit", duke shtuar: "Në këtë pikë, Hamasi nuk është më në gjendje të kryejë një tjetër 7 tetor."

 

Në marrëveshjen për rindërtimin e Gazës, kombet arabe dhe komuniteti ndërkombëtar do të marrin pjesë gjithashtu në një "program që nuk e lejon Hamasin të riarmatoset", tha Biden.

 

Ai shtoi se Uashingtoni do të punojë me partnerët e tij për të rindërtuar shtëpitë, shkollat ​​dhe spitalet në Gaza, ku Izraeli ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.4 milionë popullsinë dhe ka shkaktuar uri të gjerë.

 

Ky proces "mjaft i gjerë" është përshkruar në propozim dhe vlerësohet të zgjasë nga tre deri në pesë vjet, u thanë zyrtarët e Bidenit gazetarëve në një konferencë shtypi. Përpjekja do të "mbështetet plotësisht" nga SHBA, komuniteti ndërkombëtar dhe "të tjerë" të paspecifikuar", tha zyrtari amerikan.

 

"Deri në kohën që do të arrijmë në fazën e tretë, unë mendoj se jemi ftur tërësisht në procesin e rehabilitimit të Gazës dhe stabilizimin e saj" shtoi ai.

XS
SM
MD
LG